Lajme nga vendi
LIGA E DYTË: NESËR ZHVILLOHET JAVA E 25-të E KAMPIONATIT
Kampionati në Ligën e dytë të futbollit vendor vazhdon nesër me ndeshjet e xhiros së 25-të. Shkëndija e Haraçinës është nikoqire e Pobedës.
Nesër me fillim në ora 15:30 në të gjitha terrenet e Ligës së dytë të futbollit vendor zhvillohen ndeshjet xhiros së 25-të.
Katër skuadrat pretendente për tre vendet e para Bregallnica, Ohri, Skopje dhe Shkëndija e Haraçinës, duhet të shënojnë fitore nëse duan që sezonin e ardhshëm të garojnë në elitën e futbollit.
Aktualisht lideri në renditjen e tabelës Bregallnica është mysafire e Detonit Plaçkovica, një sfidë e vështirë për ekipin nga Shtipi.
Ohri është nikoqire e Prespës, Skopje nikoqire e Kamenica Sasa, ndërsa Shkëndija e Haraçinës është nikoqire e Pobedës.
Tre skuadrat janë favorit absolut dhe çdo rezultat tjetër pos fitores do të ishte befasi.
Situata në pjesën e fundit të tabelës është më e qartë pasi ekipet si Prespa, Slloga e Vinicës, Pobeda dhe Golemo Konjare, nuk kanë gjasa për mbijetesë
Në javën e 25-të takohen: Osogova – Teteksi, Shkëndija – Pobeda, Bellasica – Kozhufi, Slloga – Vardari, Detonit Plaçkovica – Bregallnica , Golemo Konjare – Novaci, Skopje – Kamenica Sasa, Ohri – Prespa.
Lajme nga vendi
Mexhiti: VLEN nuk frikësohet nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare, për BDI-në ky do ishte fundi i tyre
Njëri nga liderët e VLEN, Izet Mexhiti thotë se VLEN vendosi standarde dhe vlera të reja në bllokun politik shqiptar dhe se nuk frikësohen nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
“Dëshmuam dhe sollëm ndryshime në bllokun politik shqiptar pas 20 vitesh, jo individualisht, por si ekip, së pari bëmë bashkimin e opozitës duke kaluar suetat dhe ngjyrat partiake, sepse besoj në punë ekipore. Çdo javë shihemi si koalicion VLEN, bisedojmë për programin, atë që e kemi premtuar dhe bashkë i ecimpunët”, tha Mexhiti në “Samo intervju” në “Kanal5”.
Mexhiti gjithashtu tha se VLEN nuk frikësohet nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe nëse do të ndodhte kjo, për BDI-në do tëishte fundi i tyre.
“Kohën e fundit nuk i dëgjoj edhe po të ketë mundësi për zgjedhje të parakohshme të parët që i ikin kësaj janë ata, sepse do të thoshte fundi i tyre. Ky vit është i vetmi vit ku nuk do të ketë zgjedhje, është hapësirë e qeverisë që të realizojë programin që është premtuar dhe për momentin vlerësoj se nuk kanevojë të mbahen zgjedhje të parakohshme pasi kjo shumicë historikisht është më e madhja në Kuvend”, ka thënë Mexhiti.
Lajme nga vendi
Mickoski kërkon ekstradimin e Gruevskit, LSDM akuzon: Qeveria po e zvarrit me qëllim procesin
Përderisa Ministria e Drejtësisë hesht lidhur me dokumentacionin e ekstradimit të azilantit Nikolla Gruevskit, Kryeministri Hristijan Mickoski thotë se institucionet e shtetit janë të gatshme që nesër të dërgojnë kërkesë për ekstradimin Gruevskit, por se në këtë pikë përgjigjja do të ishte negative, pasi akoma është në fuqi azili. Duke u përgjigjur ndaj opozitës, e cila thotë se Polonia tashmë ka dërguar kërkesë për ekstradimin e politikanëve të saj dhe se Mickoski me qëllim po e zvarrit procedurën, numri një i Qeverisë thotë se në rastin e Maqedonisë çështja është ndryshe, dhe se fillimisht nevojitet shfuqizimi i azilit.
“Në rastin tonë ish kryeministri ka azil, që të dërgohet kërkesa për ekstradim, duhet të plotësohet procedura, të hiqet azili. Nëse tani dërgojmë, do të marrim përgjigje negative, mundemi edhe nesër ta dërgojmë, nuk ka problem, por le t’i shohim pak punët në mënyrë më thelbësore, e ndërsa opozita le të kërkojë që Vasko Kovaçevski të vjen,” deklaroi Hristijan Mickoski, Kryeministër.
Socialdemokratët pyetën përsëri se ku ndodhet procedura dhe a janë përgatitur dokumentet për ekstradimin e Gruevskit. Ata akuzojnë për zvarritje të qëllimshme të procesit, me qëllim blerjen e kohës për Gruevskin.
