Lajme nga vendi
Investimet në Zonat e lira ekonomike thellojnë hendekun zhvillimor rajonal: Pollogu më i diskriminuari
Investimet e huaja në zonat e lira ekonomike (ZLE), në vend se të nxisin zhvillimin të të gjitha rajoneve, ato vetëm se kanë thelluar hendekun zhvillimor rajonal, thuhet në raportin e ri të Instituti për Politika Publike Arbën Xhaferi i titulluar “Ndikimi i Zonave të Zhvillimit Industrial dhe Teknologjik në zhvillimin rajonal”, transmeton Portalb.mk.
“Rajoni lindor, i cili është rajoni i pestë më i pasur sipas kriterit të PBB për kokë banori, i prinë listës së investimeve me 338 euro investime për kokë banori (9.2% e totalit), pasuar nga Pellagonia, rajoni i katërt më i pasur, me 270 euro investime për kokë banori (10.1% e totalit), dhe Shkupi, dukshëm rajoni më i pasur, me 252 euro investime për kokë banori, apo 51.4% e vlerës totale të investimeve”, thuhet në raport.
Pollogu, rajoni më i varfër në vend me PBB prej 2,264 euro për kokë banori, është më i varfri edhe me investime, me 41 euro të investuara për kokë banori, apo 2.4% e investimeve totale. Në Pollog, ZLE-të kanë kontribuar në krijimin e vetëm 29 vendeve të reja pune për 10,000 banorë, krahasuar për shembull me Rajonin Lindor, ku janë krijuar 130 vendeve të reja pune për 10,000 banorë.
Në Rajonin Verilindor, i dyti më i varfër në vend me PBB prej 2,863.83 euro për kokë banori dhe ku bëjnë pjesë Kumanova dhe Likova, nuk ka asnjë investim të huaj në ZLE.
“ZLE-të kanë potencialin për t’u bërë instrument i dobishëm për të rritur nivelin e harmonizimit zhvillimor ndërmjet rajoneve të Maqedonisë së Veriut. Por për këtë nevojitet vullnet politik shumë më serioz në rritjen e investimeve strategjike në nivelin rajonal, me synim të nxitjes së zhvillimit të barabartë ekonomik, krijimit të vendeve të reja të punës në rajonet me papunësinë më të lartë dhe përmirësimit të cilësisë së jetesës së gjithë qytetarëve”, tha Arben Fetai, drejtor i IPP Arbën Xhaferi.
Raporti bazohet në të dhënat e Agjencisë për investime te huaja dhe promovim të eksportit për investimet në ZLE në periudhën 2015-2021.
Investimet totale në ZLE kapin shumën prej 597.9 milionë euro në periudhën 2015-2021. Kompanitë amerikanë i prijnë listës me 219.5 milionë euro investime (apo 36.91% e investimeve totale), pasuar nga ato gjermane me 155.3 milionë (26.11%), italiane me 56.2 milionë (9.45%), britanike me 39.9 milionë (6.7%) dhe kineze me 39.5 milionë euro (apo 6.7% e totalit).
Gjatë periudhës në fjalë, Ministria e Eknomisë është udhëhequr në vazhdimësi nga kuadro shqiptare: Valon Saraçini, Driton Kuçi dhe Kreshnik Bekteshi nga Bashkimi Demokratik për Integrim.
Ndryshe, buxheti i rebalancuar me një sasi të reduktuar të investimeve kapitale do të përmirësojë në mënyrë kozmetike pasqyrën për sa i përket realizimit të investimeve publike – por, të dhënat para miratimit të buxhetit të ri të rishikuar tregojnë se vetëm 23% e investimeve publike të planifikuara janë realizuar në gjysmën e parë të vitit nga shuma totale e planifikuar me buxhetin e parë – kyçe për zhvillimin ekonomik.
Lajme nga vendi
MË 27 KORRIK NIS TURNEU TRADICIONAL I FUTBOLLIT ‘’XHEPÇISHTI 2026’’
Rinia e fshatit në bashkëpunim me klubin e futbollit “Xhepçishti”, nga data 27 deri më 31 korrik organizon turneun tradicional në futboll të vogël ‘’Xhepçishti 20926’’, ku pritet të marrin pjesë mbi 25 ekipe nga rajoni. Për ekipin fitues do të ndahen 3 mijë euro.
