Lajme nga vendi
Rasti Grubi, BDI akuzon ministrin Filkov për presion ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve
Bashkimi Demokratik për Integrim shpreh pakënaqësi të thellë dhe proteston drejtpërdrejt ndaj kërcënimeve të drejtuara ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve nga ministri Filkov në paraqitjen e tij të fundit publike.
“Pushteti ekzekutiv jo vetëm që nuk ka të drejtë kushtetuese të sugjerojë mënyrën e veprimit të organeve të drejtësisë, por roli i Ministrisë së Drejtësisë është pikërisht mbrojtja e integritetit dhe pavarësisë së pushtetit gjyqësor, veçanërisht në raste të ndjeshme kur polarizimi politik ushtron presion të madh mbi individët brenda sistemit të drejtësisë.
Ministri i Drejtësisë, në vend që ta mbrojë sistemin gjyqësor nga histeria partiake, po e nxit atë më tej, duke krijuar klimë të një vendimi të parapërcaktuar dhe duke adresuar publikisht mesazhe që përbëjnë presion ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve. Deklarata të tilla përbëjnë ndërhyrje të drejtpërdrejtë në një proces në zhvillim dhe, përveçse cenojnë parimin e ndarjes së pushteteve, përfaqësojnë goditje serioze ndaj sistemit të drejtësisë dhe rrezikojnë integritetin e procedurës.
I bëjmë thirrje ministrit që të përmbahet nga çdo ndërhyrje e mëtejshme publike në këtë çështje, ndërsa Ministria e Drejtësisë, përmes komunikimeve të qarta dhe të përgjegjshme, duhet të garantojë dhe të mbrojë pavarësinë dhe paanshmërinë e sistemit gjyqësor. Nëse kjo praktikë vazhdon, ministri duhet të shkarkohet menjëherë, me qëllim mbrojtjen e pavarësisë së pushtetit gjyqësor në këtë moment të ndjeshëm.
Bashkimi Demokratik për Integrim do të vazhdojë të ndjekë me kujdes dhe të evidentojë çdo veprim apo sjellje që krijon klimë linçimi dhe pengon vendimmarrjen e pavarur dhe të paanshme të organeve të drejtësisë. Për këto zhvillime do të informohen edhe partnerët tanë strategjikë – Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian dhe Misioni i OSBE-së në Shkup”, thuhet në reagimin e BDI-së.(INA)
Lajme nga vendi
Në pranga edhe pronari i “Sante Plus” në Shkup, Bilall Kara si dhe Geriana Arapi, po i kërkonte edhe Shqipëria
Pronari i spitalit privat “Sante Plus”, Bilal Kara, është një prej personave të arrestuar në operacionin e zhvilluar në Maqedonisë së Veriut, në kuadër të një hetimi për abuzime me Fondin e Sigurimeve Shëndetësore.
Ai ishte shpallur në kërkim edhe nga autoritetet shqiptare që prej muajit shtator të vitit të kaluar, me dyshimin se nuk kishte deklaruar të ardhurat e përfituara në vlerën e 1 milion eurove, ndërsa në klinikë u gjetën edhe medikamente, të cilat dyshohet se kishin skaduar, por që përdoreshin nga stafi shëndetësor.
Sipas mediave maqedonase, bashkë me Bilal Kara u arrestuan edhe shtatë persona të tjerë, të cilët dyshohen për përfshirje në abuzime me procedurat e operacioneve në sy. Sipas hetimeve, dyshohet se për këto ndërhyrje kirurgjikale janë kryer pagesa si nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, ashtu edhe nga vetë pacientët. Mes personave të arrestuar, sipas mediave maqedonase është edhe Geriana Arapi, ish-drejtoresha e spitalit “Sante Plus”, e cila po ashtu ishte në kërkim prej më shumë se një viti nga autoritetet shqiptare, që pas bllokimit të klinikës “International Medicare” në Tiranë. Arrestimi i tyre në Maqedoninë e Veriut pritet të pasohet nga zhvillime të tjera lidhur me procedurat ligjore dhe kërkesën e autoriteteve shqiptare për ta.
Lajme nga vendi
Moti sot në Maqedoninë e Veriut
Moti sot në Maqedoninë e Veriut do të jetë i ndryshueshëm me vranësira dhe reshje lokale të shiut. Në disa lugina do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së mëngjesit. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu.
Temperatura minimale do të jetë në intervalin nga 6 deri në 12 gradë, ndërsa maksimale do të arrijë nga 12 deri në 19 gradë.
Në Shkup, moti do të jetë kryesisht me vranësira, në orët e mëngjesit do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së lehtë. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu. Temperatura minimale do të ulet në 10, ndërsa maksimale do të arrijë në 15 gradë.
Lajme nga vendi
LAMM: Komunikacioni zhvillohet pa pengesa, nuk ka vonesa në pikat kufitare
Komunikacioni në rrugët shtetërore po zhvillohet pa probleme, në rrugë të thata, njofton LAMM. Intensiteti i trafikut në rrugët jashtë zonave urbane është mesatar.
Nuk ka vonesa të gjata në pikat kufitare në anën RMV-së për hyrje dhe dalje nga vendi.
LAMM rekomandon përshtatjen e shpejtësisë së lëvizjes, respektimin e sinjalistikës së vendosur të trafikut dhe menaxhimin e kujdesshëm të automjeteve, veçanërisht në rrugët nëpër lugina, lugina lumenjsh dhe gryka, ku ekziston mundësia e rrëshqitjeve të dheut. Kjo vlen veçanërisht për seksionet Katllanovë – Veles, Mavrovë – Dibër – Strugë, Vinicë – Berovë dhe Koçan – Dellçevë.
-
Lajme nga rajoni2 months agoFilloi në Hagë seanca për deklaratat përfundimtare ndaj Thaçit dhe të tjerëve
-
Lajme nga rajoni2 months agoKa ndërruar jetë Flora Brovina, një nga figurat e njohura të jetës politike dhe shoqërore në Kosovë
-
Lajme nga rajoni2 months agoThaçi e Krasniqi dënohen me nga 25 vjet burgim, Veseli 18 e Selimi 13

