Lajme nga vendi
“Mavrova” dhe “Sharri” së shpejti pjesë e zonës më të madhe të mbrojtur në Evropë
Parku Kombëtar i Mavrovës dhe Parku Kombëtar Malet e Sharrit në Maqedoninë e Veriut, Parku Natyror Korab-Koritnik në Shqipëri dhe Parku Kombëtar Sharri në Kosovë do të jenë së shpejti pjesë e një parku ndërkufitar, më i madhi i këtij lloji në Evropë me një sipërfaqe mbi 242 mijë hektarë, transmeton Portalb.mk.
Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Maleve është zhvilluar në Tiranë takimi ndërministror mes Ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të Maqedonisë së Veriut Naser Nuredini, Ministres së Mjedisit dhe Turizmit Mirela Kumbaro dhe Ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës të Kosovës Liburn Aliu.
Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor i Maqedonisë së Veriut Naser Nuredini foli për një vizion që mbron vlerat natyrore të zonave të mbrojtura, por nga ana tjetër siguron një menaxhim të qëndrueshëm duke mos i kthyer ato në muze të natyrës, por krijojnë mundësi të reja për zhvillimin socio-ekonomik të komuniteteve lokale.
“Lidhja natyrore ndërkufitare e zonave të mbrojtura të Parkut Natyror Korab–Koritnik në Shqipëri, Parkut Kombëtar të Mavrovës dhe Parkut Kombëtar Malet e Sharrit në Maqedoninë e Veriut, si dhe Parku Kombëtar Sharri në Kosovë, hap mundësi të reja për mbrojtje më të madhe të florës dhe faunës, duke u përballur më mirë me veprimet ilegale, monitorim më të mirë, mundësi më të mëdha për zhvillimin e eko-turizmit dhe formave alternative të turizmit”, tha Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor Naser Nuredini.
“Ne i shohim zonat e mbrojtura si ofrues të përfitimeve përtej kufijve – përtej kufijve të tyre në një hartë, përtej kufijve të shteteve kombëtare – midis shoqërive dhe brezave që jetojnë në këto zona. Këto vargmale shërbejnë si një korridor ekologjik, që strehon një numër të madh llojesh të rëndësishme bimësh e kafshësh, jo vetëm në nivel rajonal por edhe në nivel europian e ndërkombëtar, siç është për shembull brezi i gjelbërt europian. Përsa i përket turizmit, i shohim zonat e mbrojtura si një mundësi shumë e mirë për zhvillimin e ekoturizmit me gjithë format e tij”, u shpreh Ministrja Kumbaro.
Sipas ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës të Kosovës Liburn Aliu, ky projekt do të ofrojë një optikë të re për zhvillimin e zonës së bjeshkës së Sharrit.
“I kemi këta kufij në mes dhe kemi dëshira për përfitime nga kompani të ndryshme që duan të depërtojnë dhe të ndërtojnë në atë zonë. Detyra jonë është që të vendosim rregulla duke pasur parasysh të kaluarën në mënyrë që edhe të zhvillohemi, edhe ta shfrytëzojmë, por edhe ta mbrojmë atë çka është mjaft e vlefshme. Në vitin 2013 e kemi rritur territorin e Parkut Kombëtar të Sharrit në 53.469 hektarë”, u shpreh ministri Aliu.
Ministri Aliu u shpreh se përveç destinacionit turistik të Brezovicës, ka një plan hapësinor për të zhvilluar zona të tjera të turizmit malor dimëror, por edhe veror, në përputhje me kriteret e mbrojtjes së natyrës.
Ky projekt mes tre vendeve synon zhvillimin e përbashkët ndërkufitar i turizmit miqësor ndaj natyrës, menaxhim i përbashkët ndërkufitar i rajonit, promovimin e përbashkët të trashëgimisë së veçantë natyrore dhe kulturore përtej kufijve etj. Në takim morën pjesë edhe përfaqësues të UNEP, Programit Mjedisor të Kombeve të Bashkuara që do të mbështesë këtë projekt. Nga ana tjetër, Daniel Pirushi, Drejtoreshë e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura sqaroi se brenda tre muajsh do të ngrihet komiteti i menaxhimit të zonës së mbrojtur që do të nisë punën për këtë projekt.
