Lajme nga vendi
Irani: Ngushtica e Hormuzit e hapur me kushte, tarifë 2 milionë € për çdo anije! Paralajmërohet rritje e çmimeve edhe në Maqedoni
Zëvendësministri i punëve të jashtme të Iranit deklaroi se Ngushtica e Hormuzit është e hapur për të gjithë, madje edhe për anijet që lundrojnë nën flamurin amerikan.
Duke folur për televizionin britanik ITV News, Said Hatibzadeh tha se megjithëse ngushtica është e hapur, mjetet civile lundruese duhet të kërkojnë udhëzime nga autoritetet iraniane për të kaluar në mënyrë të sigurt përmes ngushticës.
Këto udhëzime janë të nevojshme sepse Irani ka vendosur mina detare në rrugën ujore, së bashku me masa të tjera që Irani ka ndërmarrë gjatë luftës, të cilat ende janë në fuqi, tha ai.
Hatibzadeh shtoi se Irani disponon harta të zonave të minuara për të siguruar kalim të sigurt të anijeve.
“Duhet të jemi shumë të kujdesshëm për sigurinë dhe mbrojtjen e tankerëve dhe mjeteve të tjera lundruese. Këto kufizime teknike janë të lidhura ngushtë me kushtet ushtarake dhe nevojitet kohë që ato të hiqen, për të siguruar kalim të sigurt. Ngushtica e Hormuzit është e hapur, por sigurisht çdo tanker dhe çdo anije duhet të bëjë marrëveshjet e nevojshme me autoritetet iraniane që të mund të kalojë në mënyrë të sigurt përmes ngushticës”, tha Said Khatibzadeh – zv/ministër i jashtëm i Iranit.
Por, disa raporte thonë se Irani së bashku me Omanin do të vendosin një tarifë për kalimin e anijeve përmes Ngushticës së Hormuzit gjatë armëpushimit dyjavor. Sipas raporteve, Irani kërkon kompensim prej 2 milionë dollarësh për anije për kalim të sigurt përmes kësaj rruge strategjike ujore, përmes së cilës kalon rreth një e katërta e tregtisë globale detare të naftës. Kjo nuk i pëlqen Donald Trumpit.
“Irani po bën një punë shumë të keqe, të pandershme do të thoshin disa, kur bëhet fjalë për lejimin e naftës të kalojë përmes Ngushticës së Hormuzit. Kjo nuk është marrëveshja që kemi!”, u shpreh Donald Trump, president i SHBA.
Pasi u bë e ditur se SHBA-të dhe Irani janë dakorduar për një armëpushim dyjavor, çmimi i naftës në bursat botërore ra ndjeshëm. Megjithatë, pasi u bë e qartë se tensionet rreth Ngushticës së Hormuzit vazhdojnë, çmimet nisën sërish të rriten.
“Prilli do të jetë shumë më i keq se marsi. Pse? Do t’ju shpjegoj. Në mars ende kishte furnizime me naftë dhe gaz, të mbetura në det para luftës, që arrinin në porte, vazhdonin të sillnin naftë, gaz të lëngshëm dhe të tjera. Në mars, pra, patëm përfitim nga kjo. Në prill, nuk ka asgjë nga këto”, tha Fatih Birol – kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë.
Duke pasur parasysh se furnizimet që janë bërë në mars po shterojnë gradualisht, kriza e mungesës së naftës, sidomos në vendet evropiane, po fillon të ndihet. Kjo krizë sigurisht që do të reflektohet edhe në Maqedoni. Por, nëse arrihet një paqe e qëndrueshme, goditjet në çmime mund të përfundojnë deri në fund të këtij viti.
“Në kushte të parandalimit të përshkallëzimit, në kushte të përfundimit të shpejtë të konfliktit, efekti në çmime që do ta shohim do të jetë relativisht i kufizuar. Në një situatë të tillë presim që përhapja eventuale që do ta shohim në një masë të caktuar në muajt e ardhshëm, do të përfundojë relativisht shpejt, dhe ai shok i çmimeve në një situatë të tillë do të përfundonte deri në fund të këtij viti”, deklaroi Marjan Petreski – profesor universitar .
