Lajme nga vendi
Vazhdojnë përplasjet mes partive politike për idenë e zgjedhjeve të parakohshme në Maqedoni
Nuk kanë përfunduar sulmet e VMRO-DPMNE-së ndaj partisë më të madhe në pushtet me qëllimin për të nxitur zgjedhje të parakohshme. Kritikat e tyre janë kryesisht në adresë të kreut të qeverisë Dimitar Kovaçevski dhe sekretarit të përgjithshëm të LSDM-së Mile Zeçeviq.
“Nëse Zeçeviq dhe Kovaçevski janë njerëzit nga të cilët VMRO-DPMNE ka frikë, siç thotë LSD, atëherë le të shkojmë në zgjedhje. Këtu Kovaçevski nuk duhet të dëgjojë VMRO-DPMNE-në, le të dëgjojë deputetët e SDS-së që kërkojnë zgjedhje. Kovaçevski dhe Zeçeviq janë gjithashtu të frikësuar sepse gjithnjë e më shumë zyrtarë të partisë së tyre janë për zgjedhje. Vetëm Kovaçevski dhe Zeçeviq kanë frikë nga zgjedhjet, sepse e dinë se do të humbasin dhe pas kësaj do të humbasin karrierën e tyre politike”, thonë nga VMRO-DPMNE.
Për LSDM-në, zgjedhjet do të jenë të rregullta dhe VMRO-DPMNE-ja do të pësojë humbjen e radhës.
“VMRO-DPMNE në garë me veten, e mposhtin njëra-tjetrën në gënjeshtra në vitin e ri 2023. Në panik, ata vijnë me shpikje të reja çdo ditë. Përballë qeverisjes katastrofike të kryetarëve të tyre të komunave, me mbështetjen gjithnjë e më të dobët të politikave të tyre destruktive, VMRO-DPMNE po konsolidon rolin e saj si peng i Dimitar Apasiev. Prandaj Mickoski pret humbjen e 7-të dhe të 8-të radhazi si kryetar i VMRO-DPMNE-së në vitin 2024”, shprehen nga LSDM.
E ndërkohë, përplasjet mes partive nxitën përplasje virtuale mes dy ish kryeministrave Zaev e Gruevski. Në rrjetin social facebook, Zaev mohon zërat se është duke organizuar grusht shteti brenda partisë për të nxitur zgjedhje të reja, se nuk do të bëhet president i ardhshëm dhe se nuk bashkëpunon me VMRO-DPMNE-në në këtë drejtim.
“Unë nuk do të paraqes dhe as nuk do të pranoj një kandidaturë për president të vendit. Si kryetar i LSDM-së e kam bashkuar partinë. Dhe LSDM-ja e bashkuar bashkë me qytetarët rrëzuan një regjim, dhe pikërisht atëherë ai regjim ishte më i fortë dhe më i lirshëm. Nuk do të mendoj as që ta përça LSDM-në, as të bëj ndonjë grusht shteti të vetëbërë në LSDM apo diçka të tillë”, shkruan Zoran Zaev, ish kryeministër.
Zaev në statusin e tij përmend disa herë ish kryeministrin Gruevski dhe ky i fundit ju përgjigj po në rrjetin social Facebook.
“Është demokraci, ndaj çdo budalla mund të thotë çfarë të dojë! Sigurisht edhe Zaev! Por realiteti është ndryshe! Dhe për atë që nuk ka dashur të bëjë grusht shteti në LSDM dhe nuk ka dashur të kandidojë për President… është sepse, me shumë mundësi, nuk ka asnjë mbështetje prej atje nga i ka ardhur burimi i vetëm i pushtetit. Edhe sikur të kishte vënë dorën në zemër dhe të ishte betuar si dikur për kushtetutën dhe emrin, askush nuk do t’i besonte më”, shkroi Nikolla Gruevski, ish kryeministër.
Viti 2024, është vit i rregullt zgjedhjesh parlamentare dhe presidenciale.
Lajme nga vendi
Karvani ekonomik i Durmishit zbarkon në Strugë; Punë, grante dhe shanse për çdo strugan

