Lajme nga vendi
Mosndëshkimi i krimit dhe korrupsionit, Selmani: Po vazhdoi, do të mbesim pa qytetarë
Vendet e Ballkanit Perëndimor, akoma janë të zhytura thellë në korrupsion, këtë e tregojnë edhe raportet evropiane. Ky ishte vlerësimi i profesorëve panelistë në “ARGUMENT” në TVM2. Fakti që sa herë ndryshohen qeveritë, ndryshohen edhe ligjet, që sipas tyre nënkupton se ligjet sillen për qeveritarët dhe jo për qytetarët. E fakt për këtë sjellin faljen e të korruptuarve nga radhët e politikës teksa burgjet janë plot me njerëz të pafajshëm.
“Në asnjë vend të botës nuk ka ndodhur që korrupsioni ta gëlltisë Prokurorinë Speciale, fatkeqësisht një strategji e përbashkët serioze se si të luftohet krimi dhe kriminaliteti, sepse nëse do të vazhdojë ky trend që të minimizohet çështja e korrupsionit, krimit dhe kriminalitetit ne do të mbesim pa qytetarë. Maqedonia është e paaftë për ta luftuar korrupsionin dhe kjo i ka kapilarët e zëna dhe ka nevojë për një ndërhyrje kirurgjikale, prandaj propozoj që të formohet një institucion i veçantë ndërkombëtar ku nga jashtë do të luftohet krimi dhe korrupsioni. Kështu ka bërë BE me Bullgarinë, Rumaninë, Hungarinë.”, – u shpreh profesori universitar, Bashkim Selmani.
Beqiri: I burgosin para kamerave, i falin në heshtje
“I nisim aksionet policore në mënyrë pompoze ku burgoset edhe ministri i MPB me kamera, bëhet film, kur pritet rezultati s’ka epilog. Kapet ish-drejtori i Sigurimit shtetëror tani i falet gjykimi. 22 vite merren me krimet, me burgjet, me organet ekzekutive, dhe a e dini sa njerëz të pafajshëm janë në burgje dhe sa njerëz fajtorë që kanë kryer krime janë në liri, pse nuk burgosen këto, pse nuk gjykohen këto, por edhe kur të nisen të gjykohen në fund s’ka epilog.”, – deklaroi profesori universitar, Mitasin Beqiri.
Rameti: S’duhet të bëjmë gabime në rrugën drejt BE-së
“Duhet sa më shumë të mendojmë dhe qeveritë duhet të mendojnë dhe të japin mundësi që të jemi në përputhje me kërkesat që i jep Evropa dhe ato të jenë të realizueshme dhe mos të bëjmë gabime në këtë drejtim.”, – theksoi profesori universitar, Besnik Rameti.
Sipas tyre, nuk mund të flasin për gjyqësor të pavarur, përderisa buxheti i këtij gjyqësori është i varur nga buxheti i shtetit. Pranuan, megjithatë se korrupsioni është i pranishëm edhe në Bashkimin Evropian por ky nuk është arsyetim që ai duhet të lulëzojë në RMV.
Lajme nga vendi
Sekuestrohen 168.7 kilogramë duhan pa pulla akcize në Prilep, gjashtë persona përballen me procedura ligjore
Dogana e Maqedonisë së Veriut ka sekuestruar 168.7 kilogramë duhan të prerë, gjatë një aksioni kontrollues në Tregun e Gjelbër dhe sheshin e qytetit në Prilep. Sipas Drejtorisë së Doganave, me këtë veprim është parandaluar shmangia e pagesës së akcizës në vlerë prej 463.787 denarësh.
Aksioni është realizuar nga doganierët e Doganës së Manastirit, në bashkëpunim me ekipet mobile të Departamentit për Çështje Operative, ndërsa për mbështetje është kërkuar edhe ndihma e policisë.
