Lajme nga vendi
Mickoski: Nevojitet Qeveri e re e zgjedhur nga populli, lirimi i rrymës është gënjeshtër
Gjysma e dytë e janarit dhe gjysma e parë e shkurtit është mundësia e fundit për zgjedhje të parakohshme, konsideron lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickoski, duke cekur se do të ishte papërgjegjësi në vjeshtë të ketë zgjedhje të parakohshme, të shpenzohen dhjetëra milionë euro në kushte të krizës, kështu që të ketë zgjedhje presidenciale në mars apo prill.
“Do të ishte papërgjegjësi të veprohet ashtu. Prandaj vlerësoj se ky është momenti i fundit”, tha sot Mickoski, duke u përgjigjur në pyetje të gazetarëve në komunën Kisella Vodë.
Sipas Mickoskit, është papërgjegjësi kjo Qeveri të vazhdojë të funksionojë.
“Gjithnjë e më e zëshme është pakënaqësia në kuadër të grupeve të deputetëve të partive të cilat e mbështesin këtë Qeveri. Këtu para së gjithash mendoj për BDI-në dhe LSDM-në sepse shohin se si shteti po fundoset, po shkon prapa, nuk ka reforma, nuk ka rezultate, politikanë të paaftë kriminel e udhëheqin atë Qeveri dhe i inkurajuar nga ato sinjale që i marr nga grupet e deputetëve të LSDM-së de BDI-së, mendoj se këtë vit do të gjenden 61 deputetë të cilët do ta shpërndajnë këtë Parlament”, tha Mickoski.
Do të shkojmë në zgjedhje të parakohshme parlamentare, theksoi ai.
“Dhe më pas do të vijë një qeveri e cila do të zgjedhet nga populli, qeveri popullore, jo e zgjedhur në rreth të ngushtë të njerëzve apo kryeministër i zgjedhur nga një rreth i ngushtë i njerëzve, që do të punojë për interesat e popullit dhe të shtetit, e jo për interesa personale apo partiake. Kështu që, i inkurajuar nga këto sinjale mendoj se kemi mundësi të madhe që ato dy data 14 apo 21 maj të jenë data zgjedhore dhe të shohim në fund të ditës nëse me të vërtetë beson në atë që e flet Qeveria e BDI-së dhe LSDM-së se punojnë mirë, se me të vërtetë janë të suksesshëm do të mund ta kontrollojmë atë në zgjedhje, ashtu? Populli le të thotë, populli është sovrani i shtetit. Nuk janë funksionarët e BDI-së të mbështetur nga LSDM sovranë të këtij shteti”, tha ai.
Tarifa e lirë prej 0,6 denarë rritet në 1,3 denarë, harruan të thonë se më shumë se dy herë. Dhe tani, kur çdo qytetar të llogarisë sa kilovat orë shpenzon në atë të lirë dhe sa në një nga blloqet, do të shihni që fatura me taksën e shtuar plus 5 për qind do të jetë të paktën 20 për qind më e lartë. Por nga 1 janari do ta shohin dhe përjetojnë të gjithë qytetarët, kështu është përgjigjur Hristijan Mickoski.
Mickoski shtoi se kjo është kështu për shkak se në vitin 2021 dhe 2022, nga buxheti shtetëror të gjithë qytetarët kanë transferuar mbi 265 milionë euro në SHA EMV, ELEM i dikurshëm.
“Ndërsa, vetëm në vitin 2022, në fund të nëntorit, pa llogaritur dhjetorin, janë transferuar 180 milionë euro. Dhe me dhjetorin do të jetë më shumë se 200 milionë euro. Dhe si shkojnë ato para? Transferohen nga buxheti i shtetit në EMV, ndërsa EMV shpall tender për miniera, kompanitë shantazhohen që të mos aplikojnë për atë tender për miniera dhe për urgjencë lidhen kontrata private. E njëjta gjë bëhet me mazutin, e njëjta gjë bëhet me thëngjillin e importuar gjegjësisht transportin, por kështu bëhet edhe me paradhënien e faturave për energjinë elektrike të importuar”, shtoi ai.
