Lajme nga vendi
Vidhen paratë në xhaminë e Sllatinës së Tetovës
Një rast vjedhjeje është denoncuar më 26 mars 2026 rreth orës 15:30 në Departamentin Policor të Tearcës, ku sipas informacioneve, gjatë intervalit kohor nga ora 12:00 deri në 15:00 është kryer një vjedhje në xhaminë e fshatit Sllatinë, në Tetovë.
Sipas njoftimit, persona të panjohur kanë hyrë në objekt dhe, duke përdorur forcë dhe mjete të forta, kanë hapur arkën e kontributeve vullnetare, nga e cila kanë marrë para.
Në vendin e ngjarjes ka intervenuar ekipi i SPB Tetovë, i cili ka kryer këqyrjen dhe po ndërmerren masa për zbardhjen e plotë të rastit.
Lajme nga vendi
Toshkovski i prerë: Mesazhet e “Safe City” vetëm në maqedonisht
Ministri i Brendshëm Pançe Toshkovski në intervistën për Alsat konfirmoi që sms-porositë e “Safe City” për shkelje në trafik do të vazhdojnë të vijnë vetëm në maqedonisht. Toshkovski tha se nuk është problem të dërgohen edhe në shqip njoftimet, megjithatë në një rrethanë të tillë do të duhej të dërgoheshin më shumë porosi.
“Porosia është me karakter informativ dhe e njëjta dorëzohet në shkrim latin. Pse? Sepse komunikimin që e kemi si Ministri nëpërmjet operatorëve Telekom është më efikase dhe më ekonomike të shkojë në kuadër të një porosie, për atë është në shkrim latin e jo cirilik. Nëse do të duhej të ishte në shkrim cirilik do të duhej të ketë së paku dy ose tre porosi. Kështu kemi një porosi. Nëse do të duhej të shkojë edhe në shqip, anglisht edhe në tërë gjuhët tjera do të duhej të kishte 50 porosi të cilat do të duhet të dërgohen nga ana e Ministrisë”, deklaroi Pançe Toshkovski, Ministër i Brendshëm.
Paraprakisht, zëvendësministri i Brendshëm Astrit Iseni në një intervistë për TVM2 javë më parë, kishte thënë se njoftimi për gjobat do të jetë edhe në shqip, ndërsa dygjuhësinë e kishte garantuar edhe zëvendëskryeministri Arben Fetai.
“Në takimin e fundit të liderëve është diskutuar edhe kjo që të gjitha ato gjoba të vinë edhe në gjuhën shqipe kështu që lideri i VLEN-it e ka ngritur edhe këtë si pikë shumë të rëndësishme. Por jo vetëm, janë dakorduar të gjitha pikat e mëparshme në lidhje me përfaqësimin e gjuhës shqipe siç është ajo te uniformat apo te veturat apo gjithkund tjetër, që këto të rregullohen në bazë të Kushtetutës. Kështu që qëndrojmë decid në atë”, theksoi Astrit Iseni, Zv.ministër i Brendshëm.
Çështja e gjuhës së njoftimeve të sms-porosive nga “Safe City” ishte temë debati në Gjykatën Kushtetuese, ky gjyqtarët shqiptarë u përplasën me kreun e Kushtetueses Darko Kostadinovski, i cili deklaroi që maqedonishtja është gjuhë e vetme zyrtare dhe se njohja e saj është obligative, ndërsa më e logjikshme do të ishte që sms-të të dërgoheshin edhe në anglisht.
“Nuk guxojmë të harrojmë se gjuha maqedonase është gjuhë zyrtare e këtij shteti. Sipas ligjeve tona njohja e gjuhës maqedonase është edhe e drejtë edhe e detyrueshme për çdo qytetar. Pra jo rastësisht është vendosur si detyrim. Edhe në maqedonisht edhe në gjuhë angleze. Pse në gjuhë angleze? Sepse një i huaj mund të bëjë shkelje”, tha Darko Kostadinovski, Kryetar i Gjykatës.
Ndaj deklaratës së Kostadinovskit kishte reagime të ashpra nga faktori politik shqiptar. / Alsat.mk.
