Lajme nga vendi
Opozita:Marrëveshja e Ohrit nuk është zbatuar plotësisht
Marrëveshja e Ohrit nuk është zbatuar plotësisht dhe vendi vazhdon të ballafaqohet me problemet që ka pasur para më shumë se dy dekadave. Kështu vlerësojnë partitë opozitare në vend, duke komentuar 21 vjetorin e nënshkrimit të marrëveshjes që i dha fund konfliktit në vend. Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Mile Lefkov deklaron se Marrëveshja Kornizë, solli paqe por nuk mundi ta parashikojë krimin e BDI-së që ndodhi pas nënshkrimit të saj.
“Maqedonia ka Marrëveshje Kornizë por nuk ka ardhmëri evropiane. Ka marrëveshje kornizë ama Tetova nuk ka ujë për pije, Haraçina nuk ka kanalizim. Maqedonia ka Marrëveshje Kornizë por të rinjtë shqiptar dhe maqedonas migrojnë. Ky është dështimi i këtij pushteti. Nëse nisemi nga kjo atëherë nuk ka hapësirë për festim por për përgjegjësi. Ky është manifestim i BDI-së në prag të zgjedhjeve në Tetovë”, tha Mile Lefkov, deputet VMRO-DPMNE.
Nga Aleanca për Shqiptarët thonë se Marrëveshja e Ohrit ishte menduar të sigurojë barazinë mes bashkësive etnike dhe zhvillimin e vendit, por pas 21 viteve, ende nuk është arritur qëllimi në asnjë nga shtyllat e këtij dokumenti.
“Për ta kuptuar më qartë dështimin e qeverive të këtyre dy dekadave, të udhëhequra nga BDI, mjafton të kujtojmë se një fëmijë i lindur në vitin 2001, sot në moshën 21 vjeçare ka ndërprerë studimet dhe ka braktisur vendin, duke marrë rrugën e mërgimit. Shumë nga bashkëmoshatarët e tij janë fëmijë të dëshmorëve që sakrifikuan për këtë marrëveshje dhe shumë gra që atëherë ngelën pa burra, sot i përcollën edhe djemtë e tyre. 21 vjet pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, partia në pushtet BDI, mburret me migrimin e të rinjve dhe me investimet e pakta të afaristëve privat, duke tentuar të vjedh mundin dhe sakrificën e tyre”, thanë nga Aleanca për Shqiptarët.
Nga Aleanca për Shqiptarët, thonë se mos-implementimi i Marrëveshjes së Ohrit ka sjellë rritjen e krimit dhe korrupsionit, kryesisht në dëm të qytetarit shqiptar. Partitë opozitare vlerësojnë se në vend vazhdon të sundojë pabarazia mes popujve, mungesa e drejtësisë individuale për qytetarët, si dhe është rritur varfëria.
Lajme nga vendi
TETOVA NË VAPËN AFRIKANE – SI FRYMON QYTETI NË 40 GRADË?
Tetova këto ditë po përballet me temperaturat e larta të vapës afrikane. Termometri i afrohet 40 gradëve Celsius, ndërsa qyteti duket sikur ngadalëson ritmin dhe kërkon hije, freski dhe pak ajër.
Tetova në këto temperatura është një qytet që vazhdon të jetojë, por me një ritëm tjetër. Një tabelë e Drejtorisë për Punë Hidrometelereologjike tregon se në orën 14.00 në Tetovë janë matur 34.1 gradë Celsius. Por, në qytet vapa afrikane dhe netët tropikale tashmë janë bërë përditshmëri.
Rrugët në orët më të nxehta janë më të zbrazëta. Qytetarët shmangin daljet gjatë mesditës dhe, kur është e domosdoshme të dalin, kërkojnë rrugët me hije, freskojnë veten me ujë dhe përpiqen të kryejnë punët sa më shpejt.
Edhe tregtarët dhe punëtorët që janë të detyruar të qëndrojnë jashtë duhet ta përshtatin ritmin e punës. Uji, pushimet e shpeshta dhe shmangia e diellit bëhen domosdoshmëri.
Vapa ndryshon edhe zakonet. Takimet shtyhen për pasdite, aktivitetet sportive zhvendosen në orët e vona, ndërsa shumë familje preferojnë të qëndrojnë në ambiente të mbyllura gjatë pjesës më të nxehtë të ditës.
