Lajme nga vendi
Shqiptarët kanë humbur besimin te VMRO
Sondazhi i Nëntorit 2025: Shqiptarët perceptojnë VMRO-DPMNE-në si pengesë për integrimin dhe përfaqësimin e tyre.
Një sondazh i realizuar në nëntor 2025 nga Gani Bobi ka nxjerrë në pah perceptimet e komunitetit shqiptar mbi VMRO-DPMNE-në dhe rolin e saj në politikën e Maqedonisë së Veriut, por mbi të gjitha me optikën e shqiptarëve për forcën qeverisëse në vendin fqinj.
Rezultatet e këtij sondazhi të shtjelluar tregojnë një shqetësim të thellë për qëndrimet e kësaj partie ndaj shqiptarëve dhe perspektivës evropiane të vendit.
Pjesa më e madhe e të anketuarve e perceptojnë VMRO-në si një parti me qëndrime paternaliste ose nacionaliste, ndërsa vetëm një pjesë e vogël e sheh si bashkëpunuese dhe të moderuar
Shumica e shqiptarëve nuk besojnë se VMRO është e interesuar për integrimin real evropian dhe e perceptojnë këtë parti si një aktor që përjashton shqiptarët nga vendimmarrja shtetërore.
Kursi politik i VMRO-së, i orientuar drejt Serbisë dhe i kushtëzuar nga çështje të jashtme, shihet ndër të tjera si i dëmshëm për perspektivën euro-atlantike të Maqedonisë së Veriut.
Sondazhi nxjerr gjithashtu në pah se shumica e shqiptarëve e cilësojnë rrugën evropiane të vendit si të domosdoshme, por vetëm nëse garantohen të drejtat e tyre, ndërsa mbështetja për Marrëveshjen me Bullgarinë është e kushtëzuar me respektimin e identitetit shqiptar.
Përfshirja e pakicës bullgare në Kushtetutë shihet me kujdes: shumica nuk e kundërshtojnë nëse kjo nuk cenon të drejtat e tyre, por një pjesë tjetër shpreh pasiguri ose mungesë informacioni. Vetëm një pjesë e vogël e shqiptarëve e perceptojnë Maqedoninë si një shtet multietnik me të drejta të garantuara, ndërsa pjesa më e madhe e sheh shtetin si dominues maqedonas ose me multietnicitet të pabarabartë.
Sondazhi tregon gjithashtu se shqiptarët janë të vetëdijshëm për rëndësinë e përfshirjes së pakicës bullgare në Kushtetutë si një kusht për anëtarësim në BE dhe nuk e shohin këtë si një kërcënim për të drejtat e tyre. Përkundrazi, ata e shohin bllokimin e këtij procesi nga VMRO si një lojë politike që synon destabilizimin e brendshëm dhe përjashtimin e komunitetit shqiptar nga vendimmarrja shtetërore
Në përgjithësi, sondazhi reflekton një mosbesim të lartë ndaj VMRO-së, duke e perceptuar si pengesë për integrimin evropian dhe si aktor që minon pozitat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Interesant është ndërkaq fakti se ndër politikanët shqiptarë, figura e Menduh Thaçit është ajo, e cila shihet si më e përgatitur për t’u përballur me Hristijan Mickockin dhe VMRO-në, veçanërisht në Tetovë.
“Edhe pse prej një periudhe jashtë vëmendjes për vendimmarrje, Menduh Thaçi doli befasishëm në pyetjen për kush mund të përballet realisht me Mickoskin dhe VMRO-në, si një nga më të besueshmit”, reflekton sondazhi.
Ndërsa, një frikë e madhe e shqiptarëve ka të bëjë edhe me ndarjen etnike që mund t’i vijë vendit nëse VMRO do të vijojë të ketë këtë dominancë në sferën politike të RMV-së.
Analiza e Pyetjeve
Si e vlerësoni sjelljen e VMRO-DPMNE në këto zgjedhje?
Përgjigjet janë ndarë në katër kategori: paternaliste ndaj shqiptarëve, nacionaliste por e qartë, e moderuar dhe bashkëpunuese, dhe nuk kam ndjekur fushatën. Pjesa më e madhe e respondentëve e perceptojnë VMRO-në si një subjekt që mbart qëndrime paternaliste ose nacionaliste, ndërkohë që një pjesë e vogël e konsideron bashkëpunuese.
A duhet të jetë urgjente rruga evropiane e Maqedonisë?
Shumica e shqiptarëve mendojnë se po, por vetëm nëse garantohen të drejtat e shqiptarëve. Kjo tregon një qëndrim të matur pro-evropian të kushtëzuar me përfaqësimin e drejtë.
A mendoni se Marrëveshja me Bullgarinë duhet të mbështetet?
