Lajme nga vendi
Merko akuzon BDI-në për standarde të dyfishta: Pse unë nuk u mbrojt nga pushteti, ndërsa Bexheti dhe Dehari po mbrohen nga opozita?
Ish-kryetari i Komunës së Strugës nga radhët e BDI-së, Ramiz Merko ka shprehur revoltën e tij ndaj integristëve, duke i akuzuar për standarde të dyfishta, pasi sipas tij ata nuk e kanë mbrojtur në rastet e kallëzimeve penale, ndërsa tani partia po mbron deputetin Blerim Bexheti dhe ish-kryetarin e komunës së Kërçovës, Fatmir Dehari.
Përmes një postimi në Facebook, ai ka reaguar duke thënë se ka ndjekur me vëmendje reagimet e BDI-së lidhur me kallëzimet penale ndaj Bexhetit dhe Deharit, për të cilat partia thotë se bëhet fjalë për presion politik, ndërsa ai vetë nuk ka pasur asnjë mbështetje partiake.
https://www.facebook.com/permalink.php?story_fbid=1553061386827000&id=100063694600962&ref=embed_post
“Pse, Unë, Ramiz Merko nuk u mbrojt nga pushteti, ndërsa dy kryetarë po mbrohen nga opozita? Pse ky standard i dyfishtë? Deklaratat e fundit të BDI-së për presion politik ndaj ish-funksionarëve si Blerim Bexheti dhe Fatmir Dehari i kam ndjekur me vëmendje. Kërkesa për drejtësi të barabartë dhe mosndërhyrje politike në institucione është e drejtë dhe e nevojshme. Por pyetja që lind natyrshëm është: pse këto parime nuk vlejnë për të gjithë njësoj? Unë, si dikush që për më shumë se dy dekada kam qenë pjesë aktive e jetës politike, që kam mbajtur përgjegjësi institucionale dhe kam kontribuar në fitore të rëndësishme elektorale në Strugë dhe në zonën zgjedhore 5, e kam përjetuar drejtpërdrejt këtë standard të dyfishtë. Për vite me radhë kam qenë ndër zërat më të fuqishëm në terren, duke mbajtur gjallë strukturën dhe duke siguruar rezultate konkrete. Në disa cikle zgjedhore, pikërisht zona jonë ka bërë diferencën në balancën e mandateve. Por në momentin kur u përballa me procese gjyqësore, mbështetja mungoi. Përkundrazi, u krijua një distancim i hapur, madje deri në mohimin e lidhjes sime me strukturat. Dhe këtu lind problemi kryesor: standardi i dyfishtë. Sepse ndërkohë që sot flitet për presion politik ndaj disa ish-funksionarëve, për rastin tim nuk pati asnjë reagim, edhe pse proceset ndaj meje janë perceptuar gjerësisht si të motivuara politikisht nga periudha e qeverisjes LSDM-BDI. Akuzat ndaj meje nuk kanë qenë për korrupsion të provuar apo krime financiare, por për çështje administrative dhe vendimmarrje institucionale si emërime drejtorësh apo vendosje simbolesh që lidhen me historinë dhe identitetin shqiptar. Vendime që i kam marrë në funksion të përfaqësimit dhe mbrojtjes së gjuhës shqipe në institucione, si dhe për respektimin e ngjarjeve historike si një vlerë e njohur dhe e pranuar në nivel shtetëror. Megjithatë, këto u trajtuan si probleme, ndërkohë që në praktikë janë pjesë e përditshmërisë institucionale në vend. Dhe kontrasti bëhet edhe më i qartë kur shohim se në raste të tjera, për figura të nivelit të lartë si ish-zv.kryeministri Artan Grubi, reagimet janë të kujdesshme, të zbutura apo edhe mbrojtëse. Pra, në njërën anë relativizohen akuza të rënda për korrupsion, ndërsa në anën tjetër heshtet për procese që lidhen me vendimmarrje administrative dhe çështje identitare. Kjo nuk është më çështje individësh. Kjo është çështje parimesh. Nuk mund të kërkohet drejtësi e barabartë vetëm në raste të caktuara. Nuk mund të ketë mbështetje politike vetëm për disa dhe heshtje për të tjerët. Në këtë frymë, unë, Ramiz Merko, shpreh solidarizimin dhe mbështetjen time të fuqishme ndaj ish-funksionarëve si Blerim Bexheti, Fatmir Dehari, dhe të tjerë si Festimi, Ardiani, Sabaudini, Ejupi, Lirimi, Nefiu, Kreshniku etj, përballë çdo presioni apo procesi që perceptohet si i motivuar politikisht. Mbi të gjitha, qëndroj i palëkundur në mbështetje dhe solidarizim me të gjithë ata që sot përballen me presione të tilla, sepse drejtësia nuk mund të jetë selektive, ajo duhet të jetë e njëjtë për të gjithë”, ka shkruar Merko.
