Lajme nga vendi
Ambasada bullgare me apel drejtuar mediave dhe figurave publike në Maqedoninë e Veriut
Ambasada e Bullgarisë në Shkup reagoi pas paralajmërimeve për bllokadën e tre pikave kufitare mes Maqedonisë dhe Bullgarisë nga fondacioni bullgar “Maqedonia”, duke bërë thirrje që të mos krijohen pengesa në komunikacion dhe të mos përdoren kualifikime që, sipas tyre, i thellojnë më tej ndarjet.
Në njoftim, Ambasada thekson se është joproduktive që organizatat bullgare të etiketohen si “antimaqedonase” për shkak të qëndrimeve të tyre mbi marrëdhëniet bilaterale dhe politikat e autoriteteve në Shkup.
“Pluralizmi është tipar karakteristik i demokracisë dhe manifestimi i tij nuk është i drejtuar kundër askujt, por ka për qëllim të hapë dialog ndërshoqëror si parakusht për një kuptim më të mirë”, thuhet nga Ambasada.
Njëkohësisht, nga misioni diplomatik bullgar mbështesin mundësinë për protestë qytetare paqësore, por apelojnë që të mos bllokohen pikat kufitare dhe rrugët mes dy shteteve.
Sipas tyre, interesi i Bullgarisë është i orientuar drejt thellimit të kontakteve mes qytetarëve, bashkëpunimit ekonomik, shkëmbimit tregtar dhe lidhjeve kulturore mes dy vendeve fqinje.
Nga Ambasada vlerësojnë se shprehja e pakënaqësisë dhe shqetësimit në shoqërinë bullgare duhet të ketë karakter konstruktiv dhe evropian, me qëllim që të kontribuojë në përmirësimin e marrëdhënieve dhe ndërtimin e një të ardhmeje të përbashkët evropiane. përcjell Zhurnal.mk .
Lajme nga vendi
ZHVILLIMET E JAVËS PËRPLASIN BDI-në DHE VLEN-in!
Përplasjet midis BDI-së dhe VLEN-it janë transferuar edhe nëpër rrjetet sociale.
Gjatë së Premtes këto dy forca politike janë përplasur për ndodhitë që kanë ndodhur brenda kësaj jave.
Bujar Osmani nga BDI-ja, përmes një statusi në Facebook, përmend disa ngjarje, që sipas tij, kanë goditur shqiptarët në shtet.
-Gjykata Kushtetuese anuloi emërtimet shqiptare në Tetovë dhe riktheu emra si “Marshall Tito”.
-Në Parlament po shtyhet ligji që godet shtyllën kryesore të barazisë, përfaqësimin e drejtë dhe adekuat.
-Barazia vazhdon të gërryhet në praktikë, nen pas neni, institucion pas institucioni.
-Parlamenti Europian paralajmëroi për depërtimin e ndikimit serb dhe rrezikun e shndërrimit të vendit në zgjatim të “Botës Serbe”.
-Parlamenti Europian kërkoi zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit në shkronjë dhe në frymë.
-Parlamenti Europian kërkoi që protestat studentore të mos etiketohen si destabilizuese apo të motivuara politikisht.
-Keqmenaxhim skandaloz i institucioneve qendrore dhe lokale, nga padija, pafuqia dhe kapja” – shkruan Bujar Osmani në FB.
I menjëhershëm ka qenë reagimi nga VLEN.
Ata bëjnë zhurmë e pluhur, ne bëjmë punë – shkruan po në Facebook, Adnan Azizi nga VLEN, duke përmendur zhvillimet e javës së fundit dhe sic thotë, derisa ata merren me propagandë, ne sjellim rezultate.
-Nënshkruam marrëveshjen për fillimin e ndërtimit të autostradës Shkup–Bllacë.
-Miratuam në Qeveri modelin One Stop Shop me Shqipërinë, pas suksesit të One Stop Shop me Kosovën.
-Sollëm investimin e parë të ri në Zonën e Lirë Ekonomike në Tetovë pas 15 vitesh: 21 milionë euro investim dhe 500 vende të reja pune.
-Votuam në Parlament Statutin e Universitetit “Nënë Tereza”, duke e fuqizuar UNT-në me 3 fakultete të reja” – thotë Adnan Azizi nga VLEN.
Përplasjet në distancë janë ashpërsuar pasi Gjykata Kushtetuese pranoi iniciativën e Shoqatës së Luftëtarëve dhe shfuqizoi vendimin e Këshillit Komunal të vitit 2007 për riemërtimin e një numri të madh rrugësh dhe të sheshit të Tetovës.
Ndërsa nga BDI këtë vendim e cilësuan si skandaloz dhe si goditje ndaj identitetit, nga pushteti lokal i udhëhequr nga VLEN akuzojnë se bëhet fjalë për një skenar mes BDI-së dhe Gjykatës Kushtetuese me qëllim të defokusimit të opinionit publik.