Mbështetja për marrëveshjen është gjithashtu e kushtëzuar me mbrojtjen e identitetit shqiptar. Rreth gjysma e të anketuarve janë skeptikë nëse marrëveshja nuk respekton këtë identitet.
A e konsideroni Maqedoninë e Veriut një shtet…
Vetëm një pjesë e vogël e shqiptarëve e perceptojnë Maqedoninë e Veriut si një shtet multietnik me të drejta të garantuara. Pjesa më e madhe e sheh shtetin si dominues maqedonas ose me multietnicitet të pabarabartë.
A mendoni se VMRO është e interesuar për integrimin e Maqedonisë së Veriut në BE?
Shumica janë skeptikë ose nuk kanë informacion. Kjo tregon mungesë besimi në angazhimin real të VMRO-së për integrimin evropian.
A mendoni se VMRO po e kthen Maqedoninë e Veriut drejt një aleance me Serbinë?
Një pjesë e madhe e shqiptarëve e percepton këtë si një rrezik real. Kjo frikë thellon ndarjen mes komuniteteve dhe shpjegon arsyet e dyshimit ndaj VMRO-së.
A mendoni se BE është garantuese më e mirë për të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni.
Megjithëse shumë shqiptarë besojnë te BE, një pjesë e mirë ka dyshime nëse BE-ja do të jetë garantuese më e mirë se mekanizmat e brendshëm kushtetues.
A e përkrahni përfshirjen e pakicës bullgare në Kushtetutë?
Një pjesë e madhe e shqiptarëve nuk e kundërshton këtë nëse kjo nuk dëmton të drejtat e tyre. Por gjithashtu ka shumë pasiguri dhe mungesë informacioni për pasojat e këtij përfshirjeje.
Pyetja e fundit e sondazhit ngre një çështje kyçe: përfshirja e pakicës bullgare në Kushtetutë.
Qëndrimet janë të ndara, por shumica kërkon që një veprim i tillë të bëhet vetëm nëse garantohen të drejtat e shqiptarëve. Një pjesë tjetër e refuzon këtë përfshirje, ndërsa të tjerë shfaqin pasiguri ose mungesë informacioni për temën.
Kjo reflekton një frikë të qartë që përfaqësimi i një pakice tjetër mund të instrumentalizohet për të minuar pozitat e shqiptarëve, sidomos nëse nuk ka garanci të balancës dhe reciprocitetit politik e kushtetues.
Aneks: VMRO-DPMNE dhe Shqiptarët – Perceptime nga Sondazhi i Nëntorit 2025
Nga sondazhi i realizuar në nëntor 2025, rezulton se një pjesë dërrmuese e shqiptarëve e perceptojnë VMRO-DPMNE-në si një parti që mban qëndrim armiqësor ndaj interesave shqiptare në Maqedoninë e Veriut.
Pyetjet që lidhen me orientimin e kësaj partie drejt Serbisë, refuzimin e rrugës evropiane dhe mosgatishmërinë për përfshirjen e pakicës bullgare në Kushtetutë, janë tregues të qartë të këtij perceptimi.
Qëndrimi i VMRO-së për të bllokuar rrugën drejt Bashkimit Evropian, duke e kushtëzuar me çështje që nuk kanë lidhje direkte me zhvillimin e vendit, është parë nga shumica e shqiptarëve si veprim i dëmshëm për perspektivën euro-atlantike të Maqedonisë së Veriut.
Për më tepër, afërsia politike me qeverinë e Serbisë shihet si një devijim nga konsensusi historik i vendit për të qenë pjesë e strukturave perëndimore. Nga sondazhi mësohet se shqiptarët, në përqindje shumë të lartë, e refuzojnë këtë kurs të VMRO-së.
Kjo parti perceptohet si pengesë për integrimin dhe si një aktor që, në mënyrë të qëllimshme, përjashton shqiptarët nga vendimmarrja shtetërore. Sondazhi gjithashtu tregon se shqiptarët janë të vetëdijshëm për rëndësinë që ka përfshirja e pakicës bullgare në Kushtetutë, si një kusht për anëtarësim në BE, dhe nuk e shohin këtë si çështje që cenon të drejtat e tyre.
Përkundrazi, ata e shohin bllokimin e këtij procesi nga VMRO si një lojë politike që synon destabilizimin e brendshëm.
Lajme nga vendi
Kronika e zezë – Tetovë dhe Gostivar, 22 Tetor
Dje, zyrtarë policorë nga Sektori për Polici Kriminalistike pranë SPB Tetovë dhe nga ekipi mobil “Task Force”, në koordinim me përfaqësues të Inspektoratit Shtetëror të Tregut dhe Drejtorisë së të Ardhurave Publike, kanë realizuar kontroll aksional në një objekt hotelerie në Qendrën Tregtare të Qytetit në Tetovë.
