Lajme nga vendi
Shkalla e varfërisë në Maqedoni mbetet e lartë, hendek i dukshëm gjinor në tregun e punës
Maqedonia e Veriut mbetet mesatarisht e përgatitur në Kapitullin 19, përkatësisht fushën e politikave sociale dhe punësimit. Është bërë njëfarë progresi me uljen e mëtejshme të shkallës së papunësisë, rritjen e përfitimeve për ndihmën sociale dhe vazhdimin e zbatimit të masave lehtësuese socio-ekonomike për të adresuar ndikimin socio-ekonomik të pandemisë COVID-19, theksoi raporti i progresit i KE-së. Zbatimi i ligjit të ri për mbrojtjen sociale rezultoi në një ulje të lehtë të shkallës së varfërisë, e cila megjithatë mbetet ende e lartë, transmeton Portalb.mk.
Meqenëse rekomandimet e vitit të kaluar janë zbatuar vetëm pjesërisht, ato mbeten të vlefshme. Në vitin e ardhshëm, vendi duhet në veçanti:
të vazhdojë zbatimin e masave për aktivizimin e tregut të punës për të rinjtë, të papunët afatgjatë dhe me aftësi të ulëta, duke përfshirë gratë, personat me aftësi të kufizuara dhe romët, dhe të sigurojë vlerësimin e duhur të masave;
të përmirësojë më tej kapacitetet e Inspektoratit Shtetëror të Punës për të trajtuar çështjet që lidhen me sigurinë dhe shëndetin në punë; zhvillimi i një sistemi për gjurmimin e lëndimeve dhe vdekjeve në punë; dhe të përforcojë dialogun social dypalësh ndërmjet punëdhënësve dhe punëtorëve;
të krijojë një sistem monitorimi dhe vlerësimi për shërbimet sociale dhe vazhdimi i reformës së mbrojtjes sociale me lidhje më të forta me aktivizimin e punësimit.
Po punohet për ligjin e ri të punës me diskutime për çështje të pabarabarta dhe të hapura. Janë përmirësuar kapacitetet për të zbatuar politikat dhe legjislacionin e punës. Megjithatë, ato mbeten të pamjaftueshme, si dhe kapacitetet e Inspektoratit Shtetëror të Punës (IShP), performanca e përgjithshme e të cilit mbetet e ulët. ISHP-ja përmirësoi kapacitetet e saj me punësimin shtesë të njëzet e pesë inspektorëve dhe zbatimin e një sërë trajnimesh: nevojiten përmirësime të mëtejshme në fushën e sigurisë në punë. IShP ka kryer 9.530 inspektime (6.308 në fushën e marrëdhënieve të punës dhe 3.222 në fushën e sigurisë në punë (SP)). Pati 135 lëndime të rënda dhe 30 raste me vdekje.
Për shëndetin dhe sigurinë në punë, qeveria miratoi Strategjinë për sigurinë dhe sëndetin në punë 2021-2025 dhe Planin aksional për periudhën 2021-2023 në dhjetor 2021. Përgatitja e një ligji të ri vazhdoi duke marrë parasysh ndikimin e pandemisë COVID-19 . Sfida kryesore mbetet zbatimi joadekuat i dispozitave ekzistuese të Ligjit të punës, Ligjit për sigurinë dhe shëndetin në punë. Njohuria e punëdhënësve dhe punëmarrësve për të drejtat dhe detyrimet e tyre përkatëse është e kufizuar. Inspektorati Shtetëror i Punës është përballur me një numër të shtuar kërkesash për shkak të pandemisë COVID-19, përfshirë edhe inspektimet për kushtet e punës.
