Lajme nga vendi
Moti sot me diell dhe me vranësira të lehta
Moti sot në Maqedoninë e Veriut do të jetë me diell me vranësira të lehta deri në mesatare. Në orët e pasdites do të ketë shira lokalë dhe erëra të forta. Në disa vende do të ketë kushte për jostabilitet në formën e një stuhie me shira të rrëmbyeshëm, bubullima dhe breshër. Do të fryjë erë e dobët deri në mesatare nga veriu.
Temperatura minimale do të jetë në intervalin 8 deri në 16, ndërsa maksimale do të arrijë 21 deri në 29 gradë.
Në Shkup, moti do të jetë me diell me vranësira të lehta deri në mesatare. Në pjesë të luginës do të ketë kushte për jostabilitet të shoqëruar me shira të rrëmbyeshëm dhe bubullima. Do të fryjë erë e dobët deri në mesatare nga veriu. Temperatura minimale do të bjerë në 14, ndërsa maksimale do të arrijë 24 gradë.
Lajme nga vendi
221 milionë euro borxhe ndaj shtetit: Në listën e DAP-it kompani me një punëtor dhe emra të lidhur me politikën
Administrata e të Ardhurave Publike (DAP) publikoi listën e shtatorit me 5.240 debitorë, të cilët së bashku kanë mbi 13,64 miliardë denarë, ose rreth 221,8 milionë euro detyrime të papaguara.
Në krye të listës janë kompanitë shkupjane „Hant Osoj Trejd“, „Okitna Trejd“ dhe „Lisav“, ku detyrimet lidhen kryesisht me TVSH-në e papaguar.
Veçanërisht bie në sy „Hant Osoj Trejd“, e cila ka borxh rreth 14,87 milionë euro, ndërsa ka vetëm një të punësuar. Për kompaninë, në të kaluarën VMRO-DPMNE kishte ngritur akuza për rimbursime të dyshimta të TVSH-së, pretendime që DAP-i i kishte mohuar.
Në listë figuron edhe „Dianita“ nga Strumica, me mbi 6 milionë euro borxh. Kompania është përmendur nga Prokuroria në lidhje me rrjetin e kompanive të biznesmenit Risto Kërmzov, ndaj të cilit po zhvillohet procedurë për dyshime lidhur me rimbursime të paligjshme të TVSH-së.
Nga Kumanova, „Abira Plus“ ka detyrime prej afro 3 milionë eurosh. Kompania deri në vitin 2018 ishte në pronësi të Trajçe Zaevit, kushëririt të ish-kryeministrit Zoran Zaev.
Në total, në listë janë 2.008 persona juridikë dhe 3.232 persona fizikë. Krahasuar me muajin paraprak, numri i debitorëve dhe borxhi i përgjithshëm janë rritur.
Lista përfshin detyrime për TVSH, tatim mbi fitimin, tatim personal, kontribute, akciza dhe dogana.
Lajme nga vendi
Rihapet tema e Kodit Zgjedhor, partitë politike drejt një përpjekjeje të re
Në takimin e sotëm koordinues mes grupeve parlamentare në Kuvend, edhe një herë është hapur tema e Kodit Zgjedhor e cila mbeti pa zgjidhje para se Kuvendi të shkonte në pushime. Siç njoftoi kreu i Kuvendit Afrim Gashi në brifing me gazetarët, tema është ri-hapur nga partia e Majta pasi në opinion së fundmi është diskutuar rreth mundësisë për zgjedhje të parakohshme.
“Në koordinim diskutuam dhe për ndryshimet në Kodin Zgjedhor meqenëse po flitet për zgjedhje të parakohshme. Meqenëse grupi i punës vetëm se ekziston, propozova që i njëjti grup përsëri të ulet dhe të flasin për një marrëveshje. Unë jam i bindur se nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme por edhe nëse ka dhe pa dallim kur do të mbaheshin, është mirë ta kemi Kodin Zgjedhor”, tha kreu i Kuvendit, Afrim Gashi.
Nga LSDM për momentin nuk lëvizin nga qëndrimet e tyre të fundit pas takimeve të njëpasnjëshme të koordinatorëve në Kuvend, përkatësisht, vërejtja e tyre kryesore është të hiqet votimi elektronik i diasporës pasi konsiderojnë se mund të ketë manipulime dhe vota mund të jetë publike.