Sipas profesorit Petreski, në çdo skenar tjetër goditjet e çmimeve do të ishin më të mëdha dhe do të përhapeshin edhe në vitin e ardhshëm.
Lajme nga vendi
Pas shkumës së bardhë në lumin Vardar, analizat paraprake brenda normave, priten rezultatet përfundimtare
Shkuma e bardhë u shfaq më 24 korrik, ndërsa Inspektorati Shtetëror për Mjedisin Jetësor, në koordinim me institucionet kompetente, ndërmori inspektime të jashtëzakonshme në terren dhe analiza laboratorike për të përcaktuar shkakun e rastit.
Sipas Inspektoratit, gjatë kontrolleve të kryera te subjektet industriale në zonën që janë nën kompetencë shtetërore nuk janë konstatuar parregullsi ligjore. Autoritetet bëjnë të ditur se subjektet kanë vepruar në përputhje me kushtet e përcaktuara në lejet ekologjike për menaxhimin e ujërave të ndotura.
Institucioni thekson se cilësia e ujit në këtë pjesë të Vardarit ndikohet nga faktorë të shumtë, përfshirë ujërat komunale dhe atmosferike, si dhe aktiviteti i një numri të madh subjektesh afariste në zonën përreth, prandaj të gjitha institucionet kompetente po veprojnë në mënyrë të koordinuar.
Raporti paraprak i Ndërmarrjes Publike “Ujësjellësi dhe Kanalizimi” – Shkup, i dorëzuar më 29 korrik në Ministrinë e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, konstaton se parametrat fiziko-kimikë të analizuar nuk i tejkalojnë vlerat kufitare të lejuara.
Njëkohësisht, me kërkesë të Inspektoratit Shtetëror për Mjedisin Jetësor, mostra janë analizuar edhe nga një laborator i akredituar. Raporti përfundimtar pritet t’i dorëzohet Inspektoratit dhe Ministrisë më 4 gusht, pas së cilës institucionet kanë paralajmëruar se do ta informojnë opinionin për rezultatet përfundimtare.
Inspektorati Shtetëror për Mjedisin Jetësor bëri të ditur se do të vazhdojë me inspektime të rregullta dhe të jashtëzakonshme për të siguruar mbrojtjen e mjedisit jetësor dhe shëndetit të qytetarëve.
Ndryshe, në lumin Lepenc, i cili e furnizon Lumin Vardar, u shfaq një vëllim i madh i shkumës së bardhë në rrjedhjen e tij në Shkup. Shkuma u raportua si ndotje e madhe e lumit, lum i cili në Karposh bashkohet me Vardarin. Rasti ishte raportuar në orën 14:10./portalb.mk/
Lajme nga vendi
Dyvjeçar nga Kumanova helmohet me tretës ngjyre, dërgohet në Klinikën “Nëna Terezë”
Një fëmijë dyvjeçar nga Kumanova është helmuar pasi ka konsumuar një mjet për tretjen e ngjyrës, njofton Ministria e Punëve të Brendshme.
Sipas policisë, rasti është raportuar dje rreth orës 14:00, kur Spitali i Përgjithshëm i Kumanovës ka njoftuar SPB Kumanovë se tek ta ishte sjellë për trajtim një fëmijë dyvjeçar nga Kumanova me shenja helmimi.
Pas marrjes së ndihmës së parë mjekësore, fëmija është transferuar në Kompleksin e Klinikave “Nëna Terezë” në Shkup për trajtim të mëtejshëm.
Nga SPB Kumanovë bëjnë të ditur se po ndërmerren masa për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.
