Lajme nga vendi
Aliu paralajmëron ndryshime ligjore: Mjekët dhe personeli mjekësor do t’i nënshtrohen testit anti-drogë
Mes ligjeve të cilat po përpilohen nga 12 grupet e punës në ministrinë e shëndetësisë, është paraparë edhe një ligj i cili do të obligonte punonjësit shëndetësor të kryejnë test anti-drogë. Grupet e punës kanë kujdes që të mos ketë përplasje mes ligjeve por të jenë të sinkronizuara dhe të zbatueshme.
“Po definitivisht ne kemi 12 grupe punuese të cilat punojnë siç e dini për ndryshimin apo sinkronizimin e atyre ligjeve që të jenë që të mos ketë përplasje mes ligjeve. Një nga mundësitë që do ta shqyrtojmë është nëse mundet në ndonjërin prej ligjeve të jetë, do të jetë edhe ai nen i ligjit”, tha Azir Aliu – Ministër i Shëndetësisë.
Por çfarë sanksionesh parashihen për mjekët që mund të rezultojnë pozitiv? Ministri Aliu ende nuk ka detaje.
“Për këtë juristët me siguri kur krijohet ligj ka edhe proces se si duhet të ndjekësh indikatorët dhe nëse nuk janë në përputhje me ligjin normalisht se do të ketë edhe pasoja”, deklaroi Azir Aliu – Ministër i Shëndetësisë.
Kjo ide vjen pasi drejtori i shkarkuar i Neurologjisë, Igor Kuzmanovski, ishte incizuar duke shfrytëzuar lëndë narkotike. Kërkesë për testim anti drogë pati pasur edhe për deputetët në vitin 2019. Grupi i pavarur i atëhershëm i deputetëve nga VMRO-DPMNE-ja patën kërkuar nga Kuvendi që të bëjë test për përdorimin e lëndëve narkotike për të gjithë 120 deputetët ndërsa patën bërë thirrje që këtë ta realizojnë edhe funksionarët e tjerë sikurse gjykatësit, prokurorët, kryetarët e komunave e të tjerë. Kjo kërkesë pati ardhur pas publikimit të një bisede të përgjuar të deputetit të atëhershëm të LSDM-së, Pavle Bogoevski i cili dëgjohej duke porositur lëndë narkotike kokainë.
Paraprakisht policia kishte zbatuar testimin për anti-drogë te disa punonjës. Numri i tyre i vërtetë asnjëherë nuk u kumtua, por disa ishin suspenduar, madje edhe pjesëtarë të njësive elitare. Ky mekanizëm hyri në funksion nga viti 2015 kur të paktën 13 policë nga një aksion i brendshëm i MPB-së, rezultuan pozitiv në testet e drogës. Në vitin 2020 në metodologjinë e re për test integriteti ishte përfshirë edhe kontrolli i domosdoshëm për policët gjatë aplikimit për punë. /Alsat.mk
Lajme nga vendi
Në pranga edhe pronari i “Sante Plus” në Shkup, Bilall Kara si dhe Geriana Arapi, po i kërkonte edhe Shqipëria
Pronari i spitalit privat “Sante Plus”, Bilal Kara, është një prej personave të arrestuar në operacionin e zhvilluar në Maqedonisë së Veriut, në kuadër të një hetimi për abuzime me Fondin e Sigurimeve Shëndetësore.
Ai ishte shpallur në kërkim edhe nga autoritetet shqiptare që prej muajit shtator të vitit të kaluar, me dyshimin se nuk kishte deklaruar të ardhurat e përfituara në vlerën e 1 milion eurove, ndërsa në klinikë u gjetën edhe medikamente, të cilat dyshohet se kishin skaduar, por që përdoreshin nga stafi shëndetësor.
Sipas mediave maqedonase, bashkë me Bilal Kara u arrestuan edhe shtatë persona të tjerë, të cilët dyshohen për përfshirje në abuzime me procedurat e operacioneve në sy. Sipas hetimeve, dyshohet se për këto ndërhyrje kirurgjikale janë kryer pagesa si nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, ashtu edhe nga vetë pacientët. Mes personave të arrestuar, sipas mediave maqedonase është edhe Geriana Arapi, ish-drejtoresha e spitalit “Sante Plus”, e cila po ashtu ishte në kërkim prej më shumë se një viti nga autoritetet shqiptare, që pas bllokimit të klinikës “International Medicare” në Tiranë. Arrestimi i tyre në Maqedoninë e Veriut pritet të pasohet nga zhvillime të tjera lidhur me procedurat ligjore dhe kërkesën e autoriteteve shqiptare për ta.
Lajme nga vendi
Moti sot në Maqedoninë e Veriut
Moti sot në Maqedoninë e Veriut do të jetë i ndryshueshëm me vranësira dhe reshje lokale të shiut. Në disa lugina do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së mëngjesit. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu.
Temperatura minimale do të jetë në intervalin nga 6 deri në 12 gradë, ndërsa maksimale do të arrijë nga 12 deri në 19 gradë.
Në Shkup, moti do të jetë kryesisht me vranësira, në orët e mëngjesit do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së lehtë. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu. Temperatura minimale do të ulet në 10, ndërsa maksimale do të arrijë në 15 gradë.
Lajme nga vendi
LAMM: Komunikacioni zhvillohet pa pengesa, nuk ka vonesa në pikat kufitare
Komunikacioni në rrugët shtetërore po zhvillohet pa probleme, në rrugë të thata, njofton LAMM. Intensiteti i trafikut në rrugët jashtë zonave urbane është mesatar.
Nuk ka vonesa të gjata në pikat kufitare në anën RMV-së për hyrje dhe dalje nga vendi.
LAMM rekomandon përshtatjen e shpejtësisë së lëvizjes, respektimin e sinjalistikës së vendosur të trafikut dhe menaxhimin e kujdesshëm të automjeteve, veçanërisht në rrugët nëpër lugina, lugina lumenjsh dhe gryka, ku ekziston mundësia e rrëshqitjeve të dheut. Kjo vlen veçanërisht për seksionet Katllanovë – Veles, Mavrovë – Dibër – Strugë, Vinicë – Berovë dhe Koçan – Dellçevë.
-
Lajme nga rajoni2 months agoFilloi në Hagë seanca për deklaratat përfundimtare ndaj Thaçit dhe të tjerëve
-
Lajme nga rajoni2 months agoKa ndërruar jetë Flora Brovina, një nga figurat e njohura të jetës politike dhe shoqërore në Kosovë
-
Lajme nga rajoni2 months agoThaçi e Krasniqi dënohen me nga 25 vjet burgim, Veseli 18 e Selimi 13

