Lajme nga vendi
Nis ndërtimi i rrugës Strugë–Morovisht, Qyra: “Struga nuk pret më, Struga punon, Struga fiton”
Kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra, ka njoftuar nisjen zyrtare të punimeve për një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore në qytet – rrugën Strugë–Morovisht, e njohur si “Kolektori”.
Sipas tij, projekti që kishte mbetur pezull për më shumë se 20 vite, tashmë po realizohet brenda vetëm pesë muajve të qeverisjes së re. Ai theksoi se ky aks rrugor pritet të zgjidhë problemet e kahershme të trafikut dhe të sjellë një standard të ri infrastrukture, me katër korsi, trotuare dhe hapësira të gjelbra.
“Struga nuk pret më. Struga punon. Dhe Struga fiton”, deklaroi Qyra.
Projekti po realizohet me mbështetjen e Ministrisë së Transportit dhe, sipas autoriteteve, përmes një procesi transparent, kostoja është ulur nga 2.2 milionë euro në 1.2 milionë euro. Mjetet e kursyera, sipas njoftimit, do të ridrejtohen për investime të tjera në interes të qytetarëve.
Rruga do të shtrihet nga rrethrrotullimi te Foni drejt rrugës Turistike (ish-Apolonia), duke u lidhur më tej me Morovishtin.
Lajme nga vendi
Biznesmeni i akuzuar për keqpërdorime në aferën“Oslomej”Borçe Markovski la garancion 5million euro dhe u largua nga vendi pasi Gjykata e Strugës ia ktheu pasaportën
Largimi i tij nga vendi erdhi menjëherë pasi Gjykata Themelore në Strugë ia ktheu Markovskit pasaportën e konfiskuar, e cila i ishte marrë si masë kujdesi.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme kanë njoftuar se masat për ndalimin e largimit nga shteti përcaktohen nga gjykata kompetente ose organ tjetër kompetent, ndërsa policia vepron ekskluzivisht në bazë të vendimeve të miratuara dhe aktive, të evidentuara në sistemet zyrtare.
Markovski posedon kompani dhe prona të tjera në Serbi.
Procesi gjyqësor ndaj Markovskit filloi në Gjykatën Themelore në Manastir, për t’u transferuar më pas tërësisht në Gjykatën në Strugë. Fillimi i gjykimit për rastin Markovski është caktuar për 2 shtator të këtij viti.
Biznesmeni nga Manastiri, Borçe Markovski, dhe tetë persona të tjerë po gjykohen për zhvendosjen e stacioneve operative nga miniera “Osllomej” në minierat e REK “Manastir”, një tender me vlerë mbi 1.7 milionë euro. Përveç Markovskit, në bankën e të akuzuarve janë edhe pesë të punësuar në REK “Manastir” dhe dy të punësuar në kompaninë e Markovskit.
Një nga të akuzuarit është edhe ish-drejtori i REK “Manastir”, Pece Matevski, ndaj të cilit tashmë po zhvillohet proces gjyqësor edhe në Gjykatën Themelore në Manastir për rastin e tenderit me kompaninë e Manastirit “Rudkop” Bitola.
Abuzimet në REK Manastir kanë qenë në fokusin e publikut për vite me radhë.Portalb.mk.
Lajme nga vendi
Arben Fetai merr detyrën e re: Një kapitull i ri në shërbim të integrimit evropian të vendit
Arben Fetai
Në seancën e mbajtur dje, Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut më emëroi të Dërguar Special për Bashkimin Evropian, me seli në Bruksel.
Ky është një nder i madh, por pa dyshim një përgjegjësi edhe më e madhe. Detyra që më është besuar është të angazhohem për avancimin e procesit të integrimit evropian të vendit tonë, duke forcuar mbështetjen politike në institucionet dhe shtetet anëtare të BE-së, kontribuar në tejkalimin e sfidave politike e diplomatike, si dhe duke e bërë zërin e Maqedonisë së Veriut më të fuqishëm dhe më të pranishëm në Bruksel e në kryeqytetet evropiane.
Pas një karriere të gjatë në Bruksel dhe me përvojën e fituar në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut, ku kam dëshmuar përkushtimin tim ndaj perspektivës evropiane të vendit, e marr këtë detyrë me bindjen e plotë se e ardhmja e Maqedonisë së Veriut është në BE.
Falënderoj Kryeministrin dhe Qeverinë për besimin. Rruga drejt Brukselit vazhdon. Me vendosmëri, me partneritet dhe me besim të plotë në të ardhmen tonë evropiane.
Lajme nga vendi
LAMM: Në “Bogorodicë” pritje rreth 20 minuta për dalje nga shteti
Në pikën kufitare Bogorodicë, për shkak të frekuencës së shtuar të automjeteve, koha e pritjes për dalje nga vendi është rreth 20 minuta. Siç informon LAMM, në pikat e tjera kufitare në anën e RMV-së, nuk ka vonesa më të gjata për hyrje dhe dalje nga vendi.
Trafiku në rrugët shtetërore po zhvillohet pa probleme, në rrugë të thata. Intensiteti i trafikut në rrugët jashtë zonave urbane është rritur.
LAMM rekomandon shpejtësi të rregulluar, respektim të sinjalistikës së vendosur të trafikut dhe menaxhim të kujdesshëm të automjeteve, veçanërisht në rrugët nëpër lugina, lugina lumenjsh dhe gryka, ku ekziston mundësia e rrëshqitjeve të dheut. Kjo vlen veçanërisht për seksionet Katllanovë – Veles, Mavrovë – Dibër – Strugë, Vinicë – Berovë dhe Koçan – Delçevë.

