Lajme nga vendi
Sindikata e hotelerisë mbështet ligjin e ri për duhanin, por kërkon masa për ruajtjen e vendeve të punës
Ligji i ri për duhanin sërish hap debatin për balancën mes shëndetit publik dhe efekteve ekonomike mbi hotelierinë, gastronominë dhe turizmin.
Sindikata e punëtorëve të këtyre sektorëve paralajmëron vërejtje ndaj ndryshimeve të propozuara, por nuk është kundër Ligjit. Ata duan të parandalojnë zvogëlimin shtesë të kuadrit tashmë deficitare në sektor.
Nga Sindikata e hotelieri-turizmit porosisin se e mbështesin miratimin e Ligjit, por paralajmërojnë se zbatimi i tij mund të ketë pasoja ekonomike nëse nuk parashihen mekanizma mbrojtës për vendet e punës.
“Duhet të gjenden mënyra dhe masa që i njëjti të mos kontribuojë në uljen e numrit të punëtorëve në këtë sektor. E dimë se këta dy sektorë janë deficitare me kuadër, përveç pagave të ulëta, një pjesë e punëtorëve po largohen jashtë vendit. Kështu që konsiderojmë se edhe kjo do të jetë një lloj goditjeje e vogël për po ashtu uljen e numrit të punëtorëve në këta dy sektorë”, tha Stojançe Kashikovski.
Sipas Sindikatës, hotelieria dhe turizmi edhe tani përballen me mungesë fuqie punëtore. Një pjesë e punëtorëve largohen jashtë vendit për shkak të pagave të ulëta, ndërsa çdo restriksion shtesë që do të ndikonte në qarkullimin e objekteve mund të nënkuptojë edhe goditje të re ndaj punësimit. Pikërisht për këtë arsye, propozimi i tyre shkon në drejtim të një zgjidhjeje të ngjashme me zgjidhjen e mëparshme ligjore.
“E dimë se edhe në Ligjin e deritanishëm që parashihte hapësira të caktuara për duhanpirësit ose të ashtuquajturat veranda, parashihte pra një pjesë të tillë ku duhanpirësit do të jenë në mundësi të gëzojnë thjesht atë kënaqësinë e tyre”, deklaroi Stojançe Kashikovski.
Nga sindikata theksojnë se verandat ose pjesët e veçanta për duhanpirës janë pjesë kyçe për biznesin, por kyç është edhe zbatimi i qëndrueshëm dhe kontrollet e shtuara inspektuese.
Mesazhi i sindikatës është mbështetje për një ligj që do ta mbrojë shëndetin publik, por me zgjidhje të dizajnuara me kujdes që nuk do të shkaktojnë largim shtesë të kuadrit dhe mbyllje të vendeve të punës në një sektor që edhe ashtu përballet me sfida serioze. /tv21
Lajme nga vendi
Jep dorëheqje kreu i KRRE-së, Marko Bislimovski
Kryetari i Komisionit Rregullator për Energjitikë, Marko Bislimovski, sot ka dhënë dorëheqje, raporton Deutsche Welle. Bislimoski këtë mëngjes me një letër e ka informuar kryetarin e Kuvendit se tërhiqet nga funksioni në të cilin ishte zgjedhur për herë të parë në qershor 2018.
Në dorëheqje, Bislimoski nuk jep arsyet për tërheqjen. As ai, as bashkëpunëtorët e tij nuk duan ta komentojnë vendimin. Mandati i dytë pesëvjeçar i Bislimoskut do të përfundonte në qershor të vitit 2028.
Lajme nga vendi
Zjarri dhe tymi që ngulfati Shkupin, akuza për magazinim të paligjshëm të mbetjeve toksike në Vizbegovë
Tre pronarë dhe menaxherë kompanish do të përgjigjen për ndotje serioze në Vizbegovë të Shkupit, pasi prokuroria ngriti akuza për magazinim të paligjshëm të mbetjeve të rrezikshme që çoi në një zjarr të madh dhe ndotje masive të ajrit.
Sipas aktakuzës, nga fundi i shkurtit deri në fillim të korrikut të vitit të kaluar, të pandehurit ruajtën dhe menaxhuan mbetje të rrezikshme në një parcelë toke në Vizbegovë pa leje. Këto janë materiale me veti shpërthyese, të ndezshme dhe toksike, si dhe substanca që mund të jenë kancerogjene dhe të dëmshme për mjedisin.
Më 9 korrik 2025, në vend shpërtheu një zjarr, i cili, për shkak të shkallës dhe rrezikut të tij, nuk mund të vihej menjëherë nën kontroll. Një pjesë e mbetjeve u dogj, duke lëshuar tym të zi të trashë në ajër. Matjet nga shërbimet kompetente konfirmuan ndotje të konsiderueshme.
Prokuroria deklaron se veprime të tilla krijuan një rrezik serioz për shëndetin e qytetarëve dhe mjedisin.
Përgjegjësia i takon menaxherit dhe pronarit të kompanisë, i cili, së bashku me një person tjetër, mori pjesë aktive në operacionin e paligjshëm. Janë ngritur akuza edhe kundër një pronari tjetër të kompanisë dhe të truallit, i cili, sipas prokurorisë, duhet të kishte qenë në dijeni të rreziqeve që paraqiste ruajtja e mbetjeve të tilla.
Të pandehurit akuzohen për krimin e rrezikimit të mjedisit dhe natyrës me mbetje.
Lajme nga vendi
“GOCA E KAÇANIKUT”: SHKUPI SKENË E KULTURËS SHQIPTARE!
Për nder të Pavarësisë së Kosovës, mbrëmë në Shkup, në skenën e Operës dhe Baletit Kombëtar, u dha premierë opera “Goca e Kaçanikut” opera e parë kosovare e kompozitorit të njohur Rauf Dhomi, duke u shndërruar në një ngjarje të madhe kulturore dhe thellësisht emocionale.
“Goca e Kaçanikut” u prit me interes të madh nga publiku, duke dëshmuar se arti mbetet një nga mënyrat më të forta për ta ruajtur dhe për ta përcjellë historinë tonë.
Kjo premierë në Shkup ishte edhe një dëshmi e lidhjes së gjallë kulturore mes shqiptarëve si dhe një urë e rëndësishme bashkëpunimi ndërmjet institucioneve artistike.
Salla u mbush me emocion, ndërsa publiku ndoqi një vepër që nuk ishte thjesht art, por një rrëfim i gjallë për historinë, qëndresën dhe identitetin kombëtar.
“Goca e Kaçanikut” solli në skenë frymën e Kaçanikut dhe jetën e shqiptarëve ndër breza, duke e kthyer muzikën në kujtesë kolektive dhe skenën në një dëshmi të gjallë të asaj që jemi dhe çfarë kemi kaluar.

