Lajme nga vendi
SFIDAT E BUJQVE NË POLLOG – PLEHRAT ARTIFICIAL DHE MUNGESA E FUQISË PUNËTORE!
Rritja e çmimeve të plehrave artificial por edhe preparateve tjera bujqësore si dhe mungesa e fuqisë punëtore kanë goditur rëndë veprimtarinë bujqësore në vend.
Krahas rritjes së çmimeve, plehra artificial ka në sasi të kufizuar dhe nuk mund të gjenden kudo.
Kjo po reflektohet edhe tek bujqit dhe pemëtarët e Pollogut.
Tv Koha pyeti disa prej tyre se si është situata me çmimin e plehrave artificial dhe si po reflektohet kjo në veprimtarinë e tyre.
AMET ISMAILI – Bujk dhe pemëtar“Problemi i çmimeve, plehrat artificial janë rritur për 15% deri 20% dhe ka mungesë të tyre në treg, pesticidet dhe herbicidet gjithashtu edhe ato 10% deri në 15% janë rritur çmimet, mirëpo ne e kemi patjetër t’i kultivojmë këto dhe jemi të detyruar t’i paguajmë me këto çmime që do ndikojë në fitimin tonë gjatë shitjes, edhe çmimet tona duhet të rriten në bazë të kësaj rritjeje që është bërë me plehrat dhe pesticidet”.
Bujqit e kontaktuar nga Tv Koha thonë se pranvera vjen me harxhime shtesë për rendimentet e tyre, kurse çështja e rritjes së çmimeve të plehrave artificial vështirëson punën e tyre në terren.
HAQIM DEARI – Bujk “Po shikoni, për çdo vit me vështirësi i kemi rezistuar këto çmime, por sivjet është gjendja pak më alarmante me këtë krizën botërore që është tani, çmimet janë të papërballueshme pothuajse, dhe kemi mbet në mëshirë e asaj se si mund të gjendemi vetvetiu, pasi që mungon në këtë shtet, e në përgjithësi në rajon, sa kemi parë e dëgjuar, nuk ka organizim e një zgjidhje sistematike, merremi me zgjidhje parciale, kushtimisht të themi anësore, tani këtë detyrë duhet ta kryejnë institucionet shtetërore, ato në një far mënyre vetëm na heqin qafe kushtimisht të themi, dhe me zgjidhje parciale nuk zgjidhen këto probleme.”
Fushat në Pollog kanë nisur të gjallërojnë. Edhe ato pak bujq që merren me këtë veprimtari thonë se po përballen me shumë sfida. Sfida më e madhe është mungesa e fuqisë punëtore.
AMET ISMAILI – Bujk dhe pemëtar “Kemi filluar me krasitjen e mollëve dhe në përgjithësi mundohemi t’i bëjmë vetë, arsyeja është se nuk ka punëtorë, ato që janë pak dhe çmimi i punëtorëve ka shkuar shumë lartë dhe nuk kemi llogari për t’i marrë. Kryekëput nuk ia vlen, për atë të rinjtë nuk angazhohen në këto biznese, arsyeja është e njohur shkaku se fitimet janë shumë të ulëta dhe do shumë forcë punëtore.”
HAQIM DEARI – Bujk “Tash jemi në fazën përgatitore për mbjelljet pranverore, siç e shihni edhe këtu në teren se pjesa më e madhe e arave janë lëvruar janë përgatitur për mbjellje, me kushtet e para atmosferike do fillojmë edhe me mbjelljen e kulturave pranverore si misri e disa kultura të tjeraFaza më e vështirë është faza e pranverës sepse ka harxhime të tepërta, pasi në këtë periudhë duhet të sigurohet naftë, plehrat artificial, e shumë e shumë harxhime tjera sa i përket spërkatjes së këtyre preparateve kundër kullosave në përgjithësi”.
Lufta në Lindjen e Mesme ka goditur furnizimin me ushqim përmes dërgesave të plehrave artificial, paralajmëroi Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë.
Para luftës më shumë se 30% e furnizimeve botërore me lloje të ndryshme të plehrave artificial ka kaluar përmes Ngushticës së Hormuzit.