Nga Drejtoria e Doganave bëjnë të ditur se gjatë kontrolleve janë kapur gjashtë persona duke shitur duhan pa pulla akcize, në kundërshtim me legjislacionin në fuqi. Ndaj tyre janë iniciuar procedura përkatëse pranë gjykatës kompetente dhe Komisionit për Kundërvajtje.
„Gjashtë persona u kapën duke shitur duhan pa pulla akcize, duke shkelur rëndë ligjin, duke dëmtuar buxhetin e shtetit dhe duke rrezikuar shëndetin e qytetarëve”, thuhet në njoftimin e Doganës.
Ky është aksioni i dytë i këtij lloji i realizuar nga Drejtoria e Doganave brenda një periudhe të shkurtër kohore. Në një kontroll të mëparshëm në tregun e Çairit, autoritetet kishin sekuestruar edhe 135 kilogramë duhan të prerë.
Drejtoria e Doganave njofton se do të vazhdojë intensifikimin e kontrolleve në terren dhe hetimeve për importin e duhanit dhe produkteve të tij, me qëllim luftimin e tregtisë së paligjshme dhe parandalimin e shmangies së detyrimeve doganore dhe akcizore.
Lajme nga vendi
BDI dhe VLEN ndahen me vetëm 0,8 pikë përqindjeje, çfarë tregojnë anketat e tetorit?
Vetëm 0,8 pikë përqindjeje e ndajnë Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI) nga koalicioni VLEN në mbështetjen e qytetarëve, sipas rezultateve të përmbledhura të tri anketave të realizuara gjatë muajit tetor në Maqedoninë e Veriut.
Sipas të dhënave të prezantuara nga kryeministri Hristijan Mickoski në një takim me gazetarët, BDI-ja ka mbështetje prej 7,9 për qind, ndërsa VLEN-i 7,1 për qind, duke treguar një diferencë të ngushtë mes dy subjekteve kryesore politike shqiptare.
Në nivel shtetëror, VMRO-DPMNE prin me 24 për qind të mbështetjes, e ndjekur nga LSDM-ja me 8,5 për qind. Pas tyre renditen BDI-ja me 7,9 për qind, VLEN-i me 7,1 për qind, Levica me 6 për qind dhe ZNAM-i me 2 për qind.
Të dhënat janë përmbledhje e tri anketave të realizuara nga tri agjenci të ndryshme, me porosi të VMRO-DPMNE-së. Dy prej tyre janë zhvilluar përmes anketimit në terren, ndërsa njëra përmes telefonit.
BDI ruan mbështetjen, VLEN shënon rritje
Krahasuar me anketën e muajit prill, BDI-ja ruan të njëjtin nivel mbështetjeje prej 7,9 për qind, ndërsa VLEN-i ka shënuar rritje nga 6,2 në 7,1 për qind.
Në të njëjtën periudhë, VMRO-DPMNE ka zbritur nga 25,7 në 24 për qind, ndërsa LSDM-ja ka shënuar një rritje të lehtë, nga 8,3 në 8,5 për qind.
Të dhënat krahasuese nga shkurti deri në tetor tregojnë se mbështetja për partitë ka qenë relativisht stabile. VMRO-DPMNE ka lëvizur nga 24 deri në 25 për qind, LSDM-ja nga 8 deri në 9,3 për qind, BDI-ja nga 7,5 deri në 8 për qind, ndërsa VLEN-i nga 6,5 deri në 7 për qind. Levica ka regjistruar mbështetje nga 5 deri në 6 për qind, ndërsa ZNAM-i nga 2 deri në 2,5 për qind.
Korrupsioni dhe ekonomia, shqetësimet kryesore të qytetarëve
Anketat kanë përfshirë edhe perceptimet e qytetarëve për problemet kryesore me të cilat duhet të merret Qeveria. Korrupsioni dhe kriminaliteti renditen në vendin e parë me 33 për qind, ndërsa ekonomia dhe standardi jetësor pasojnë me 27 për qind.
Sa i përket integrimit evropian, sipas rezultateve të prezantuara, rreth dy të tretat e qytetarëve mbështesin anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.
