Lajme nga vendi
TARAVARI KËRKON QEVERI TEKNIKE!
“Qeveri Teknike
Histeria politike që ka pushtuar planetin, duket se rezidencën e saj e ka në Maqedoni. Kaq të vegjël sa jemi gjeografikisht, është gati e paimagjinueshme që të kemi kaq shumë korupsion. Por ne që jetojmë e pësojmë përditë këtu, jemi dëshmitarë të gjallë të llomit burokratik e koruptiv ku pluskon çdo gjë dhe gjithçka
Nga çmenduria e luftës më të afërt kontinentale është afektuar gjithë bota. Kanë nxjerrë shpatat sehirxhinj të rinj, e kanë mprehur më shumë thikat sehirxhinjtë e vjetër. Në mes të këtij kaosi sa të dhimbshëm aq të turpshëm, Maqedonia gjendet në një pozitë që vetëm mëshira e Zotit e mban ende me shpresë.
Sikur mos të mjaftonte mënyra kriminale e ardhjes në pushtet (manipulimi i vullnetit zgjedhor është krim që duhet dënuar), qeveria që është në sherr të vazhdueshëm me disa shtete, tani i ngjan më shumë një organizate siciliane të viteve “70” se sa insitucionit më të lartë drejtues të jetës së popullit.
Ju mungojnë unazat në gishtin e vogël, parashtesa Don se purrot dhe kostumet i kanë, dhe duken si kartelet e famshme kolumbiane ose meksikane.
Problemet e qeverisë Kovaçeski janë aq shumë sa mjerë ai që mund të gjendet në vend të tij. Është aq në hall sa nuk është çudi që të japë dorëheqjen ose t’i kalojë me pahir grupit të vuan dënimin në burgje me 5 yje All In Inclusive…
Gjithsesi nuk duhet fokusuar vetëm tek problemi por duhet besuar tek Zgjidhja.
Duke e konsideruar gjendjen më emergjente se kurrë, zgjidhje optimale dhe e vetme del formimi i një qeverie Teknike!
Pa bërë gara partiake, sepse deri tani kemi kuptuar që garat partiake manipulohen dhe nuk ka një Fitues por ka një Të Fituar…gjuha shqipe na lejon tepër qartë e shkurt ta bëjmë dallimin midis këtyre dy koncepteve krejt të ndryshme!
Është e domosdoshme që inatet partiake të dalin jashtë zyrave vendimarrëse, jashtë mureve të selive pushtetare, dhe të fillojë të funksionojë një kabinet qeveritar që do të mbushë xhepat e qytetarëve dhe jo xhepat e tyre personalë.
Ndërhyrje imediate profesioniste kërkohet në këto vatra që rrezikojnë gjithë vendin:
1. Korupsioni
2. Papunësia
3. Arsimimi
4. Shëndetësia
5. Administrata
Kur them administrata nuk duhet të nënkuptojmë më taktikën e deritanishme “parti e re në pushtet-fis i ri në punë”, por të investohet tek secili që është i punësuar për kualifikim gjithnjë e më të mirë.
Një pjesë e asaj që quhet ngritje profesionale e që do duhet ta kishin administratorët sot, është transformuar në tulla dhe tjegulla të eprorëve të tyre partiakë.
Investimi në përmirësimin profesional të atyre që punojnë në administratë është jo vetëm e drejtë e tyre por mbi të gjitha është favor për shtetin dhe qytetarët e tij.
Me shërimin e këtyre 5 pikave nevralgjike do të marrë frymë dhe ekonomia pasi Maqedonisë nuk i mungojnë paratë, i mungon transparenca. Paratë e popullit shkojnë në llogaritë bankare të një grupi të vogël e kështu qytetet kanë nga 4-5 bosa dhe pjesa tjetër ose shërbëtorë ose armiq të oborrit (por si njëra palë si tjetra mund të përkufizohen në hallexhinj)
Një problem tjetër që po na kushton dhe ç’është më e keqja mund të na kushtojë më shumë nga ç’pandehim është raporti ynë me fshqinjët e afërt dhe të largët.
Diplomacia pra është një sektor shumë i ndjeshëm ku duhet ndërhyrje ndërpartiake, pa pasione politike, me kthjelltësi dhe vizion pasi është moment vendimtar për të ardhmen e vendit.
Kemi dekada që presim një ditë, e jo sepse nuk jemi të aftë të dallojmë kohët, të nesërmen nga viti, të “së shpejti” me “së voni”…por sepse kemi qenë të gjithë viktima të tre kalendareve që nuk kanë të njëjtin ritëm kohor. Sipas kalendarit pushtetar të gjithë lajmëroheshim se maksimumi 1 muaj dhe BE-ja do fillonte negociatat, dhe pas hapjes së negociatave ishte çështje ditësh pranimi në BE (gjithnjë sipas kalendarit qeveritar).
Kalendari tjetër ishte ai evropiano-brukselian, ku dita zgjat sipas strategjisë politike, raporti është i thjeshtë- korupsion i lartë shton orët ditore. Sipas nivelit tonë të korupsionit bëmë që BE-ja të na masi një ditë sa një vit.