Në kuadër të javës kulturore në Xhepçisht, që përkon edhe me ardhjen e mërgimtarëve, nga data 27 deri më 31 korrik do të zhvillohet edicioni i tretë i turneut tradicional në futboll të vogël me moton ‘’Xhepçishti 2026’’.
Në këtë turnir, sipas organizatorëve, rinisë së këtij vendbanimi dhe klubit të futbollit Xhepçishti, pritet të marrin pjesë mbi 25 ekipe nga vendi dhe rajoni me emra të njohur të futbollit.
Bekim Sadiki, në cilësinë e organizatorit, për TV Koha tha se vazhdojnë ta kultivojnë traditën e këtij turneu dhe presin numër edhe më të madh të ekipeve.
‘’Edhe këtë vit klubi i futbollistik Xhepçishti dhe rinia e fshatit organizon turnirin tradicional ‘’Xhepçishti 2026’’, i cili turnir do të fillon nga data 27 korrik dhe do të zgjatë deri më datën 31 korrik. Qëllimi i këtij turneu është si zakonisht organizohet për nder të mërgimtarëve, për nder të bashkëfshatarëve të Xhepçishtit, të rajonit dhe vendit . Ne nëpërmjet të këtij dëshirojmë që bashkëfshatarët tanë apo pjesëmarrësit të cilët do të marrin pjesë gjithashtu edhe mërgimtarët të njihen mes veti , të takojnë shokë, miq e familja. E kjo të jetë një vlerë e shtuar për futbollin në vend’’ deklaroi Bekim Sadiki nga Këshilli organizativ.
Sipas këshillit organizativ, turneu në fazën e parë do të zhvillohet me sistemin e grupeve , ndërsa pas kësaj me sistemin e eliminimit direkt.
Organizatori për ekipin fitues, krahas kupës, do të ndaj 3.000 euro për ekipin fitues, për vendin e dytë 500 Euro dhe për vendin e tretë 250 Euro, ndërsa shpërblime do të ketë edhe për lojtarin, portierin dhe golashënuesin më të mirë.
Turneu do të zhvillohet në stadiumin me barë natyral te shkolla fillore “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në duke filluar nga ora 18.30.
Lajme nga vendi
UJI NË TETOVË ËSHTË I PIJSHËM, DO TË BËHEN ÇDO DITË ANALIZA
Pas rastit me ndotjen e ujit në Gostivar, në Tetovë do të bëhen çdo ditë analizat e ujit. Drejtor i NPK “Sharri”, Valon Zeqiri siguroi se në Tetovë uji është i pijshëm dhe për dallim nga e kaluara kur analizat janë bërë 2 herë në javët, tani më do uji i pijshëm do të analizohet çdo 24 orë me qëllim që të prevenohet çdo mundësi e ndotjes dhe dëmtimit të mundshëm të shëndetit të qytetarëve.
“E kuptoj shqetësimin e qytetarëve që është rritur ditëve të fundit. Kam marr shumë mesazhe dhe kam bërë edhe një postim. Por sot i kemi më të qarta dhe më të sakta i kemi edhe analizat që kanë daluar dhe analizat na tregojnë se uji në Tetovë është i pijshëm dhe nuk ka asnjë problem, prandaj qytetarët mund ta konsumojnë lirisht”.
Zeqiri thotë se pas rastit në Gostivar janë ashpërsuar të gjitha masat për kontrollin e rrjetit të ujësjellësit duke lutur njerëzit që të mos përhapin dezinofrmata për cilësinë e ujit në Tetovë.
“Jemi duke marr masa të rrepta në këtë drejtim dhe gjithmonë kemi marr masa të rrepta për pjesën e kujdesit ndaj ujit të pijshëm në qytetin e Tetovës por tash i kemi shpeshtuar analizat. Ata që kanë rrezikuar dhe tentojnë të rrezikojnë rrjetin e ujësjellësit do të ndëshkohen shumë ashpër me ligjin dhe të gjithë ata që i kanë bërë keqëpërdorimet i lusim të mos krijojnë huti te qytetarët e Tetovës dhe sa më shpejtë të drejtohen te ndërmarrja Sharri dhe t’i rregullojmë të njëjtat”.
