Lajme nga vendi
GJYKATA E TETOVËS: AKUZAT E LIRIDON DISHËS NDAJ BINAS PAJAZITIT – TË PAVËRTETA!
Drejtori i Bibliotekës së Tetovës ka bërë publike vendimin e Gjykatës themelore-Tetovë në lidhje me procesin gjyqësor të inicuar ndaj Liridon Disha për shpifje dhe akuza të pabaza.
Pajaziti përmes një shkrimi në Facebook shkruan se Gjykata konfirmoi se akuzat ishin të pavërteta, duke parashtruar pyetjen, se a mund të kompensohet me të vërtetë një reputacion i dëmtuar?
Gjykata Themelore -Tetovë ka konstatuar se ndaj, Binas Pajazitit, janë bërë publikisht deklarata të pavërteta nga Liridon Disha në konferencën për shtyp të mbajtur më 10 Tetor 2024, me ç’rast është akuzuar për keqpërdorim të mjeteve financiare, malverzime dhe veprimtari të paligjshme gjatë ushtrimit të funksionit drejtor i SHMKM “Nikolla Shtejn”-Tetovë.
Gjatë procedurës gjyqësore është vërtetuar se për këto akuza nuk ka ekzistuar asnjë provë dhe asnjë dokument relevant që do të mund të konfirmonte vërtetësinë e tyre.
Gjykata e Tetovës ka ngarkuar Liridon Dishën që të paguajë shumën prej 2.000 denarëve si dëm jomaterial, kurse shuma e kërkuar prej 180.000 denarëve është refuzuar si e pabazë.
Gjithashtu Liridon Disha duhet t`i paguajë harxhimet e procedurës në vlerë prej 28.380 denarë kurse shuma e kërkuar prej 74.600 është refuzuar si e pabazë.
Sic shkruan Binas Pajaziti në Facebook, akuzat e Liridon Dishës kanë cenuar rëndë nderin, dinjitetin dhe integritetin e tij personal e profesional, për cka ka inicuar procedurë në gjykatën më të lartë.
“Për këtë arsye kam ushtruar ankesë në Gjykatën e Apelit, sepse konsideroj se dëmshpërblimi simbolik nuk përfaqëson një kompensim të drejtë për dëmin moral të konstatuar nga gjykata. Kur një person akuzohet publikisht pa asnjë provë dhe gjykata konstaton se këto pretendime janë të pavërteta, drejtësia nuk mund të reduktohet në një shumë simbolike” – shkruan Pajaziti.
Ndryshe më 10 Tetor 2024 gjatë një press-konference në oborrin e Shkollës së Mesme të Mjekësisë në Tetovë, Liridon Disha kishte kërkuar shkarkimin e drejtorit të atëhershëm Binas Pajaziti, për shkak të, sic tha, parregullsive dhe malverzimeve të natyrave të ndryshme sikurse rinovimi I objektit, furnizimin me materiale, furnizimin me uniforma, me cka Shkolla e Mesme e Mjekësisë ka hyrë në borxhe prej 500.000 eurove, të cilët, sic tha atëherë Liridon Disha, Drejtori aktual i ka keqpërdorur.
Lajme nga vendi
NGA RRUGË NË “BULEVARD” – XHEPÇISHTI NDRYSHON PAMJE ME INVESTIMIN E RI
Kjo pjesë e Xhepçishtit tashmë duket si Bulevard e jo si rrugë – thanë zyrtarët e Komunës së Tetovës teksa promovuan rrugën e re në këtë vendbanim.
Pritjes I erdhi fundi – tha Kryetari I Komunës së Tetovës duke pohuar se përfundimi I projektit ka hijezuar të gjitha shqetësimet lidhur me këtë projekt në qendër të Xhepçishtit.
Me një gjatësi mbi 600 metra, me rrjet të ri ujësjellësi, rrjet kanalizimi atmosferik dhe fekal si dhe me asfaltimin e rrugës, Xhepçishti po hyn në një fazë të re zhvillimi!
Në mbrëmjen e së premtes në Sheshin e Xhepçishtit të pranishëm ishin kreu I Komunës së Tetovës, Bilal Kasami, Zv/Kryetari Albi Qamili, Kryetari i Komunës së Tearcës, Daut Memishi si dhe zyrtarë tjerë të lartë, kurse në mesin e tyre vërrejt edhe Ministri për Marrëdhëni ndërmjet Bashkësive, Agon Ferati.
Kreu I Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, tha për Tv Koha se bëhet fjalë për një investim të Komunës me gjithë infrastrukturën nëntokësore.
“Bëhet fjalë për një projekt kapital për Komunën e Tetovës, jo vetëm për f.Xhepçisht por edhe Tetovën. Një investim 1.1 milion euro apo 67 milion denarë që përfshinë asfaltimin e rrugës në gjatësi mbi 600 metra dhe gjerësi mesatarisht 6.5 metra dhe gjithë infrastrukturën nëntokësore – ujësjellës, kanalizim, kanalizim fekal dhe atmosferik si dhe ndriçimi. Pra me këtë investim kjo pjesë e f.Xhepçisht është kompletuar dhe unë besoj se për, së paku, 30 vitet e ardhshme nuk do të ketë nevojë për investim sepse asfaltimi I rrugës sigurisht se do të mbrohet nga ajo se është bërë edhe infrastruktura nëntokësore me të gjitha standardet. Kjo për mua është një kënaqësi e veçantë, sepse Xhepçishti e ka merituar këtë investim të ri dhe duhej të presë 30 vite që të realizohet ky investim”
Xhepçishtasit u treguan si nikoqirë të mirë. Sheshi I këtij vendbanimi kishte marrë pamje feste ku nuk munguan rapsodët dhe kënga por edhe bakllavaja që gjithçka të shkojë ëmbël, ashtu siç e ka adeti./Tv Koha/
Lajme nga vendi
Ministria e Energjisë: Sistemi elektroenergjetik në vend është stabil dhe i sigurt
Ministria e energjisë, minierave dhe burimeve minerale e ndjek në mënyrë të vazhdueshme gjendjen në rajon dhe në Evropë, si dhe treguesit hidrologjikë në vend.
