Uncategorized
Rusia: Vdekja e ushtarëve tanë vjen si pasojë e përdorimit të telefonave nga ana e tyre
Rusia ka thënë se një sulm raketor – në natën e Vitit të Ri – që vrau të paktën 89 ushtarë rusë ndodhi për shkak se trupat po përdornin telefonat e tyre celularë. Ukraina goditi një kolegj për rekrutë në Makivka, në zonën e okupuar të Donjeckut, pak pas mesnatës së 1 janarit. Përdorimi i telefonave nga ushtarët, i cili ishte i ndaluar, i lejoi armikut të gjente objektivin e tij, tha ushtria ruse.
Ndërsa numri i njerëzve të vrarë është i paverifikuar, ai është numri më i madh i vdekjeve të pranuara nga Rusia në luftë. Ukraina pretendon se shifra është shumë më e lartë, duke thënë se 400 ushtarë u vranë në sulm dhe 300 të tjerë u plagosën. Rusia tha se në orën 00:01 me orën lokale – në natën e Vitit të Ri, gjashtë raketa u hodhën nga një sistem raketor HIMARS, i prodhuar në SHBA-ja, në një kolegj profesional, dy prej të cilave u rrëzuan.
Zëvendëskomandanti i regjimentit, nënkoloneli Bachurin, ishte në mesin e të vrarëve, tha ministria e Mbrojtjes në një deklaratë në Telegram në orët e para të së mërkurës. Një komision po heton rrethanat e ngjarjes, u tha në deklaratë.
Por është “tashmë e qartë” se shkaku kryesor i sulmit ishte prania dhe “përdorimi masiv” i telefonave celularë nga trupat tona, pavarësisht se kjo ishte e ndaluar, vazhdoi deklarata. “Ky faktor i lejoi armikut të lokalizojë dhe të përcaktojë koordinatat e vendndodhjes së personelit ushtarak për një sulm raketor”.
Zyrtarët e shpallur fajtorë në hetim do të sillen para drejtësisë, u tha në deklaratë, “dhe po ndërmerren hapa për të parandaluar ngjarje të ngjashme në të ardhmen”. Rusia gjithashtu rriti numrin e ushtarëve rusë të vrarë në sulm në 89, nga 63 që deklaroi më herët, megjithëse nuk ka mënyrë për të verifikuar numrin e ushtarëve të vrarë.
Është jashtëzakonisht e rrallë që Moska të konfirmojë ndonjë viktimë në fushëbetejë. Kolegji profesional ishte i mbushur me rekrut në kohën e sulmit – burra që ishin në mesin e 300.000 të thirrurve në mobilizimin e pjesshëm të presidentit rus, Vladimir Putin, në shtator. Disa komentatorë dhe politikanë rusë kanë akuzuar ushtrinë për paaftësi, duke thënë se trupave nuk duhet t’u jepej kurrë strehim kaq i cënueshëm.
Pavel Gubarev, një ish-zyrtar kryesor rus në Donjeck, tha se vendimi për të vendosur një numër të madh ushtarësh në një ndërtesë ishte “neglizhencë kriminale”. “Nëse askush nuk dënohet për këtë, atëherë gjendja do të përkeqësohet edhe më shumë”, paralajmëroi ai. Nënkryetari i parlamentit lokal të Moskës, Andrei Medvedev, tha se ishte e parashikueshme që ushtarët të fajësoheshin në vend të komandantit që mori vendimin fillestar për të vendosur kaq shumë trupa në një vend.
Presidenti Putin nënshkroi një dekret të martën që familjet e ushtarëve të Gardës Kombëtare të vrarë në shërbim të paguhen 5 milionë rubla (69.000 dollarë). Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt dhe që nga tetori po kryen sulme me dronë dhe raketa ndaj infrastrukturës energjetike të Kievit, duke lënë miliona ukrainas pa furnizim me rrymë. (REL)
Lajme nga vendi
Gani Aliji sjell risi në Kodrën e Diellit: Porta të reja moderne për skanimin e biletave
Drejtori i Ski Qendrës Kodra e Diellit, Gani Aliji, njofton për një tjetër investim të rëndësishëm në modernizimin e qendrës dhe përmirësimin e shërbimeve për vizitorët.
Janë vendosur porta të reja moderne për skanimin e biletave, të cilat do të mundësojnë kalim më të shpejtë dhe më të lehtë drejt ski-ashensorëve, duke reduktuar pritjet dhe duke rritur efikasitetin e kontrollit.
Teknologji bashkëkohore
Kalim më i shpejtë drejt pistave
Kontroll më efikas dhe më i sigurt i biletave
Standarde më të larta për vizitorët
Kodra e Diellit vazhdon të modernizohet!
Me investime të reja dhe përmirësim të vazhdueshëm të infrastrukturës, synimi është që Kodra e Diellit të ofrojë një përvojë sa më moderne dhe komode për të gjithë adhuruesit e skijimit.
Kodra e Diellit ju pret këtë dimër! ⛷
Uncategorized
TETOVARET BUNA SHERIFI DHE ERJONA EMINI NË BOTËRORIN E KARATESË
Dy karateistet tetovare, Buna Sherifi dhe Erjona Emini, do të jenë pjesë e reprezentacionit të Maqedonisë së Veriut në Kampionatin Botëror për kadetë, juniorë dhe U-21, që do të mbahet në Bielsko-Biała të Polonisë nga 14 deri më 18 tetor.
Të dyja karateistet e Klubit të Karatesë “Shkëndija” janë shpallur kampione të Maqedonisë së Veriut në kategoritë e tyre. Buna Sherifi triumfoi në kategorinë -47 kilogramë, ndërsa Erjona Emini në kategorinë -54 kilogramë.
