Lajme nga vendi
Parashikimi i motit për sot në Maqedoninë e Veriut
Moti sot në Maqedoninë e Veriut do të jetë kryesisht me vranësira dhe me reshje lokale të pakta. Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga juglindja.
Temperatura minimale do të lëvizë nga 5 deri në 16 gradë, ndërsa maksimale do të arrijë nga 12 deri në 23 gradë.
Në Shkup, moti do të jetë me vranësira të ndryshueshme me reshje të shiut. Do të fryjë erë juglindore e lehtë deri mesatare. Temperatura minimale do të bjerë në 10, ndërsa maksimale do të arrijë në 22 gradë.
Lajme nga vendi
“SHKËLQIMI 26”: STËRVITJE TESTUESE PËR STANDARDET E NATO-s!
Me pjesëmarrjen e rreth 1.500 pjesëtarëve të Armatës dhe me mbështetje nga monitorues të NATO-s, nga 19 deri më 27 prill në poligonin ushtarak Krivollak dhe në disa lokacione të tjera në vend do të realizohet ushtrimi taktik “Shkëlqimi 26”.
Nga 19 deri më 27 prill do të mbahet stërvitja ushtarake “Shkëlqimi 26”. Bëhet fjalë për një stërvitje taktike në terren me qitje reale, ku do të marrin pjesë rreth 1.500 ushtarakë.
Gjatë stërvitjes do të përdoren mjete të blinduara, helikopter transporti, mortaja, dronë, si dhe automjetet e blinduara për zbulimin dhe shkatërrimin e mjeteve shpërthyese “Husky 1” dhe “Husky 2”. Automjetet “Stryker” nuk do të përfshihen për arsye administrative.
Njësitë do të duhet të dëshmojnë aftësinë e tyre për të reaguar në më shumë se 20 skenarë të simuluar, që përfshijnë situata dhe incidente të ndryshme, përfshirë edhe forca kundërshtare.
Stërvitja do të zhvillohet nën mbikëqyrje dhe drejtim të vazhdueshëm, pas së cilës do të bëhet vlerësimi nga rreth 40 ekspertë të certifikuar. Pjesa më e madhe e aktiviteteve do të realizohen në poligonin ushtarak të Krivolak.
Nëse gjatë këtij muaji stërvitja “Shkëlqimi 26” merr vlerësim pozitiv nga vlerësuesit e Aleancës, njësia do të vihet plotësisht në dispozicion të komandantit të NATO-s, e gatshme të përballet me sfidat që sjellin tensionet gjeopolitike – nga Lindja e Mesme deri te konflikti ruso-ukrainas.
Sipas autoriteteve, aktualisht nuk ka njoftime për angazhimin e drejtpërdrejtë të kësaj njësie.
Lajme nga vendi
RASTI “GRUEVSKI”: VMRO DHE LSDM ASHPËRSOJNË RETORIKËN!
Kryeministri Mickoski deklaroi sot se ka një parandjenjë, por mohoi se ka informacione, se ish-funksionarë të lartë që kanë qenë pjesë e qeverive të LSDM-së do të përballen me ndjekje.
I pyetur rreth çështjes së Nikola Gruevskit, ai u shpreh për parandjenjën e tij se do të ndiqen anëtarë të opozitës.
Sipas tij, shqetësues është fakti se opozita nuk i bën thirrje Vasko Kovaçevskit që të kthehet në vend për t`u përballur me drejtësinë.
Kovaçevski si ish-Drejtor i EMV-së është në mesin e 13 të dyshuarve për keqpërdorime me furnizime të mazutit dhe larje parash dhe për momentin është në arrati.
HRISTIJAN MICKOSKI – Kryeministër
“Pres që opozita të sillet me kritika edhe kur ish-funksionarë të qeverive të LSDM-së, ish-Kryeministra dhe të afërm të tyre, do të përfshihen me përndjekje të caktuara. Nuk them se kam informata, kam një parandjenjë. Pres që atëherë do të kenë press-konferenca të këtilla dhe nuk do të thonë se bëhet fjalë për ndjekje politike por do t`u bëjnë thirrje të përgjigjen para organeve për të dëshmuar pafajësinë e tyre”
LSDM-ja sot përmes një komunikate duke u thirrur në shkrimet e mediave gjermane pohojnë se rënia e Orbanit paraqet lajm të keq për Mickoskin.
Socialdemokratët vazhdojnë të insistojnë se po bien regjimet autokratike duke pretenduar se radhën e ka regjimi i Vuçiqit në Serbi, kurse më pas edhe i Mickoskit në Maqedoni.
LSDM-ja, duke u thirrur në paralajmërimet e pushtetit të ri në Hungari, i bëri thirrje direkte Ministrisë së Drejtësisë për procedurë urgjentë për ekstradimin e Gruevskit.
ANDREJ ZHERNOVSKI – LSDM
“Pas deklaratës së fundit të Kryeministrit të ri të Hungarisë, Peter Magjar, se Hungaria nuk do të jetë oazë strehe për kriminelë të arratisur, dërgojmë mesazh të drejtpërdrejtë në Ministrinë e Drejtësisë, pas zvarritje dhe menjëherë të qaset drejt kërkesës që Gruevski të kthehet aty ku bëri krimin – në Maqedoni”
Nga ana tjetër, Ministria e Drejtësisë, dje përmes një komunikate njoftoi se për ish-Kryeministrin në arrati, Nikola Gruevskin, deri tani është dorëzuar vetëm një kërkesë për ekstradim që mban datën 20 Nëntor 2018, kurse kërkesa është plotësuar edhe në Qershor të vitit 2019.
Sipas Ministrisë së Drejtësisë, Hungaria kishte refuzuar kërkesën e ekstradimit më 05 gusht 2019, me arsyetimin se Nikola Gruevskit i është miratuar azili, konform ligjeve hungareze, që nuk lejon dorëzimin e personit që gëzon statusin e këtillë në vendin nga ku është arratisur.
Ministria e Drejtësisë, siguron se në vazhdimësi ndjek rastin dhe ndërmerr të gjitha masat konform ligjit që t`i sigurojë dokumentet e nevojshme.
Lajme nga vendi
Mucunski bisedë me Anita Orbán: Fokus te marrëdhëniet bilaterale dhe integrimi në BE
Ministri i Jashtëm, Timço Mucunski, zhvilloi një bisedë telefonike me Anita Orbán, këshilltare e partisë TISZA.
Ai e uroi për rezultatin në zgjedhjet parlamentare, ndërsa të dy bashkëbiseduesit konfirmuan marrëdhëniet e mira mes dy vendeve dhe gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit në politikë, ekonomi dhe tregti.
Në fokus të bisedës ishte edhe rruga eurointegruese e Maqedonisë së Veriut, për të cilën u ritheksua mbështetja e fortë nga Hungaria. Gjithashtu, u diskutuan edhe zhvillimet aktuale gjeopolitike në Evropë.
Zgjedhjet e fundit në Hungari sollën ndryshim pushteti, pasi Fidesz e Viktor Orbán u mposht nga TISZA.
-
Lajme nga bota3 weeks ago“Do jem makthi i Iranit”, Trump ‘kërcënon’ sërish: Nëse nuk ulen në negociata, bombardimet do të shtohen
-
Lajme nga rajoni3 weeks agoZbardhet dëshmia e autorit të vrasjes së Liridonës, Plava: Kisha marrëveshje me Murselin, më tha se Behgjet Pacolli ka qenë në dijeni
-
Sport3 weeks agoBARDHI: NËNVLERËSIMI VETËM SE NA MOTIVON KUNDËR DANIMARKËS!