Kryetari i VMRO-DPMNE-së tha se nga ato 200 milionë, llogaritet se së paku 30 milionë po vidhen. Mickoski u bëri thirrje të gjithë atyre që bëjnë thirrje për luftë kundër krimit dhe korrupsionit “të shkojnë të hapin dokumentet dhe të shohin se ku është krimi”.
Mickoski për importin e energjisë elektrike tha se për një muaj e gjysmë duke filluar nga 7 apo 10 nëntor deri në fund të vitit 2022 janë mbi 45 milionë euro.
“Gjithë kohën i dëgjojmë të thonë se prodhojnë, se plotësohen nevojat, thuajse nuk ka importe etj. Dhe këtu pohoj, le të më mohojnë se vetëm për një muaj e gjysmë SHA EMV ka shpenzuar më shumë se 45 milionë euro”, tha ai.
Sipas tij, “kostot për kapacitetet cross border nuk janë llogaritur dhe po t’i llogaritësh edhe ato, do të marrësh diku rreth 600 mijë euro diferencë, jo 800 mijë, që përsëri është mjaft duke marrë parasysh se 2 milionë është e gjithë marrëveshja”.
“Pra ju keni një fitim prej 30 për qind, që është diçka e pabesueshme. Paguhet paraprakisht. Kështu vidhet Maqedonia. Dhe kushdo që thotë luftë kundër korrupsionit, menjëherë do t’ju jap një shembull”, është përgjigjur Mickoski i pyetur se si e komenton çmimin e blerjes së energjisë elektrike për 40% më të lartë se çmimi i tregut./Zhurnal.mk
Lajme nga vendi
TETOVA NË VAPËN AFRIKANE – SI FRYMON QYTETI NË 40 GRADË?
Tetova këto ditë po përballet me temperaturat e larta të vapës afrikane. Termometri i afrohet 40 gradëve Celsius, ndërsa qyteti duket sikur ngadalëson ritmin dhe kërkon hije, freski dhe pak ajër.
Tetova në këto temperatura është një qytet që vazhdon të jetojë, por me një ritëm tjetër. Një tabelë e Drejtorisë për Punë Hidrometelereologjike tregon se në orën 14.00 në Tetovë janë matur 34.1 gradë Celsius. Por, në qytet vapa afrikane dhe netët tropikale tashmë janë bërë përditshmëri.
Rrugët në orët më të nxehta janë më të zbrazëta. Qytetarët shmangin daljet gjatë mesditës dhe, kur është e domosdoshme të dalin, kërkojnë rrugët me hije, freskojnë veten me ujë dhe përpiqen të kryejnë punët sa më shpejt.
Edhe tregtarët dhe punëtorët që janë të detyruar të qëndrojnë jashtë duhet ta përshtatin ritmin e punës. Uji, pushimet e shpeshta dhe shmangia e diellit bëhen domosdoshmëri.
Vapa ndryshon edhe zakonet. Takimet shtyhen për pasdite, aktivitetet sportive zhvendosen në orët e vona, ndërsa shumë familje preferojnë të qëndrojnë në ambiente të mbyllura gjatë pjesës më të nxehtë të ditës.
Daljet gjatë orëve të nxehta shtyhen për më vonë, pazaret dhe obligimet kryhen herët në mëngjes, ndërsa shëtitjet në qytet bëhen kryesisht në mbrëmje. Për shumë tetovarë, vera nuk është më vetëm një stinë pushimi, por një periudhë ku dita duhet planifikuar sipas temperaturës.