Mbetet që monitorimi i vazhdueshëm dhe bashkëpunimi i qytetarëve me institucionet të jenë faktorët kryesorë për ruajtjen e sigurisë së furnizimit me ujë, duke forcuar besimin e publikut dhe duke parandaluar situata të ngjashme në të ardhmen./Tv Koha/
Lajme nga vendi
TETOVË: ERA E FUQISHME SHKAKTOI DËME TË VOGLA – EKIPET NË TERREN!
Pullaze të rrënuara nga ndërtesa, pemë të rrëzuara por edhe dëme tjera materiale la pas vetes stuhia e djeshme me erë të fuqishme në Tetovë.
Për shkak të motit të lig dhe erës së fuqishme disa fshatra dhe rajone të Tetovës mbrëmë pas orës 17.00 deri në orët e vona të pas mesnatës nuk kanë patur rrymë elektrike mbase për shkak të defekteve të largpërçuesit të shkaktuar nga era e fuqishme. Bëhet fjalë për rajonin e Komunës së Bogovinës.
Qendra për Menaxhim me Kriza njoftoi se pas motit të lig, të përcjellë me erë të fuqishme dhe reshje shiu që përfshiu territorin e vendit, në shumë rajone ishin regjistruar dëme materiale dhe ndërprerje të rrymës elektrike.
Sipas QMK-së, në Rajonin e Pollogut dhe territorin e Tetovës nuk ka të regjistruar raste më të rënda që kishin kërkuar intervenime urgjente. Janë evidentuar dëme të vogla, kurse shërbimet kompetente janë në terren. Situata është stabile dhe nën kontroll – thonë nga Qendra për Menaxhim me Kriza.
Në terren kanë dalë edhe ekipet e NPK – Tetova.
Sipas tyre, pas erës së fuqishme që përfshiu qytetin, së bashku me stafin e NPK “Tetova” është reaguar menjëherë, duke dalë në terren për largimin e drunjve dhe degëve të rrëzuara, pastrimin e mbeturinave dhe eliminimin e pengesave të krijuara, me qëllim rikthimin sa më të shpejtë të normalitetit për qytetarët, ka njoftuar Drejtori I NPK – Tetova, Samet Bislimi përmes rrjeteve sociale.
Ndërkohë, metereologët kanë dalë me shpjegim profesional për shkaqet që çuan në motin e lig, që dje goditi disa rajone të tjera të vendit.
Sipas analizave shkaku kryesor i stuhisë ishte depërtimi i menjëhershëm i një fronti të ftohtë atmosferik nga veriu në shtresat e larta të atmosferës.
Ky front i ftohtë u përplas drejtpërdrejt me masën shumë më të ngrohtë të ajrit që vinte nga jugu dhe që paraprakisht ishte vendosur mbi Maqedoninë e Veriut.
Metereologët thonë se atmosfera ishte ngrohur ndjeshëm dhe ishte mbushur me energji për shkak të temperaturave të larta të regjistruara gjatë ditëve të fundit.
Përplasja e këtyre masave ajrore shkaktoi formimin e reve të fuqishme me bubullima, të cilat sollën erëra të forta, reshje të rrëmbyeshme shiu dhe dëme të konsiderueshme materiale, veçanërisht në zonën e Shkupit.
Përkeqësimi i menjëhershëm I motit, sipas metereologëve, po dëshmon se atmosfera mbi Maqedoninë e Veriut dhe të gjithë Ballkanin po bëhet gjithnjë e më e paqëndrueshme nga pikëpamja meteorologjike.
Pikërisht për këtë arsye, ata bëjnë thirrje, që në të ardhmen autoritetet dhe qytetarët të përgatiten me kohë për fatkeqësi të tilla natyrore, të cilat, sic thonë, për fat të keq, do të bëhen gjithnjë e më të fuqishme dhe më të shpeshta./Tv Koha/