“Pozitat tona janë të qarta si kristali dhe të pa ndryshueshme. E para, të mbetet mënyra e deritanishme e votimit në listën zgjedhore. Pra vetëm me rrethim të numrit dhe asnjë shenjë tjetër. Gjithashtu dhe votimi i diasporës të mbetet sikur deri tani. Pra të votohet në përfaqësitë diplomatike konsulare dhe të mos lejohet asnjë ndryshim e cila mund të hapë dyert për vjedhje zgjedhore. Le të tërhiqet votimi elektronik apo votimi përmes postës”, u prononcua kreu i social demokratëve, Venko Filipçe.
Kundër konkluzioneve të fundit nga grupi i punës janë shprehur edhe nga E Majta. Koordinatori i kësaj partie Borisllav Kërmov për Alsat konfirmoi se në takim edhe një herë ka theksuar se ndryshimet e fundit të propozuara nga grupi i punës, janë antikushtetuese. U kanë bërë thirrje edhe koordinatorëve të partive tjera politike që brenda partisë ta diskutojnë edhe një herë çështjen e Kodit Zgjedhor, dhe në takimin e radhës të punojnë për zgjidhje.
Pushteti nga ana tjetër është i gatshëm të ulet dhe të diskutojë përsëri por kryeministri Hristijan Mickoski, kërkon prej opozitës që të unifikojnë qëndrimet.
“Unë pres një qëndrim të përbashkët, kështu dhe e përfunduam atë gjendje sfiduese. Kur të kenë një qëndrim të përbashkët nga opozita e bashkuar E Majta, LSDM dhe BDI, ne jemi të gatshëm të ulemi të bisedojmë dhe të gjejmë zgjidhje të përbashkët”, deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski.
Grupi i punës që u formua në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, në përbërje të deputetëve nga të gjitha partitë politike që marrin pjesë në Kuvend, nuk arriti të zgjidhë të gjitha pengesat dhe ndryshimet e nevojshme për të miratuar Kodin e ri Zgjedhor. Takimet nga Ministria më pas kaluan mes koordinatorëve në Kuvend, por edhe kjo nuk ndihmoi. LSDM kundërshton ashpër mënyrën elektronike të votimit të diasporës, ndërkaq e Majta kërkon “një” njësi zgjedhore dhe rritje të buxhetit për reklamim. Shumica parlamentare dorëzoi propozim ndryshimet e Kodit në Kuvend e pastaj në Komisionin për Sistem Politik, partitë opozitare maqedonase dorëzuan madje 13,500 amendamente. Komisioni mbajti vetëm një seancë sa për të njoftuar numrin dhe përkthimin e amendamenteve dhe që atëherë, Kodi Zgjedhor ka mbetur i bllokuar./Alsat.mk
Lajme nga vendi
QMK: Nuk ka zjarre aktive
Në 24 orët e fundit, në vend janë regjistruar gjithsej 24 zjarre në zona të hapura, nga të cilat asnjë nuk është aktiv, një është nën kontroll dhe 23 janë shuar, njoftoi Qendra për Menaxhim me Kriza.
Vazhdon të digjet vetëm pranë fshatit Belicë dhe komunës Kajorec drejt Jasenit, ku janë djegur pyje me rritje të ulët dhe të përziera, por zjarri është nën kontroll.
Qendra për Menaxhimin e Krizave (QMK) mbrëmë (14 shtator 2026), informoi se deri në orën 18:00, në vend u regjistruan gjithsej 14 zjarre në sipërfaqe të hapura.
-
Lajme nga vendi2 months agoDyvjeçar nga Kumanova helmohet me tretës ngjyre, dërgohet në Klinikën “Nëna Terezë”
-
Lajme nga bota2 months agoFranca në alarm, zjarret i afrohen Bordeaux, Macron mbledh qeverinë në takim krize
-
Lajme nga bota2 months agoFestivali kthehet në tragjedi, dy të vrarë dhe disa të plagosur nga të shtënat në Uashington. Arrestohet autori