Me këtë rast, para objektit është zënë një 48-vjeçar nga Tetova dhe gjatë kontrollit tek ai është gjetur një substancë e bardhë pluhur, pas çka është privuar nga liria.
Ndërsa, brenda në objekt, te pronari 54-vjeçar nga fshati Trebosh janë gjetur 15 paketime me substancë të bardhë pluhur, pas çka edhe ai është privuar nga liria.
Të dy janë ndaluar në stacionin policor dhe pas dokumentimit të plotë të rasteve, ndaj tyre do të vijojë parashtresë përkatëse.
…….
Dje në orën 12:00 në Stacionin Policor Gostivar, nga Ndihma e Shpejtë Mjekësore Gostivar është denoncuar se te ata është sjellë një 15-vjeçar nga Gostivari pa shenja jete. Sipas denoncimit, në shtëpinë e tij në Gostivar ai kishte rrëshqitur dhe ka rënë shkallëve, ndërsa pasi është pranuar në spital, pas reanimimit të kryer ka shfaqur shenja jete dhe me automjet të Ndihmës së Shpejtë Mjekësore Gostivar është transferuar në Kompleksin e Klinikave “Nënë Tereza” në Shkup, ku i janë konstatuar lëndime të rënda trupore. Është njoftuar prokurori publik, është kryer këqyrje në vendngjarje dhe po merren masa për zbardhjen e ngjarjes.
…….
Dje në orën 19:10 në Stacionin Policor Tetovë, një 38-vjeçar nga Tetova ka denoncuar se rreth orës 18:30 në rrugën “Todor Cipovski Merxhan”, djali i saj 11-vjeçar është sulmuar fizikisht nga një i mitur tjetër. Po merren masa për zbardhjen e rastit.
……
Dje në orën 22:30 në Hanet e Mavrovës, zyrtarë policorë nga Stacioni Policor Mavrovë kanë privuar nga liria një 22-vjeçar nga Shkupi. Gjatë një kontrolli në trafik është ndaluar automjeti i udhëtarëve “Volksëagen Golf” me targa të Shkupit, të cilin e drejtonte ai, me ç’rast është konstatuar se e drejtonte pa pasur leje drejtimi. Automjeti është konfiskuar dhe pas dokumentimit të plotë të rastit do të vijojë parashtresë përkatëse.
……..
Dje në orën 20:00 në Stacionin Policor Gostivar, një 71-vjeçar nga Gostivari ka denoncuar se rreth orës 18:30 te Stacioni i Autobusëve në Gostivar, derisa po kryente detyrat e punës si taksist, është sulmuar fizikisht nga një person. Po merren masa për zbardhjen e rastit.
…….
Dje në orën 13:25, zyrtarë policorë nga Stacioni Policor Gostivar kanë privuar nga liria një 29-vjeçar nga Gostivari, i cili ditën e mëparshme është denoncuar nga nëna e tij 53-vjeçare se në disa raste e ka kërcënuar. Pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj tij do të parashtrohet kallëzim përkatës.
……
Pas mesnate në orën 02:00 në SPB Tetovë është denoncuar se ka shpërthyer zjarr në një arë në fshatin Sellarcë e Epërme. Zyrtarë policorë nga Stacioni Policor Zherovjan kanë dalë në vendngjarje dhe kanë konstatuar se është djegur kashtë, e cila ishte grumbulluar në disa pirgje. Ekipi i Njësisë Territoriale Kundër Zjarrit e ka shuajtur zjarrin, ndërsa persona të lënduar nuk ka. Këqyrja e vendngjarjes është kryer nga ekipi i SPB Tetovë.
Lajme nga vendi
Në shtator, tetë burra në Maqedoni u diagnostikuan me HIV, vetëm këtë vit janë regjistruar 49 raste të reja
Në shtator të këtij viti, në Maqedoninë e Veriut u regjistruan tetë raste të reja me HIV/AIDS, të gjitha te persona të gjinisë mashkullore, tregojnë të dhënat nga buletini më i ri mujor i Institutit të Shëndetit Publik (ISHP). Katër nga personat e diagnostikuar rishtazi janë të moshës 30 deri në 39 vjeç, ndërsa nga një rast është regjistruar në grupmoshat 15–19 vjeç, 20–29 vjeç, 40–49 vjeç dhe 50–59 vjeç, transmeton Portalb.mk.
Në shtator u raportuan edhe dy raste të vdekjes te persona me HIV, të cilët ishin regjistruar më parë me këtë infeksion, përkatësisht në vitin 2015 dhe 2018. Të dy personat që vdiqën ishin të moshës 40 deri në 49 vjeç. Sipas të dhënave të ISHP-së, nga fillimi i vitit 2026 deri më 30 shtator, në vend janë regjistruar gjithsej 49 raste me HIV/AIDS.
