Lajme nga vendi
‘Qyteti i Sigurt’ i pasigurt: Të dhënat personale në rrezik, njoftimet shkojnë edhe te njerëzit e gabuar
Qytetarët në Maqedoninë e Veriut po përballen me njoftime të pasakta nga sistemi ‘Qytet i Sigurt’ (Safe City). Gabimet në numrat e telefonit dhe adresat elektronike bëjnë që dënimet të dërgohen te njerëzit e gabuar. Kjo e rrit rrezikun për keqpërdorim të të dhënave personale dhe i ekspozon qytetarët ndaj abuzimeve të mundshme, shkruan Portalb.mk.
Që në fillim të dhjetorit, në Shkup hyri në fazën e testimit sistemi i kamerave ‘Qytet i Sigurt’ i cili detekton shkeljet në trafik dhe qytetarët marrin menjëherë njoftimet për shkeljet dhe dënimet ( të cilat do fillojnë të aplikohen nga janari 2026) përmes sms porosive dhe adresave elektronike (e-mail).
Shkelje në trafik apo shkelje e të dhënave personale
Këto njoftime hapën një dilemë të madhe për shkak se njoftimet shkonin edhe në numra dhe e-maile të gabuara, për çka qytetarët filluan të shqetësohen për të dhënat e tyre personale.
Në këto njoftime figurojnë të dhënat personale si: Emri, mbiemri, numri amë, numri i letërnjoftimit, adresa, numri i telefonit dhe emaili.
‘Javën e kaluar mora sms porosi nga Ministria e Brendshme për shkelje në trafik, kur e hapa gjithçka ishte në rregull deri sa e pash se e-maili ishte gabim, kjo më shqetësoi sepse të gjithë të dhënat e mia personale ishin dërguar në adresë elektronike të tjetër kujt. Unë nuk e di nga e kanë nxjerrë atë e-mail, shumë mirë më kujtohet se kur e kam regjistruar veturën ua kam dhënë e-mailin tim personal, dhe për këtë kam vërtetim në e-mail”, tha një qytetar.
Raste të ngjashme u kanë ndodhur shumë qytetarëve.
“Mua më erdhi njoftimi edhe në email edhe përmes mesazhit në telefon, të dy adresat i kisha në rregull, por kam dëgjuar nga miqtë se atyre ua kanë gabuar, që mendoj se është shkelje e privatësisë sepse aty ka shumë të dhëna personale”, tha një qytetare.
Përse është e rrezikshme kjo?
Dançe Danilovska Bajdevska, drejtoreshë programi në Fondacionin Metamorfozis thotë se gabimet në njoftimet nga sistemi Qyteti i Sigurt, siç janë numrat e telefonit ose adresat e email-it të futura gabimisht, përbëjnë rrezik serioz për mbrojtjen e të dhënave personale.
Ajo thotë se dërgimi i gjobave dhe informacionit të ndjeshëm (numri amë, data e lindjes, adresa e banimit, etj) në adresat e gabuara i ekspozon qytetarët ndaj mundësisë së keqpërdorimit, duke përfshirë qasjen e paautorizuar dhe mashtrim të mundshëm.
“Kjo gjithashtu përfaqëson shkelje të besimit në institucionet që menaxhojnë sistemin. Është urgjentisht e nevojshme të përmirësohen kontrollet dhe procedurat e sigurisë për të parandaluar lëshime të tilla dhe për të siguruar mbrojtje adekuate të të dhënave të të gjithë qytetarëve”, tha Danilovska Bajdevska.
Sipas saj, gjatë periudhës së testimit, kur gjobat nuk përpunohen, por shërbejnë si paralajmërime, të dhënat personale (numri amë, adresa e banimit, data e lindjes, etj.) duhet të fshihen për të shmangur keqpërdorimin e mundshëm.
“Edhe më shqetësuese është se pamë raste kur funksionarë publikë ndanë publikisht në rrjetet sociale raportet e marra për shkeljet në komunikacion, me qëllim të tregojnë trajtim të barabartë nga sistemi për të gjithë qytetarët. Por publikimi i të dhënave personale tregon nivel të ulët të vetëdijes për mbrojtjen personale në hapësirën digjitale”, përfundoi Danilovska Bajdevska.
Paralajmërime për azhurnimin e të dhënave
Avokati Vullnet Zenki përmes një njoftimi apeloi që kushdo që e shet apo ia tjetërson veturën dikujt tjetër, duhet patjetër të insistojë që transferi i pronësisë të bëhet menjëherë dhe vetura të kalojë në emrin e blerësit.
“Për shkak të sistemit Safe City dhe radarëve të vendosur nëpër vend , të gjitha gjobat automatike (shpejtësi, parkim, kamera rruge, etj.) do të vijnë në emrin e personit në të cilin figuron vetura, pavarësisht se kush e drejton realisht. Nëse vetura ende është në emrin tuaj, ju mbani përgjegjësinë ligjore dhe financiare. Zgjidhja: Pas shitjes, kërkoni që transferi i pronësisë të kryhet menjëherë në MPB, për të shmangur çdo problem”, tha Zenki.
Heshtje në MPB
Ministria e Punëve të Brendshme nuk u përgjigj në pyetjet gazetareske të Portalb.mk se pse lejojnë shkelje të tilla që njoftimet të shkojnë në adresa të gabuara dhe nëse kanë plan për ta zgjidhur këtë.
