Lajme nga vendi
Kronika e zezë – Tetovë dhe Gostivar, 20 Korrik
Dje, zyrtarë policorë nga SPB Tetovë kanë privuar nga liria personin një 31-vjeçar nga Tetova. Gjatë bastisjes në shtëpinë e tij dhe në ambientet ndihmëse, e kryer në periudhën prej orës 20:00 deri në 20:55 me urdhër gjyqësor, është gjetur dhe konfiskuar një substancë e bardhë pluhuri. Pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj tij do të vijojë parashtresa përkatëse.
……Dje në orën 16:40 në rrugën “Cvetan Dimov” në Tetovë, zyrtarë policorë nga SPB Tetovë kanë privuar nga liria një 38-vjeçar)nga Tetova, me banim në fshatin Pallçisht i Poshtëm, duke vepruar sipas denoncimit të mëparshëm nga një 32-vjeçar nga Shkupi, me banim në Tetovë, se më 19 Korrik rreth orës 22:00 e ka sulmuar fizikisht atë në sheshin e qytetit në Tetovë. Pas dokumentimit të plotë të rastit, do të vijojë parashtresa përkatëse.
……Dje në orën 15:20 në bulevardin “Goce Delçev” në Gostivar, zyrtarë policorë nga DPB Gostivar kanë arrestuar një 39-vjeçar nga fshati Çajlë i Gostivarit, sepse ka prishur rendin dhe qetësinë publike. Gjatë kontrolleve të kryera është konstatuar se ai ishte nën ndikimin e alkoolit, përkatësisht i janë matur 2.28 promil alkool në gjak. Pas dokumentimit të plotë të rastit, do të vijojë parashtresa përkatëse.
…….Dje në orën 23:10 në rrugën “Cvetan Dimov” në Tetovë, zyrtarë policorë kanë privuar nga liria një 35-vjeçar nga Tetova sepse në orën 23:00 në rrugën “Iliria” në Tetovë ka sulmuar fizikisht dhe me një mjet të mprehtë një 21-vjeçar nga fshati Llacë e Tetovës. Pas dokumentimit të plotë të rastit do të vijojë parashtresa përkatëse.
……Pas mesnate në orën 00:30 në rrugën rajonale në fshatin Çegran të Gostivarit, zyrtarë policorë kanë arrestuar një 42-vjeçar nga fshati Çegran. Gjatë një kontrolli rrugor, zyrtarët policorë kanë ndaluar një automjet udhëtarësh “BMV”, të cilin ai po e drejtonte, me ç’rast është sjellë në mënyrë agresive dhe ka ofenduar zyrtarët policorë që po kryenin detyrën zyrtare. Ai është shoqëruar dhe ndaluar në Stacionin Policor dhe pas dokumentimit të plotë të rastit do të vijojë parashtresa përkatëse.
…….Dje në orën 22:35 në rrugën “Ilinden” në Tetovë, zyrtarë policorë kanë privuar nga liria një 23-vjeçar nga fshati Reçicë e Vogël e Tetovës. Gjatë një kontrolli në trafikun rrugor, zyrtarët policorë kanë ndaluar automjetin e udhëtarëve “BMV” me targa të Tetovës, të cilin ai e drejtonte, dhe pas kontrolleve të kryera është konstatuar se e drejtonte automjetin pa pasur leje drejtimi, gjegjësishtë pa patentë shoferi. Automjeti është konfiskuar përkohësisht dhe pas dokumentimit të rastit ndaj tij do të vijojë parashtresa përkatëse.
……Dje në orën 22:25 në Stacionin Policor Tearcë, një 53-vjeçar nga fshati Neproshten ka denoncuar se, deri sa ka qenë i ulur në oborrin e shtëpisë së tij në fshat, ka dëgjuar disa të shtëna nga armë zjarri, pas së cilës ka vërejtur dy projektilë që kishin përfunduar në gardhin e oborrit të shtëpisë së tij. Persona të lënduar nuk ka, është kryer këqyrja në vendngjarje dhe po punohet për zbardhjen e rastit.
……Pas mesnate në orën 00:50 në SPB Tetovë është denoncuar se në rrugën “Karaorman” në Tetovë, nga një plumb qorr, i padestinuar nga armë zjarri është dëmtuar xhami i përparmë i një automjeti të parkuar “BMV” me targa zvicerane, pronë e një 22-vjeçari nga fshati Pallaticë e Tetovës. Gjatë këqyrjes së kryer, në automjet është gjetur dhe marrë për ekspertizë një plumb nga armë zjarri. Këqyrjen në vendngjarje e ka kryer ekipi nga SPB Tetovë dhe po merren masa për zbardhjen e rastit.
