Lajme nga vendi
Stuhia po i afrohet Greqisë: Alarm i kuq për Halkidikin dhe Selanikun, paralajmërim për turistët
Shërbimi Kombëtar Meteorologjik Grek (EMY) ka lëshuar alarm të kuq për shkak të përkeqësimit të menjëhershëm të kushteve atmosferike, të cilat do të prekin vendin në periudhën nga 23 deri më 25 korrik. Pas disa ditësh valë ekstreme të nxehtësisë, pritet stuhie e fortë e shoqëruar me shi të rrëmbyeshëm, bubullima, erë të fortë dhe shfaqje lokale të breshërit.
Sipas parashikimeve, situata më kritike do të jetë të premten, kur moti i paqëndrueshëm do të godasë Halkidikin dhe Selanikun – rajone ku në këtë periudhë qëndrojnë një numër i madh turistësh maqedonas. Meteorologët paralajmërojnë për reshje të bollshme dhe goditje të forta të erës, të cilat mund të shkaktojnë probleme në trafik, si dhe kushte të rrezikshme përgjatë bregdetit dhe në plazhe.
Shërbimet kompetente u bëjnë thirrje qytetarëve dhe turistëve të jenë veçanërisht të kujdesshëm. Nëse vëreni re të errëta, bubullima ose shenja stuhie, rekomandohet që menjëherë të largohemi nga plazhet dhe deti. Shoferët duhet të shmangin udhëtimet gjatë reshjeve më të forta për shkak të uljes së dukshmërisë dhe mundësisë së rrugëve të përmbytura.
Në të njëjtën kohë, këshillohet ndjekja e rregullt e parashikimeve zyrtare të motit dhe respektimi i udhëzimeve të autoriteteve lokale.
Edhe pse stuhia nuk do t’i prekë njëkohësisht të gjitha pjesët e Greqisë, rreziku më i madh pritet në pjesën veriore të vendit, prandaj rekomandohet kujdes i shtuar për të gjithë ata që udhëtojnë ose qëndrojnë në këtë rajon.
Lajme nga vendi
Ulet numri i rasteve të qytetarëve që kërkojnë ndihmë mjekësore në Gostivar
Sipas të dhënave nga institucionet publike shëndetësore në Gostivar, gjatë ditës së djeshme (23.07.2026) janë regjistruar gjithsej 197 pacientë të rinj, përkatësisht persona që për herë të parë kanë kërkuar ndihmë mjekësore, çka tregon një ulje krahasuar me një ditë më parë.
Në Spitalin e Përgjithshëm “Dr. Ferid Murad” në Gostivar janë regjistruar gjithsej 117 vizita të reja, prej të cilave 82 në repartin e sëmundjeve infektive (pa shtrime të reja në spital dhe me tre pacientë të liruar), 40 në repartin e pediatrisë dhe 7 vizita në Qendrën e Urgjencës.
Në Shtëpinë e Shëndetit në Gostivar janë regjistruar 80 vizita të reja në shërbimin kujdestar, si dhe 13 thirrje në Shërbimin e Ndihmës së Shpejtë.
Lajme nga vendi
Hetime për kredinë hungareze 1 miliardë € që mori Maqedonia e Veriut, urdhëron Magyar
Qeveria në Hungari, e udhëhequr nga Péter Magyar, do të hetojë nëse ka pasur keqpërdorim të mundshëm të fondeve shtetërore në lidhje me kredinë prej një miliard eurosh që “Eximbanka” shtetërore ia dha Maqedonisë së Veriut.
Kështu njoftoi dje Magyar, i cili, siç raportuan mediat vendase, ndau se kredia e marrë nga Maqedonia e Veriut është një nga katër rastet e lidhura me “Eximbank”-un, për të cilat sot Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës ka dorëzuar ankesa, shkruan Fokus.
„Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës dorëzoi katër ankesa të enjten për mashtrim të dyshuar në vlerë totale prej një mijë miliardë forintash, në katër raste të ndryshme. Të gjitha kanë të bëjnë me aktivitetet e ‘Eximbank’-ut“ – tha Magyar.
Ai theksoi se kredia u dha në kushte shumë të favorshme me një normë interesi prej 3,25 për qind.
Kredia, tha ai, do t’i kushtojë buxhetit hungarez 90 miliardë forinta (rreth 248 milionë euro) për shkak të diferencave të interesit.
„Kjo paraqet një barrë prej 90 miliardë forintash (rreth 248 milionë euro) për buxhetin hungarez, ndërsa shteti hungarez mori përsipër garanci 100 për qind për kredinë nën udhëheqjen e qeverisë së Orbanit“, tha Magyar.
Sipas tij, norma e interesit me të cilën “Eximbanka” shtetërore i dha kredinë Maqedonisë është shumë më e favorshme se normat e interesit me të cilat kompanitë hungareze dhe qytetarët e vendit marrin hua.(INA)
Lajme nga vendi
NP “Parqe dhe gjelbërime” – Shkup: Ka paralajmërime për mot të paqëndrueshëm, mos parkoni automjetet nën pemë
NP “Parqe dhe gjelbërime” – Shkup u bën thirrje qytetarëve të kenë kujdes për shkak të paralajmërimeve për mot të paqëndrueshëm me reshje të dendura shiu, bubullima dhe erëra të fuqishme. Qytetarëve u rekomandohet të mos parkojnë automjetet nën pemë dhe të shmangin qëndrimin pranë vegjetacionit të lartë për të ulur rrezikun nga rënia e degëve apo pemëve.
“Për shkak të paralajmërimit nga Enti Hidrometeorologjik për mot të paqëndrueshëm, të shoqëruar me reshje të dendura shiu, bubullima dhe erë të fuqishme, apelojmë që qytetarët të mos i parkojnë automjetet e tyre nën pemë dhe të shmangin qëndrimin pranë vegjetacionit të lartë, me qëllim të zvogëlimit të rrezikut nga pasojat e mundshme. Nëse vëreni një pemë të rrëzuar, degë të thyera ose ndonjë rrezik tjetër të shkaktuar nga kushtet e pafavorshme atmosferike, ju lutemi ta raportoni menjëherë në numrin emergjent 112 ose në numrat kujdestarë të publikuar në faqen zyrtare të NP “Parqe dhe Gjelbërime”. Apelojmë te të gjithë qytetarët që t’i respektojnë rekomandimet dhe të tregojnë kujdes”, thonë nga NP “Parqe dhe gjelbërime”

