Lajme nga vendi
Moti sot në Maqedoninë e Veriut
Moti sot në Maqedoninë e Veriut do të jetë me diell dhe i ngrohtë me vranësira të lehta deri në mesatare. Do të fryjë erë e lehtë deri në mesatare nga jugu.
Temperatura minimale do të jetë në intervalin prej 12 deri në 18 gradë, ndërsa maksimale do të arrijë 30 deri në 35 gradë.
Në Shkup, me diell dhe i ngrohtë me vranësira të lehta deri në mesatare.
Në disa pjesë të luginës do të ketë kushte për zhvillimin e vranësirave të paqëndrueshme të ndjekura nga shira të rrëmbyeshëm afatshkurtër dhe shfaqje të bubullimave të rralla.
Temperatura minimale do të bjerë në 18, ndërsa maksimale do të arrijë 34 gradë.
Lajme nga vendi
Gjykata Supreme shfuqizon vendimin e Apelit për rastin “Llaskarca”
Gjykata Supreme e rrëzoi vendimin e Gjykatës së Apelit të Shkupit në lidhje me aksidentin e autobusit në Llaskarcë, i cili ua rriti dënimet disa prej të akuzuarve, dhe e ktheu lëndën për rigjykim dhe vendimmarrje.
Siç njoftoi Gjykata Supreme, Këshilli Penal në seancën e mbajtur më 9 shtator vendosi për rastin KVP2-86/25, i njohur në publik si rasti i aksidentit të autobusit pranë fshatit Llaskarcë, lënda është kthyer për rigjykim.
“Me vendimin në rastin KVP2-86/25, pranohen kërkesat për rishikim të jashtëzakonshëm të një vendimi përfundimtar, të paraqitura nga të dënuarit përmes avokatëve të tyre mbrojtës, revokohet vendimi i Gjykatës së Apelit të Shkupit KZ-979/24 i datës 17.04.2025 dhe çështja kthehet për rigjykim dhe vendimmarrje”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Supreme.
Gjykata e Apelit rrit dënimet për disa nga të akuzuarit në rastin “Llaskarca”
Ky është vendimi me të cilin Gjykata e Apelit në maj 2025 rriti dënimet për disa nga të akuzuarit. Dënimet e pronarit të Durmo Tours, Durmish Beluli, dhe menaxherit të transportit të kompanisë, Remzi Miftari, u rritën nga gjashtë në 10 vite burg, ndërsa dënimet e punonjësve të stacionit të kontrollit teknik, Igor Gjorgievski dhe Goran Dukovski, u rritën nga pesë në shtatë vite. Dënimet për Jane Bovarovskin dhe shoferin e autobusit Manoil Trifunovskin mbetën përkatësisht pesë dhe 14 vite burg.
Në vendimin e shkallës së parë, të dhënë në janar 2024, gjashtë të pandehurit u shpallën fajtorë për krime të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në trafik.
Tragjedia pranë Llaskarcës ndodhi më 13 shkurt 2019, kur një autobus i Durmo Tours doli nga autostrada Shkup-Tetovë. 16 persona humbën jetën në aksident dhe më shumë se 30 u plagosën.
Lajme nga vendi
Pesë kandidatë për kreun e ri të PTHPNKOK, sot formohen komisionet për zgjedhjen
Këshilli i Prokurorëve Publikë do të mbajë sot seancën e 50-të, në të cilën pritet të formohen komisionet që do të udhëheqin procedurën për zgjedhjen e kryeprokurorit të ri të Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (PTHPNKOK).
Sipas rendit të ditës, në seancë është paraparë formimi i Komisionit për Përgatitjen e Listave të Kandidatëve, si dhe Komisionit për Zgjedhjen e Kryeprokurorit Publik të PTHPNKOK.
Për postin e kreut të ri të kësaj prokurorie deri më tani kanë aplikuar pesë prokurorë publikë. Sipas informacionit të konfirmuar për AIM nga kryetari i Këshillit të Prokurorëve Publikë, Bashkim Besimi, kandidaturat i kanë dorëzuar prokurori i lartë publik Jove Cvetanovski, prokurori në Prokurorinë e Lartë Publike dhe ish-prokurori i PSP-së, Trajçe Pelivanov, prokurorja nga PSP-ja në Shkup, Lidija Raiçeviç, si dhe prokurorët nga PTHPNKOK, Iskra Haxhi-Vasileva dhe Faton Azizi.
Shpallja për zgjedhjen e kreut të ri të PTHPNKOK është publikuar në përputhje me Ligjin për Këshillin e Prokurorëve Publikë dhe Ligjin për Prokurorinë Publike.
Sipas kushteve të përcaktuara, për këtë pozitë mund të aplikojnë prokurorët publikë që kanë të paktën gjashtë vjet përvojë të pandërprerë në funksionin prokurorial deri në momentin e aplikimit dhe që kanë marrë vlerësim pozitiv gjatë tre viteve të fundit.
Zgjedhja e kryeprokurorit të ri të PTHPNKOK është planifikuar të zhvillohet më 28 tetor 2026.
Procedura për zgjedhjen e kryeprokurorit të ri është iniciuar pas skadimit të mandatit të kryetarit aktual të PTHPNKOK, Islam Abazi, i cili ishte zgjedhur në këtë detyrë në tetor të vitit 2022.
Lajme nga vendi
31 zjarre në ambiente të hapura gjatë 24 orëve të fundit, dy mbeten aktive
Gjatë 24 orëve të fundit, në vend janë regjistruar gjithsej 31 zjarre në ambiente të hapura. Sipas Qendrës për Menaxhim me Kriza (QMK), dy prej tyre janë ende aktive, katër janë nën kontroll, ndërsa 25 janë shuar.
Një nga zjarret aktive është në territorin e Komunës së Makedonski Brodit, në afërsi të fshatit Belicë dhe lokalitetit Kajorec, ku është përfshirë nga flakët një pyll me kërcell të ulët dhe pyll i përzier.
Zjarri i dytë aktiv është në Komunën e Çuçer-Sandevës, pranë fshatit Brest dhe lokalitetit Ramno, ku po digjet një pyll i përzier.
Ndërkohë, nën kontroll janë zjarret pranë fshatit Bence në Komunën e Makedonski Brodit, pranë fshatit Tajmishte në Kërçovë, në deponinë komunale në Dellçevë, si dhe në afërsi të fshatit Kopanicë në Komunën e Sarajit.
“Zjarret në afërsi të fshatit Bence të Komunës së Makedonski Brodit, afër fshatit Tajmishte të Kërçovës, në deponinë komunale në Dellçevë dhe afër fshatit Kopanicë të Komunës së Sarajit janë nën kontroll”, njoftojnë nga QMK.
-
Lajme nga vendi1 month agoDyvjeçar nga Kumanova helmohet me tretës ngjyre, dërgohet në Klinikën “Nëna Terezë”
-
Lajme nga bota2 months agoFranca në alarm, zjarret i afrohen Bordeaux, Macron mbledh qeverinë në takim krize
-
Lajme nga bota2 months agoFestivali kthehet në tragjedi, dy të vrarë dhe disa të plagosur nga të shtënat në Uashington. Arrestohet autori

