Lajme nga vendi
Përsëriten premtimet e partive politike për Tetovën
Fillimi i fushatës zgjedhore në Tetovë për zgjedhjet e 20 gushtit, dhe premtimet e partive politike që pothuajse aspak nuk dallojnë nga ato të zgjedhjeve të shkuara për Komunën e Tetovës, nga një pjesë e banorëve nuk priten aspak mirë.
Partitë përsërisin gjithnjë të njëjtat premtime, ujë, gjelbërim, rrugë, pastërti dhe rregull urbanistik dhe në komunikacion.
Por, sipas banorëve, partitë që deri tani kanë drejtuar komunën, asnjëherë nuk dhanë llogari se përse deri më tani nuk i realizuan premtimet e tyre më herët.
“24 vjet s`bënë asgjë, është turp i madh më të dalin sërish dhe të premtojnë nëpër fushata. Ju apeloj gjitha partive të na tregojnë 24 vjet çka kanë bërë për këtë popull, për rininë, ku e kanë arsimin, ku e kanë shëndetësinë? Kjo është vetëm maska që maskohen në fushata. Por, ata absolutisht nuk kanë moral nuk kanë fytyrë. Dhe kjo do zgjasë edhe shumë, edhe fëmijët e tyre në këtë mënyrë do punojnë”, tha një banor.
“Jo bre s’është normale kjo! Derisa një parti e ndërron partinë tjetër dhe nuk thotë do bëj ndryshime po thotë do e zëvendësojmë atë, pra që t’i plotësojmë ato që s`kanë mundur ata, domethënë këto të vjedhin edhe pak më tepër dhe popullin ta çojnë atje ku duan, ama ne shyqyr Zotit jemi shumë të durueshëm, por një ditë do zgjohen krejt, duhet të ngjallet populli. Por bëjnë kështu e dini pse, sepse varet populli si reagon, e ne populli flemë”, tha një tjetër banor.
“Eh tani, një herë nëse na gënjejnë ju arsyetohet edhe atyre edhe neve, por nëse na mashtrojnë dy herë atëherë ne i kemi fajet s`jemi mirë. Diçka që s`mundet, s`mundet, por, Tetova ujë mos ketë, gjitha parqet i mbushën me ndërtesa, ujë s`ka, pastërti s`ka”, shtoi një banor.
“Sipas meje nuk duhet të dalin ata që s`kanë bërë asgjë nuk duhet të dalin, pse dalin të na gënjejnë sërish. Le të bëjnë të paktën diçka. Populli duhet të zgjohet por s`ka kush e zgjon. Kush do e zgjoj popullin”, deklaroi një banor.
“Nuk kanë të drejtë hiç, shihe çka ndodh, e para herë komunikacioni askund nuk është, tutje, s`kanë bë asgjë deri më sot. Të njëjtat gjëra ndodhin asgjë nuk po përmirësohet nuk shohim asgjë, vetëm muhabete, të njëjta nga gjitha partitë politike. Le ta marrin rinia në dorë se jemi ngi më me këto, më mirë rinia le të futet, le t’i lirojnë ato vende që i kanë aty”, tha një tjetër banor.
Më 20 gusht në Tetovë do të mbahen zgjedhjet e parakohshme për zgjedhjen e këshillit komunal. Zgjedhjet u shpallën pasi këshilli paraprak nuk miratoi në kohë llogarinë vjetore të Komunës, gjë që sipas ligjit çon në shpërndarjen e këshillit dhe në zgjedhje të reja. /Alsat.mk
Lajme nga vendi
Edhe LD e Mexhitit së shpejti shkrin strukturat, Alternativa ende e “ngrirë”!
“Këto ditë po përgatitetet edhe Lëvizja Demokratike që të thërret kuvendin themelues për tu shkri dhe për ta bërë VLEN-in një. Besoj që në këtë mënyrë të gjithë flasin në një zë dhe ky zë është drejt shkrirjes së VLEN-it në një subjekt politik”, u shpreh Izet Mexhiti, VLEN.
