Lajme nga vendi
Bekteshi: Çmimi i rrymës do të rritet vetëm për ata që harxhojnë më tepër
Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi në konferencën e sotme për shtyp tha se me shumë gjasa pas 1 janarit çmimi i energjisë elektrike nuk do të ndryshojë për bllokun 1 dhe 2 të tarifave.
Bekteshi tha se çmimi i energjisë elektrike pritet të rritet vetëm për ata që harxhojnë më tepër energji elektrike, respektivisht për blloqet tjera tarifore.
“Nuk është në rregull që në kohë krize disa amvisëri të caktuara të cilat kanë të ardhura më të larta, të cilët mund të paguajnë faturat e energjisë elektrike të kenë çmim të njëjte me ata qytetarë të cilët kanë të ardhura mesatare. Amvisëri të caktuara në vendin tonë kanë harxhuar më shumë se disa kompani edhe atë kompani të mëdha në vendin tonë. Po flasim për mbi 30- 40 megavat në muaj, që do të thotë se këto amvisëri do të paguajnë në përputhje me kushtet e tregut në çmimin e energjisë elektrike dhe pse jo edhe me marzhë shtesë nga EVN- Home dhe EMV”
Lajme nga vendi
Dogana kap bizhuteri “Swarovski” me vlerë rreth 5.400 euro
Dogana e Maqedonisë së Veriut ka sekuestruar bizhuteri të markës “Swarovski” me vlerë prej 333 mijë denarësh në Pikën Kufitare të Aeroportit Ndërkombëtar të Shkupit, pasi ato u zbuluan gjatë kontrollit të detajuar të një udhëtareje që po hynte në vend.
“Bëhet fjalë për një shtetase të Maqedonisë së Veriut, e cila mbërriti me një fluturim nga Zagrebi. Me qëllim që të shmangte pagesën e detyrimeve doganore, ajo u drejtua në korridorin e gjelbër në vend të atij të kuq. Gjatë kontrollit, udhëtarja deklaroi se nuk kishte asgjë për të paraqitur. Pas skanimit me rreze X dhe kontrollit të bagazhit, u zbuluan 23 copë bizhuteri të markës ‘Swarovski’”, njoftojnë nga Dogana.
Sipas autoriteteve doganore, rasti i është dorëzuar Departamentit të Hetimeve pranë Sektorit për Kontroll dhe Hetime, i cili ka ngritur kallëzim penal për veprën penale “kontrabandë”, e dënueshme sipas Kodit Penal.
Lajme nga vendi
Ministria e Brendshme: U dëmtuan vetura, objekte të ministrive, si dhe 10 persona u lënduan
Ministria e Punëve të Brendshme informon se zyrtarët e policisë janë vazhdimisht në terren dhe po veprojnë sipas të gjitha raporteve që lidhen me pasojat e stuhisë së fortë, në koordinim me institucionet e tjera kompetente. MPB informoi se aktivitetet janë duke u zhvilluar për të siguruar sigurinë publike, pastrimin e dëmeve dhe normalizimin e trafikut dhe funksioneve publike.
Pasojat më të mëdha u regjistruan në zonën e Sektorit për Punë të Brendshme Shkup. Deri në orën 22:00 të djeshme, u regjistruan 117 automjete pasagjerësh të dëmtuara, 35 çati të dëmtuara, 189 pemë të rrëzuara, shtatë semaforë të dëmtuar, pesë zjarre dhe 10 persona të lënduar.
“Stuhia shkaktoi dëme edhe në disa institucione shtetërore dhe objekte me rëndësi jetike. Dëme u regjistruan në objektet e Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, kompleksin “Vili Vodno”, Bazën Policore të Aeroportit Petrovec, ndërtesën “Nova Makedonija”, si dhe në objektet e Ministrisë së Financave, Ministrisë së Bujqësisë dhe Prokurorisë Publike”.
“Në Kumanovë u raportuan nëntë automjete të dëmtuara dhe tre çati të dëmtuara, ndërsa pesë raste u regjistruan në zonën e SPB Tetovë – tre automjete të dëmtuara dhe dy struktura çatie të dëmtuara. Në Gostivar nuk u raportuan dëme ose persona të lënduar”.
“Në zonën e SPB Veles u regjistruan dy automjete të dëmtuara për shkak të pemëve të rrëzuara, ndërsa në Shtip u raportuan 14 makina të dëmtuara dhe gjashtë çati të dëmtuara”.
“Në Strumicë, erërat e forta rrëzuan shtylla elektrike në fshatrat Dobroshinci dhe Gradosorci, gjë që shkaktoi edhe ndërprerje të furnizimit me energji elektrike në fshatin Svidovicë”.
“Nuk u regjistruan pasoja të mëdha në rajonin e Manastirit, përveç një ere të fortë afatshkurtër në zonën e Makedonski Brod, pa dëme materiale”, thanë nga MPB.
Ministria e Brendshme njoftoi se ekipet e policisë mbeten në terren dhe vazhdojnë të pastrojnë pasojat dhe të sigurojnë sigurinë e qytetarëve. përcjell Zhurnal.mk .
Lajme nga vendi
Çati, pemë dhe semaforë të rrëzuar dhe rrugë të bllokuara nga moti i keq në Shkup
Stuhia e shoqëruar me shi të rrëmbyeshëm dhe erëra të forta që e goditi Shkupin pasdite në orën 17:00 shkaktoi dëme materiale, me çati dhe pemë që ranë mbi automjete dhe semaforë të rrëzuar. Një pjesë e rrugëve janë të bllokuara për trafik. Moti i keq ka përfshirë edhe Kumanovën gjatë asaj periudhe, ku gjithashtu ka pemë dhe shtylla të rrëzuara, ndërsa në disa vende janë shembur edhe strukturat e çative.
Kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, njoftoi se për shkak të stuhisë së fortë që përfshiu Shkupin, Shtabi i krizës i Qytetit të Shkupit, së bashku me të gjitha shërbimet kompetente dhe ndërmarrjet publike, është plotësisht i mobilizuar dhe i përgatitur për ndërhyrje të shpejtë dhe në kohë.
Ai në një postim në Fejsbuk, theksoi se janë në koordinim të vazhdueshëm me Qendrën për Menaxhim të Krizave, Ministrinë e Punëve të Brendshme, EVN-në, Brigadën e Zjarrfikësve të Qytetit të Shkupit dhe të gjitha institucionet kompetente.
Nga DPHM informojnë se moti i lig me erë të fortë, reshje të rrëmbyeshme dhe bubullima në orën 18 e ka përfshirë edhe Shtipin dhe Koçanin dhe drejtimi i lëvizjes është Vinica.

