Lajme nga vendi
PRANVERA HUMBI SHKËLQIMIN – RESHJE SHIU NË DY DITËT E ARDHSHME!
Kodra e Diellit me 2 gradë Celsius ishte vendi me temperaturën më të ulët në vend. Në Tetovë gjatë mëngjesit termometri kishte mbërritur në 6 gradë.
Pas mëngjesit të freskët, temperaturat ditore do të mbeten relativisht të ulëta për këtë periudhë të vitit, veçanërisht në pjesët veriperëndimore të vendit.
Vendi ynë, sot dhe nesër, do të jetë nën ndikimin e motit jostabil me vranësira të ndryshueshme, me reshje shiu, kurse lokalisht priten reshje të rrëmbyeshme deri në 20 litra në metër katror të shoqëruar me bubullima dhe erë të përforcuar.
Metereologët thonë se ndryshimi drastik I motit është si pasojë e ndikimit të frontit të ftohtë atmosferik nga veriu që ka kapluar pjesë të Evropës, Ballkanit por edhe vendin tonë.
Reshjet e shiut, era veriore por edhe reshjet e borës në viset malore, sipas MeteoAlarm, do të rezultojnë me rënie të ndjeshme të temperaturave që do të shkojnë më shumë se 10 gradë nga temperaturat pranverore.
Fronti i ftohtë atmosferik tashmë ka sjellë edhe reshje dëbore dhe idilë dimërore në Kopaonik të Serbisë, kurse MeteoAlarm paralajmëron se reshjet e dëborës janë nisur drejt viseve malore të vendit tonë.
Në lartësitë mbidetare mbi 1.400 deri 1.500 metra, reshjet e shiut do të kalojnë në reshje dëbore, ku pritet të formohet edhe shtresë e re dëborës.
Metereologët paralajmërojnë se stabilizimi i motit pritet nga e enjtja.
Lajme nga vendi
Ohrid SOS lëshon alarm: Prerje drunjësh në një zonë të mbrojtur rreptësisht pranë burimeve të Drinit të Zi
Shoqata Ohrid SOS po reagon ndaj fotografive të publikuara që tregojnë pemë të prera dhe bimësi të shkatërruar në zonën pranë burimeve të lumit Drini i Zi në Sveti Naum, brenda zonës së mbrojtjes strikte të Parkut Kombëtar Galicica.
“Fotot që po ndajmë u publikuan këtë mëngjes. Priten pemë dhe bimësi në burimet e Crni Drim në Sveti Naum, një zonë e mbrojtur në mënyrë strikte brenda Parkut Kombëtar Galiçicë. Ne i jemi përgjigjur Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit, Ministrisë së Mjedisit dhe Burimeve Natyrore, inspektorëve komunalë dhe Parkut Kombëtar Galiçicë, me një kërkesë për të kryer menjëherë një inspektim të jashtëzakonshëm dhe për të përcaktuar se kush e kreu prerjen dhe pse, nëse është marrë miratimi nga parku dhe institucionet e tjera kompetente, dhe nëse është kryer pa miratim, të zbatohen sanksionet më të rrepta kundër autorëve”, thuhet në njoftim.
Lajme nga vendi
Ministria e Kulturës: Ansambli i Tetovës nuk do të mbyllet, do analizohen 72 institucione të kulturës
Ministria e Kulturës nuk ka ende përgjigje të qartë për Ansamblin Muzikor të Tetovës i cili përmendet si një nga institucionet që mund të racionalizohen sipas Draft-strategjisë për kulturën 2026–2030. Nga Ministria e Kulturës për Portalb.mk thonë se Ansambli nuk do të mbyllet, megjithatë thonë se do të vendoset në periudhën në vijim për institucionet që funksionojnë me kapacitete të kufizuara.
Draft-strategjia për kulturën 2026–2030 në Maqedoninë e Veriut ka nxitur reagime të shumta në opinion dhe nga artistët të cilët thonë se nuk duhet të lejohet mbyllja e Ansamblit të Tetovës.
Analiza e gjendjes tregoi se një pjesë e institucioneve nuk janë të kompletuara me staf dhe nuk kanë hapësirë të përshtatshme për punë, prandaj, një nga fushat prioritare në Strategjinë Kombëtare i referohet institucioneve kombëtare dhe riformësimit të tyre në drejtim të autonomisë më të madhe në funksionim dhe përmirësimit të sistemit të veprimit, me masa dhe aktivitete konkrete të përcaktuara në Planin e Veprimit për zbatim.
“Në Strategjinë Kombëtare askund nuk është theksuar se Institucioni Kombëtar “Ansambli Muzikor në Republikën e Maqedonisë së Veriut” – Tetovë, apo ndonjë institucion tjetër, do të mbyllet”, thonë nga Ministria e Kulturës.
Ministria thotë se në periudhën në vijim do të realizojë një analizë të thellë dhe gjithëpërfshirëse të rrjetit ekzistues prej 72 institucionesh kombëtare, nga e cila pritet të dalin tregues të qartë për veprimet e ardhshme.
“Qëllimi i kësaj fushe prioritare është krijimi i një sistemi institucional kulturor funksional dhe efikas”, thonë nga Ministria e Kulturës.
Lajme nga vendi
Merko akuzon BDI-në për standarde të dyfishta: Pse unë nuk u mbrojt nga pushteti, ndërsa Bexheti dhe Dehari po mbrohen nga opozita?