Lajme nga vendi
“TETOVA N`FESTË”: MBAHET ORA POETIKE “PUHIZË NË VARGJE”
Në kuadër të aktiviteteve të Verës Tetovare “Tetova n’Festë”, u organizua ora poetike “Puhizë në Vargje”, të organizuar nga Shoqata e Shkrimtarëve “OENEUM”.
Ky aktivitet mblodhi poetë, krijues dhe dashamirës të letërsisë, duke sjellë një mbrëmje të veçantë kushtuar poezisë, fjalës së bukur dhe vlerave kulturore që pasurojnë jetën artistike të qytetit tonë.
U lexuan poezi, poetët nga vendi, Kosova e Shqipëria lexuan punimet e tyre autoriale. Ata vinin nga Kukësi, Dibra, Prizreni, Vitia, Suhareka, Shkupi, Gostivari dhe Tetova.
Komuna e Tetovës, sic thanë autoritetet e kësaj Komune, mbetet e përkushtuar në mbështetjen e aktiviteteve kulturore që promovojnë krijimtarinë, artin dhe afirmimin e vlerave letrare.
Shoqata e Shkrimtarëve Oeneum ka falënderuar pjesëmarrësit e orës poetike “Puhizë në vargje” por ka nderuar me mirënjohje edhe Bruno Cekën veprimtarin e cështjes kombëtare që veprom në diasporë duke potencuar se vlera dhe kontributi I tyre për çështje kombëtare është e pa përshkrueshme me fjalë./Tv Koha/
Lajme nga vendi
Kronika e zezë – Tetovë dhe Gostivar, 16 Korrik
Dje në ora 14:00 në Tetovë, zyrtarë policorë nga SPB Tetovë kanë privuar nga liria një 29-vjeçare nga Tetova, duke vepruar sipas një denoncimi paraprak se ajo kishte sulmuar fizikisht djalin e saj shtatëvjeçar. Ajo është ndaluar në stacionin policor dhe pas dokumentimit të rastit do të vijojë parashtresë përkatëse.
……
Dje në ora 00:15, në SPB Tetovë, një 46-vjeçar nga fshati Xhepçisht ka denoncuar se në oborrin e një shtëpie në fshati Xhepçisht është sulmuar fizikisht nga dy persona nga i njëjti fshat, ndërsa është përdorur edhe një send të fortë. Po ndërmerren masa për zbardhjen e rastit.
……
Dje në ora 12:45 në SPB Tetovë, një grua 38 vjeçare nga Tetova ka denoncuar se ka vërejtur se nga data 30.06.2026 deri më 15.07.2026 janë kryer 78 transaksione të paautorizuara me kartelën e saj debitore, me çka është dëmtuar për një shumë të përgjithshme prej 226.172 denarë. Po ndërmerren masa për zbardhjen e rastit.
……
Dje në ora 11:00, në rrugën Kuzman Josifovski Pitu në Tetovë, zyrtarë policorë nga SPB Tetovë, në bazë të urdhëresës gjyqësore, kanë privuar nga liria një 59-vjeçar nga Tetova, i kërkuar për vuajtje të dënimit me burg për vepër penale të kryer sipas nenit 235 a paragrafi 1 të Kodit Penal. Ai është dërguar në Institucionin Ndëshkimor Përmirësues Burgu i Tetovës për vuajtjen e dënimit.
…..
Dje në ora 13:50, në SPB Tetovë, një 34-vjeçar nga Tetova ka denoncuar se në rrethin e një fabrike në Tetovë është sulmuar fizikisht. Po punohet në zbardhjen e rastit.
……
Dje në ora 17:45, në bulevardin Vëllezërit Gjinovski në Gostivar, zyrtarë policorë nga Stacioni Policor për Siguri në Trafikun Rrugor Gostivar kanë ndaluar një moped me targa të Gostivarit, i drejtuar nga një 17 vjeçar nga fshati Bellovisht, Gostivar. Gjatë kontrollit është konstatuar se i mituri po drejtonte mopedin para se të fitonte të drejtën e drejtimit, përkatësisht pa patentë shofer. Pas konsultimit me prokurorin publik kujdestar pranë PTHP Gostivar, shoferi është privuar nga liria, mopedi është konfiskuar dhe pas dokumentimit të rastit do të dorëzohet kallëzim përkatës.
……
Pas mesnate në ora 00:25, në një kazino në Tetovë, zyrtarë policorë nga SPB Tetovë kanë privuar nga liria një 59-vjeçar nga fshati Reçicë e Vogël, pasi gjatë kontrollit tek ai është gjetur një qese me lëndë pluhur të bardhë. Pas dokumentimit të rastit do të dorëzohet parashtresë përkatëse.
