Lajme nga vendi
Toshkovski i prerë: Mesazhet e “Safe City” vetëm në maqedonisht
Ministri i Brendshëm Pançe Toshkovski në intervistën për Alsat konfirmoi që sms-porositë e “Safe City” për shkelje në trafik do të vazhdojnë të vijnë vetëm në maqedonisht. Toshkovski tha se nuk është problem të dërgohen edhe në shqip njoftimet, megjithatë në një rrethanë të tillë do të duhej të dërgoheshin më shumë porosi.
“Porosia është me karakter informativ dhe e njëjta dorëzohet në shkrim latin. Pse? Sepse komunikimin që e kemi si Ministri nëpërmjet operatorëve Telekom është më efikase dhe më ekonomike të shkojë në kuadër të një porosie, për atë është në shkrim latin e jo cirilik. Nëse do të duhej të ishte në shkrim cirilik do të duhej të ketë së paku dy ose tre porosi. Kështu kemi një porosi. Nëse do të duhej të shkojë edhe në shqip, anglisht edhe në tërë gjuhët tjera do të duhej të kishte 50 porosi të cilat do të duhet të dërgohen nga ana e Ministrisë”, deklaroi Pançe Toshkovski, Ministër i Brendshëm.
Paraprakisht, zëvendësministri i Brendshëm Astrit Iseni në një intervistë për TVM2 javë më parë, kishte thënë se njoftimi për gjobat do të jetë edhe në shqip, ndërsa dygjuhësinë e kishte garantuar edhe zëvendëskryeministri Arben Fetai.
“Në takimin e fundit të liderëve është diskutuar edhe kjo që të gjitha ato gjoba të vinë edhe në gjuhën shqipe kështu që lideri i VLEN-it e ka ngritur edhe këtë si pikë shumë të rëndësishme. Por jo vetëm, janë dakorduar të gjitha pikat e mëparshme në lidhje me përfaqësimin e gjuhës shqipe siç është ajo te uniformat apo te veturat apo gjithkund tjetër, që këto të rregullohen në bazë të Kushtetutës. Kështu që qëndrojmë decid në atë”, theksoi Astrit Iseni, Zv.ministër i Brendshëm.
Çështja e gjuhës së njoftimeve të sms-porosive nga “Safe City” ishte temë debati në Gjykatën Kushtetuese, ky gjyqtarët shqiptarë u përplasën me kreun e Kushtetueses Darko Kostadinovski, i cili deklaroi që maqedonishtja është gjuhë e vetme zyrtare dhe se njohja e saj është obligative, ndërsa më e logjikshme do të ishte që sms-të të dërgoheshin edhe në anglisht.
“Nuk guxojmë të harrojmë se gjuha maqedonase është gjuhë zyrtare e këtij shteti. Sipas ligjeve tona njohja e gjuhës maqedonase është edhe e drejtë edhe e detyrueshme për çdo qytetar. Pra jo rastësisht është vendosur si detyrim. Edhe në maqedonisht edhe në gjuhë angleze. Pse në gjuhë angleze? Sepse një i huaj mund të bëjë shkelje”, tha Darko Kostadinovski, Kryetar i Gjykatës.
Ndaj deklaratës së Kostadinovskit kishte reagime të ashpra nga faktori politik shqiptar. / Alsat.mk.
Lajme nga vendi
Në pranga edhe pronari i “Sante Plus” në Shkup, Bilall Kara si dhe Geriana Arapi, po i kërkonte edhe Shqipëria
Pronari i spitalit privat “Sante Plus”, Bilal Kara, është një prej personave të arrestuar në operacionin e zhvilluar në Maqedonisë së Veriut, në kuadër të një hetimi për abuzime me Fondin e Sigurimeve Shëndetësore.
Ai ishte shpallur në kërkim edhe nga autoritetet shqiptare që prej muajit shtator të vitit të kaluar, me dyshimin se nuk kishte deklaruar të ardhurat e përfituara në vlerën e 1 milion eurove, ndërsa në klinikë u gjetën edhe medikamente, të cilat dyshohet se kishin skaduar, por që përdoreshin nga stafi shëndetësor.
Sipas mediave maqedonase, bashkë me Bilal Kara u arrestuan edhe shtatë persona të tjerë, të cilët dyshohen për përfshirje në abuzime me procedurat e operacioneve në sy. Sipas hetimeve, dyshohet se për këto ndërhyrje kirurgjikale janë kryer pagesa si nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, ashtu edhe nga vetë pacientët. Mes personave të arrestuar, sipas mediave maqedonase është edhe Geriana Arapi, ish-drejtoresha e spitalit “Sante Plus”, e cila po ashtu ishte në kërkim prej më shumë se një viti nga autoritetet shqiptare, që pas bllokimit të klinikës “International Medicare” në Tiranë. Arrestimi i tyre në Maqedoninë e Veriut pritet të pasohet nga zhvillime të tjera lidhur me procedurat ligjore dhe kërkesën e autoriteteve shqiptare për ta.
Lajme nga vendi
Moti sot në Maqedoninë e Veriut
Moti sot në Maqedoninë e Veriut do të jetë i ndryshueshëm me vranësira dhe reshje lokale të shiut. Në disa lugina do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së mëngjesit. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu.
Temperatura minimale do të jetë në intervalin nga 6 deri në 12 gradë, ndërsa maksimale do të arrijë nga 12 deri në 19 gradë.
Në Shkup, moti do të jetë kryesisht me vranësira, në orët e mëngjesit do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së lehtë. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu. Temperatura minimale do të ulet në 10, ndërsa maksimale do të arrijë në 15 gradë.
Lajme nga vendi
LAMM: Komunikacioni zhvillohet pa pengesa, nuk ka vonesa në pikat kufitare
Komunikacioni në rrugët shtetërore po zhvillohet pa probleme, në rrugë të thata, njofton LAMM. Intensiteti i trafikut në rrugët jashtë zonave urbane është mesatar.
Nuk ka vonesa të gjata në pikat kufitare në anën RMV-së për hyrje dhe dalje nga vendi.
LAMM rekomandon përshtatjen e shpejtësisë së lëvizjes, respektimin e sinjalistikës së vendosur të trafikut dhe menaxhimin e kujdesshëm të automjeteve, veçanërisht në rrugët nëpër lugina, lugina lumenjsh dhe gryka, ku ekziston mundësia e rrëshqitjeve të dheut. Kjo vlen veçanërisht për seksionet Katllanovë – Veles, Mavrovë – Dibër – Strugë, Vinicë – Berovë dhe Koçan – Dellçevë.
-
Lajme nga rajoni2 months agoFilloi në Hagë seanca për deklaratat përfundimtare ndaj Thaçit dhe të tjerëve
-
Lajme nga rajoni2 months agoKa ndërruar jetë Flora Brovina, një nga figurat e njohura të jetës politike dhe shoqërore në Kosovë
-
Lajme nga rajoni2 months agoThaçi e Krasniqi dënohen me nga 25 vjet burgim, Veseli 18 e Selimi 13