Ish-kryetari i Komunës së Strugës nga radhët e BDI-së, Ramiz Merko ka shprehur revoltën e tij ndaj integristëve, duke i akuzuar për standarde të dyfishta, pasi sipas tij ata nuk e kanë mbrojtur në rastet e kallëzimeve penale, ndërsa tani partia po mbron deputetin Blerim Bexheti dhe ish-kryetarin e komunës së Kërçovës, Fatmir Dehari.
Përmes një postimi në Facebook, ai ka reaguar duke thënë se ka ndjekur me vëmendje reagimet e BDI-së lidhur me kallëzimet penale ndaj Bexhetit dhe Deharit, për të cilat partia thotë se bëhet fjalë për presion politik, ndërsa ai vetë nuk ka pasur asnjë mbështetje partiake.
https://www.facebook.com/permalink.php?story_fbid=1553061386827000&id=100063694600962&ref=embed_post
“Pse, Unë, Ramiz Merko nuk u mbrojt nga pushteti, ndërsa dy kryetarë po mbrohen nga opozita? Pse ky standard i dyfishtë? Deklaratat e fundit të BDI-së për presion politik ndaj ish-funksionarëve si Blerim Bexheti dhe Fatmir Dehari i kam ndjekur me vëmendje. Kërkesa për drejtësi të barabartë dhe mosndërhyrje politike në institucione është e drejtë dhe e nevojshme. Por pyetja që lind natyrshëm është: pse këto parime nuk vlejnë për të gjithë njësoj? Unë, si dikush që për më shumë se dy dekada kam qenë pjesë aktive e jetës politike, që kam mbajtur përgjegjësi institucionale dhe kam kontribuar në fitore të rëndësishme elektorale në Strugë dhe në zonën zgjedhore 5, e kam përjetuar drejtpërdrejt këtë standard të dyfishtë. Për vite me radhë kam qenë ndër zërat më të fuqishëm në terren, duke mbajtur gjallë strukturën dhe duke siguruar rezultate konkrete. Në disa cikle zgjedhore, pikërisht zona jonë ka bërë diferencën në balancën e mandateve. Por në momentin kur u përballa me procese gjyqësore, mbështetja mungoi. Përkundrazi, u krijua një distancim i hapur, madje deri në mohimin e lidhjes sime me strukturat. Dhe këtu lind problemi kryesor: standardi i dyfishtë. Sepse ndërkohë që sot flitet për presion politik ndaj disa ish-funksionarëve, për rastin tim nuk pati asnjë reagim, edhe pse proceset ndaj meje janë perceptuar gjerësisht si të motivuara politikisht nga periudha e qeverisjes LSDM-BDI. Akuzat ndaj meje nuk kanë qenë për korrupsion të provuar apo krime financiare, por për çështje administrative dhe vendimmarrje institucionale si emërime drejtorësh apo vendosje simbolesh që lidhen me historinë dhe identitetin shqiptar. Vendime që i kam marrë në funksion të përfaqësimit dhe mbrojtjes së gjuhës shqipe në institucione, si dhe për respektimin e ngjarjeve historike si një vlerë e njohur dhe e pranuar në nivel shtetëror. Megjithatë, këto u trajtuan si probleme, ndërkohë që në praktikë janë pjesë e përditshmërisë institucionale në vend. Dhe kontrasti bëhet edhe më i qartë kur shohim se në raste të tjera, për figura të nivelit të lartë si ish-zv.kryeministri Artan Grubi, reagimet janë të kujdesshme, të zbutura apo edhe mbrojtëse. Pra, në njërën anë relativizohen akuza të rënda për korrupsion, ndërsa në anën tjetër heshtet për procese që lidhen me vendimmarrje administrative dhe çështje identitare. Kjo nuk është më çështje individësh. Kjo është çështje parimesh. Nuk mund të kërkohet drejtësi e barabartë vetëm në raste të caktuara. Nuk mund të ketë mbështetje politike vetëm për disa dhe heshtje për të tjerët. Në këtë frymë, unë, Ramiz Merko, shpreh solidarizimin dhe mbështetjen time të fuqishme ndaj ish-funksionarëve si Blerim Bexheti, Fatmir Dehari, dhe të tjerë si Festimi, Ardiani, Sabaudini, Ejupi, Lirimi, Nefiu, Kreshniku etj, përballë çdo presioni apo procesi që perceptohet si i motivuar politikisht. Mbi të gjitha, qëndroj i palëkundur në mbështetje dhe solidarizim me të gjithë ata që sot përballen me presione të tilla, sepse drejtësia nuk mund të jetë selektive, ajo duhet të jetë e njëjtë për të gjithë”, ka shkruar Merko.
-
Lajme nga bota4 weeks ago“Do jem makthi i Iranit”, Trump ‘kërcënon’ sërish: Nëse nuk ulen në negociata, bombardimet do të shtohen
-
Lajme nga rajoni4 weeks agoZbardhet dëshmia e autorit të vrasjes së Liridonës, Plava: Kisha marrëveshje me Murselin, më tha se Behgjet Pacolli ka qenë në dijeni
-
Sport4 weeks agoBARDHI: NËNVLERËSIMI VETËM SE NA MOTIVON KUNDËR DANIMARKËS!