Kalendari tjetër dhe i fundit është ai gregorian. Ai që masim lindjet, dasmat, përvjetoret, ikjet pa kthim. Ky është dhe kalendari më i dhimbshëm dhe i vetmi që nuk është as në duart e qeverisë dhe as në duart e BE-së. Ky ndryshe është kalendari i popullit, ndaj të cilit çdokush është i pafuqishëm për të shtuar apo hequr ndonjë datë.
Qeveria Teknike do duhet ta ketë prioritet daljen nga kriza e dilemave historike dhe pajtimin e kalendarit qeveritar dhe atij të BE-sê me kalendarin e popullit ku dita është 24h!
Po kjo qeveri e cila le të jetë e përkohshme do duhet të vendosë shembullin për të gjitha qeveritë e tjera që do të vinë, duke punuar e duke mos pritur elozhe e lëvdata por duke mbaruar me sukses deryrat e saj e duke shpëtuar vendin.
A është kjo zgjidhja më e drejtë?!
Jo, natyrisht që jo! Dinastitë qeveritare kanë bërë shumë shkelje, vjedhje, abuzime, me pak fjalë Krime dhe çdo i tillë duhet dënuar por…a është e rëndësishme që tani të nisim hetuesinë e fajtorëve ndërkohë që fati i shtetit po rrokulliset drejt një vdekje klinike?!
Me logjikë të ftohtë dhe me përgjegjësi ndaj vendit, mbetet vetëm krijimi i Qeverisë Teknike që të nis operacinet tepër delikate për të cilat vendi ka nevojë.
Maqedonia nuk ka më nevojë për Stojanin që e ka futur n’punë djali i axhës dhe as për Shabanin që merita me të cilën ka marrë postin është lidhja e familjare me ndonjë shef partie. Tani është koha e të gjithë atyre zonjave dhe zotërinjve që kanë shkëlqyer në aulat e universiteteve vendorë e Ndërkombëtare, që e duan vendin e mbi të gjitha njerëzit e këtij vendi, është koha e qeverimit nga Ekspertë. Ky propozim del mbi çdo koncept partiak, madje edhe mbi vet partinë pasi gjendemi jo në një udhëkryq por fatkeqsisht buzë greminës. Nuk ka as një minutë kohë për lojra politike apo për pseudo-strategji! Kovaçeski duhet të mbledhë menjëherë partitë politike dhe bashkë me to të mbledhë dhe mendjen, kurse partitë të vihen në front të kësaj pune që duhet zgjidhur ose tani ose ndryshe nuk do të ketë më vend për asnjë zgjidhje, nuk do të ketë ç’ujë të hidhet mbi një zjarr të shuar por që ka djegur gjithë vendin.”- shkruan nënkryetari i ASH-së, Arben Taravari.
Lajme nga vendi
Kronika e zezë – Tetovë dhe Gostivar, 07 Tetor
Dje në orën 15:40, zyrtarë policorë nga Stacioni Policor Mavrovë kanë privuar nga liria një 45-vjeçar nga fshati Zdunjë, rrethina e Gostivarit. Gjatë një kontrolli në trafik, është konstatuar se ai po drejtonte një automjet udhëtarësh “Opel Vectra” me targa të Gostivarit pa leje drejtimi. Automjeti është sekuestruar dhe pas dokumentimit të rastit ndaj tij do të vijojë parashtresa përkatëse.
…….
Dje në orën 14:00 në SPB Tetovë, një grua 33-vjeçare nga Republika e Malit të Zi ka denoncuar se ish-partneri i saj, një 43-vjeçar, nga fshati Vrapçisht, rrethina e Gostivarit, i cili nga shtatori i vitit 2026 ndodhet në vuajtje të dënimit me burg në Burgun e Tetovës, nga numra të ndryshëm telefoni dhe përmes një aplikacioni celular ka dërguar kërcënime ndaj saj dhe familjes së saj. Po merren masa për zbardhjen dhe dokumentimin e rastit, pas së cilës do të dorëzohet kallëzimi përkatës.
Lajme nga vendi
Policia e trafikut me 33 skuterë të rinj “Piaggio Beverly 310”
Parku i automjeteve të policisë së trafikut në Maqedoninë e Veriut është pasuruar me 33 skuterë të rinj “Piaggio Beverly 310 HPE”, në version të posaçëm policor.
Ministria e Punëve të Brendshme ka pranuar 33 skuterët e rinj policorë, të siguruar nga Këshilli Republikan për Siguri në Trafikun Rrugor (KRSSTR). Dorëzimi zyrtar u bë në prani të ministrit të Punëve të Brendshme, Panço Toshkovski, dhe kryetarit të KRSSTR-së, Goran Angelovski.
Së bashku me skuterët është siguruar edhe pajisje e plotë mbrojtëse për motoçiklistët, përkatësisht për secilin polic:
helmetë mbrojtëse;
xhaketë dhe pantallona motoçiklistike;
çizme motoçiklistike;
doreza për verë dhe dimër.