…….Sot në mëngjes në orën 03:10, zyrtarë policorë nga Stacioni Policor Grupçin kanë privuar nga liria një 45-vjeçar nga një fshat i Tetovës, duke vepruar sipas denoncimit të mëparshëm se në shtëpinë familjare në orën 01:00, pas një mosmarrëveshjeje të shkurtër, ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij 42-vjeçare dhe djalin e tij 21-vjeçar, me ç’rast ka përdorur një mjet të mprehtë. Pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj tij do të ngrihen parashtresat përkatëse.
Lajme nga vendi
ÇFARË DO TË THOTË SHPALLJA E GJENDJES SË KRIZËS NË GOSTIVAR ?
Qeveria ka shpallur gjendje krize 30-ditore në Komunën e Gostivarit më 21 korrik 2026, pasi vetëqeverisja lokale nuk ka kapacitet të përballet në mënyrë të pavarur me ndotjen serioze të ujit të pijshëm dhe përhapjen e epidemisë në qytet.
Çfarë do të thotë shpallja e gjendjes së krizës?
Gjendja e krizës shpallet kur ekzistojnë rreziqe që kërcënojnë seriozisht të mirat materialo-teknike, shëndetin dhe jetën e njerëzve, kurse parandalimi i tyre kërkon volum më të madh të burimeve dhe menaxhim të centralizuar. Në rastin e Gostivarit, ky vendim nënkupton:
-Marrja e kontrollit: Qeveria qendrore merr përgjegjësinë për menaxhimin e krizës, pasi ndërmarrjet lokale dështuan në sanimin e situatës.
-Mobilizimi maksimal: Të gjitha institucionet shtetërore, ndërmarrjet publike dhe burimet në dispozicion vihen në funksion të zgjidhjes së problemit me furnizimin me ujë.
-Aktivizimi i QMK-së: Aktivizohet Shtabi Kryesor pranë Qendrës për Menaxhim me Kriza, i cili mblidhet vazhdimisht dhe koordinon të gjitha aktivitetet në terren.
Cilat masa po ndërmerren në Gostivar?
Qëllimi i gjendjes së shpallur të krizës është vënia urgjente në funksion e një sistemi të sigurt të furnizimit me ujë përmes këtyre masave:
-Sanim urgjent: Inxhinierët dhe ekspertët shtetërorë marrin menjëherë përsipër pastrimin, dezinfektimin dhe aftësimin e ujësjellësit të qytetit.
-Sigurimi i ujit alternativ: Vazhdon shpërndarja urgjente e 50.000 litrave ujë të pijshëm falas në ditë përmes pikave të posaçme për qytetarët.
-Inspektime dhe hetime të rrepta: Inspektoratet shtetërore kryejnë kontrolle të jashtëzakonshme në punën e ndërmarrjes lokale, ndërsa Prokuroria Publike po zhvillon një hetim të detajuar për të përcaktuar përgjegjësinë penale për rrezikimin e shëndetit të qytetarëve.
-Angazhimi i burimeve: Nëse lind nevoja, shteti mund të angazhojë edhe burimet e Direksionit për Mbrojtje dhe Shpëtim (DMSH) dhe të Armatës.
Kur shpallet ligjërisht gjendja e krizës?
Sipas Ligjit për Menaxhim me Kriza, Qeveria me propozim të Komitetit Drejtues e merr këtë vendim kur plotësohen kushtet e mëposhtme:
-Intensitet i lartë i rrezikut: Kur ka rrezik akut për shëndetin (epidemi, burime të helmuara), katastrofa natyrore (zjarre, përmbytje) ose kërcënime të sigurisë.
-Ezaurimi i burimeve lokale: Kur organet e vetëqeverisjes lokale (komuna dhe shtabi i krizës i qytetit) nuk kanë kapacitet, makineri ose financa të mjaftueshme për të lokalizuar dëmin vetë.
-Nevoja për procedura të shpejta administrative: Mundëson furnizimin urgjent me materiale (klor, filtra, gypa) pa procedura të gjata dhe të ndërlikuara burokratike apo tendera, me qëllim që të parandalohen pasojat e mëtejshme.