Funksionimi i dialogut social trepalësh në nivel kombëtar dhe lokal është duke u përpunuar, ndërsa në atë dypalësh ende mbetet prapa. Miratimi dhe zbatimi i kontratave kolektive në sektorin privat është i dobët. Konsultimet me partnerët social u bënë gjatë të gjitha ndryshimeve në marrëdhëniet e punës, përfshirë përgatitjet e aktit të ri të punës. Besimi i punëtorëve në kapacitetin e sindikatave për të funksionuar në mënyrë të pavarur nuk është përmirësuar. Zbatimi i Ligjit për zgjidhjen paqësore të kontesteve të punës ende nuk është zbatuar. Kapacitetet e partnerit social duhet ende të forcohen. Dispozitat në ligjin për arsimin fillor dhe ligjin për arsimin e mesëm, që lejojnë zëvendësimin e punëtorëve grevistë, mbeten të pandryshuara. Dialogu social dypalësh në sektorin publik rezultoi në përfundimin dhe rivendosjen e respektimit të marrëveshjeve kolektive, gjë që nuk ndodh në sektorin privat.
Shkalla e papunësisë është 15,2 % në TM4 2021, niveli më i ulët që nga pavarësia e vendit. Shkalla e punësimit të femrave u rrit me 0,5 pp (48,6 % e 15-64 vjeç) dhe punësimi i të rinjve (15-24 vjeç) u ul me 0,3 pikë përqindje (pp) në 18,3 % dhe shkalla e papunësisë së të rinjve u ul në 34,6 % në TM4 2021. Kjo është kryesisht për shkak të krizës COVID-19. Masa kryesore për trajtimin e papunësisë së të rinjve vazhdon të jetë Skema e Garancisë për të Rinjtë. Në vitin 2021, më shumë se 19,000 të rinj morën pjesë në program, me 41 % që gjetën me sukses mundësi punësimi ose trajnimi. Në Garanci për Rininë janë përfshirë 969 romë, nga të cilët 148 janë punësuar në periudhën 4 mujore. Punësimi i romëve, të papunëve afatgjatë dhe me aftësi të ulëta, si dhe personave me aftësi të kufizuara mbështetet nga skema e garantuar e asistencës minimale të prezantuar nga Ligji për Mbrojtjen Sociale.
Ekziston një nivel i moderuar i përgatitjes për pjesëmarrjen në Fondin Social Evropian. Menaxhimi indirekt me projektet e vendit përfitues (IMBC) janë në vazhdim. Nuk ka pasur progres në ngritjen e kapaciteteve brenda organeve shtetërore për të siguruar gatishmërinë e tyre për të menaxhuar Kuadri Mjedisor dhe Social (KMS).
Është bërë njëfarë progresi në fushën e përfshirjes dhe mbrojtjes sociale. Zbatimi i reformave që rrjedhin nga ligji i ri për mbrojtjen sociale ka përparuar. Ka një rritje prej 45 % në mbulimin e përfituesve të ndimës së garantuar minimale (NGM) dhe 48,8 % në sistemin e mbrojtjes së fëmijëve. Të drejtën për kompensim arsimor e kanë shfrytëzuar 28.749 nxënës të shkollave fillore dhe të mesme. Janë përgatitur 3.300 plane individuale aktivizimi për përdoruesit e NGM-së. U krijua një shkëmbim elektronik informacioni ndërmjet shërbimeve të punësimit dhe shërbimeve të mbrojtjes sociale. Është përgatitur Programi kombëtar 2022–2032 për Zhvillimin e Mbrojtjes Sociale. Përqindja e njerëzve që jetojnë në rrezik të varfërisë ose përjashtimit social ka rënë paksa vitet e fundit, por ende qëndron në një shifër shumë të lartë prej 32,6 % në vitin 2020. Sistemi i plotë i monitorimit dhe vlerësimit për shërbimet sociale dhe sistemi i duhur i centralizuar i TI-së për të ndjekur skemat e ndimës sociale janë të mangëta. Decentralizimi i ndihmës sociale mbetet i moderuar.