Vlera totale e furnizimit është 16.845.561 denarë, ose rreth 274 mijë euro. Në këtë shumë përfshihen si skuterët, ashtu edhe pajisjet mbrojtëse.
“Piaggio Beverly 310 HPE” është skuter italian i kategorisë maxi-skuter, me motor 310 kubikë që zhvillon rreth 27,7 kuaj fuqi. Transmisioni automatik CVT, rrotat e mëdha dhe përmasat kompakte e bëjnë atë të përshtatshëm për lëvizje në trafikun urban.
Për policinë e trafikut, skuterët mundësojnë lëvizje më të shpejtë në trafikun e dendur, qasje më të lehtë në vendet e aksidenteve dhe rregullim më efikas të trafikut në rrugët dhe kryqëzimet e frekuentuara.
Nga MPB-ja thonë se blerja e re synon të rrisë mobilitetin e policisë së trafikut, të mundësojë kontroll më efikas të komunikacionit dhe të përmirësojë kushtet e punës së pjesëtarëve të policisë.
Ministri Panço Toshkovski theksoi se furnizimi është pjesë e aktiviteteve më të gjera për modernizimin e policisë dhe rritjen e sigurisë në trafik.
Ndërkaq, nga KRSSTR-ja u bë e ditur se do të vazhdojnë investimet për pajisjen e njësive policore që janë përgjegjëse për kontrollin e trafikut.
Me 33 “Piaggio Beverly 310”, policia e trafikut fiton mjete të reja që pritet të mundësojnë reagim më të shpejtë dhe mobilitet më të madh, veçanërisht në kushtet e trafikut të dendur urban.
Burimi: Ministria e Punëve të Brendshme (MPB)
Lajme nga vendi
Nis shpërndarja e kartelave për “naftën e gjelbër”, mbi 48 mijë fermerë përfitojnë
Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave ka nisur shpërndarjen e kartelave për “naftën e gjelbër” për fermerët, në një periudhë kur po përgatiten tokat për përpunimin vjeshtor dhe mbjelljen.
Për këtë masë këtë vit janë siguruar 584 milionë denarë, rreth 9.5 milionë euro, ndërsa janë përgatitur gjithsej 48.037 kartela.
Shpërndarja ka nisur në Sveti Nikollë, ndërsa më pas ka vazhduar në Manastir, bëri të ditur ministri i Bujqësisë, Borçe Serafimovski.
Mbështetja financiare varet nga sipërfaqet dhe kulturat bujqësore të deklaruara në kërkesat për pagesa direkte për vitin 2025 dhe varion nga 3.200 deri në 12.000 denarë për hektar.
Për kulturat drithore, si gruri, elbi, misri dhe orizi, fermerët përfitojnë 3.200 denarë për hektar. Për lulediellin, kolzën, jonxhën dhe disa kultura të tjera mbështetja është 4.800 denarë për hektar.
Për kulturat kopshtare dhe vreshtat janë paraparë 9.600 denarë për hektar, ndërsa mbështetja më e lartë, prej 12.000 denarësh për hektar, është për mollën, dardhën, kumbullën, pjeshkën dhe disa kultura të tjera frutore.
Për ftonjtë, shegët, bajamet, lajthitë dhe kultura të tjera të kësaj kategorie ndahen 8.800 denarë për hektar, për duhanin 11.000 denarë, ndërsa për arrat dhe gështenjat 6.000 denarë për hektar.
Në Sveti Nikollë janë shpërndarë kartelat e para nga gjithsej 1.900, me vlerë mbi 38.2 milionë denarë. Në Manastir janë përgatitur 3.858 kartela, me vlerë të përgjithshme prej rreth 57.5 milionë denarësh.
Sipas Ministrisë, qëllimi është që ndihma financiare të arrijë te fermerët pikërisht në periudhën kur ata kanë shpenzimet më të mëdha për përgatitjen e tokave, blerjen e farërave dhe plehrave, si dhe mirëmbajtjen e mekanizimit bujqësor.
Masa zbatohet përmes Programit për mbështetje financiare në bujqësi për vitin 2026.
Gjatë vizitës në Manastir, ministri Serafimovski është takuar edhe me bletarë nga Pellagonia. Në takim është bërë e ditur se në Ministri janë përgatitur urdhërpagesat për subvencionet e bletarëve dhe se pagesa pritet të realizohet sa më shpejt.
Ndërkohë, është paralajmëruar edhe brendimi i mjaltit maqedonas, përkatësisht atij të Mariovës, me qëllim promovimin e mëtejshëm të origjinës dhe cilësisë së tij.
-
Lajme nga bota2 months agoTRUMP: LARGIMI I INFANTINO-s NGA FIFA DO TË ISHTE NJË GABIM I RËNDË
-
Lajme nga rajoni2 months agoKrimi i rëndë në Kosovë/ Kjo është 25-vjeçarja që u vra me armë zjarri, dyshohet se u qëllua nga bashkëshorti i saj, ishte në javën e 34 të shtatzënisë
-
Lajme nga bota2 months agoTrump paralajmëron “luftë ekonomike” ndaj Iranit: Kush e ndihmon, do të përballet me pasoja


You must be logged in to post a comment Login