Ata thonë se Komuna e Tetovës tashmë është duke punuar për një zgjidhje të re dhe në përputhje me ligjin.
Lajme nga vendi
SELMANI: PROVIMI I JURISPRUDENCËS MUND TË MBAHET NË DY GJUHË
Kështu e demonstron problemin me provimin e jurisprodencës profesori universitar Bashkim Selmani, i cili përmes një konferencë për shtyp sot ka theksuar edhe një herë se zhvillimi i provimit të jurispodencës përfshi dhe pjesën praktike në gjuhën shqipe nuk ka asnjë pengesë ligjore, procedurale apo akademike. Selmani për të argumentuar këtë, ka dhënë edhe shembuj konkret.
BASHKIM SELMANI – Profesor universitar
“Kur zhvilloj provime me studentë nga bashkësi të ndryshme, fillimisht pyes sa studentë e ndjekin procesin në gjuhën maqedonase dhe sa në gjuhën shqipe. Studentët përgjigjen në gjuhën e tyre, ndërsa administrimi dhe procedura e provimit organizohen pa asnjë problem. Kjo dëshmon se bashkëjetesa e gjuhëve në procesin akademik është jo vetëm e mundur, por edhe praktikë e zakonshme. Prandaj, i bëj thirrje Kryeministrit dhe Ministrit të Drejtësisë që të njëjtin parim ta zbatojnë edhe në provimin e jurisprudencës”.
Sa herë ngritët nisma për të drejtat e shqiptarëve, ngrihen dilema të panevojshme juridike dhe kërkohen interpretime shtesë nga institucionet e ndërkombëtare, tha Selmani i cili potencoi se, të drejtat e qytetarëve duhet të jenë sikurse obligimet e shtetit, qind për qind të njëjta për gjithë. Sipas tij, është e nevojshme vetëm të formohet një komision prej pesë anëtarësh shqiptarë dhe kjo e drejtë mund të realizohet pa pasur asnjë pengesë.
BASHKIM SELMANI – Profesor universitar
“Tjetër rast është Ligji i përfaqësimit të drejtë ku do shihni se edhe këtu është mënjanuar 20 për qindëshi, dhe që është më shqetësuese, por ne si qytetarë jemi taksa pagues njëqind për qind andaj dhe kërkojmë të drejta të plota dhe të barabarta”.
Profesori Selmani, ka paralajmëruar konferenca të ngjashme edhe në të ardhmen, me qëllim sensibilizimin e opinionit por edhe politikës, për zgjidhjen e çështjes së provimit të jurispodencës në gjuhën shqipe.
Lajme nga vendi
MJEKU DHE INFERMIERJA U PËRPOQËN TË KONTRABANDONIN BOTOKS
Një mjek dhe infermiere donin të kontrabandonin gjithsej 199 flakona Botoks, me një vlerë totale prej 615 mijë denarësh, përmes një dërgese postare të deklaruar si produkte kozmetike me një vlerë totale prej 80 dollarë. Kundër personave janë ngritur padi penale në Prokurorinë Publike të Shkupit për kryerjen e krimeve, kontrabandë dhe mashtrim doganor, të dënueshme sipas Kodit Penal.
Rasti u zbulua nga doganierët e Njësisë Doganore Shkup 1, gjatë një kontrolli të detajuar të dërgesës postare të deklaruar për zhdoganim importi, për të cilën ishte bashkangjitur një faturë me 10 mostra kozmetike. Pas hapjes së dërgesës, doganierët zbuluan 199 flakona Botoks, të cilat përdoren në mjekësinë estetike dhe të cilat nuk ishin të listuara në faturë.
Nga hetimi paraprak u përcaktua se i dyshuari i parë, i punësuar si mjek në Qendrën Klinike Universitare “Nënë Tereza”, porositi 199 flakona Botoks me vlerë 615 mijë denarë nga një kompani nga Republika e Koresë dhe u pajtua që ato të deklaroheshin në faturë si 10 copë produkte kozmetike me një vlerë totale prej 80 dollarësh.
Pastaj, ai i kërkoi të dyshuarit të dytë, i punësuar si infermiere në Qendrën Klinike Universitare “Nënë Tereza”, të listohej si pranues i mallit, i cili e ndihmoi në kryerjen e krimeve në një mënyrë që ajo pranoi që porosia të dorëzohej në emrin dhe adresën e saj dhe e pagoi faturën nga llogaria e saj e transaksionit.
Drejtoria e Doganave u bën thirrje të gjithë pjesëmarrësve në procedurat e importit se çdo përpjekje për krim do të sanksionohet ashpër. Importi i Botoksit është i rregulluar në mënyrë strikte dhe i nënshtrohet lejeve të veçanta nga institucionet kompetente dhe çdo mashtrim që lidhet me importin e mallrave të tilla ose të ngjashme përbën rrezik për shëndetin e qytetarëve.