Zbatimi i strategjisë kombëtare për deinstitucionalizimin 2018-2027 ka përparuar. Vazhdoi zhvendosja e të rriturve nga kujdesi institucional në familje kujdestare ose strehim me bazë komuniteti. Qeveria miratoi planin e ri aksional për zbatimin e Strategjisë së deinstitucionalizimit 2002-2024. U krijuan ofrimi i shërbimeve të tilla si kujdesi në shtëpi, ndihma personale dhe jetesa e mbështetur. Është miratuar metodologjia për licencimin dhe përcaktimin e kostove të shërbimeve sociale dhe janë licencuar ofruesit e shërbimeve sociale jopublike. Shoqatat e qytetarëve dhe subjektet private janë licencuar si ofrues të shërbimeve sociale. Zhvendosja e përfituesve nga Instituti Special Demir Kapi vazhdon me hapjen e 15 njësive të reja banesore në komunat Negotinë, Veles, Demir Kapi dhe Shkup, disa të menaxhuara nga ofrues privat të shërbimevt të licencuar.
Sa i përket barazisë ndërmjet grave dhe burrave në punësim dhe politika sociale, vërehet një hendek i dukshëm gjinor në tregun e punës. Në veçanti, shkalla e punësimit për burrat ishte 64,3 % krahasuar me 45,5 % për gratë në vitin 2021. Të dhënat për incidentet e ngacmimeve seksuale në vendin e punës ose një sistem për të hetuar të tilla nuk janë të disponueshme. Sipas Ligjit për Sigurime Shëndetësore, gratë duhet të punojnë së paku gjashtë muaj me të njëjtin punëdhënës për të pasur të drejtën e pushimit të lehonisë. Kapacitetet e kujdesit për fëmijët dhe ato parashkollore u rritën gjatë vitit 2021 me 11 ambiente të reja të hapura, të cilat duhet të mbështesin kthimin e grave në vendin e punës. Në vitin 2022 kujdesi dhe edukimi ofrohet në 77 kopshte publike dhe 30 private. Kërkohet një rritje shtesë e kapaciteteve veçanërisht në zonat urbane. Si stereotipet gjinore ashtu edhe hendeku gjinor i pagave vazhdojnë.
Duhet të miratohet Ligji për Mbrojtjen nga Ngacmimi në Vendin e Punës dhe të vazhdojnë aktivitetet për ratifikimin e Konventës së Organizatës Ndërkombëtare të Punës për Dhunën dhe Ngacmimin e vitit 2019, numër 190.
Për mosdiskriminimin në punësim dhe politikën sociale, ekziston një kornizë gjithëpërfshirëse legjislative. Në vitin 2021, Komisioni i ri për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi ka punuar në 167 ankesa (77 ankesa të parashtruara në ish-Komisionin për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi, me 90 ankesa të dorëzuara në Komisionin e ri). Komisioni ka konstatuar se ka pasur diskriminim në 40 raste, ndërsa 65 % e rasteve kanë të bëjnë me punësimin dhe marrëdhëniet e punës dhe 85 për aksesin në mallra dhe shërbime. Avokati i Popullit ka punuar në 43 parashtresa për diskriminim, prej të cilave 22 raste në punësim dhe marrëdhënie të punës, dhe gjashtë në qasje në mallra dhe shërbime.
Ndryshe, rregullat sociale të BE-së për këtë fushë përfshijnë standardet minimale për ligjin e punës, barazinë, shëndetin dhe sigurinë në punë dhe mosdiskriminimin. Ata gjithashtu promovojnë dialogun social në nivel të Bashkimit Evropian.
Kujtojmë se Kapitulli 25 është një nga kapitujt e rrallë, që vendi i ka zbatuar plotësisht rekomandimet e vitit të kaluar dhe këtë vit ka rekomandime të reja.