Në 40 gradë, qyteti nuk ndalet, në pritje të shiut, thjesht mëson të marrë frymë më ngadalë./Tv Koha/
Lajme nga vendi
DREJTORIA E GJIMNAZIT PËRGËNJESHTRON “LEVICËN”
Drejtoria e Gjimnazit „Kirili Pejçinoviq“ – Tetovë reagon ashpër ndaj informacioneve të publikuara lidhur me funksionimin e shkollës.
Drejtoria e Gjimnazit të Tetovës i ka përgënjeshtruar pohimet e një komunikate të partisë “Levica” ku ata pretendojnë se po nënçmohet gjuha maqedonase dhe se klasat janë të stërmbushura me nxënës.
Nga Drejtoria thonë se do ta kuptonin këtë gjuhë të “Levicës” nëse vendi ishte në fushatë zgjedhore, por duke prezantuar fakte përgënjeshtrojnë pohimet e partisë në fjalë.
Dje, faqja e internetit e shkollës u hakua në të tri gjuhët – maqedonisht, shqip dhe anglisht. Ekipi i IT-së së shkollës punoi intensivisht për zgjidhjen e problemit dhe arriti ta rikthejë funksionimin e saj. Faqja e internetit tashmë është në funksion dhe në të janë publikuar listat e nxënësve të pranuar në afatin e regjistrimit të qershorit.
Shpërndarja e nxënësve në paralele bëhet në përputhje me konkursin për regjistrimin e nxënësve në Gjimnaz, të publikuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, numrin e nxënësve të regjistruar dhe kapacitetet hapësinore të dy objekteve ku nxënësit e ndjekin mësimin në turnin e paradites.
Po ashtu, si tërësisht të pavërteta I kanë hedhur poshtë pretendimet se 50 nxënës do ta ndjekin mësimin në një klasë.
Drejtoria e shkollës është e përkushtuar për krijimin e shërbimeve dhe kushteve më të mira dhe më cilësore për zhvillimin e pandërprerë dhe të vazhdueshëm të procesit arsimor.
Sipas tyre, pikërisht informacione të tilla të paverifikuara, të pabazuara dhe të pasakta krijojnë kaos në arsim./Tv Koha/
Lajme nga vendi
BDI: Me dy vjet vonesë dhe 30 milionë euro më shtrenjtë, VLEN vazhdon projektin e BDI-së Shkup- Bllacë
Pas dy vitesh humbje kohe, VLEN sot po e paraqet si sukses vazhdimin e autostradës Shkup- Bllacë, projekt i përfunduar më 2 maj 2023 dhe i tenderuar po atë vit nga qeveria e kaluar, me një vlerë prej rreth 183 milionë eurosh.
Dy vjet më parë, VLEN dhe partnerët e tyre politikë e sulmonin projektin si “tepër të shtrenjtë” dhe “të papërshtatshëm”. Sot, pa ndryshuar as trasenë dhe as projektin, duke e vonuar pa asnjë nevojë për mbi dy vite, të njëjtën autostradë prej rreth 10 kilometrash do ta ndërtojnë për rreth 210 milionë euro, apo afërsisht 21 milionë euro për kilometër.
Pra, projekti që e kritikuan nuk është ndryshuar as për 0,1 për qind. Traseja është e njëjtë, projekti është i njëjtë, autostrada është e njëjtë.
Të vetmet gjëra që kanë ndryshuar janë dy vite vonesë dhe rreth 30 milionë euro më shumë nga paratë e qytetarëve.
VLEN duhet t’i përgjigjet opinionit: pse u bllokua për dy vjet një projekt i gatshëm dhe pse sot i njëjti projekt kushton rreth 30 milionë euro më shumë? Ku përfundojnë këto para dhe cili është arsyetimi për këtë shtrenjtim?
Shqiptarët humbën dy vite për një autostradë jetike, ndërsa qytetarët do të paguajnë dhjetëra milionë euro më shumë. Dy vite vonesë, 30 milionë euro më shtrenjtë dhe asnjë ndryshim në projekt, kjo është fatura e paaftësisë dhe keqmenaxhimit të VLEN-it.

