Lajme nga vendi
Deponia e Jugohromit kërcënon Rashçen
Ujërat nëntokësore në afërsi të deponisë së Jugohromit janë të ndotura deri në 100.000 herë më shumë sesa vlerat e lejuara të kromit gjashtëvalent, tregon studimi i përgatitur nga GIM për gjetjen e një zgjidhjeje të përhershme për këtë pikë të nxehtë industriale në vend. Mbi 7300 ton nga kjo mbeturinë jashtëzakonisht kancerogjene, e cila ruhet vetëm një kilometër nga fshati Jegunovc, kërcënojnë të ndotin përgjithmonë burimin e Rashçes dhe ta lënë Shkupin pa ujë të pijshëm të pastër. Mbeturinat industriale, të hedhura për dekada në një sipërfaqe prej 7.5 hektarësh, janë të tretshme në ujë, por pavarësisht kësaj, ato ende qëndrojnë të pasiguruara, shkruan Meta.mk
Deponia, e cila llogaritet ndër pikat e nxehta industriale në Maqedoni, ka 2.2 milion ton mbeturina të depozituara në periudhën nga viti 1963 deri në vitin 2016, nga të cilat rreth 7388 ton janë krom gjashtëvalent. Një katastrofë ekologjike është vetëm çështje kohe nëse nuk ndërmerren veprime urgjente për të zgjidhur përgjithmonë problemin. Deponia ndodhet vetëm 50 metra larg lumit Vardar dhe 80 metra larg akuiferi karstik që ushqen Rashçen, një burim uji i pijshëm me interes strategjik kombëtar, në zonën e saj të mbrojtjes. Ajo përmban një sasi të madhe mbeturinash të rrezikshme që treten lehtësisht në ujë, por pavarësisht kësaj, është e pambrojtur si në sipërfaqe ashtu edhe në thellësi.
Impianti i trajtimit të ujit i Ministrisë së Mjedisit, i cili supozohet të mbledhë dhe pastrojë ujërat nëntokësore, është i papërshtatshëm dhe nuk ka kapacitet të mjaftueshëm, ndërsa funksioni i sistemit të kullimit është i dyshimtë. Si rezultat, uji i ndotur nga deponia shpesh derdhet në lumin Vardar në sasi të mëdha, duke filluar nga 50 deri në 100 metra kub në ditë. Përqendrimet e kromit gjashtëvalent në ujërat nëntokësore arrijnë nga 10 deri në 500 miligramë për litër, dhe deri në 1.000 miligramë për litër në sistemin e kullimit, megjithëse vlerat e lejuara janë 0.01 miligramë për litër. Gjatë këtyre periudhave, si rezultat i përzierjes me ujërat nëntokësore, 40 deri në 70 kilogramë krom gjashtëvalent në ditë përfundojnë në lumin Vardar. Analizat e cilësisë së ujërave të lumit të kryera që nga viti 2019 tregojnë se në rrjedhën e Vardarit menjëherë pas deponisë, ka ndotje shtatë herë më të lartë me krom gjashtëvalent sesa sasitë e lejuara.
Profesori Trajçe Stafilov thotë se këto rezultate janë të pritshme, bazuar në testet e ujërave që janë kryer në afërsi të Jugohromit gjatë tridhjetë viteve të fundit. Ai thotë se aktualisht cilësia e ujit në Rashçe është e shkëlqyer dhe se duhet të merren të gjitha masat për të shmangur rrezikun e ndotjes.
“Askush nuk mund të thotë nëse ose kur mund të ndodhë që ujërat e kontaminuara me krom gjashtëvalent të arrijnë në burimet që ushqejnë Rashçen. Ne e dimë që ujërat e Sharsit kalojnë nën deponi dhe rreziku gjithmonë ekziston. Sidomos pasi kapaciteti i impiantit të trajtimit është shumë më i ulët se nevoja reale dhe sipas mendimit tim ky është investimi i parë dhe më urgjent që duhet bërë”, thotë Stafilov.
Studimi, megjithëse i përfunduar në vitin 2024, është përditësuar së fundmi pas paralajmërimit nga organizata e shoqërisë civile “Eko Svest” në lidhje me rrezikun e vonesës së gjetjes së një zgjidhjeje të përhershme për mbeturinat e rrezikshme në Jugohrom. Ana Çoloviq Leshoska, drejtoreshë ekzekutive e “Eko Svest”, thotë se Ministria e Mjedisit e ka pasur dokumentin për më shumë se një vit dhe ai analizon rreziqet dhe zgjidhjet për mbeturinat toksike, të cilat mbështeten nga matjet dhe analizat e ujërave përreth.