Ankesë në Kushtetuese dhe padi kundër MPB-së
Një grup qytetarësh paraqitën padi gjithëpërfshirëse në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut, duke kërkuar vlerësim të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së të ashtuquajturit sistem “Qytet i Sigurt” i zbatuar nga Ministria e Brendshme (MPB). Paralelisht me padinë, janë ngritur kallëzime penale në Prokurorinë Themelore Publike dhe në Prokurorinë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit kundër ministrit të Brendshëm Pançe Toshkovski dhe zyrtarëve aktualisht të panjohur.
Sipas ankuesve, sistemi i ri për sanksionimin e shkeljeve të trafikut – i cili parashikon dërgimin e urdhra.
Kamerat “Qytet i Sigurt” të instaluara në udhëkryqet e Shkupit regjistrojnë automatikisht shkeljet e trafikut duke filluar nga 1 dhjetori. Periudha provuese do të zgjasë deri në Vitin e Ri, ndërsa gjobat e para duhet të mbërrijnë më 1 janar.
Synimi është që deri në vitin 2030 të zvogëlohet dhe të përgjysmohet numri i aksidenteve në trafik.
Zbatimi i projektit “Qyteti i sigurt”, i cili në fazën e parë, përveç në Shkup, do të zbatohet edhe në Tetovë dhe Kumanovë.
Lajme nga vendi
Mickoski nuk leshon pe për “Safe City”: Nëse duhet edhe Qeveria të bie, jam i përgatitur për këtë rrezik
Kryeministri i vendit Hristijan Mickoski, në emisionin Click Plus në TV21, duke folur për projektin “Safe City”, theksoi se është i përgatitur të marrë rrezik politik, madje edhe nëse kjo çon në rënien e Qeverisë.
Mes tjerash, kryeministri potencoi se qëllimi nuk janë gjobat, por veprimi edukativ dhe parandalues.
“Qëllimi nuk është të arkëtohen gjoba. Së pari, ekziston tolerancë – nëse vozitet deri në 5 kilometra mbi kufirin e lejuar, nuk do të ketë gjobë. Nëse tejkalohet shpejtësia për më shumë se 10 kilometra, atëherë do të ketë sanksione. Por, sërish po e theksoj: qëllimi nuk janë gjobat, por veprimi edukativ dhe parandalues”.
“Nëse kjo Qeveri duhet të bjerë për shkak të ‘Safe City’, e më pas të vijë një Qeveri tjetër që ta shfuqizojë projektin dhe secili të vozisë si të dojë, atëherë në rregull – jam i gatshëm ta marr këtë rrezik”, deklaroi Mickoski./TV21/
Lajme nga vendi
Një delegacion nga Universiteti “Nexhbedin Erbakan”, nga Turqia vizitoi UEJL-në

Lajme nga vendi
Tatimet retroaktive, sërish protesta në Tetovë
Dhjetëra persona që kanë punuar në shtetet e lindjes, sot sërish protestuan përpara Drejtorisë së të Ardhurave Publike në Tetovë për të kërkuar anulimin e vendimit për pagesë të tatimeve. Protestuesit kërkojnë pezullim të menjëhershëm të vendimeve tatimore me efekt retroaktiv, njohje të plotë të dokumentacionit për statusin e jorezidentit dhe transparencë dhe qartësi institucionale.
Protestës së sotme në Tetovë ju bashkangjitën edhe kolegët nga Kumanova. Ata njoftuan se të premten do të kenë takim me drejtoreshën e Drejtorisë së të Ardhurave Publike Elena Petrova. Sipas tyre, Petrova nuk ka pranuar takim në Kumanovë por në zyrat e drejtorisë. Protesuesit njoftojnë se kanë patur një takim jozyrtar me drejtoreshën u janë dhënë shumë premtime por nuk është realizuar asgjë.
“Qëndrimet tona janë të qarta. Të gjitha vendimet që na janë lëshuar të ndërpriten sepse ne kemi punuar nga gjashtë ose shtatë muaj. Ne kemi dëshmi se kemi paguar atje tatime dhe të gjitha dëshmitë që i kanë kërkuar ne i kemi dorëzuar por nuk janë marrë parasysh. Kërkojmë përgjegjësi se pse nuk kanë njoftuar në kohë dhe pas pesë vitesh na kërkojnë të paguajmë tatime kur dihet se këto vendime na janë lëshuar 15 ditë para vitit të ri. Nuk kemi pasur kohë të grumbullojmë dokumentet dhe akoma nuk kemi.Vendimet janë lëshuar, ne kemi pasur kohë 30 ditë ta anikojmë dhe jemi duke e bërë”, tha Zoran Nakovski.
“Në atë takim është dhënë premtim se institucionet qendrore shtetërore do të ndihmojnë që të sigurojmë dokumente, Ministria e Punëve të Brendshme do të na jep vërtetime për hyrje dalje nga shteti me qëllim që ti ato ti sigurojmë si dëshmi se ne në ato momente nuk kemi qenë në shtet. Pra, nuk mund të na thotë dikush se ne jemi rezident por ke qenë 7 ose 8 muaj jashtë shtetit. Pra, duhet të gjejmë gjuhë të përbashkët që këto vendime të stopohen” thotë Zhikica Milanov.
Më 13 dhjetor 2025, qytetarët u befasuan nga vendimi i Drejtorisë së të Ardhurave Publike për mbledhjen e taksës mbi të ardhurat e padeklaruara nga jashtë Maqedonisë. Disa prej tyre thanë se nuk janë të informuar mjaftueshëm për detyrimin e deklarimit të rregullt të këtyre të ardhura, ndërsa të tjerë kishin theksuar se njoftimet nga drejtoria për të ardhura publike u kishin ardhur me vonesë, për të ardhura të realizuara vite më parë.