Lajme nga vendi
Regjistrime të paligjshme në studime postdiplomike në Fakultetin e Filozofisë! Inspektorati kërkon anulim, Ministria pret raportin
Dhjetëra studentë me studime të papërfunduara të ciklit të parë janë regjistruar në mënyrë të paligjshme në studime master dhe doktoratë në Fakultetin e Filozofisë. Skandali është zbuluar nga Inspektorati Shtetëror i Arsimit, i cili ka nxjerrë vendime për anulimin e regjistrimeve për shkak të mosplotësimit të kushteve ligjore. Ministrja e Arsimit, Vesna Janevska, po e pret raportin e fakultetit për të vepruar. Ndërkohë, studentët, disa prej të cilëve kanë angazhuar edhe avokatë, janë vendosur në një ngërç ligjor dhe financiar.
“Janë konstatuar parregullsi në Fakultetin e Filozofisë, por jo gjatë regjistrimit në studimet e ciklit të parë, por gjatë regjistrimit në studimet postdiplomike, cikli i dytë dhe i tretë i studimeve. Inspektorati Shtetëror i Arsimit ka vepruar, ka nxjerrë konkluzione dhe e ka informuar fakultetin. Fakulteti duhet të veprojë. Sipas asaj që unë di, po vepron. Dhe në fund unë po e pres raportin përfundimtar, pasi të kalojë afati për veprim, që si ministre e autorizuar në këtë fushë të marr edhe vendimin përfundimtar”, tha Vesna Jankovska, ministre e Arsimit dhe Shkencës.
Lajme nga vendi
Deri në vitin 2030, rreth 20% e rrugëve shqiptare do jenë me pagesë, qeveria nuk heq dorë nga PPP
Qeveria shqiptare synon që deri në vitin 2030, rreth 20% e rrjetit rrugor të përfshihet në skema tarifimi elektronik, si pjesë e masave në strategjinë sektoriale të transportit dhe planit të veprimit deri në vitin 2030.
Dokumenti vendos në fokus ndër të tjera zgjerimin e Sistemeve Inteligjente të Transportit (SIT) në të gjithë rrjetin TEN-T, duke përfshirë menaxhimin në kohë reale të trafikut, monitorimin e aseteve dhe ofrimin e informacionit për udhëtarët.
Një komponent i rëndësishëm i kësaj është edhe zhvillimi i biletimit digjital në transportin ndërqytetës dhe sistemeve të qëndrueshme të tarifimit elektronik (e-tolling).
Në këtë kuadër, strategjia parashikon përgatitjen e kuadrit ligjor dhe teknik për tarifimin digjital të rrugëve, në përputhje me standardet europiane si Direktiva Eurovignette dhe Shërbimi Europian Elektronik i Tarifimit Rrugor (EETS). Pilotimi i e-tolling do të nisë në segmentet me trafik më të lartë të rrjetit TEN-T, pas ngritjes së infrastrukturës përkatëse.
Qeveria parashikon që të krijohet një fond i veçantë që vjen nga pagesat dhe karikimet elektrike që do të shkojë për mirëmbajtjen e rrugëve.
“Krijimi i një fondi të dedikuar për mirëmbajtjen e rrugëve, i financuar përmes tarifave të përdoruesve (pagesë rruge, tarifat e karikimit të mjeteve elektrike) në përputhje të plotë me parimet e direktivës Eurovignette dhe Rregulloren (BE) 2023/1804 mbi instalimin e infrastrukturës së lëndëve djegëse alternative”, thuhet në strategji.
