Lajme nga vendi
Deri në vitin 2030, rreth 20% e rrugëve shqiptare do jenë me pagesë, qeveria nuk heq dorë nga PPP
Qeveria shqiptare synon që deri në vitin 2030, rreth 20% e rrjetit rrugor të përfshihet në skema tarifimi elektronik, si pjesë e masave në strategjinë sektoriale të transportit dhe planit të veprimit deri në vitin 2030.
Dokumenti vendos në fokus ndër të tjera zgjerimin e Sistemeve Inteligjente të Transportit (SIT) në të gjithë rrjetin TEN-T, duke përfshirë menaxhimin në kohë reale të trafikut, monitorimin e aseteve dhe ofrimin e informacionit për udhëtarët.
Një komponent i rëndësishëm i kësaj është edhe zhvillimi i biletimit digjital në transportin ndërqytetës dhe sistemeve të qëndrueshme të tarifimit elektronik (e-tolling).
Në këtë kuadër, strategjia parashikon përgatitjen e kuadrit ligjor dhe teknik për tarifimin digjital të rrugëve, në përputhje me standardet europiane si Direktiva Eurovignette dhe Shërbimi Europian Elektronik i Tarifimit Rrugor (EETS). Pilotimi i e-tolling do të nisë në segmentet me trafik më të lartë të rrjetit TEN-T, pas ngritjes së infrastrukturës përkatëse.
Qeveria parashikon që të krijohet një fond i veçantë që vjen nga pagesat dhe karikimet elektrike që do të shkojë për mirëmbajtjen e rrugëve.
“Krijimi i një fondi të dedikuar për mirëmbajtjen e rrugëve, i financuar përmes tarifave të përdoruesve (pagesë rruge, tarifat e karikimit të mjeteve elektrike) në përputhje të plotë me parimet e direktivës Eurovignette dhe Rregulloren (BE) 2023/1804 mbi instalimin e infrastrukturës së lëndëve djegëse alternative”, thuhet në strategji.
Aktualisht, disa segmente rrugore janë me pagesë, përfshirë Rrugën e Kombit, aksin Thumanë–Kashar dhe tunelin e Llogarasë, për të cilin pritet aplikimi i tarifës brenda sezonit veror.
Përveç tarifimit rrugor, strategjia parashikon edhe zbatimin e biletimit digjital në transportin ndërqytetas të udhëtarëve, duke synuar një integrim më të plotë të shërbimeve dhe rritjen e transparencës në arkëtime.
PPP dhe koncesionet mbeten në fokus
Në të njëjtën kohë, qeveria duket se do të vijojë t’i qëndrojë besnike qasjes së saj pro partneriteteve publike-private (PPP) dhe koncesioneve në sektorin e infrastrukturës edhe në vitet në vazhdim.
Strategjia i konsideron këto instrumente si mjete plotësuese për mobilizimin e investimeve private dhe përshpejtimin e zbatimit të projekteve, veçanërisht në ndërtimin e rrugëve dhe zhvillimin e infrastrukturës kryesore.
Sipas dokumentit, modeli synon të përmirësojë qëndrueshmërinë fiskale dhe të reduktojë vonesat, duke garantuar njëkohësisht përdorim më efikas të fondeve publike.
Një theks i veçantë vihet edhe te transporti ndërqytetas, ku parashikohet nxitja e PPP-ve për operimin, mirëmbajtjen dhe modernizimin e terminaleve.
Zhvillimet vijnë në kohën kur kanë “lindur” kompani të reja të lidhura me sektorin. Një prej tyre është Enti Kombëtar i Operimit Rrugor (EKORR) ngarkuar me menaxhimin e rrugëve me pagesë, përfshirë operimin e portave automatike dhe administrimin e sistemeve të tarifimit elektronik.
Ndërkohë, më pas u krijua shoqëria “Mob AI” që fokusohet në operimin e transportit publik rrugor, përfshirë biletimin elektronik, menaxhimin e flotës dhe zhvillimin e sistemeve digjitale për monitorimin e shërbimeve./Monitor
Lajme nga vendi
Në pranga edhe pronari i “Sante Plus” në Shkup, Bilall Kara si dhe Geriana Arapi, po i kërkonte edhe Shqipëria
Pronari i spitalit privat “Sante Plus”, Bilal Kara, është një prej personave të arrestuar në operacionin e zhvilluar në Maqedonisë së Veriut, në kuadër të një hetimi për abuzime me Fondin e Sigurimeve Shëndetësore.
Ai ishte shpallur në kërkim edhe nga autoritetet shqiptare që prej muajit shtator të vitit të kaluar, me dyshimin se nuk kishte deklaruar të ardhurat e përfituara në vlerën e 1 milion eurove, ndërsa në klinikë u gjetën edhe medikamente, të cilat dyshohet se kishin skaduar, por që përdoreshin nga stafi shëndetësor.
Sipas mediave maqedonase, bashkë me Bilal Kara u arrestuan edhe shtatë persona të tjerë, të cilët dyshohen për përfshirje në abuzime me procedurat e operacioneve në sy. Sipas hetimeve, dyshohet se për këto ndërhyrje kirurgjikale janë kryer pagesa si nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, ashtu edhe nga vetë pacientët. Mes personave të arrestuar, sipas mediave maqedonase është edhe Geriana Arapi, ish-drejtoresha e spitalit “Sante Plus”, e cila po ashtu ishte në kërkim prej më shumë se një viti nga autoritetet shqiptare, që pas bllokimit të klinikës “International Medicare” në Tiranë. Arrestimi i tyre në Maqedoninë e Veriut pritet të pasohet nga zhvillime të tjera lidhur me procedurat ligjore dhe kërkesën e autoriteteve shqiptare për ta.
Lajme nga vendi
Moti sot në Maqedoninë e Veriut
Moti sot në Maqedoninë e Veriut do të jetë i ndryshueshëm me vranësira dhe reshje lokale të shiut. Në disa lugina do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së mëngjesit. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu.
Temperatura minimale do të jetë në intervalin nga 6 deri në 12 gradë, ndërsa maksimale do të arrijë nga 12 deri në 19 gradë.
Në Shkup, moti do të jetë kryesisht me vranësira, në orët e mëngjesit do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së lehtë. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu. Temperatura minimale do të ulet në 10, ndërsa maksimale do të arrijë në 15 gradë.
Lajme nga vendi
LAMM: Komunikacioni zhvillohet pa pengesa, nuk ka vonesa në pikat kufitare
Komunikacioni në rrugët shtetërore po zhvillohet pa probleme, në rrugë të thata, njofton LAMM. Intensiteti i trafikut në rrugët jashtë zonave urbane është mesatar.
Nuk ka vonesa të gjata në pikat kufitare në anën RMV-së për hyrje dhe dalje nga vendi.
LAMM rekomandon përshtatjen e shpejtësisë së lëvizjes, respektimin e sinjalistikës së vendosur të trafikut dhe menaxhimin e kujdesshëm të automjeteve, veçanërisht në rrugët nëpër lugina, lugina lumenjsh dhe gryka, ku ekziston mundësia e rrëshqitjeve të dheut. Kjo vlen veçanërisht për seksionet Katllanovë – Veles, Mavrovë – Dibër – Strugë, Vinicë – Berovë dhe Koçan – Dellçevë.
-
Lajme nga rajoni2 months agoFilloi në Hagë seanca për deklaratat përfundimtare ndaj Thaçit dhe të tjerëve
-
Lajme nga rajoni2 months agoKa ndërruar jetë Flora Brovina, një nga figurat e njohura të jetës politike dhe shoqërore në Kosovë
-
Lajme nga rajoni2 months agoThaçi e Krasniqi dënohen me nga 25 vjet burgim, Veseli 18 e Selimi 13

