Lajme nga vendi
Kovaçevski: Zgjedhje në vitin 2024
I pyetur për arsyen e aktiviteteve dhe tribunave të shumta të LSDM-së në kohën e fundit dhe për atë nëse LSDM po përgatitet për zgjedhje të parakohshme parlamentare, kreu i kësaj partie, njëherë edhe kryeministri, Dimitar Kovaçevski thotë se zgjedhjet do të mbahen në vitin 2024. Kovaçevski tha se zgjedhjet parlamentare dhe ato presidenciale do të mbahen në afatin e rregullt ndërsa u shpreh se është i bindur në fitoren e LSDM-së dhe koalicionit, marrë parasysh edhe sondazhin e fundit të IRI.
“Zgjedhje do të ketë në vitin 2024, fillimisht presidenciale dhe më pas parlamentare. Edhe anketa thotë se qytetarët janë të ndarë për ardhmëri evropiane të vendit sepse nëse shihen me kujdes përqindjet e partive që janë për Maqedoni evropiane dhe për anëtarësim në BE dhe partive që janë për bllokim të atij procesi, atëherë prapë shihet dallimi, dhe mund që tani të shihni rezultatin që në vitin 2024 do të kemi president të shtetit që është për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në BE, kurse të tillë mund të propozojmë vetëm ne, LSDM, normalisht me partnerët e koalicionet dhe se do të kemi qeveri në vitin 2024 që prapë do të udhëhiqet nga LSDM dhe partnerët e koalicionit që janë për vazhdimin e rrugës evropiane të vendit dhe anëtarësimin në BE deri në vitin 2030”, tha Kovaçevski.
Lajme nga vendi
MPB, të hënën në mëngjes grevë e doganierëve grekë në pikat kufitare
Ministria e Punëve të Brendshme i njofton qytetarët se, sipas informacioneve të pranuara nga organet kompetente të Republikës së Greqisë, më 27.07.2026 (e hënë) është paralajmëruar grevë e punonjësve të doganave në pikat kufitare greke Evzoni (Bogorodicë), Dojrani (Dojran) dhe Niki (Mexhitli).
“Gjatë periudhës nga ora 05:00 deri në 09:00 sipas kohës së Maqedonisë (06:00–10:00 sipas kohës së Greqisë), në këto pika kufitare, automjetet e udhëtarëve do të lejohen të kalojnë çdo 10 minuta, ndërsa qarkullimi i automjeteve të transportit të mallrave do të jetë plotësisht i ndërprerë, si për hyrje ashtu edhe për dalje nga Republika e Greqisë”.
“Ministria e Punëve të Brendshme do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme dhe do të angazhojë të gjitha kapacitetet njerëzore dhe teknike për menaxhimin e situatës”, – thonë nga MPB.
Lajme nga vendi
Ulet numri i rasteve të qytetarëve që kërkojnë ndihmë mjekësore në Gostivar
Sipas të dhënave nga institucionet publike shëndetësore në Gostivar, gjatë ditës së djeshme (23.07.2026) janë regjistruar gjithsej 197 pacientë të rinj, përkatësisht persona që për herë të parë kanë kërkuar ndihmë mjekësore, çka tregon një ulje krahasuar me një ditë më parë.
Në Spitalin e Përgjithshëm “Dr. Ferid Murad” në Gostivar janë regjistruar gjithsej 117 vizita të reja, prej të cilave 82 në repartin e sëmundjeve infektive (pa shtrime të reja në spital dhe me tre pacientë të liruar), 40 në repartin e pediatrisë dhe 7 vizita në Qendrën e Urgjencës.
Në Shtëpinë e Shëndetit në Gostivar janë regjistruar 80 vizita të reja në shërbimin kujdestar, si dhe 13 thirrje në Shërbimin e Ndihmës së Shpejtë.
Lajme nga vendi
Hetime për kredinë hungareze 1 miliardë € që mori Maqedonia e Veriut, urdhëron Magyar
Qeveria në Hungari, e udhëhequr nga Péter Magyar, do të hetojë nëse ka pasur keqpërdorim të mundshëm të fondeve shtetërore në lidhje me kredinë prej një miliard eurosh që “Eximbanka” shtetërore ia dha Maqedonisë së Veriut.
Kështu njoftoi dje Magyar, i cili, siç raportuan mediat vendase, ndau se kredia e marrë nga Maqedonia e Veriut është një nga katër rastet e lidhura me “Eximbank”-un, për të cilat sot Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës ka dorëzuar ankesa, shkruan Fokus.
„Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës dorëzoi katër ankesa të enjten për mashtrim të dyshuar në vlerë totale prej një mijë miliardë forintash, në katër raste të ndryshme. Të gjitha kanë të bëjnë me aktivitetet e ‘Eximbank’-ut“ – tha Magyar.
Ai theksoi se kredia u dha në kushte shumë të favorshme me një normë interesi prej 3,25 për qind.
Kredia, tha ai, do t’i kushtojë buxhetit hungarez 90 miliardë forinta (rreth 248 milionë euro) për shkak të diferencave të interesit.
„Kjo paraqet një barrë prej 90 miliardë forintash (rreth 248 milionë euro) për buxhetin hungarez, ndërsa shteti hungarez mori përsipër garanci 100 për qind për kredinë nën udhëheqjen e qeverisë së Orbanit“, tha Magyar.
Sipas tij, norma e interesit me të cilën “Eximbanka” shtetërore i dha kredinë Maqedonisë është shumë më e favorshme se normat e interesit me të cilat kompanitë hungareze dhe qytetarët e vendit marrin hua.(INA)

