Lajme nga vendi
VLEN: Kultura është në duar të sigurta, ansamblet po ruhen dhe forcohen
VLEN sot nëpërmes një kumtese siguron se institucionet shqiptare kulturore nuk janë në rrezik, por po hyjnë në një fazë konkrete forcimi dhe funksionalizimi.
“Derisa të tjerët përhapin panik, mjegull dhe dezinformata, VLEN po punon me fakte, vendime dhe me hapa konkretë për kulturën shqiptare. Për ne, arsimi dhe kultura janë shtyllat e vizionit tonë për zhvillimin e shoqërisë shqiptare. Në këtë drejtim, institucionet kulturore shqiptare jo vetëm që nuk janë në rrezik, por po hyjnë në një fazë konkrete forcimi dhe funksionalizimi.
Angazhimi I Qeverisë VLEN dhe i zëvendësministrit të Kulturës, Sedat Sulejmani, ka sjellë lajme të mira për Ansamblin Muzikor të Tetovës.
Ky institucion jo vetëm që nuk rrezikohet, por përkundrazi, po forcohet. Aktualisht po punohet intensivisht në kompletimin e dokumentacionit për funksionalizimin e plotë të këtij institucioni, përfshirë edhe punësimin e rreth 20 artistëve në fazën e parë.
Ky është një hap I rëndësishëm drejt jetësimit të plotë të këtij institucioni dhe një dëshmi e qartë e përkushtimit për zhvillimin e kulturës shqiptare.Në të njëjtën kohë, për Ansamblin e Këngëve dhe Valleve në Shkup tashmë janë siguruar pëlqimet për 5 punësime të reja. Këto zhvillime tregojnë qartë qasjen institucionale të VLEN-it, ku kultura trajtohet si vlerë strategjike.
VLEN mbetet e vendosur që të garantojë jo vetëm mbrojtjen, por edhe zhvillimin e mëtejshëm të institucioneve kulturore shqiptare, përmes mbështetjes konkrete për artistët, krijuesit dhe trashëgiminë tonë kulturore”, thonë VLEN.
Lajme nga vendi
Besnik Xhemaili zgjidhet zëvendëskryetar i Antikorrupsionit
Anëtari i Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK), Besnik Xhemaili, është zgjedhur zëvendëskryetar i KSHPK-së, funksion që do ta kryejë gjashtë muaj.
Zgjedhja e zëvendëskryetarit të KSHPK-së është kryer sipas parimit të rotacionit, dhe renditja u përcaktua sipas rendit alfabetik të mbiemrave të anëtarëve të KSHPK-së, shpjegoi kryetari Adem Çuçuli.
“Mandati i zëvendëskryetares aktuale të KSHPK-së, Sofija Spasova Medarska, përfundon më 18 gusht, ndërsa mandati i zëvendëskryetarit të ri, Besnik Xhemaili, do të fillojë më 19 gusht të këtij viti”, theksoi Çuçul, propozimi i të cilit u pranua unanimisht.
Në seancën e sotme të KSHPK-së, kryetari Çuçul informoi se Komisioni ka evidentuar 30 persona të zgjedhur, të emëruar ose mandati i të cilëve ka përfunduar në prill, të cilët nuk e kanë përmbushur detyrimin ligjor për të paraqitur deklaratën e gjendjes pronësore dhe konfliktit të interesit brenda afatit ligjor. Për të gjithë personat, theksoi Çuçul, do të iniciohen procedura kundërvajtëse dhe shqiptohen gjoba.
Anëtarët e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit sot morën 51 vendime për të njëjtin numër rastesh nga ankues të njohur ose të panjohur në KSHPK.
Lajme nga vendi
Uji në Gostivar mbetet vetëm për përdorim teknik, nuk lejohet për pirje
Uji nga ujësjellësi në Gostivar mbetet vetëm për përdorim teknik dhe ende nuk ka rekomandim që të përdoret për pirje ose gatim, deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski.
Sipas tij, arsyeja është paraqitja e një bakteri rezidual në instalimet e ujësjellësit, për shkak të të cilit uji vazhdon të jetë i ndaluar për konsum.
Duke komentuar akuzat ndaj Qeverisë se nuk ka ndërmarrë masa për të parandaluar ndotjen e ujit në Gostivar, Mickoski tha se në vitin 2021, kur lideri i SDSM-së, Venko Filipçe, ishte ministër i Shëndetësisë, ishin regjistruar mbi 400 ankesa për cilësinë e ujit në Gostivar.
Kryeministri i bëri thirrje Prokurorisë që t’i verifikojë këto pretendime, të hapë procedurë dhe të kryejë kontrolle në Institutin e Shëndetit Publik dhe Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë.
Sipas Mickoskit, institucionet kompetente duhet të sqarojnë pse, edhe pse kanë pasur mundësi të reagojnë, nuk kanë ndërmarrë masa për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve të Gostivarit.
Lajme nga vendi
Skandal me provimin e Stomatologjisë: Studentja i pagoi ryshfet profesorëve, policia kapi mijëra euro
Njësia për Krim Financiar pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme ka ngritur kallëzim penal ndaj tre personave të dyshuar për përfshirje në një skemë korruptive lidhur me përfitimin e paligjshëm të certifikatës për provimin profesional në stomatologji.
Gjatë kontrolleve te dy prej të dyshuarve, policia ka sekuestruar shuma të konsiderueshme parash në valuta të ndryshme.
Sipas MPB-së, A.T. (27) nga Manastiri, studente e stomatologjisë, gjatë dhjetorit 2025 ka komunikuar disa herë përmes aplikacionit Viber me S.Ç. (56) nga Gostivari, profesor në Fakultetin e Stomatologjisë dhe ish-nënkryetar i Odës së Stomatologëve.
Siç njofton MPB-ja, pasi arritën marrëveshje, studentja i ka transferuar para në llogarinë bankare profesorit, me qëllim që ai të përdorte ndikimin e tij për t’i mundësuar marrjen e certifikatës si punëtore shëndetësore, edhe pse nuk i plotësonte kushtet e nevojshme.
Sipas kallëzimit penal, profesori më pas ka ndërhyrë te S.E. (63) nga Shkupi, i cili në atë periudhë ishte kryetar i Komisionit për Provimin Profesional pranë Ministrisë së Shëndetësisë.
Më 17 dhjetor 2025, studentja është paraqitur para komisionit, ka kaluar provimin dhe më pas ka marrë certifikatën shtetërore.
Gjatë aksionit, zyrtarët policorë nga Departamenti për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe Krimit të Rëndë kanë kryer kontrolle në banesat e të dyshuarve të dytë dhe të tretë, ku janë sekuestruar 65.280 euro, 29.840 franga zvicerane dhe 161.500 denarë.
“Në bazë të provave të siguruara, A.T. dyshohet për veprën penale dhënie shpërblimi për ndikim të kundërligjshëm, S.Ç. për marrje shpërblimi për ndikim të kundërligjshëm, ndërsa S.E. për marrje ryshfeti”, njoftoi MPB.
Hetimet vazhdojnë për zbardhjen e plotë të rastit dhe përcaktimin e të gjitha rrethanave që lidhen me skemën e dyshuar korruptive.