Që nga fillimi i regjistrimit të rasteve, në vitin 1987, e deri në shtator të vitit 2026, në vend janë regjistruar gjithsej 778 persona me HIV/AIDS. Prej tyre, 520 persona jetojnë me HIV/AIDS, 144 kanë vdekur, ndërsa 114 figurojnë si të humbur për ndjekje, përkatësisht si persona që janë shpërngulur jashtë vendit.
Në buletinin për sëmundjet akute infektive thuhet se gjatë shtatorit në Maqedoninë e Veriut katër persona kanë vdekur nga ethet e Nilit Perëndimor, ndërsa gjithsej 1.042 persona janë prekur nga sëmundje akute infektive. Numri i të prekurve është 22 përqind më i lartë krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, kur ishin regjistruar 854 raste.
“Të katër personat që kanë vdekur ishin të moshës 65 deri në 70 vjeç dhe te ta ishte diagnostikuar forma neuroinvazive e etheve të Nilit Perëndimor. Ata ishin të hospitalizuar në Klinikën Universitare për Sëmundje Infektive dhe Gjendje Febrile në Shkup, ndërsa te të gjithë ishin regjistruar edhe sëmundje shoqëruese”, thuhet në buletin.
Epidemia e etheve të Nilit Perëndimor është ende në vazhdim.
Pjesa më e madhe e sëmundjeve infektive të regjistruara në shtator ishin infeksione të zorrëve. Nga gjithsej 1.042 rastet e raportuara, 694 ishin raste me enterokolit, që përbëjnë 66,6 përqind të të gjitha sëmundjeve akute infektive të regjistruara.
Krahasuar me shtatorin e vitit të kaluar, kur ishin raportuar 465 raste me enterokolit, këtë vit është shënuar rritje prej 49,2 përqind. Nga fillimi i këtij viti deri në fund të shtatorit janë regjistruar 4.313 raste, që është 43,1 përqind më shumë sesa në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Në vendin e dytë për nga shpeshtësia janë lija e dhenve, me 123 persona të prekur, të ndjekura nga salmoneloza me 56 raste, zgjebja me 47 raste dhe infeksionet bakteriale e intoksikimet e shkaktuara nga ushqimi me 30 raste.
Në shtator u regjistruan edhe 29 raste të mononukleozës infektive, tetë raste të sëmundjes së legjionarëve dhe gjashtë infeksione të shkaktuara nga bakteri Escherichia coli.
Lajme nga vendi
Ministria e Transformimit Digjital në RMV bllokon përkohësisht trafikun e jashtëm në internet si masë parandaluese
Ministria e Transformimit Digjital informon se, si pjesë e aktiviteteve parandaluese, trafiku i jashtëm në internet në sistemet e prekura është bllokuar përkohësisht, me qëllim parandalimin e shfrytëzimit të mundshëm të dobësive.
Prandaj, ata theksojnë se Ministria, përmes Sektorit të Sigurisë Kibernetike dhe ekipit qeveritar të sigurisë kompjuterike (MKD-GOV-CSIRT), vazhdon me monitorimin e zgjeruar dhe të vazhdueshëm të kërcënimeve kibernetike, analizën e ngjarjeve të sigurisë dhe të dhënave të regjistrave, si dhe kontrollin e treguesve të mundshëm të kompromentimit.
Përndryshe, institucionet qeveritare dhe kompanitë në të gjithë Evropën dhe botën u detyruan të mbyllin faqet e tyre të internetit dje, pasi u zbuluan të meta serioze në gjuhën e programimit mbi të cilën bazohet pjesa më e madhe e internetit, raportuan mediat botërore.
Ministria e Transformimit Digjital informon se, si pjesë e aktiviteteve parandaluese, trafiku i jashtëm i internetit në sistemet e prekura u bllokua përkohësisht, me qëllim parandalimin e shfrytëzimit të mundshëm të dobësive.
Më pas, shtohet, u kryen kontrolle në versionet e softuerit dhe u aplikuan patch-e dhe përditësime të përshtatshme sigurie, si dhe u kontrollua funksionaliteti dhe siguria e serverëve të internetit.
Masat, thonë nga Ministria, synojnë të zvogëlojnë rrezikun e aksesit të paautorizuar dhe kompromentimit të mundshëm të serverëve të internetit.
“Sipas kontrolleve të kryera deri më tani, nuk janë gjetur indikacione për shfrytëzim të suksesshëm të dobësive të listuara ose për kompromentimin e faqeve të internetit të Qeverisë dhe ministrive”, thuhet në njoftim.