Daljet gjatë orëve të nxehta shtyhen për më vonë, pazaret dhe obligimet kryhen herët në mëngjes, ndërsa shëtitjet në qytet bëhen kryesisht në mbrëmje. Për shumë tetovarë, vera nuk është më vetëm një stinë pushimi, por një periudhë ku dita duhet planifikuar sipas temperaturës.
Në 40 gradë, qyteti nuk ndalet, në pritje të shiut, thjesht mëson të marrë frymë më ngadalë./Tv Koha/
Lajme nga vendi
DREJTORIA E GJIMNAZIT PËRGËNJESHTRON “LEVICËN”
Drejtoria e Gjimnazit „Kirili Pejçinoviq“ – Tetovë reagon ashpër ndaj informacioneve të publikuara lidhur me funksionimin e shkollës.
Drejtoria e Gjimnazit të Tetovës i ka përgënjeshtruar pohimet e një komunikate të partisë “Levica” ku ata pretendojnë se po nënçmohet gjuha maqedonase dhe se klasat janë të stërmbushura me nxënës.
Nga Drejtoria thonë se do ta kuptonin këtë gjuhë të “Levicës” nëse vendi ishte në fushatë zgjedhore, por duke prezantuar fakte përgënjeshtrojnë pohimet e partisë në fjalë.
Dje, faqja e internetit e shkollës u hakua në të tri gjuhët – maqedonisht, shqip dhe anglisht. Ekipi i IT-së së shkollës punoi intensivisht për zgjidhjen e problemit dhe arriti ta rikthejë funksionimin e saj. Faqja e internetit tashmë është në funksion dhe në të janë publikuar listat e nxënësve të pranuar në afatin e regjistrimit të qershorit.
Shpërndarja e nxënësve në paralele bëhet në përputhje me konkursin për regjistrimin e nxënësve në Gjimnaz, të publikuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, numrin e nxënësve të regjistruar dhe kapacitetet hapësinore të dy objekteve ku nxënësit e ndjekin mësimin në turnin e paradites.
Po ashtu, si tërësisht të pavërteta I kanë hedhur poshtë pretendimet se 50 nxënës do ta ndjekin mësimin në një klasë.
Drejtoria e shkollës është e përkushtuar për krijimin e shërbimeve dhe kushteve më të mira dhe më cilësore për zhvillimin e pandërprerë dhe të vazhdueshëm të procesit arsimor.
Sipas tyre, pikërisht informacione të tilla të paverifikuara, të pabazuara dhe të pasakta krijojnë kaos në arsim./Tv Koha/
Lajme nga vendi
BDI: Me dy vjet vonesë dhe 30 milionë euro më shtrenjtë, VLEN vazhdon projektin e BDI-së Shkup- Bllacë
Pas dy vitesh humbje kohe, VLEN sot po e paraqet si sukses vazhdimin e autostradës Shkup- Bllacë, projekt i përfunduar më 2 maj 2023 dhe i tenderuar po atë vit nga qeveria e kaluar, me një vlerë prej rreth 183 milionë eurosh.
Dy vjet më parë, VLEN dhe partnerët e tyre politikë e sulmonin projektin si “tepër të shtrenjtë” dhe “të papërshtatshëm”. Sot, pa ndryshuar as trasenë dhe as projektin, duke e vonuar pa asnjë nevojë për mbi dy vite, të njëjtën autostradë prej rreth 10 kilometrash do ta ndërtojnë për rreth 210 milionë euro, apo afërsisht 21 milionë euro për kilometër.
Pra, projekti që e kritikuan nuk është ndryshuar as për 0,1 për qind. Traseja është e njëjtë, projekti është i njëjtë, autostrada është e njëjtë.
Të vetmet gjëra që kanë ndryshuar janë dy vite vonesë dhe rreth 30 milionë euro më shumë nga paratë e qytetarëve.
VLEN duhet t’i përgjigjet opinionit: pse u bllokua për dy vjet një projekt i gatshëm dhe pse sot i njëjti projekt kushton rreth 30 milionë euro më shumë? Ku përfundojnë këto para dhe cili është arsyetimi për këtë shtrenjtim?
Shqiptarët humbën dy vite për një autostradë jetike, ndërsa qytetarët do të paguajnë dhjetëra milionë euro më shumë. Dy vite vonesë, 30 milionë euro më shtrenjtë dhe asnjë ndryshim në projekt, kjo është fatura e paaftësisë dhe keqmenaxhimit të VLEN-it.


You must be logged in to post a comment Login