Lajme nga vendi
Detaje nga aksioni në Tabanoc, 30 ditë paraburgim për komandantin
Gjykata i ka caktuar masën e paraburgimit 30 ditorë komandantit të pikës kufitare në “Tabanoc” mbi dyshimet për tri vepra penale: “bashkëpunim kriminal”, “mit marrje” dhe “shpërdorim me detyrën zyrtare”. Bashkë me të, masa e njëjtë e paraburgimit i është caktuar edhe dy policëve të tjerë. Masa kujdesi janë shqiptuar edhe ndaj policëve për të cilët momentalisht është konstatuar mungesë e provave, por obligohen me paraqitje deri në përfundim të procedurës hetimore.
“Masa e paraburgimit 30 ditorë është caktuar për të dyshuarit: I.N, F.V dhe D.K. Ndaj personit H.K është caktuar arrest shtëpiak, ndërsa A.S dhe M.J për shkak të procedurës së shkurtuar, do të qëndrojnë në paraburgim 8 ditorë. Ndërkohë ndaj J.N, N.P dhe A.A janë caktuar masa kujdesi”, njoftojnë nga Gjykata Penale.
Prokuroria pretendon se grupi ka qenë i mirë organizuar dhe është formuar nga i dyshuari i parë, përkatësisht nga komandanti i pikës kufitare. Sipas organit të akuzës, komandanti i pikës kufitare ka obliguar policët t’i dërgojnë në muaj nga 150 euro.
“I dyshuari i parë, në fillim si shef ndërrimi dhe më pas komandant i pikës kufitare ka sistemuar ose ndikuar në sistemimin e tre nëpunësve të tjerë nëpër kabina ku edhe ka frekuentim më të madh të pasagjerëve në hyrje dhe dalje të shtetit. Tre nëpunësit si policë kanë pasur për detyrim të kërkojnë dhe pranojnë dhuratë nga 5, 10, 20 ose 30 euro për vete dhe për të dyshuarin e parë për të bërë veprime zyrtare të cilat nuk kanë të drejtë t’i bëjnë (referuar ligjit) edhe atë: të lejojnë vetura pa kartonin e gjelbër, pa autorizim për veturën, pa dokumente udhëtimi, patentë shoferi pse dokumente të tjera të nevojshme. Nga viti 2020 deri më 25 dhjetor 2022 disa herë kanë marr mito, ndërsa ka shuma e siguruar në çdo muaj nga 150 euro i kanë dhënë të dyshuarit të parë (komandantit)”, thonë nga Prokuroria Publike.
Gjatë bastisjes policia ka sekuestruar shuma të mëdha parash të cilat janë gjetur në shtëpitë e të dyshuarve dhe në vendin e tyre të punës, gjë e cila dëshmohet edhe përmes pamjeve nga aksioni policor.
“Janë sekuestruar 16.413 euro, 219.195 denarë, 60 franga zvicerane dhe 375 dinarë të Serbisë. Shuma më e madhe e parave është gjetur tek i dyshuari H.K gjithsej 15.885 euro dhe 30 franga zvicerane”, thuhet në njoftimin e MPB-së.
Grupi ka qenë nën masa të veçanta hetuese nga viti 2020. Policia njoftoi për 12 kallëzime penale, ndërsa Prokuroria ka proceduar masa hetuese ndaj 9 nëpunësve policorë. Nuk dihet nëse mbi bazën e kallëzimeve penale, Kontrolli i Brendshëm në MPB do të ndërmerr ose jo masa disiplinore ndaj nëpunësve policorë.
Lajme nga vendi
Brenda një muaji janë sekuestruar 734 metra kub dru në Maqedoni, janë regjistruar 147 raportime
Në aksionet e intensifikuara të Policisë Pyjore, të kryera gjatë tetorit, kundër prerjes së paligjshme të drurëve, transportit dhe tregtisë së drurit me origjinë të paligjshme, u sekuestruan 734 metra kub dru dhe u ngritën 147 kallëzime për kundërvajtje dhe penale, njoftojnë nga Ministria e Bujqësisë.
Pjesa më e madhe e sasisë së sekuestruar përbëhet nga lisi dhe ahu, përkatësisht u sekuestruan 288 metra kub lisi dhe 274 metra kub ahu. Pjesa tjetër e drurit të sekuestruar përfshin 51 metra kub dru të përzier dhe 121 metra kub dru teknik (trunj).