-Gjendja e krizës në një rajon mund të zgjasë më së shumti 30 ditë, ndërsa nëse ka nevojë për zgjatjen e saj, Qeveria duhet të kërkojë miratimin e Kuvendit.
Lajme nga vendi
QEVERIA SHPALL GJENDJE KRIZE 30-DITORE NË KOMUNËN E GOSTIVARIT
Në mbledhjen e sotme të 195-të, Qeveria, me propozim të Komitetit Drejtues, të përbërë nga ministri i Mbrojtjes Vlado Misajllovski, ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme Timço Mucunski, ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski, ministri i Shëndetësisë Sasho Klekovski, ministri i Transportit Aleksandar Nikolloski dhe drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim Stojançe Angellov, si dhe anëtarët e jashtëm – ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Muhamed Hoxha, ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave Borçe Serafimovski, drejtori i Shërbimit për Punë të Përgjithshme dhe të Përbashkëta Ivica Tomovski, drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik Marija Andonovska, drejtori i Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari Oliver Milanov, drejtoresha e Inspektoratit të Mjedisit Jetësor Ivana Ginovska dhe kryetari i BNJVL-së dhe njëherësh kryetar i Qytetit të Shkupit Orce Gjorgjievski, mori vendim për shpalljen e gjendjes së krizës në Komunën e Gostivarit për një periudhë prej 30 ditësh.
Duke qenë se vetëqeverisja lokale nuk është në gjendje të përballet me situatën e krijuar në Komunën e Gostivarit, sic thuhet në komunikatë, Qeveria mori këtë vendim me qëllim të koordinimit më të shpejtë të institucioneve, rikthimit në funksion të sistemit të furnizimit me ujë dhe sigurimit të ujit të pijshëm për qytetarët në afatin sa më të shkurtër.
Shëndeti i qytetarëve të Komunës së Gostivarit mbetet prioritet i Qeverisë dhe institucionet janë të përkushtuara për zgjidhjen e plotë të këtij problemi – thuhet në komunikatën e Qeverisë.
Njëkohësisht, Qeveria pret që Prokuroria Publike të zhvillojë një hetim të detajuar dhe ta zbardhë plotësisht rastin, duke theksuar se duhet të ketë përgjegjësi për secilin që ka rrezikuar shëndetin dhe jetën e qytetarëve të Gostivarit.
Lajme nga vendi
“TETOVA N`FESTË”: TETOVA FESTOI ME FËMIJËT!
Në kuadër të manifestimit “Tetova n’Festë”, mbrëmë fëmijët por edhe shumë qytetarë të rajonit të Tetovës dhe jo vetëm, patën mundësinë të shijojnë një mbrëmje të veçantë me SHKA “Xheladin Zeqiri”, maskota të dashura dhe shumë lojëra argëtuese, ku kaluan çaste të bukura plot buzëqeshje, argëtim dhe atmosferë festive në zemër të Tetovës.
Mbrëmja u organizua nga Komuna e Tetovës kurse organizatorët e kësaj mbrëmjeje ishin Elez Mema dhe Albin Ajredini, të cilët me shumë përkushtim kishin bërë të mundur realizimin e këtij aktiviteti.
Valle e Shqipërisë së Mesme nga Grupi i fëmijëve, këngë për fëmijë, SH.K.A “Xheladin zeqiri” Vallja “Kongresi i Manastirit” dhe “14 Marsi”, këngët “Tetova qyteti im”, “Kitara ime”, “Fjalët e Qiririt”, “Ndalu Vlla ta Puthi Pushkën”, Xhamadani Kuq si Gjaku” si dhe Koreodrama “ Kur dasma u be luft e lufta Liri” nga Grupi i vajzave entuziazmuan publikun dhe fëmijtë e pranishëm në Sheshin e Tetovës.
Kjo natë e bukur u përmbyll me interpretimin e fundit nga Adea Munishi me këngën “Lulkuqja e Gjakovës” ku të gjithë fëmijët u bashkuan në skenë dhe kënduan së bashku.
Mbrëmë skena u takoi fëmijëve. Ata na dhuruan këngë, valle dhe emocione të bukura, një mbrëmjen e mbushur me emocione, buzëqeshje dhe shumë talent, duke dëshmuar se fëmijët tanë janë pasuria më e madhe dhe se arti është gjuha më e bukur për të shprehur ëndrrat, dashurinë dhe kulturën tonë./Tv Koha/