Ky nuk është rasti i parë i helmimit të fëmijëve në rajonin e Kumanovës. Gjatë vitit të kaluar u regjistruan disa raste të ngjashme, ku fëmijë të moshave të ndryshme u helmuan pasi konsumuan mjete për pastrim, dezinfektues ose tableta të lëna në vende të arritshme për ta.
Autoritetet shëndetësore dhe institucionet kompetente apelojnë që produktet kimike, barnat dhe substancat e rrezikshme të ruhen gjithmonë jashtë mundësisë së fëmijëve, për të parandaluar raste të tilla.
Lajme nga vendi
KUJDES MAKSIMAL NGA ZJARRET: NJË SHKËNDIJË MUND TË SHKAKTOJË TRAGJEDI!
Gjatë muajit korrik, mesatarisht janë regjistruar rreth 15 zjarre në hapësira të hapura në ditë. Falë ndërhyrjeve të shpejta të zjarrfikësve dhe mbështetjes nga mjetet ajrore të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim (DMSH), të gjitha zjarret janë vënë me sukses nën kontroll dhe janë shuar. Reshjet e shiut gjatë periudhës së kaluar ndikuan në uljen e numrit të zjarreve dhe ngadalësuan përhapjen e tyre, njoftojnë nga DMSH-ja. Megjithatë, periudha me reshje ka përfunduar. Mjafton vetëm një shkëndijë! – thonë autoritetet.
Zjarri në Leshnicë të Tetovës është lokalizuar –thuhet në njoftimin në Facebook të Komandantit të Zjarrfikësve të Tetovës, Avni Ameti, I cili thotë se në koordinim të plotë me të gjitha institucionet përgjegjëse, në terren intervenuan dy avionë të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, si dhe ekipet e zjarrfikësve të Tetovës, të cilat punuan pa ndërprerje dhe me përkushtim maksimal.
“U bëj apel të gjithë qytetarëve që gjatë ditëve në vijim të tregojnë kujdes maksimal, të mos ndezin zjarr në ambiente të hapura dhe të raportojnë menjëherë çdo tym apo vatër zjarri në numrin emergjent 112” – thotë Avni Ameti.
Por, jo vetëm kaq!
Sipas tij, pas çdo zjarri që shuhet, fshihet një histori sakrifice, guximi dhe përkushtimi.
Zjarrfikësit përballen çdo ditë me rrezikun për të mbrojtur jetën, familjet dhe pronën e qytetarëve. Nuk është thjesht një profesion – është një mision që kërkon zemër, disiplinë dhe vendosmëri.
Shumica e zjarreve shkaktohen pa qëllim. Qytetarët zakonisht nuk synojnë të shkaktojnë zjarr, por një pakujdesi e vetme mund të ketë pasoja të rënda.
Prandaj bëhet thirrje që të mos hidhen bishta cigaresh në hapësira të hapura, veçanërisht nga automjetet në lëvizje.
-Mos ndizni zjarr apo skara në pyje dhe në vende me bimësi të thatë.
-Pastroni barin e tharë dhe shkurret rreth shtëpive dhe uikend-shtëpizave -dhe krijoni një brez mbrojtës.
-Mos digjni kashtën dhe kullotat. –
-Tregoni kujdes gjatë përdorimit të veglave që krijojnë shkëndija, si gurët prerës dhe aparatet e saldimit.
-Fermerët të jenë të kujdesshëm gjatë përdorimit të pajisjeve për largimin e shpendëve, të cilat mund të shkaktojnë zjarr.
U bëhet thirrje qytetarëve që çdo sjellje të dyshimtë ta raportojnë menjëherë në stacionin më të afërt policor ose në numrin 112.
Raportoni persona që mbajnë lëndë të dyshimta të lëngshme, pishtarë, fishekzjarre të mëdha ose mjete e aktivitete të tjera që mund të shkaktojnë zjarr.
Në kushtet e temperaturave jashtëzakonisht të larta kërkohet kujdes maksimal.
Një shkëndijë mund të shkaktojë një tragjedi të madhe!” – apelojnë nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim./Tv Koha/