Në kuadër të aksioneve kundër hajdutëve të drurit, Policia Pyjore sekuestroi përkohësisht 11 automjete mallrash dhe 15 automjete pasagjerësh, tetë traktorë, 13 rimorkio dhe 18 sharrë elektrike. Përveç kësaj, janë paraqitur 122 kallëzime për kundërvajtje në gjykatat kompetente dhe 25 kallëzime penale në Prokurorinë Themelore Publike.
“Individët fitojnë para nga vjedhja e drurit, ndërsa të gjithë qytetarët vuajnë dëmin. Prandaj, vazhdojmë me kontrolle të intensifikuara dhe do të veprojmë me vendosmëri kundër çdo aktiviteti të paligjshëm që shkatërron pyjet. Do të kërkojmë përgjegjësi si nga ata që presin ilegalisht ashtu edhe nga ata që e rishesin drurin. Pyjet janë një thesar i përbashkët dhe është detyrimi ynë t’i mbrojmë ato”, tha Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Borçe Serafimovski.
Lajme nga vendi
Mickoski akuzon BDI-në për nxitje të tensioneve
Kryeministri Hristijan Mickoski drejtoi kritika të ashpra ndaj Bashkimit Demokratik për Integrim, duke e akuzuar këtë parti se po e politizon çështjen e provimit të Jurisprudencës. Ai tha se BDI, ndonëse ka qenë pjesë e pushtetit për rreth dy dekada dhe ka drejtuar disa herë institucione përgjegjëse për këtë fushë, nuk ka ndërmarrë hapa për zgjidhjen e problemit.
“Ndjej keqardhje që pas 20 viteve dhe disa ministrave të BDI-së, ata nuk kanë bërë asnjë hap në zgjidhjen e këtij problemi dhe tani me arrogancë mundohen të sulmojnë dikë që mundohet të ketë një përparim”, deklaroi Mickoski. Kryeministri shkoi edhe më tej, duke vlerësuar se retorika e BDI-së lidhur me këtë çështje mund të ndikojë negativisht në marrëdhëniet ndëretnike.
“Kjo është sjellje arrogante dhe shërben vetëm për ndezjen e tensioneve ndëretnike, diçka që më së paku na nevojitet si shtet. Kjo nuk është çështje etnike apo politike, kjo është çështje e sundimit të së drejtës”, theksoi ai.
Çështja e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe vazhdon të mbetet e hapur, ndërsa propozimi i dërguar në Komisionin e Venecias nuk ofron mundësinë e zhvillimit të të gjithë provimit në shqip. Përndryshe, studentët shqiptarë kanë deklaruar se janë kundër propozimit të Qeverisë dhe kanë paralajmëruar protesta të tjera. (koha.mk)
Lajme nga vendi
ADIL ADEMI NË KRYE TË POLICISË SË GOSTIVARIT, MERR MBËSHTETJE UNANIME NGA KËSHILLTARËT
Adil Ademi është zgjedhur komandant i Stacionit Policor në Gostivar, me mbështetjen unanime të Këshillit Komunal. Vendimi është marrë në seancën e sotme, ku para këshilltarëve ishte paraqitur lista me tre kandidatë për këtë pozitë.
Ademi ishte emëruar në këtë detyrë nga Ministria e Punëve të Brendshme më 28 maj 2025, ndërsa me votimin e sotëm merr edhe mbështetjen zyrtare të Këshillit Komunal, në përputhje me procedurën e paraparë në Ligjin për Policinë.
Sipas nenit 24 të këtij ligji, zgjedhja e komandantit të stacionit policor bëhet nga Këshilli Komunal, i cili përzgjedh një nga kandidatët e propozuar nga ministri i Punëve të Brendshme.
Me këtë vendim, Adil Ademi vazhdon drejtimin e Stacionit Policor në Gostivar, tashmë me përkrahjen edhe të përfaqësuesve të zgjedhur të qytetarëve në Këshillin Komunal.
Komandanti i policisë kujdeset për sigurinë e qytetarëve, andaj me rëndësi të madhe është të zgjidhet një profesionist i dëshmuar i cili do të angazhohet për ruajtjen e rendit dhe qetësisë.