Ndërkohë ka pasur reagime edhe nga pjesa e ASH-së që nuk është në pushtet, raporton Alsat.
Remzi Mehmedi nga ASH-ja e Selës thotë se kur flitet për zhvillimet në ASH duhet të merren parasysh dy momente.
1. Zgjedhjet lokale të vitit 2017 në Strugë dhe Gostivar.
2. Zgjedhjet parlamentare të vitit 2020, veçanërisht në zonën 5.
Në të 2 këto momente ka pasur tradhti dhe tregti mes aktorësh nga kampe të ndryshme e që koha i zbuloi e i zbulon për çdo ditë. Gjithçka tjetër është pasojë dhe nuk duhet parë si ndodhi në vetvete.
Për formimin e partisë VLEN nuk ka një marrëveshje finale mirëpo qëndrimin përfundimtar për modelin e mundshëm të strukturimit, nuk e ka dhënë as Alternativa. Jozyrtarisht, sipas Alsat, edhe Alternativa është kundër modelit me vetëm dy kryetarë, Kasamin e Mexhitin.
Lajme nga vendi
Blerim Sejdiu zgjidhet kryetar i Rajonit Planor të Pollogut për vitin 2026
Në hapësirat e Komunës së Zhelinës është mbajtur mbledhja konstituive e Këshillit për Zhvillim të Rajonit Planor të Pollogut, ku kryetarët e komunave të këtij rajoni kanë diskutuar dhe miratuar pikat kyçe për vitin 2026.
Në këtë mbledhje është shqyrtuar dhe miratuar Plani Financiar për vitin 2026, si dhe janë diskutuar propozim-projektet me të cilat Rajoni i Pollogut do të aplikojë për fonde dhe mbështetje institucionale.
Gjithashtu, janë trajtuar edhe çështje të tjera me rëndësi strategjike, që kanë të bëjnë me zhvillimin e qëndrueshëm dhe të balancuar të rajonit.
Sipas parimit të rotacionit, nga sonte drejtimin e Rajonit Planor të Pollogut për vitin 2026 e merr Komuna e Zhelinës. Me këtë rast, Blerim Sejdiu është përzgjedhur Kryetar i Rajonit të Pollogut për një mandat njëvjeçar.
Sejdiu theksoi se ky është një besim dhe përgjegjësi e madhe, të cilën do ta ushtrojë me përkushtim të plotë dhe në bashkëpunim të ngushtë me të gjitha komunat e rajonit, me synim realizimin e projekteve konkrete dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve.
Rajoni i Pollogut pritet të vazhdojë me realizimin e projekteve në vazhdim dhe me hartimin e iniciativave të reja zhvillimore, në funksion të ndërtimit të një Pollogu më të zhvilluar dhe me perspektivë më të qartë ekonomike dhe infrastrukturore.
Lajme nga vendi
Begaj të shtunën në Tetovë, ja rrugët që do të bllokohen
Komuna e Tetovës informon se të shtunën, më 28 shkurt, me rastin e vizitës zyrtare të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, në qytet do të ketë masa të përkohshme sigurie dhe ndalim parkimi në disa rrugë.
Komuna e Tetovës rekomandon që automjetet të mos parkohen në bulevardet dhe rrugët në vijim:
Bulevardi “Marshall Tito” nga fillimi deri te rrethrrotullimi te tregu, në kryqëzim me bulevardin “Blagoja Toska”
Bulevardi “Blagoja Toska” nga rrethrrotullimi me bulevardin “Marshall Tito” deri te ndërtesa e Komunës së Tetovës
Rruga “JNA” (“Dervish Cara”) në tërësi, deri te semaforët
Rruga “Ilindenska” nga Gjykata Themelore deri te Universiteti i Evropës Juglindore
Rruga “Kiro Ristoski-Drnc” deri te Arabati Baba Teqe
Rruga VonVardarska
Rruga “172”
Automjetet e parkuara në kundërshtim me njoftimin do të largohen nga shërbimet kompetente, bëjnë të ditur nga Komuna e Tetovës.


You must be logged in to post a comment Login