Për dallim nga ky kapitull, gjatë vitit 2021, Maqedonia e Veriut nuk bëri asnjë progres në Kapitullin 8 – Politika e konkurrencës. Vendit iu rekomandua që të forcojë kapacitetet administrative dhe financiare, të rrisë transparencën e ndihmës shtetërore dhe të harmonizojë legjislacionin zbatues në ndihmën shtetërore. Ndërkohë, kapitulli – Shërbimet financiare ka shënuar progres në lidhje me përafrimin e pjesshëm me acquisin e BE-së për përfundimin e shlyerjes dhe për letrat me vlerë dhe fondet e investimeve, sidoqoftë, përsëri rekomandimet e vitit të kaluar janë zbatuar vetëm pjesërisht dhe një pjesë e rekomandimeve vlejnë edhe për këtë vit. Përparim të kufizuar, vendi shënoi edhe me avancimin e sistemit të kontrollit të brendshëm dhe llogaridhënies menaxheriale në përdoruesit e buxhetit si në nivel lokal ashtu edhe në atë qendror dhe miratimin e ligjit të ri organik të buxhetit në shtator 2022.
KE-ja vlerësoi gjithashtu se Maqedonia e Veriut është e përgatitur mesatarisht në shumicën e fushave të mbuluara nga Klasteri 2 në tregun e brendshëm, përkatësisht lëvizja e lirë të mallrave, shërbimeve dhe kapitalit, pronësisë intelektuale, politikës së konkurrencës, shërbimeve financiare dhe mbrojtja e konsumatorëve dhe shëndetit. Në Kapitullin 1, BE-ja thekson qartë se vendi nuk ka pasur progres në zbatimin e rekomandimeve të vitit të kaluar. E njëjta gjë nënvizohet edhe për Kapitullin 2, ndërsa Kapitulli 3 ka pasur progres të kufizuar.
Kujtojmë se raporti i Komisionit Evropian mbi progresin e Maqedonisë së Veriut në rrugën e saj të integrimit evropian u publikua me 12 tetor përpara Komitetit për Çështje të Jashtme të Parlamentit Evropian.
Lajme nga vendi
TETOVA NË VAPËN AFRIKANE – SI FRYMON QYTETI NË 40 GRADË?
Tetova këto ditë po përballet me temperaturat e larta të vapës afrikane. Termometri i afrohet 40 gradëve Celsius, ndërsa qyteti duket sikur ngadalëson ritmin dhe kërkon hije, freski dhe pak ajër.
Tetova në këto temperatura është një qytet që vazhdon të jetojë, por me një ritëm tjetër. Një tabelë e Drejtorisë për Punë Hidrometelereologjike tregon se në orën 14.00 në Tetovë janë matur 34.1 gradë Celsius. Por, në qytet vapa afrikane dhe netët tropikale tashmë janë bërë përditshmëri.
Rrugët në orët më të nxehta janë më të zbrazëta. Qytetarët shmangin daljet gjatë mesditës dhe, kur është e domosdoshme të dalin, kërkojnë rrugët me hije, freskojnë veten me ujë dhe përpiqen të kryejnë punët sa më shpejt.
Edhe tregtarët dhe punëtorët që janë të detyruar të qëndrojnë jashtë duhet ta përshtatin ritmin e punës. Uji, pushimet e shpeshta dhe shmangia e diellit bëhen domosdoshmëri.
Vapa ndryshon edhe zakonet. Takimet shtyhen për pasdite, aktivitetet sportive zhvendosen në orët e vona, ndërsa shumë familje preferojnë të qëndrojnë në ambiente të mbyllura gjatë pjesës më të nxehtë të ditës.
Daljet gjatë orëve të nxehta shtyhen për më vonë, pazaret dhe obligimet kryhen herët në mëngjes, ndërsa shëtitjet në qytet bëhen kryesisht në mbrëmje. Për shumë tetovarë, vera nuk është më vetëm një stinë pushimi, por një periudhë ku dita duhet planifikuar sipas temperaturës.