Aktualisht, disa segmente rrugore janë me pagesë, përfshirë Rrugën e Kombit, aksin Thumanë–Kashar dhe tunelin e Llogarasë, për të cilin pritet aplikimi i tarifës brenda sezonit veror.
Përveç tarifimit rrugor, strategjia parashikon edhe zbatimin e biletimit digjital në transportin ndërqytetas të udhëtarëve, duke synuar një integrim më të plotë të shërbimeve dhe rritjen e transparencës në arkëtime.
PPP dhe koncesionet mbeten në fokus
Në të njëjtën kohë, qeveria duket se do të vijojë t’i qëndrojë besnike qasjes së saj pro partneriteteve publike-private (PPP) dhe koncesioneve në sektorin e infrastrukturës edhe në vitet në vazhdim.
Strategjia i konsideron këto instrumente si mjete plotësuese për mobilizimin e investimeve private dhe përshpejtimin e zbatimit të projekteve, veçanërisht në ndërtimin e rrugëve dhe zhvillimin e infrastrukturës kryesore.
Sipas dokumentit, modeli synon të përmirësojë qëndrueshmërinë fiskale dhe të reduktojë vonesat, duke garantuar njëkohësisht përdorim më efikas të fondeve publike.
Një theks i veçantë vihet edhe te transporti ndërqytetas, ku parashikohet nxitja e PPP-ve për operimin, mirëmbajtjen dhe modernizimin e terminaleve.
Zhvillimet vijnë në kohën kur kanë “lindur” kompani të reja të lidhura me sektorin. Një prej tyre është Enti Kombëtar i Operimit Rrugor (EKORR) ngarkuar me menaxhimin e rrugëve me pagesë, përfshirë operimin e portave automatike dhe administrimin e sistemeve të tarifimit elektronik.
Ndërkohë, më pas u krijua shoqëria “Mob AI” që fokusohet në operimin e transportit publik rrugor, përfshirë biletimin elektronik, menaxhimin e flotës dhe zhvillimin e sistemeve digjitale për monitorimin e shërbimeve./Monitor
Lajme nga vendi
Pas bllokimit të sistemit, Dogana rikthen katalogët! “Schwacke” nuk do funksionojë deri në fund të javës
Një ditë pas raportimit se automjetet mbeten të bllokuara nëpër parkingje të shpedicioneve private në gjithë vendin, Drejtoria e Doganave i kthehet metodës së vjetër të vlerësimit zhdoganues.
Në lidhje me: Sistemi i Doganës i bllokuar! Qytetarët s’mund t’i marrin veturat, paguajnë çdo ditë parking
Megjithëse prej pesë ditësh nuk funksionon sistemi online i operatorit gjerman “Shfake” për Maqedoninë e Veriut, sipas autoriteteve, ky ngërç pritet të vazhdoj deri në fund të javës.
Andaj dogana konfirmon për TV21 se nga sot përmes katalogëve fizike do të bëhet vlerësimi i kostos së automjeteve për t’i elaboruar çmimin e doganës sipas vitit të prodhimit, vëllimit të motorit dhe numrit të shasisë.
Po ashtu, nga Drejtoria e Doganave thonë se kanë rënë në ujdi me shpedicionet private që gjatë ditëve të bllokimit të mos u marrin pagesë për parking qytetarëve, të cilëve iu janë bllokuar makinat për këto ditë.
-
Lajme nga bota4 weeks ago“Do jem makthi i Iranit”, Trump ‘kërcënon’ sërish: Nëse nuk ulen në negociata, bombardimet do të shtohen
-
Lajme nga rajoni4 weeks agoZbardhet dëshmia e autorit të vrasjes së Liridonës, Plava: Kisha marrëveshje me Murselin, më tha se Behgjet Pacolli ka qenë në dijeni
-
Sport4 weeks agoBARDHI: NËNVLERËSIMI VETËM SE NA MOTIVON KUNDËR DANIMARKËS!

