Lajme nga vendi
Kapitulli i 34-të i negociatave të Maqedonisë së Veriut me BE-në: Institucionet
Maqedonia e Veriut e ka mbajtur konferencën e parë ndërqeveritare me BE-në, me çka edhe zyrtarisht i ka filluar negociatat për anëtarësim në Union.
Pas konferencës së parë ndërqeveritare, Komisioni Evropian menjëherë e ka filluar edhe procesin e skriningut, i cili përmban 35 kapituj. Telegrafi Maqedoni do t’iu informojë për përmbajtjen e secilit kapitull nëpër të cilët duhet të kalojë Maqedonia e Veriut.
Kapitulli i 34-të: Institucionet
Ky kapitull mbulon rregullat institucionale dhe procedurale të BE-së. Kur një vend anëtarësohet në BE, duhet të bëhen përshtatje ndaj këtyre rregullave për të siguruar përfaqësim të barabartë të këtij vendi në institucionet e BE-së (Parlamenti Evropian, Këshilli, Komisioni, Gjykatat e Drejtësisë) dhe organet e tjera dhe funksionimi i mirë i procedurave të vendimmarrjes (si p.sh. si të drejtat e votës, gjuhët zyrtare dhe rregullat e tjera procedurale) si dhe zgjedhjet për Parlamentin Evropian. Rregullat e BE-së në këtë kapitull nuk ndikojnë në organizimin e brendshëm të një shteti anëtar, por vendet aderuese duhet të sigurojnë se janë në gjendje të marrin pjesë plotësisht në vendimmarrjen e BE-së duke ngritur organet dhe mekanizmat e nevojshëm në vend dhe duke zgjedhur ose emëruar përfaqësues të mire përgatitur në institucionet e BE-së. Pas përfundimit të negociatave të anëtarësimit, rregulla specifike për periudhën e ndërmjetme deri në pranim sigurojnë integrim të qetë të vendit në strukturat e BE-së: vendoset procedurë informacioni dhe konsultimi dhe, pasi të nënshkruhet Traktati i Aderimit, vendit aderues i jepet status i vëzhguesit aktiv në Parlamentin dhe Këshillin Evropian si dhe në komitetet e Komisionit.
Ndryshe, përveç kapitujve të BE-së, Maqedonia e Veriut ka nënshkruar edhe protokoll me Bullgarinë, i cili përmban gjithashtu disa rekomandime dhe detyrime, të cilat duhet të plotësohen nga të dy shtetet, për të mos pasur pengesa në anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE./Telegrafi/
Lajme nga vendi
Zëvendëskryeministri i Parë, Bekim Sali takoi Ambasadorin e Republikës së Kosovës, Florian Qehaja
Sot, në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministër për Çështje Evropiane, z. Bekim Sali, priti në takim Shkëlqesinë e Tij, Ambasadorin e Republikës së Kosovës, z. Florian Qehaja.
Gjatë takimit u diskutua për bashkëpunimin dypalësh ndërmjet dy vendeve, projektet e përbashkëta që i lidhin institucionet tona, si dhe për proceset e integrimit evropian dhe avancimin e agjendës evropiane në rajon.
Të dyja palët theksuan rëndësinë e thellimit të mëtejmë të bashkëpunimit rajonal dhe shkëmbimit të përvojave në funksion të stabilitetit, zhvillimit dhe integrimit evropian.

Lajme nga vendi
Babai dyshohet për dhunë seksuale ndaj vajzës së tij 13-vjeçe
Prokuroria e Kavadarit hap hetime për dy raste të përdhunimit të fëmijëve: Kërkohet paraburgim për të dyshuarit
Prokuroria Themelore Publike në Kavadar ka nxjerrë urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore për dy raste të ndara, në të cilat ekzistojnë dyshime për veprën penale – Përdhunim i fëmijës që nuk ka mbushur 15 vjeç, sipas nenit 188 të Kodit Penal.
Rasti i parë: Negotinë
Në rastin e parë, të dyshuar janë dy persona madhorë nga Negotina, të cilët fillimisht kanë kryer veprën penale – Kënaqja e pasioneve seksuale para tjetrit (neni 190 i Kodit Penal). Ata kanë kryer marrëdhënie seksuale para një fëmije të mitur, i cili i ka filmuar me telefon celular.
Gjatë korrikut të vitit të kaluar, kur fëmija ishte 14 vjeç, njëri nga dy të dyshuarit e ka shtyrë disa herë të miturin të kryejë marrëdhënie seksuale me të, për çka i ka dhënë shuma të caktuara parash. Prokurori publik ka propozuar masën e paraburgimit për të dyshuarin për dhunim të fëmijës, vepër për të cilën parashihet dënim me burg prej së paku 8 vjetësh.
Rasti i dytë: Kavadar
Prokuroria e Kavadarit po zhvillon procedurë dhe ka propozuar masën e paraburgimit edhe ndaj një babai nga Kavadari, i dyshuar për veprime të tjera seksuale ndaj vajzës së tij 13-vjeçare.
Ai, në gjendje të dehur, e ka prekur vajzën në disa raste, me çka ekziston dyshimi se ka kryer vepër penale nga paragrafi 5 i nenit 188, për të cilën parashihet dënim me burg prej së paku tri vjetësh.
Lajme nga vendi
Mashtrim prej 15 mijë eurosh: 70-vjeçari nga Tetova denoncon rast në polici
Një 70-vjeçar nga një fshat i Tetovës ka raportuar më 12.01.2026 në SPB Tetovë se ai dhe vëllai i tij janë mashtruar për një shumë prej 15.000 eurosh nga një person me inicialet L. nga Tetova.
Siç raporton Tetovasot, gjatë vitit 2024 i dyshuari u kishte ofruar ndihmë për realizimin e pensionit nga një shtet i huaj, duke u kërkuar para si “depozitë” dhe duke i detyruar të nënshkruanin dokumente blanko. Pasi procedura nuk u realizua, ata kuptuan se ishin mashtruar. Policia po ndërmerr masa për zbardhjen e rastit.


You must be logged in to post a comment Login