Lajme nga vendi
Polici i trafikut përfundon në paraburgim, arkëtonte gjobat dhe i mbante paratë për vete
Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar ka nisur procedurë kundër një polici të komunikacionit rrugor pranë SPB Shkup, i dyshuar për “keqpërdorim të pozitës zyrtare”.
Sipas prokurorisë, në periudhën prill–korrik të këtij viti, i dyshuari i arkëtonte në para të gatshme gjobat për parkim të parregullt në depon e Ndërmarrjes Publike “Parkingu i Qytetit”, në vend që përmes POS-terminalit, dhe i mbante paratë për vete.
Në disa raste dyshohet se e kualifikonte kundërvajtjen si më të lehtë për të shqiptuar gjobë më të vogël, ndërsa në të tjera nuk hartonte fare procesverbal, duke i lejuar automjetet të largoheshin nga depoja pa u paguar gjoba.
Dëmi ndaj buxhetit shtetëror vlerësohet së paku 85.500 denarë. Me propozim të prokurorisë, bazuar në rrezikun e ikjes, të përsëritjes së veprës dhe të ndikimit mbi dëshmitarët gjyqtari i caktoi të dyshuarit masën e paraburgimit prej 8 ditësh.
Lajme nga vendi
DOGANA SEKUESTROI MBI 3.000 GJILPËRA PËR TATUAZH
Në pikën kufitare Bllatë është parandaluar një tentativë për kontrabandimin e mbi 3 mijë gjilpërave dhe pajisjeve të tjera për tatuazh.
Sipas njoftimit të Drejtorisë së Doganave, zyrtarët doganorë gjatë kontrollit të detajuar të një automjeti transportues, në hyrje të vendit, kanë zbuluar mallrat që shoferi tentoi t’i fuste ilegalisht në shtet.
“Gjatë kontrollit, përveç gjilpërave, janë zbuluar edhe 60 paketime me gjithsej 7,2 litra ngjyrë për tatuazh, 150 copë pomadë dhe mjete ndihmëse për tatuazh”, njofton Drejtoria e Doganave.
Mallrat janë sekuestruar, ndërsa rasti do të procedohet më tej në përputhje me ligjin.
Lajme nga vendi
MATURA SHTETËRORE: NESËR DHE TË PREMTEN AFATI I GUSHTIT
Afati i gushtit për provimet eksterne të maturës për kandidatët të cilët në qershor nuk e kaluan maturën ose nuk e përfunduan atë në tërësi, do të zhvillohet nesër dhe më 14 gusht, duke filluar nga ora 09:00.
Sipas të dhënave të Qendrës Shtetërore të Provimeve (QShP), në afatin e gushtit për maturën shtetërore janë regjistruar 1.328 nxënës, për maturën profesionale 126 dhe gjashtë nxënës për maturën artistike.
Nesër, më 12 gusht, do të zhvillohet testi i provimit ekstern zgjedhor – matematikë ose gjuhë angleze.
Më 14 gusht do të zhvillohet provimi ekstern i detyrueshëm – gjuha amtare dhe letërsia.
Për shkak të numrit dukshëm më të vogël të kandidatëve në gusht, krahasuar me qershorin, kjo seancë e provimeve do të organizohet në katër qytete, në gjithsej tetë lokacione.
Provimet sërish do të zhvillohen në fakultete – në Fakultetin Ekonomik, Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe Fakultetin Pedagogjik në Shkup, si dhe në Tetovë, Prilep dhe Shtip.
Në mesin e kandidatëve që këtë javë do t’i nënshtrohen maturës janë edhe 226 maturantë, të cilëve u është anuluar provimi në qershor – disa për shkak se janë kapur duke kopjuar gjatë provimit, ndërsa për disa të tjerë është konstatuar se kanë kopjuar pas kontrollimit të testeve.
Nota mesatare e maturës së zhvilluar në qershor ishte 3,66, duke përfshirë të tri llojet e maturës – maturën shtetërore, maturën shtetërore profesionale dhe maturën shtetërore artistike, të cilat për herë të parë u aplikuan këtë vit.
Lajme nga vendi
VAPA NUK I NDAL – TETOVARËT SFIDOJNË TEMPERATURAT E LARTA
Pavarësisht temperaturave të larta dhe rekomandimeve të institucioneve për shmangje të daljes gjatë nxehtit ekstrem që e ka kapluar Maqedoninë e Veriut, rrugët çdo ditë janë të mbushura përplot. Edhe qytetarët që i takojnë grupmoshës më të vjetër nuk ngurojnë të kryejnë punët e tyre gjatë orëve të mesditës kur temperaturat arrijnë kulmin.
Disa banorë të Tetovës që sot i anketoi ekipi i Televizionit Koha thanë se fare nuk e kanë problem lëvizjen gjatë temperaturave të larta. Me modestinë më të madhe edhe pse në moshë, thonë se nxehti është dukuri e natyrës dhe se njeriu është i bërë për ta përballuar, pavarësisht se në shpinë të tyre mbanë shumë vite jetë.
Por ka edhe prej tyre që thonë se kushtet e mira të jetesës, siç janë veturat dhe shtëpitë me klimë ndihmojnë që të tejkalohet kjo valë e të tempreturave të larta që e kapluar vendin. Madje, si për tu freskuar thonë se bëjnë plan që të shkojnë për pushime në detë.
Të moshuarit janë ndër kategoritë më të rrezikuara kur bëhet fjalë për temperaturat e larta dhe valët e të nxehtit, paralajmëroi Instituti i Shëndetit Publik. Personat mbi 65 vjeç e kanë më të vështirë të përshtaten me nxehtësinë ekstreme, dhe rreziku rritet më tej tek ata që kanë sëmundje kronike ose përdorin terapi të rregullt.
ISHP thekson se disa ilaçe mund të ndikojnë në mënyrën se si trupi reagon ndaj nxehtësisë, prandaj nevojitet kujdes shtesë gjatë periudhave të temperaturave jashtëzakonisht të larta.
Si pjesë e masave mbrojtëse, rekomandohet që personat mbi 65 vjeç të shmangin ekspozimin direkt në diell, veçanërisht midis orës 11:00 dhe 17:00, si dhe aktivitetin fizik dhe qëndrimin e zgjatur në ajër të pastër gjatë pjesës më të nxehtë të ditës.

