Lajme nga vendi
Cana: Shtatë persona me ethet e Nilit Perëndimor në Klinikën Infektive, njëri ende në gjendje të rëndë shëndetësore
Shtatë persona të konfirmuar me ethet e Nilit Perëndimor janë të shtruar në Klinikën Infektive, përcjell TV21. Gjendja shëndetësore e njërit prej tyre, një 76-vjeçar nga Shkupi, i cili ndodhet në repartin e kujdesit intensiv të Klinikës Infektive, vazhdon të jetë e rëndë dhe ai është në mbështetje respiratore – deklaroi sot drejtori i Klinikës, Fadil Cana.
Ai theksoi se pacienti në gjendje të rëndë ndodhet në Klinikë prej një jave dhe nuk ka udhëtuar jashtë vendit. Gjashtë pacientët e tjerë të shtruar, sipas doktor Canës, janë mbi 60 vjeç, janë në gjendje të qëndrueshme shëndetësore dhe vetëm njëri prej tyre ka udhëtuar më herët në Greqi.
“Te të gjithë pacientët e hospitalizuar është konstatuar inflamacion viral i trurit dhe i cipave të trurit. Simptomat janë temperaturë e lartë, dhimbje e fortë koke, çorientim dhe çrregullim i vetëdijes”, shtoi dr. Cana për MIA-n.
Personat e hospitalizuar janë infektuar nga pickimi i mushkonjave të infektuara. Periudha e inkubacionit zakonisht zgjat nga 3 deri në 14 ditë pas pickimit, ndërsa shumica e personave e kalojnë infeksionin pa e kuptuar se kanë qenë të infektuar me virusin.
Lajme nga vendi
Skandal me provimin e Stomatologjisë: Studentja i pagoi ryshfet profesorëve, policia kapi mijëra euro
Njësia për Krim Financiar pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme ka ngritur kallëzim penal ndaj tre personave të dyshuar për përfshirje në një skemë korruptive lidhur me përfitimin e paligjshëm të certifikatës për provimin profesional në stomatologji.
Gjatë kontrolleve te dy prej të dyshuarve, policia ka sekuestruar shuma të konsiderueshme parash në valuta të ndryshme.
Sipas MPB-së, A.T. (27) nga Manastiri, studente e stomatologjisë, gjatë dhjetorit 2025 ka komunikuar disa herë përmes aplikacionit Viber me S.Ç. (56) nga Gostivari, profesor në Fakultetin e Stomatologjisë dhe ish-nënkryetar i Odës së Stomatologëve.
Siç njofton MPB-ja, pasi arritën marrëveshje, studentja i ka transferuar para në llogarinë bankare profesorit, me qëllim që ai të përdorte ndikimin e tij për t’i mundësuar marrjen e certifikatës si punëtore shëndetësore, edhe pse nuk i plotësonte kushtet e nevojshme.
Sipas kallëzimit penal, profesori më pas ka ndërhyrë te S.E. (63) nga Shkupi, i cili në atë periudhë ishte kryetar i Komisionit për Provimin Profesional pranë Ministrisë së Shëndetësisë.
Më 17 dhjetor 2025, studentja është paraqitur para komisionit, ka kaluar provimin dhe më pas ka marrë certifikatën shtetërore.
Gjatë aksionit, zyrtarët policorë nga Departamenti për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe Krimit të Rëndë kanë kryer kontrolle në banesat e të dyshuarve të dytë dhe të tretë, ku janë sekuestruar 65.280 euro, 29.840 franga zvicerane dhe 161.500 denarë.
“Në bazë të provave të siguruara, A.T. dyshohet për veprën penale dhënie shpërblimi për ndikim të kundërligjshëm, S.Ç. për marrje shpërblimi për ndikim të kundërligjshëm, ndërsa S.E. për marrje ryshfeti”, njoftoi MPB.
Hetimet vazhdojnë për zbardhjen e plotë të rastit dhe përcaktimin e të gjitha rrethanave që lidhen me skemën e dyshuar korruptive.
Lajme nga vendi
Arrestohen dy persona në Toplicë për organizim ilegal të përleshjeve me qen
Më 29.07.2026 në orën 01:30, zyrtarët policorë nga DPB Gostivar kanë privuar nga liria personat G.J.(44) nga fshati Toplicë dhe A.A.(46) nga fshati Çegran, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale “muandim i kafshëve”. Ditën e mëparshme, rreth orës 23:45, në hyrje të fshatit Toplicë, zyrtarët policorë nga Stacioni Policor Galatë kanë ndeshur një grup qytetarësh dhe qen me lëndime të dukshme dhe gjakderdhje nga organizimi ilegal i garave luftarake me qen. Sipas denoncimit, personat paraprakisht ishin merrë vesh për të organizuar ndeshjet e qenve. Është kryer këqyrje në vendin e ngjarjes, me ç’rast një qen i lënduar është gjetur në automjetin e udhëtarëve “Fiat”. Personat janë ndaluar në stacionin policor dhe pas dokumentimit të plotë të rastit do të dorëzohet kallëzimi përkatës.
Lajme nga vendi
Dhunon fizikisht të dashurën, pas denoncimit dorëzohet vetë në polici
Më 29.07.2026 në orën 01:10 në SPB Tetovë, një grua 32-vjeçare nga Tetova ka denoncuar se rreth orës 18:30 përpara ndërtesës ku banon në Bllokun 70 është sulmuar fizikisht nga i dashuri i saj B.I. nga Tetova. Këtë mëngjes, ai vetë është paraqitur në stacionin policor dhe pas dokumentimit të plotë të rastit ndaj tij do të dorëzohet kallëzimi përkatës.