Lajme nga vendi
Mickoski: Mbetemi në qëndrimin për një njësi zgjedhore, me të drejtë vote edhe për diasporën
Kryeministri Hristijan Mickoski sot theksoi se VMRO-DPMNE mbetet në qëndrimin për një njësi zgjedhore, ku do të votonte edhe diaspora, përcjell TV21. Ai sqaroi se ligjërisht duhet të rregullohet shpallja e përkohshme e eksterritorialitetit në disa vende ku do të organizohej votimi, dhe se kjo do të vlejë vetëm për zgjedhjet.
“Absolutisht, ne nuk i ndërrojmë menjëherë qëndrimet. Ne jemi për një njësi zgjedhore. Këtë e thash edhe në takimin e liderëve, normalisht të ketë një prag që do të negociohet bashkë me partitë e tjera politike. Në këtë një njësi zgjedhore logjikisht duhet të votojë edhe diaspora, por problemi kryesor me votimin në diasporë është fakti se disa përfaqësi diplomatike janë në distanca të mëdha dhe nuk ka interes të madh. Kjo veçanërisht vlen për kontinentin australian dhe Amerikën e Veriut. Vlerësoj se, nëse do të ishte e mundur, dhe kjo varet nga legjislacioni vendas, të hapeshin vende votimi në më shumë ambiente dhe jo vetëm në përfaqësitë diplomatike, në mënyrë që procesi të jetë më i suksesshëm”, tha Mickoski.
Lajme nga vendi
Maqedonia nuk është e rrezikuar nga sulmet kibernetike iraniane
Maqedonia për momentin nuk është cak i drejtpërdrejtë i sulmeve kibernetike nga Irani, ashtu siç po ndodh me Shqipërinë, por shteti dhe institucionet e tij, në kushte të digjitalizimit të përshpejtuar, duhet të jenë shumë më të kujdesshme, thonë ekspertët.
“Shqipëria është target për qëllime politike dhe për pranimin e një pjese të opozitës që është kundër regjimit në Iran. Maqedonia nuk ka, për momentin, të tilla grupacione dhe nuk është në linjën e drejtpërdrejtë të sulmeve ose target i Iranit, i hakerëve iranianë”, deklaroi Metodi Haxhi Janev, Ekspert i sigurisë kibernetike.
Përfaqësues nga Shqipëria Blendi Klosi, shef i delegacionit të Shqipërisë në AP të OSBE thotë se bëhet fjalë për sulme që vijnë nga grupe të caktuara lobuese në Iran.
Autoritetet e Maqedonisë sigurojnë se institucionet shtetërore për momentin janë të sigurta.
“Absolutisht deri tani nuk kemi asnjë informacion të sigurisë që institucionet tona, shteti, Kuvendi janë target i ndonjë sulmi, por kjo vlen deri sot, nuk e dimë nesër se si do të jetë. Prandaj duhet të sigurohemi që kjo të mos ndodhë”, theksoi Afrim Gashi – kryetar i Kuvendit.
“Në të kaluarën u sulmua sistemi i Fondit të Shëndetësisë dhe atë ditë u shkaktua kolaps. Jemi dëshmitarë të sulmeve edhe në Ministrinë e Bujqësisë. Nuk mund të lejojmë të punojmë në mënyrë naive dhe shteti duhet të jetë i përgatitur”, tha Monika Zajkova – shefe e Delegacionit të Maqedonisë në AP të OSBE.
Në Ohër po mbahet forumi i pestë ndërparlamentar i Evropës Juglindore i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së. Sipas pjesëmarrësve, forumi vjen në një moment shumë të rëndësishëm për ndërgjegjësimin dhe rritjen e sigurisë nga kërcënimet kibernetike. / Alsat.mk.
-
Lajme nga vendi2 months agoRrjeti i madh i dyqaneve për produkte të shtëpisë Comodita Home po rritet akoma më tepër, tash me dyqanin më të madh në Re Mall, Tetovë
-
Sport2 months agoOLIMPIADA DIMËRORE ‘’MILANO CORTINA 2026’’ FILLON MË 6 SHKURT
-
Lajme nga vendi2 months agoVLEN: Me Fetain në krye, nis goditja reale ndaj pasurisë së paligjshme