Nga Ministria thonë se sipas të dhënave të disponueshme, gjendja në Maqedoni është stabile dhe aktualisht nuk ka indikacione se nivelet e ulëta të ujërave në Evropë paraqesin rrezik për sigurinë e prodhimit vendor të energjisë elektrike.
“Ministria, së bashku me SHA EMV, SHA MEPSO dhe institucionet e tjera kompetente, i monitoron rregullisht parametrat hidrologjikë, rezervat në dispozicion dhe parashikimet, me qëllim që të ndërmerren me kohë të gjitha masat e nevojshme në rast se kushtet ndryshojnë”.
“Gjendja e akumulacioneve aktualisht është stabile dhe mundëson menaxhim të sigurt të potencialit hidrik vendas. Potenciali hidrik shënon një nivel të përgjithshëm të mbushjes së akumulacioneve prej rreth 70 për qind. Kjo mundëson përmbushjen e nevojave aktuale në kuadër të prodhimit të planifikuar Akumulacionet vendase menaxhohen me kujdes dhe në përputhje me planet operative, gjë që mundëson prodhim të sigurt të energjisë elektrike dhe funksionim të qëndrueshëm të sistemit elektroenergjetik. Njëkohësisht, hidrocentralet vazhdojnë të ofrojnë edhe shërbime sistemike të nevojshme për ruajtjen e stabilitetit të rrjetit elektroenergjetik”.
“Treguesit për prodhimin vendas janë inkurajues. Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave, në muajin maj të këtij viti në Maqedoni janë prodhuar 462.653 MWh energji elektrike, duke mbuluar 96,5 për qind të konsumit të brendshëm, që paraqet një pjesëmarrje dukshëm më të lartë të prodhimit vendas në përmbushjen e nevojave të shtetit. Në të njëjtën kohë, të dhënat nga SHA EMV tregojnë një rritje të konsiderueshme të prodhimit nga hidrocentralet – prej 76 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, si dhe një rritje prej rreth 10 për qind te centralet e erës”.
“Këto rezultate janë konfirmim se diversifikimi gradual i kapaciteteve prodhuese, menaxhimi i kujdesshëm i akumulacioneve dhe planifikimi i përmirësuar kontribuojnë në një qëndrueshmëri më të madhe të sistemit energjetik të Maqedonisë në kushtet e ndryshimeve gjithnjë e më të shpeshta klimatike”.
“Paralelisht, investohet në kapacitete të reja për prodhimin e energjisë nga burimet e rinovueshme, në modernizimin e infrastrukturës elektroenergjetike, në zhvillimin e sistemeve të baterive për ruajtjen e energjisë elektrike, si dhe në projekte që do të mundësojnë fleksibilitet më të madh dhe përshtatje më të shpejtë të sistemit ndaj ndryshimeve klimatike dhe të tregu”.
“Aktualisht është duke u ndërtuar faza e dytë e parkut të erës „Bogdanci“, me ç’rast kapaciteti i tij i instaluar do të arrijë në 50 MW, ndërsa kanë filluar edhe aktivitetet për realizimin e centraleve fotovoltaike „Bitola 1“ dhe „Osllomej 2“, ndërkohë që përgatitjet për „Bitola 2“ dhe „Bitola 3“ janë në fazë të avancuar. Njëkohësisht, po krijohen kushtet për zbatimin më të gjerë të sistemeve për ruajtjen e energjisë elektrike, të cilat do të mundësojnë shfrytëzim më efikas të burimeve të rinovueshme dhe stabilitet më të madh të sistemi”, thonë nga ministria.
Lajme nga vendi
Rikthehen të gjitha figurat kombëtare dhe UÇK-ja në Çair
Në Komunën e Çairit janë rikthyer figurat kombëtare shqiptare dhe simbolet e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK), pasi më herët ishin dëmtuar nga persona të panjohur informon Tetovasot.
Mbishkrimet dhe muralet, që paraqesin figura të historisë kombëtare shqiptare dhe simbolikën e UÇK-së, janë restauruar, duke rikthyer pamjen e tyre të mëparshme.
Ngjarja vjen pas reagimeve të shumta publike ndaj aktit të vandalizmit që shkaktoi dëmtimin e tyre, ndërsa rikthimi i tyre është mirëpritur nga qytetarë dhe aktivistë, të cilët e kanë cilësuar si një veprim në mbrojtje të identitetit dhe kujtesës historike.
Rastet e vandalizimit të simboleve dhe figurave kombëtare në Çair kanë nxitur debat të gjerë në opinion, ndërsa autorët e dëmtimit nuk janë bërë të ditur publikisht.