Pas suksesit në kampionatin shtetëror dhe fazës play-off, Buna Sherifi siguroi biletën për Botëror, duke bërë realitet një nga synimet më të mëdha të saj.
Buna Sherifi:
“Fillimisht dua të falënderoj trajnerin tim dhe prindërit e mi, të cilët më kanë përkrahur gjatë gjithë këtij rrugëtimi. Shpresoj që të luftoj mirë në kategorinë time. Kam përvojë edhe në Ligën Botërore dhe besoj se kjo përvojë do të më ndihmojë shumë.”
Për Buna Sherifin, rrugëtimi drejt Botërorit ka qenë i gjatë dhe kërkues, me përgatitje intensive pothuajse çdo ditë.
Buna Sherifi:
“Kemi filluar të përgatitemi që nga fillimi i vitit për garat shtetërore, për Botërorin dhe për Ballkanikun. Kemi pasur stërvitje pothuajse çdo ditë dhe mendoj se jemi përgatitur mirë.”
Për trajnerin Vegim Murati, suksesi i dy vajzave është rezultat i një pune të madhe dhe të vazhdueshme.
Vegim Murati:
“Rrugëtimi ishte shumë i gjatë dhe i vështirë. Vajzat kanë pasur përgatitje intensive për gati tre muaj, me dy stërvitje në ditë, në mëngjes dhe në mbrëmje. Në fund arritëm një sukses shumë të madh dhe shkruam historinë e karatesë në Tetovë, me dy vajza 15-vjeçare që do të udhëtojnë në Kampionatin Botëror.”
Edhe Buna Sherifi thotë se pjesëmarrja në Botëror është një motivim i madh për të vazhduar me punë.
Buna Sherifi:
“Jam shumë krenare që do të jem pjesë e Kampionatit Botëror. Do të jap maksimumin tim dhe shpresoj të bëj një paraqitje sa më të mirë.”
Ndërkohë, edhe bashkëgaruesja e saj, Erjona Emini, kampione e Maqedonisë së Veriut në kategorinë -54 kilogramë, është optimiste për paraqitjen në Poloni.
Erjona Emini:
“Për këtë sukses ndihem shumë krenare. Kemi punuar shumë së bashku me trajnerin dhe klubin. Do të vazhdojmë me punë dhe me shumë shpresë që edhe nga Kampionati Botëror të kthehemi me medalje.”
Dy talentet tetovare tashmë po i vazhdojnë përgatitjet intensive për sfidën më të madhe të karrierës së tyre.
Buna Sherifi dhe Erjona Emini – dy kampione, dy 15-vjeçare dhe një ëndërr: medalja e Botërorit në Poloni. 🥋🇲🇰
SHABAN SINANI – TV KOHA
Uncategorized
Mustafa Dauti porosi BDI-së: Mbroni bashkëpartiakët nga hetimet, VLEN-i kujdeset për shqiptarët
Zëvëndësdrejtori i Doganave të RMV-së, Mustafa Dauti, është kundërpërgjigjur ndaj kumtesës së BDI-së, në të cilën VLEN akuzohet për zëdhënës kundër Shqipërisë. Derisa Mustafa në reagimin e tij ka sjellë fakte që dëshmojnë të kundërtën dhe i ka dërguar porosi BDI-së që të mbrojë të gjithë bashkëpartiakët nga hetimet edhe nëse janë shumë pasi së fundi ka hatërmbetje në këtë drejtim.
“Tani, një gjë duhet ta ndajmë BDI kur ishte në pushtet duhej të kujdesej për shqiptarët e Shqipërinë por nuk e bëri as njërën as tjetrën. Tani kur BDI është në opozitë po kujdeset vetëm për grup njerëzish që po hetohen edhe këtu po bën ndarje. Prandaj, është mirë që BDI të mbrojë të gjithë bashkëpartiakët pa dallim nga hetimet edhe nëse janë shumë pasi së fundi ka hatërmbetje në këtë drejtim. Derisa ne si VLEN kujdesemi për çështjet e shqiptarëve dhe lidhjen me Shqipërinë”, ka shkruar zëvëndësdrejtori, Mustafa Dauti.
Dauti thotë se BDI e ka pasur rastin ta dëshmojë veten por ka dështuar në lidhje me Shqipërinë.
“Të akuzosh VLEN-in si “zëdhënës kundër Shqipërisë” është manipulim klasik, pasi e vërteta është kjo prej kur VLEN-i është në pushtet lidhjet me Shqipërinë janë shtuar e shpeshtuar, duke eliminuar kolonat në pikat kufitare, duke ju mundësuar tabela në dy gjuhë e besa edhe furnizim me derivate të naftës me çmime shumëfish më të lira. Pra, me BDI-në Shqipëria e Maqedonia e Veriut pikëtakim kishin bunarin rreth të cilit silleshin me Vuçiqin, derisa me VLEN-in lidhja me Shqipërinë mbetet prioritet përmes korridorit 8. VLEN nuk sulmon Shqipërinë, por nuk e kemi ndërmend ta kursejmë hipokrizinë e BDI-së”, ka shkruar tutje Dauti.
Ai mbyll me paralajmërin për një muaj historik për shqiptarët.
“E vërteta është kjo VLEN nuk është zëdhënës i askujt kundër shqiptarëve. VLEN është zëdhënës i shqiptarëve kundër padrejtësisë e hipokrizisë. Ata që sot shpifin, janë po ata që deri dje e përdorën kauzën kombëtare për interesat e tyre klanore.
Ne vazhdojmë, pranvera mirë ka nis, maji do të jetë muaji historik për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut!” ka përfunduar Mustafa.