Në 40 gradë, qyteti nuk ndalet, në pritje të shiut, thjesht mëson të marrë frymë më ngadalë./Tv Koha/
Lajme nga vendi
DREJTORIA E GJIMNAZIT PËRGËNJESHTRON “LEVICËN”
Drejtoria e Gjimnazit „Kirili Pejçinoviq“ – Tetovë reagon ashpër ndaj informacioneve të publikuara lidhur me funksionimin e shkollës.
Drejtoria e Gjimnazit të Tetovës i ka përgënjeshtruar pohimet e një komunikate të partisë “Levica” ku ata pretendojnë se po nënçmohet gjuha maqedonase dhe se klasat janë të stërmbushura me nxënës.
Nga Drejtoria thonë se do ta kuptonin këtë gjuhë të “Levicës” nëse vendi ishte në fushatë zgjedhore, por duke prezantuar fakte përgënjeshtrojnë pohimet e partisë në fjalë.
Dje, faqja e internetit e shkollës u hakua në të tri gjuhët – maqedonisht, shqip dhe anglisht. Ekipi i IT-së së shkollës punoi intensivisht për zgjidhjen e problemit dhe arriti ta rikthejë funksionimin e saj. Faqja e internetit tashmë është në funksion dhe në të janë publikuar listat e nxënësve të pranuar në afatin e regjistrimit të qershorit.
Shpërndarja e nxënësve në paralele bëhet në përputhje me konkursin për regjistrimin e nxënësve në Gjimnaz, të publikuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, numrin e nxënësve të regjistruar dhe kapacitetet hapësinore të dy objekteve ku nxënësit e ndjekin mësimin në turnin e paradites.
Po ashtu, si tërësisht të pavërteta I kanë hedhur poshtë pretendimet se 50 nxënës do ta ndjekin mësimin në një klasë.
Drejtoria e shkollës është e përkushtuar për krijimin e shërbimeve dhe kushteve më të mira dhe më cilësore për zhvillimin e pandërprerë dhe të vazhdueshëm të procesit arsimor.
Sipas tyre, pikërisht informacione të tilla të paverifikuara, të pabazuara dhe të pasakta krijojnë kaos në arsim./Tv Koha/
Lajme nga vendi
BDI: Me dy vjet vonesë dhe 30 milionë euro më shtrenjtë, VLEN vazhdon projektin e BDI-së Shkup- Bllacë
Pas dy vitesh humbje kohe, VLEN sot po e paraqet si sukses vazhdimin e autostradës Shkup- Bllacë, projekt i përfunduar më 2 maj 2023 dhe i tenderuar po atë vit nga qeveria e kaluar, me një vlerë prej rreth 183 milionë eurosh.
Dy vjet më parë, VLEN dhe partnerët e tyre politikë e sulmonin projektin si “tepër të shtrenjtë” dhe “të papërshtatshëm”. Sot, pa ndryshuar as trasenë dhe as projektin, duke e vonuar pa asnjë nevojë për mbi dy vite, të njëjtën autostradë prej rreth 10 kilometrash do ta ndërtojnë për rreth 210 milionë euro, apo afërsisht 21 milionë euro për kilometër.
Pra, projekti që e kritikuan nuk është ndryshuar as për 0,1 për qind. Traseja është e njëjtë, projekti është i njëjtë, autostrada është e njëjtë.
Të vetmet gjëra që kanë ndryshuar janë dy vite vonesë dhe rreth 30 milionë euro më shumë nga paratë e qytetarëve.
VLEN duhet t’i përgjigjet opinionit: pse u bllokua për dy vjet një projekt i gatshëm dhe pse sot i njëjti projekt kushton rreth 30 milionë euro më shumë? Ku përfundojnë këto para dhe cili është arsyetimi për këtë shtrenjtim?
Shqiptarët humbën dy vite për një autostradë jetike, ndërsa qytetarët do të paguajnë dhjetëra milionë euro më shumë. Dy vite vonesë, 30 milionë euro më shtrenjtë dhe asnjë ndryshim në projekt, kjo është fatura e paaftësisë dhe keqmenaxhimit të VLEN-it.