……
Pas mesnate në ora 00:30, në rrugën rajonale Tetovë – Jazhincë, në fshatin Përshefcë, zyrtarë policorë nga Stacioni Policor Tearcë kanë ndaluar një automjet udhëtarësh BMV me targa të Tetovës, i drejtuar nga një 19-vjeçar, ndërsa si bashkëudhëtarë kanë qenë dy 19-vjeçarë tjerë dhe një 14 vjeçar, të gjithë nga fshati Novo Sellë, Zhelinë. Gjatë kontrollit të automjetit janë gjetur dhe konfiskuar tri kapele të zeza fantomka, tri thika dhe një pendrek. Ata janë arrestuar dhe ndaluar në stacionin policor dhe pas dokumentimit të rastit do t u dorëzohet kallëzim përkatës sipas nenit 80 paragrafi 1 të Ligjit për Armët.
Lajme nga vendi
AUV-ja po kryen analiza të jashtëzakonshme, analizat e fundit treguan se uji në Gostivar ka qenë i sigurt për pije
Pas paraqitjes së një numri të shtuar të qytetarëve që gjatë dhjetë ditëve të fundit janë ankuar për probleme me stomakun, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka kërkuar të kryhen kontrolle të jashtëzakonshme të ujit të pijshëm që shpërndahet përmes ujësjellësit të qytetit në Gostivar. Nga Departamenti për Higjienë dhe Ekologji Shëndetësore pranë Qendrës së Shëndetit Publik-Gostivar, kanë konfirmuar se dje është kryer një kontroll i jashtëzakonshëm dhe janë marrë mostra nga katër pika matëse.
Në lidhje me: Dyshime për ndotje të ujit në Gostivar, MPB: Ujësjellësi dhe komuna dyshohet se injektuan në rrjet ujë nga ujërat e zeza
“Sa i përket ujit dhe situatës aktuale, përveç analizave të rregullta kemi bërë edhe analiza të jashtëzakonshme. Rezultatet e fundit të analizave që i kemi kryer të hënën ishin të mira, përkatësisht parametrat fiziko-kimikë dhe mikrobiologjikë ishin në rregull. Dje kemi marrë edhe disa mostra të tjera për analiza të jashtëzakonshme, por për rezultatet duhet të presim deri nesër ose eventualisht deri të hënën. Për momentin nuk mund të themi asgjë konkrete për to”, deklaroi për MIA-n, dr. Berun Mustafa, specialist i higjienës në Qendrën e Shëndetit Publik në Gostivar.
Nga Spitali i Përgjithshëm “Ferid Murad” kanë konfirmuar se në repartin infektiv dhe atë pediatrik ka një numër të shtuar kontrollesh dhe qytetarësh që ankohen për diarre, dhimbje barku, të vjella dhe temperaturë të lartë. Sipas gjetjeve fillestare dhe pamjes klinike, me shumë gjasa bëhet fjalë për viroza sezonale dhe nuk ka lidhje epidemiologjike mes rasteve. Mjekët rekomandojnë që qytetarët të kenë kujdes më të madh për higjienën dhe zakonet e përditshme, veçanërisht gjatë periudhës së verës kur temperaturat janë të larta dhe rreziku nga infeksionet e zorrëve rritet ndjeshëm.
“Qytetarët duhet të jenë të kujdesshëm për shkak të numrit të shtuar të sëmundjeve të zorrëve, si nga uji ashtu edhe nga ushqimi. Para së gjithash, nuk duhet të konsumojnë ushqime që mund të shkaktojnë këto sëmundje, si ushqimet që nuk janë përgatitur mirë termikisht. Ushqimet dhe produktet duhet të jenë të freskëta. Gjithashtu, frutat dhe perimet duhet të lahen mirë para përdorimit. Dhe natyrisht, uji duhet të përdoret nga burime për të cilat qytetarët konsiderojnë se janë të sigurta”, rekomandoi dr. Mustafa.
Tri analizat e fundit të ujit nga ujësjellësi i Gostivarit, të kryera gjatë muajit të fundit nga Departamenti për Higjienë dhe Ekologji Shëndetësore pranë Qendrës së Shëndetit Publik, kanë treguar se uji ka qenë i shëndetshëm dhe i sigurt për përdorim.