Ndërprerja e tranzitimit përmes Ngushticës së Hormuzit ka shkaktuar rritje të çmimit të plehrave artificial nëpër tregjet botërore për shkak se gazi është lënda e parë kryesore në prodhimin e tyre.
Lajme nga vendi
Në pranga edhe pronari i “Sante Plus” në Shkup, Bilall Kara si dhe Geriana Arapi, po i kërkonte edhe Shqipëria
Pronari i spitalit privat “Sante Plus”, Bilal Kara, është një prej personave të arrestuar në operacionin e zhvilluar në Maqedonisë së Veriut, në kuadër të një hetimi për abuzime me Fondin e Sigurimeve Shëndetësore.
Ai ishte shpallur në kërkim edhe nga autoritetet shqiptare që prej muajit shtator të vitit të kaluar, me dyshimin se nuk kishte deklaruar të ardhurat e përfituara në vlerën e 1 milion eurove, ndërsa në klinikë u gjetën edhe medikamente, të cilat dyshohet se kishin skaduar, por që përdoreshin nga stafi shëndetësor.
Sipas mediave maqedonase, bashkë me Bilal Kara u arrestuan edhe shtatë persona të tjerë, të cilët dyshohen për përfshirje në abuzime me procedurat e operacioneve në sy. Sipas hetimeve, dyshohet se për këto ndërhyrje kirurgjikale janë kryer pagesa si nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, ashtu edhe nga vetë pacientët. Mes personave të arrestuar, sipas mediave maqedonase është edhe Geriana Arapi, ish-drejtoresha e spitalit “Sante Plus”, e cila po ashtu ishte në kërkim prej më shumë se një viti nga autoritetet shqiptare, që pas bllokimit të klinikës “International Medicare” në Tiranë. Arrestimi i tyre në Maqedoninë e Veriut pritet të pasohet nga zhvillime të tjera lidhur me procedurat ligjore dhe kërkesën e autoriteteve shqiptare për ta.
Lajme nga vendi
Moti sot në Maqedoninë e Veriut
Moti sot në Maqedoninë e Veriut do të jetë i ndryshueshëm me vranësira dhe reshje lokale të shiut. Në disa lugina do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së mëngjesit. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu.
Temperatura minimale do të jetë në intervalin nga 6 deri në 12 gradë, ndërsa maksimale do të arrijë nga 12 deri në 19 gradë.
Në Shkup, moti do të jetë kryesisht me vranësira, në orët e mëngjesit do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së lehtë. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu. Temperatura minimale do të ulet në 10, ndërsa maksimale do të arrijë në 15 gradë.
Lajme nga vendi
LAMM: Komunikacioni zhvillohet pa pengesa, nuk ka vonesa në pikat kufitare
Komunikacioni në rrugët shtetërore po zhvillohet pa probleme, në rrugë të thata, njofton LAMM. Intensiteti i trafikut në rrugët jashtë zonave urbane është mesatar.
Nuk ka vonesa të gjata në pikat kufitare në anën RMV-së për hyrje dhe dalje nga vendi.
LAMM rekomandon përshtatjen e shpejtësisë së lëvizjes, respektimin e sinjalistikës së vendosur të trafikut dhe menaxhimin e kujdesshëm të automjeteve, veçanërisht në rrugët nëpër lugina, lugina lumenjsh dhe gryka, ku ekziston mundësia e rrëshqitjeve të dheut. Kjo vlen veçanërisht për seksionet Katllanovë – Veles, Mavrovë – Dibër – Strugë, Vinicë – Berovë dhe Koçan – Dellçevë.
-
Lajme nga rajoni2 months agoFilloi në Hagë seanca për deklaratat përfundimtare ndaj Thaçit dhe të tjerëve
-
Lajme nga rajoni2 months agoKa ndërruar jetë Flora Brovina, një nga figurat e njohura të jetës politike dhe shoqërore në Kosovë
-
Lajme nga rajoni2 months agoThaçi e Krasniqi dënohen me nga 25 vjet burgim, Veseli 18 e Selimi 13