“Derisa institucionet në Maqedoni mbledhin dokumente, shtetet tjera tashmë po veprojnë. Pas paralajmërimeve të Peter Magjar se nuk ka më mbrojtje për kriminelët në Hungari, Polonia nuk priti, por reagoi menjëherë dhe tashmë ka dërguar një kërkesë zyrtare për ekstradimin e politikanëve të saj. Vetëm Qeveria e udhëhequr nga Vanço Mihjallovit të ri në VMRO, Hristijan Mickoski, akoma nuk ka dërguar kërkesën për ekstradimin e Nikolla Gruevskit.“ – LSDM
*Derisa së Maqedoni mblidhen dokumente, shtetet tjera tashmë po veprojnë
*Polonia nuk priti, dërgoi menjëherë kërkesë për ekstradimin e politikanëve të saj
Ditë më parë kryeministri në ardhje i Hungarisë, Peter Magjar, paralajmëroi deportimin e ish-kryeministrit të Maqedonisë Nikolla Gruevski dhe dy ish ministra polakë të cilët kërkohen për korrupsion nga qeveria polake, por që ish kryeministri Orban u mundësoi strehim në Hungari.. /Alsat.mk
Lajme nga vendi
Mickoski: Të gjithë ata që janë kundër ligjit për arsimin e lartë, në fakt kanë frikë nga kriteret e reja për zgjedhje në tituj
Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, sot duke iu përgjigjur pyetjes gazetareske në lidhje me Ligjin për arsimin e lartë dhe pritshmëritë nga ky ligj, deklaroi:
“Po. Së pari më lejoni të shpreh kënaqësinë time për ngjarjen që patëm dje në Qeveri. Atë e organizoi Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Dhe e patë edhe ju vetë përmes mediave se si ishin të pranishëm rektorët e universiteteve shtetërore. Dhe të gjithë, dhanë mbështetje për ligjin. Kjo është e para.
Së dyti, të gjithë ata spekulantë politikë që publikisht thoshin se janë kundër ligjit, gjoja se në atë mënyrë cenohej autonomia, improvizojnë dhe manipulojnë. Pse? Sepse dje i panë rektorët e universiteteve shtetërore duke e mbështetur. Në thelb, ata kanë frikë nga kriteret e reja për zgjedhje në tituj.
Deri më tani kemi punuar sipas ligjit të vitit 2018. Dhe universiteti ynë më i vjetër dhe më i njohur, do të thosha, aktualisht “Shën Kirili dhe Metodi”, në listën e Shangait ka rënë 1000 vende. Në fakt, nuk e di as nëse është fare i renditur. Ndërkohë që dikur ishte i renditur.
Tani, ata duan të punojnë një ditë në javë. Duan pagë 120-150 mijë denarë, por nuk duan të shkruajnë as një punim në vit, që është detyrë e tyre, një punim. Nuk duan të shkruajnë as një punim. Kjo është njësoj sikur unë, si kryetar i Qeverisë, të vij në punë gjysmë dite në javë dhe të kërkoj të kem dhjetë herë më shumë të ardhura dhe të mos mbaj përgjegjësi për asgjë në shtet. Kjo nuk funksionon kështu.
Kjo Qeveri i rriti pagat si rezultat i marrëveshjes kolektive, dyfish për punonjësit universitarë. Dhe e di që do të ketë edhe të tillë që tani do të dalin e do të më kritikojnë edhe pse jam profesor i rregullt. Do të thonë se kjo ishte kështu apo ashtu dhe do të kërkojnë presje në deklaratën time, por thelbi është ky. Nuk duan të punojnë. Duan të kenë 6 orë në javë, të përqendruara në një ditë. Duan pagë 120-130-150 mijë denarë dhe të mos shkruajnë asnjë punim. Asnjë punim shkencor. Kjo nuk mundet kështu më.
Kjo nuk mund të vazhdojë më, sepse puna e profesorëve dhe asistentëve në institucionet e arsimit të lartë përbëhet nga tre shtylla. Puna aplikative, arsimore, pra të ligjërojnë, puna aplikative të bashkëpunojnë në projekte me ekonominë e kështu me radhë. Dhe ajo shkencore, të shkruajnë punime. Kjo është ajo që kërkojmë. Në disa fakultete u pengonte “Web of Science”, mirë, e zgjeruam bazën, tani do të jetë edhe “Scopus”. Pa pagesë, kjo Qeveri u mundësoi qasje në bazat e revistave që janë pjesë e “Web of Science” dhe “Scopus”, prandaj nuk e di çfarë më shumë duhet të bëjmë. Duhet të punojnë, nëse duan dhe nëse duan të kemi të ardhme si shtet, duhet t’i përvishen punës.”
-
Lajme nga bota3 weeks ago“Do jem makthi i Iranit”, Trump ‘kërcënon’ sërish: Nëse nuk ulen në negociata, bombardimet do të shtohen
-
Lajme nga rajoni3 weeks agoZbardhet dëshmia e autorit të vrasjes së Liridonës, Plava: Kisha marrëveshje me Murselin, më tha se Behgjet Pacolli ka qenë në dijeni
-
Sport3 weeks agoBARDHI: NËNVLERËSIMI VETËM SE NA MOTIVON KUNDËR DANIMARKËS!