Lajme nga vendi
KRIZA ME PATENTAT NË ITALI: MIJËRA SHTETAS TË RMV-së RREZIKOJNË TË MBESIN PA PUNË
Në Itali tashmë nuk njihen patentat e shoferit të Maqedonisë së Veriut, pavarësisht se ekziston një marrëveshje për njohjen dhe zëvendësimin e ndërsjellë të tyre.
Shtetasit e Maqedonisë së Veriut me qëndrim të përhershëm në Itali nuk mund ta zëvendësojnë më lejen e vozitjes me atë italiane dhe detyrohen t’i nënshtrohen sërish provimit për patentë.
Ky problem konfirmohet edhe në faqen zyrtare të Ministrisë së Punëve të Brendshme, ku thuhet se Maqedonia e Veriut ka marrëveshje me Italinë, por se “aktualisht në Republikën e Italisë nuk është e mundur zëvendësimi i patentave të shoferit me Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe po punohet për zgjidhjen e kësaj situate”.
Problemi me mosnjohjen dhe pamundësinë për zëvendësimin e patentave të Maqedonisë së Veriut në Itali po ndikon seriozisht te mërgimtarët, pasi disa prej tyre tashmë po humbin vendet e punës nëse puna e tyre varet nga drejtimi i automjeteve.
Njëri prej tyre është edhe Besir Esati nga Reçica e Madhe, i cili po përballet me vështirësi të shumta për shkak të kësaj procedure.
“Për momentin ne kemi problem me konvertimin, ta kthejmë patentën prej Maqedonisë ta bëjmë të Italisë, ne që kemi ardhë kohëve të fundit, pasi Maqedonia e ndryshoi emrin. Italia thotë duhet të bëhet përditësimi, duhet të bëhet një marrëveshje me emrin e ri. Kur do të bëhet kjo nuk e dijmë. E thirrim Ambasadën nuk na jep asnjë ndihmë, asnjë lajm të na tregojë se kur do të bëhet konvertimi dhe marrëveshja e re”
Besir Esati për Tv Koha sqaroi edhe procedurën italiane lidhur me njohjen e patent shoferit të marrë në Maqedoninë e Veriut.
Unë për shembull jam dy vite në Itali, prej ditës së parë pasi bëhesh rezident, ke kohë 1 vjet që ta drejtosh automjetin me leje të Maqedonisë. Pas një viti, nëse të zënë, për shembull mua më skadon pas një muaji dhe me më kap policia ma marrin automjetin, më shqiptojnë dënime. Problemi është se unë jam shofer autobusi. Unë duhet ta ndërroj edhe punën, duhet të gjej punë tjetër, se me cfarë do të udhëtoj në punë atje larg”
Ai thotë se janë mbi 4.000 shtetas të Maqedonisë së Veriut që përballen me këtë problem në Itali dhe të cilëve u rrezikohet edhe vendi i punës. U bën thirrje autoriteteve të vendit që urgjentisht ta zgjidhin këtë cështje.
Me këtë problem ka më shumë se 4 mijë. Nuk e di numrin e saktë, por janë mbi 4.000. Të ishte p.sh vetëm kategoria B ose C ndoshta do ta bëja nga fillimi, se kam problem për t`i bërë, por i kam të gjitha kategoritë dhe jam shofer autobusi këtu dhe duhet shumë kohë për t`i bërë, duhen termine kurse terminet në Itali janë shumë të gjata vecanërisht për shoferat e autobusëve. Bëj apel që ta bëjnë këtë marrëveshjen. Problemi është nga ana e Maqedonisë, ta bëjnë konvertimin pasi mbi 4.000 që jemi në Itali kemi të njëjtin hall. Isha në pushim në Maqedoni, jemi munduar që vet ta zgjidhim. I kam shkruajt edhe Ministrisë së Transportit por nuk më kanë kthyer përgjigje, vetëm tek ju mediat e kemi shpresën”
Sipas informacioneve të deritanishme, problemi qëndron në papajtueshmërinë teknike ndërmjet dy modeleve të patentave, pasi pala maqedonase ka shtuar kategori shtesë që nuk ekzistojnë në patentën evropiane.
Për këtë arsye, autoritetet italiane kanë kërkuar nënshkrimin e një marrëveshjeje të re, gjë që nënkupton përsëritjen e plotë të procedurës për njohjen e dokumentit.
Nga Ministria e Punëve të Jashtme bëhet e ditur, se janë në fazën përfundimtare harmonizimet e Marrëveshjes për njohjen e patentave të shoferit ndërmjet dy shteteve, të cilat pritet të përfundojnë nga pala italiane.
