Lajme nga vendi
POLICIA E TETOVËS: KRIMINALITETI RRITET 6%, POR ZBARDHJA E RASTEVE ARRIN NË 87%
Sektori për Punë të Brendshme Tetovë ka prezantuar sot para Këshillit të Komunës së Tetovës raportin për gjendjen e sigurisë gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026. Sipas raportit, në gjashtë muajt e parë të vitit janë regjistruar 622 vepra penale, 6 për qind më shumë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Megjithatë, policia ka rritur efikasitetin në zbardhjen e rasteve, nga 84 për qind në vitin 2025 në 87 për qind këtë vit. Janë parashtruar 492 kallëzime penale kundër 616 kryerësve.
Në kriminalitetin klasik janë regjistruar 528 vepra penale, 20 për qind më shumë se vitin e kaluar. Por, në disa forma të rëndësishme të kriminalitetit pronësor është shënuar rënie e madhe. Vjedhjet e rënda kanë rënë me 70 për qind, nga 70 në vetëm 21 raste, ndërsa nuk është regjistruar asnjë grabitje, krahasuar me tre raste në vitin 2025.
Në kriminalitetin ekonomik janë zbuluar 68 vepra penale, me 47 kallëzime kundër 66 personave. Ndër veprat më të shpeshta janë shkretimi i pyllit, uzurpimi i paluajtshmërive, ndërtimi pa leje dhe transporti publik pa licencë. Në këtë fushë, policia evidenton një rënie prej 36 për qind të funksionit zbulues.
Në kuadër të kontrolleve ndaj shtetasve të huaj, janë realizuar 7 aksione në objekte hotelerike, ku janë kontrolluar 55 persona. Për 17 persona janë kërkuar procedura kundërvajtëse dhe janë shqiptuar gjoba dhe masa dëbimi.
Në luftën kundër drogës janë zbuluar 18 vepra penale, ndërsa janë konfiskuar marihuanë, kokainë dhe heroinë. Për armët janë zbuluar 5 vepra penale, ndërsa janë konfiskuar armë, municion dhe mjete të tjera. Janë konfiskuar gjithashtu 2.906 fishekzjarre dhe 31 mjete piroteknike.
Një nga sfidat kryesore mbetet rendi dhe qetësia publike. Janë regjistruar 188 kundërvajtje, që paraqet rritje prej 59 për qind. Më të shpeshta janë grindjet dhe britmat, sjellja e pacipë dhe sulmet fizike. Policia e lidh këtë rritje edhe me numrin e madh të banorëve dhe personave që qëndrojnë në qytet, objektet hotelerike dhe praninë e dy universiteteve.
Në komunikacion janë regjistruar 323 aksidente, 0.3 për qind më pak se vitin e kaluar. Në to janë lënduar 271 persona, ndërsa nuk është regjistruar asnjë viktimë, krahasuar me një viktimë në vitin 2025. Megjithatë, aksidentet me pasoja më të rënda janë rritur nga 166 në 191 raste. Shpejtësia e madhe vazhdon të jetë shkaku kryesor.
Gjatë kontrolleve në trafik janë konstatuar 9.041 kundërvajtje, ndërsa nga komunikacioni janë përjashtuar 791 shoferë.
Në fund, SPB Tetovë ka kërkuar bashkëpunim më të madh me Komunën, veçanërisht për rendin dhe qetësinë publike, kontrollin e objekteve hotelerike dhe përmirësimin e sigurisë në komunikacion.
Ndër propozimet kryesore janë krijimi i një trupi të përbashkët mes policisë, inspektoratit komunal dhe sektorit të hotelerisë, vendosja e masave për ngadalësimin e trafikut pranë shkollave dhe në pikat kritike, si dhe forcimi i projekteve preventive dhe fushatave për ndërgjegjësimin e qytetarëve.
Lajme nga vendi
Në pranga edhe pronari i “Sante Plus” në Shkup, Bilall Kara si dhe Geriana Arapi, po i kërkonte edhe Shqipëria
Pronari i spitalit privat “Sante Plus”, Bilal Kara, është një prej personave të arrestuar në operacionin e zhvilluar në Maqedonisë së Veriut, në kuadër të një hetimi për abuzime me Fondin e Sigurimeve Shëndetësore.
Ai ishte shpallur në kërkim edhe nga autoritetet shqiptare që prej muajit shtator të vitit të kaluar, me dyshimin se nuk kishte deklaruar të ardhurat e përfituara në vlerën e 1 milion eurove, ndërsa në klinikë u gjetën edhe medikamente, të cilat dyshohet se kishin skaduar, por që përdoreshin nga stafi shëndetësor.
Sipas mediave maqedonase, bashkë me Bilal Kara u arrestuan edhe shtatë persona të tjerë, të cilët dyshohen për përfshirje në abuzime me procedurat e operacioneve në sy. Sipas hetimeve, dyshohet se për këto ndërhyrje kirurgjikale janë kryer pagesa si nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, ashtu edhe nga vetë pacientët. Mes personave të arrestuar, sipas mediave maqedonase është edhe Geriana Arapi, ish-drejtoresha e spitalit “Sante Plus”, e cila po ashtu ishte në kërkim prej më shumë se një viti nga autoritetet shqiptare, që pas bllokimit të klinikës “International Medicare” në Tiranë. Arrestimi i tyre në Maqedoninë e Veriut pritet të pasohet nga zhvillime të tjera lidhur me procedurat ligjore dhe kërkesën e autoriteteve shqiptare për ta.
Lajme nga vendi
Moti sot në Maqedoninë e Veriut
Moti sot në Maqedoninë e Veriut do të jetë i ndryshueshëm me vranësira dhe reshje lokale të shiut. Në disa lugina do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së mëngjesit. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu.
Temperatura minimale do të jetë në intervalin nga 6 deri në 12 gradë, ndërsa maksimale do të arrijë nga 12 deri në 19 gradë.
Në Shkup, moti do të jetë kryesisht me vranësira, në orët e mëngjesit do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së lehtë. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu. Temperatura minimale do të ulet në 10, ndërsa maksimale do të arrijë në 15 gradë.
Lajme nga vendi
LAMM: Komunikacioni zhvillohet pa pengesa, nuk ka vonesa në pikat kufitare
Komunikacioni në rrugët shtetërore po zhvillohet pa probleme, në rrugë të thata, njofton LAMM. Intensiteti i trafikut në rrugët jashtë zonave urbane është mesatar.
Nuk ka vonesa të gjata në pikat kufitare në anën RMV-së për hyrje dhe dalje nga vendi.
LAMM rekomandon përshtatjen e shpejtësisë së lëvizjes, respektimin e sinjalistikës së vendosur të trafikut dhe menaxhimin e kujdesshëm të automjeteve, veçanërisht në rrugët nëpër lugina, lugina lumenjsh dhe gryka, ku ekziston mundësia e rrëshqitjeve të dheut. Kjo vlen veçanërisht për seksionet Katllanovë – Veles, Mavrovë – Dibër – Strugë, Vinicë – Berovë dhe Koçan – Dellçevë.
-
Lajme nga rajoni2 months agoFilloi në Hagë seanca për deklaratat përfundimtare ndaj Thaçit dhe të tjerëve
-
Lajme nga rajoni2 months agoKa ndërruar jetë Flora Brovina, një nga figurat e njohura të jetës politike dhe shoqërore në Kosovë
-
Lajme nga rajoni2 months agoThaçi e Krasniqi dënohen me nga 25 vjet burgim, Veseli 18 e Selimi 13