Megjithatë, në të njëjtën kohë po rritet kundërshtimi ndaj ndryshimeve kushtetuese që kërkohen në kuadër të procesit të integrimit evropian. Ky kundërshtim është veçanërisht i theksuar te qytetarët e komunitetit maqedonas, ku rreth 80 për qind shprehen kundër ndryshimeve kushtetuese, ndërsa prirja e kundërshtimit po rritet edhe te komunitetet e tjera etnike.
Rezultatet janë prezantuar nga kryeministri Mickoski, ndërsa bëhet fjalë për anketa të porositura nga VMRO-DPMNE-ja dhe jo për një hulumtim të vetëm të realizuar nga një institucion i pavarur.(INA)
Lajme nga vendi
Filipçe: Qeveria e LSDM-së nuk e miratoi shitjen e aksioneve të Alta bankës
Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, i ka bërë thirrje Prokurorisë Themelore Publike që të hetojë rolin e kryeministrit Hristijan Mickoski në procesin e hyrjes së Alta Bank në Maqedoninë e Veriut, duke kërkuar sqarime për atë që e cilësoi si deklarata të pavërteta dhe manipulim të opinionit publik nga ana e kreut të Qeverisë.
Në një konferencë për media të mbajtur sot në Kuvend, Filipçe tha se prezantimi i, siç pretendoi, dokumenteve qeveritare të keqinterpretuara gjatë seancës dëgjimore mbikëqyrëse ngre dyshime shtesë për përpjekje të Mickoskit për të shmangur përgjegjësinë dhe për t’ia atribuar atë qeverisë së mëparshme.
„Kjo është mënyra se si ata komunikojnë me publikun, sepse duan ta largojnë të gjithë përgjegjësinë nga vetja. Por kjo nuk do të jetë e mundur. Kjo është edhe një arsye tjetër që Prokuroria Themelore Publike të përfshihet dhe të hetojë plotësisht pse kryeministri ka nevojë të gënjejë dhe të manipulojë publikun në këtë mënyrë”, deklaroi Filipçe.
Ai akuzoi kryeministrin Mickoski se, në vend që të jepte përgjigje konkrete para trupit parlamentar, kishte paraqitur pretendime të pavërteta lidhur me vendimet e qeverisë së udhëhequr nga LSDM-ja në vitin 2023, për gjoja krijimin e marrëdhënieve afariste me Alta Bankën e Serbisë.
„Këtë herë ai shkoi shumë larg, sepse bëri një akuzë serioze. Prezantoi një dokument të cilin nuk e lexoi, por vetëm e citoi në mënyrë të pretenduar dhe të pasaktë. Qëllimi i kësaj konference për media është të sqarojmë se kryeministri sot, gjatë seancës dëgjimore mbikëqyrëse, tha një gënjeshtër të hapur. Ai pretendoi se Qeveria e LSDM-së në vitin 2023 kishte marrë vendim për të hyrë në marrëdhënie biznesi me Alta Bankën e Serbisë”, tha Filipçe.
Duke prezantuar dokumentacionin përkatës, lideri i LSDM-së theksoi se Qeveria e atëhershme nuk i kishte dhënë Davor Macurës pëlqimin për blerjen e aksioneve që ishin në pronësi të Ministrisë së Financave të Maqedonisë së Veriut.
Filipçe kërkoi që institucionet kompetente të shqyrtojnë të gjitha rrethanat e rastit dhe të përcaktojnë përgjegjësinë eventuale për procesin e hyrjes së Alta Bank në tregun maqedonas.
-
Lajme nga rajoni2 months agoFilloi në Hagë seanca për deklaratat përfundimtare ndaj Thaçit dhe të tjerëve
-
Lajme nga rajoni2 months agoKa ndërruar jetë Flora Brovina, një nga figurat e njohura të jetës politike dhe shoqërore në Kosovë
-
Lajme nga rajoni2 months agoThaçi e Krasniqi dënohen me nga 25 vjet burgim, Veseli 18 e Selimi 13