Qytetarë të Maqedonisë së Veriut kanë njoftuar se ditëve të fundit janë përpjekur të marrin me qira një automjet me patentë nga Maqedonia e Veriut, por kompanitë italiane të rent-a-car u kanë bërë të ditur se prej disa muajsh kanë marrë udhëzim të mos japin automjete me qira nëse patenta nuk është lëshuar nga një vend i Bashkimit Evropian. Në këto raste, qytetarët duhet të kenë patentë ndërkombëtare për të marrë një automjet me qira./Tv Koha/
Lajme nga vendi
Gashi: Ligji për përfaqësim të drejtë mund të ketë mangësi, nuk tentojmë ta kontrabandojmë
Shumica parlamentare nuk e ka për qëllim të kontrabandojë ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, thotë kreu i Kuvendit, Afrim Gashi, duke ju përgjigjur kritikëve opozitarë të cilët e akuzojnë pushtetin për kontrabandim të këtij ligji.
Gashi thotë se shumica është e përkushtuar dhe po punon në çdo detaj të këtij ligj me ekspertë ndërkombëtarë dhe vendorë.
“Nuk është ideja që të kontrabandohet diçka që ne e kemi filluar tashmë dy vite dhe po punojmë në mënyrë të detajuar, me prezencë dhe participim të ekspertëve të Komisionit të Venecias, ligji i sjellur në procedurë të rregullt me debat publik e me të gjitha këto nishane, askush nuk e ka idenë dhe qëllimin që ta kontrabandojë, përshkak se e githë kjo procedurë, gjithë kjo përgatitje për atë ligj, nuk mund të cilësohet në atë mënyrë”.
Ai tha se si kryetar Kuvendit tenton për çdo ditë të normalizojë komunikimin mes grupeve parlamentare për këtë dhe ligje të tjera. Gashi është i mendimit që ligji duhet të miratohet sepse bëhet fjalë për përfaqësim e drejtë që është edhe kategori kushtetuese.
“Në asnjë moment nuk kemi thënë se ligji është perfekt. Ai mund të ketë mangësi, por mangësitë po presupozohen apo po prejudikohen. Unë mendoj se duhet të kemi një ligj, sidomos për parimin kushtetues përfaqësim të drejtë dhe adekuat, shumë më mirë është të kemi një ligj, sesa mos të kemi fare”.
Ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat i miratuar në Qeveri dhe që ka marrë edhe dritën jeshile të Komisionit të Venecias është në procedurë parlamentare, po i njëjti nuk është miratuar në Kuvend, përshkak të nevojës së votimit të dyfishtë. Ky ligj hyn për herë të parë në procedurë parlamentare që nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit në vitin 2001./Tv Koha – Shkup/
Lajme nga vendi
Ahmeti takoi ambasadoren e Holandës: Rruga evropiane dhe Marrëveshja e Ohrit janë themelet e të ardhmes së vendit
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, zhvilloi sot një takim të hapur dhe përmbajtësor me ambasadoren e Mbretërisë së Holandës, znj. Özlem Canel.
Në qendër të takimit ishte domosdoshmëria që vendi të gjejë sa më parë rrugën për vazhdimin e procesit të integrimit në Bashkimin Evropian.
Ahmeti theksoi se çdo vonesë e mëtejshme në procesin integrues e largon vendin nga perspektiva evropiane, dobëson institucionet dhe krijon pasiguri politike, ekonomike dhe shoqërore.
Gjatë takimit, Ahmeti ka ngritur siç thuhet shqetësimin serioz lidhur me goditjet e vazhdueshme ndaj Marrëveshjes së Ohrit dhe arritjeve që garantojnë barazinë, kohezionin ndëretnik dhe stabilitetin e vendit.
Ai theksoi se Marrëveshja e Ohrit është themeli i paqes dhe i funksionimit demokratik të shtetit, ndërsa çdo cenim i saj prek drejtpërdrejt stabilitetin e përgjithshëm dhe marrëdhëniet ndëretnike.
Në takim u diskutua edhe për zhvillimet aktuale politike, sundimin e ligjit, sigurinë dhe sfidat me të cilat përballet rajoni.
Ahmeti nënvizoi se partnerët ndërkombëtarë duhet ta dëgjojnë qartë alarmin për zhvillimet në vend.
“Rruga evropiane dhe Marrëveshja e Ohrit janë dy shtyllat mbi të cilat qëndrojnë stabiliteti, demokracia dhe e ardhmja e vendit”, theksoi Ahmeti.(INA)