Karvani ekonomik i ministrit të Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, ndaloi këtë të shtunë në Strugë, ku bashkë me drejtorin e Agjencisë për Punësim, Selatin Beluli, prezantuan masat e Planit Operativ për Punësim 2025.
Në takimin me struganët, ministri Durmishi theksoi se ky plan është një angazhim i qartë institucional, i mbështetur me 40 milionë euro buxhet, që synon ndërtimin e një tregu pune më të hapur, më gjithëpërfshirës dhe më të ndershëm për të gjithë.
“Ky plan është për ju; për të rinjtë që kërkojnë shansin e parë, për gratë që duan të fuqizohen ekonomikisht dhe për secilin që kërkon mundësi reale për përparim në vendin tonë”, theksoi ministri Durmishi.
Ai u zotua se çdo euro e këtij plani do të kthehet në mundësi konkrete për qytetarët, përmes masave të reja për vetëpunësim, praktikë, subvencione për bizneset dhe mbështetje për grupet më të rrezikuara nga papunësia.
Struga ishte ndalesa e radhës në kuadër të karvanit informues që po zhvillohet në gjithë vendin me qëllim të informimit të drejtpërdrejtë të qytetarëve mbi masat dhe mundësitë që ofron Plani Operativ për Punësim.
Lajme nga vendi
Sulejmani: Rikthehet dinjiteti për Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore, 38 artistë me vendime të përhershme pune

Pas vitesh neglizhencë, pa kontrata të rregullta dhe pa mbështetje institucionale, Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore më në fund po merr trajtimin që i takon. Kështu ka bërë të ditur zëvendësministri i Kulturës, Sedat Sulejmani, i cili njoftoi për një hap të rëndësishëm drejt rivendosjes së dinjitetit të artistëve shqiptarë. “Që nga dita e parë e marrjes së detyrës, kemi punuar me përkushtim për ta zgjidhur këtë padrejtësi. Sot ndihem krenar që një nga zotimet më të rëndësishme për kulturën shqiptare po bëhet realitet”, u shpreh Sulejmani.
Sipas tij, aktualisht 38 artistë të Ansamblit janë të punësuar me vendim të përhershëm, përkatësisht: b9 instrumentistë të orkestrës, 8 këngëtarë, 21 valltarë.
Përveç administratës së rregulluar më parë, ky vendim shënon një kthesë të madhe në trajtimin institucional të artistëve të Ansamblit.
Zëvendësministri Sulejmani theksoi se puna nuk ndalet këtu, pasi prioritet mbetet zgjidhja e statusit për 4 valltarë dhe një defator, të cilët ende nuk janë të përfshirë në vendimet e përhershme, por për të cilët do të bëhet “e pamundura” që shumë shpejt të jenë të barabartë me kolegët e tyre. “Kjo është puna që flet vetë. Kjo është kultura që mbështesim me zemër. Ansambli do të jetë burim krenarie për shqiptarët, kudo që ndodhen”, përfundoi njoftimin Sulejmani.
Lajme nga vendi
Arrestohet polici nga Gostivari, dyshohet se ka vjedhur 25,000 € dhe ar në vlerë të 50,000 € nga Stacioni Policor

Nga Ministria e Punëve të Brendshme njoftojnë se gjatë ditës së djeshme është arrestuar një zyrtar policor nga Gostivari, pasi i njëjti dyshohet se ka vjedhur ar dhe para që ishin sekuestruar gjatë bastisjeve të Policisë. Nga MPB thonë se është arrestuar edhe një person, i cili dyshohet se e ka blerë arin.
“Më 03.07.2025, në orën 17:50, zyrtarët policorë nga SPB Gostivar kanë arrestuar zyrtarin policor D.S. (51) nga Gostivari, për shkak të dyshimeve të bazuara se ka kryer vepër penale sipas nenit 353 dhe 354 – “keqpërdorim i pozitës dhe autorizimit zyrtar” nga Kodi Penal. Ai nga dollapi në Stacionin e Policisë, ku ruheshin gjësendet e marra nga bastisjet, në të cilat kishte marrë pjesë si i punësuar në krim-teknikë në SP Gostivar, ka vjedhur rreth 25.000 euro dhe stoli ari në vlerë prej rreth 50.000 euro. Kontrolli në objektin e Stacionit Policor të Gostivarit u krye nga një prokuror publik nga Prokuroria Themelore Publike Gostivar, në prani të ekipit hetimor dhe udhëheqësisë së SPB Gostivar. Po ashtu, në orën 20:30 në rrugën “18 Nëntori” në Gostivar, zyrtarët policorë nga SPB Gostivar arrestuan I.Sh. (32) nga Gostivari, për shkak të dyshimeve se ka kryer veprën penale “fshehje”, përkatësisht se ka blerë stolitë e arit të vjedhura”, thonë nga MPB.
-
Lajme nga vendi3 years ago
Zyra e Avokatit të Popullit në Tetovë sot do të jetë e hapur
-
Lajme nga vendi3 years ago
Nesër në Maqedoni do të shpallet gjendje krize në energjetikë, nga 1 shtatori hyjnë në fuqi masat për kursim
-
Lajme nga vendi2 years ago
Kovaçevski paralajmëroi drejtor të ri të Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve