Lajme nga vendi
AMS vendosë shumën minimale për pagesën e dëmit për dëmtime në rast aksidenti
Agjencia e Mbikëqyrjes së Sigurimeve (AMS) vendosi vlera minimale të pagesës së aftësisë së kufizuar apo invaliditetit pasi konstatoi se shoqëritë e sigurimeve po paguanin shuma të ndryshme për dëmtime të ngjashme ose të njëjta si rezultat i një aksidenti, kumtoi sot AMS.
“Nga fillimi i vitit, shumat e paguara nga shoqëritë e sigurimit për dëmtimet që kanë shkaktuar paaftësi apo invaliditet duhet të jenë më të larta ose të barabarta me ato minimalisht të përcaktuara. Kjo risi është e rregulluar në Tabelën e unifikuar për përcaktimin e invaliditetit të përhershëm nga dëmtimet, e cila vlen për të gjitha shoqritë e sigurimeve. Tabela është pjesë e Kushteve të Përgjithshme për sigurime në rast të aksidenteve, të vlefshme nga fillimi i vitit dhe është në dispozicion të të gjithë të siguruarve”, qëndron në kumtesë.
AMS në kuadër të aktiviteteve për mbrojtjen e të drejtave të të siguruarve, përcaktoi vlerat (përqindjet) minimale që shoqëritë e sigurimit duhet të paguajnë për invaliditetin e përhershëm të mbuluar nga sigurimi i aksidenteve. Nëpërmjet vlerave minimale të përcaktuara të dëmshpërblimit, për të gjitha llojet e dëmtimeve që shkaktojnë paaftësi apo invaliditet të përhershëm, AMS-ja e ka ngritur nivelin e mbrojtjes për më shumë se 650,000 policëmbajtës që përdorin sigurimin në rast të aksidenteve.
Sigurimi nga aksidentet është klasa më masive e sigurimeve vullnetare për të cilën qindra mijëra qytetarë paguajnë sigurimin kolektiv në rast aksidenti si punonjës, nxënës dhe fëmijë në kopshte. Sipas të dhënave të dorëzuara në AMS nga shoqëritë që shesin këtë lloj sigurimi, qytetarët dhe kompanitë kanë investuar 495 milionë denarë (8 milionë euro) në këtë klasë të sigurimit për nëntë muajt e parë të vitit 2022.
“Risitë që rrisin nivelin e mbrojtjes së të siguruarve gjenden në Tabelën e njësuar për përcaktimin e përqindjes së invaliditetit së përhershëm si pasojë e një aksidenti. Që nga fillimi i këtij viti, kjo tabelë e unifikuar është përdorur nga të gjitha kompanitë e sigurimit që shesin sigurime në rast aksidenti”, thuhet në kumtesë.
Tabela është hartuar nga AMS-ja në bashkëpunim me shoqëritë e sigurimeve dhe si bazë është përdorur tabela që ka qenë në fuqi deri në vitin 2005. Në procesin e krijimit të tabelës janë shfrytëzuar edhe përvoja nga tregjet e sigurimeve në Republikën e Serbisë, Republikën e Kroacisë dhe Republikën e Sllovenisë.
Vendosja e një Tabele të Njësuar të Invaliditetit pasoi pasi AMS-ja konstatoi një dobësi në funksionimin e sistemit të sigurimeve në klasën e sigurimit nga aksidentet.
“Konkretisht, nga analiza e tregut të sigurimeve ka konstatuar se në mesin e kompanive të ndryshme të sigurimeve ka përqindje të ndryshme të invaliditetit për të njëjtin dëmtim ose për dëmtime të ngjashme të përcaktuara në tabelat e aftësisë së kufizuar që janë përdorur deri në fund të vitit 2022. Në raste të tilla, krahasimi i primit dhe i shumës së siguruar, pa ditur përqindjet për invaliditetin në tabelë, nuk mund të çojë në zgjedhjen e mbulimit më të përshtatshëm të sigurimit. Kjo tendencë u shpreh veçanërisht në procedurat e prokurimit publik gjatë përzgjedhjes së sigurimit nga aksidentet”, qëdron në kumtesë.
Tabela e re është pjesë e Kushteve të përgjithshme për sigurimin e personave nga pasojat e aksidentit dhe është e aksesueshme për të gjithë policëmbajtësit potencialë.
Agjencia e Mbikëqyrjes së Sigurimeve (AMS) është organ rregullator i pavarur, i cili rregullon tregun e sigurimeve, kryen mbikëqyrje të aktivitetit të shoqërive të sigurimeve dhe kujdeset për mbrojtjen e të drejtave të personave të siguruar ose policëmbajtësve dhe kontribuon në edukimin financiar të popullatës.
Lajme nga vendi
Kronika e zezë – Tetovë dhe Gostivar, 22 Tetor
Dje, zyrtarë policorë nga Sektori për Polici Kriminalistike pranë SPB Tetovë dhe nga ekipi mobil “Task Force”, në koordinim me përfaqësues të Inspektoratit Shtetëror të Tregut dhe Drejtorisë së të Ardhurave Publike, kanë realizuar kontroll aksional në një objekt hotelerie në Qendrën Tregtare të Qytetit në Tetovë.
Me këtë rast, para objektit është zënë një 48-vjeçar nga Tetova dhe gjatë kontrollit tek ai është gjetur një substancë e bardhë pluhur, pas çka është privuar nga liria.
Ndërsa, brenda në objekt, te pronari 54-vjeçar nga fshati Trebosh janë gjetur 15 paketime me substancë të bardhë pluhur, pas çka edhe ai është privuar nga liria.
Të dy janë ndaluar në stacionin policor dhe pas dokumentimit të plotë të rasteve, ndaj tyre do të vijojë parashtresë përkatëse.
…….
Dje në orën 12:00 në Stacionin Policor Gostivar, nga Ndihma e Shpejtë Mjekësore Gostivar është denoncuar se te ata është sjellë një 15-vjeçar nga Gostivari pa shenja jete. Sipas denoncimit, në shtëpinë e tij në Gostivar ai kishte rrëshqitur dhe ka rënë shkallëve, ndërsa pasi është pranuar në spital, pas reanimimit të kryer ka shfaqur shenja jete dhe me automjet të Ndihmës së Shpejtë Mjekësore Gostivar është transferuar në Kompleksin e Klinikave “Nënë Tereza” në Shkup, ku i janë konstatuar lëndime të rënda trupore. Është njoftuar prokurori publik, është kryer këqyrje në vendngjarje dhe po merren masa për zbardhjen e ngjarjes.
…….
Dje në orën 19:10 në Stacionin Policor Tetovë, një 38-vjeçar nga Tetova ka denoncuar se rreth orës 18:30 në rrugën “Todor Cipovski Merxhan”, djali i saj 11-vjeçar është sulmuar fizikisht nga një i mitur tjetër. Po merren masa për zbardhjen e rastit.
……
Dje në orën 22:30 në Hanet e Mavrovës, zyrtarë policorë nga Stacioni Policor Mavrovë kanë privuar nga liria një 22-vjeçar nga Shkupi. Gjatë një kontrolli në trafik është ndaluar automjeti i udhëtarëve “Volksëagen Golf” me targa të Shkupit, të cilin e drejtonte ai, me ç’rast është konstatuar se e drejtonte pa pasur leje drejtimi. Automjeti është konfiskuar dhe pas dokumentimit të plotë të rastit do të vijojë parashtresë përkatëse.
……..
Dje në orën 20:00 në Stacionin Policor Gostivar, një 71-vjeçar nga Gostivari ka denoncuar se rreth orës 18:30 te Stacioni i Autobusëve në Gostivar, derisa po kryente detyrat e punës si taksist, është sulmuar fizikisht nga një person. Po merren masa për zbardhjen e rastit.
…….
Dje në orën 13:25, zyrtarë policorë nga Stacioni Policor Gostivar kanë privuar nga liria një 29-vjeçar nga Gostivari, i cili ditën e mëparshme është denoncuar nga nëna e tij 53-vjeçare se në disa raste e ka kërcënuar. Pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj tij do të parashtrohet kallëzim përkatës.
……
Pas mesnate në orën 02:00 në SPB Tetovë është denoncuar se ka shpërthyer zjarr në një arë në fshatin Sellarcë e Epërme. Zyrtarë policorë nga Stacioni Policor Zherovjan kanë dalë në vendngjarje dhe kanë konstatuar se është djegur kashtë, e cila ishte grumbulluar në disa pirgje. Ekipi i Njësisë Territoriale Kundër Zjarrit e ka shuajtur zjarrin, ndërsa persona të lënduar nuk ka. Këqyrja e vendngjarjes është kryer nga ekipi i SPB Tetovë.
Lajme nga vendi
Në shtator, tetë burra në Maqedoni u diagnostikuan me HIV, vetëm këtë vit janë regjistruar 49 raste të reja
Në shtator të këtij viti, në Maqedoninë e Veriut u regjistruan tetë raste të reja me HIV/AIDS, të gjitha te persona të gjinisë mashkullore, tregojnë të dhënat nga buletini më i ri mujor i Institutit të Shëndetit Publik (ISHP). Katër nga personat e diagnostikuar rishtazi janë të moshës 30 deri në 39 vjeç, ndërsa nga një rast është regjistruar në grupmoshat 15–19 vjeç, 20–29 vjeç, 40–49 vjeç dhe 50–59 vjeç, transmeton Portalb.mk.
Në shtator u raportuan edhe dy raste të vdekjes te persona me HIV, të cilët ishin regjistruar më parë me këtë infeksion, përkatësisht në vitin 2015 dhe 2018. Të dy personat që vdiqën ishin të moshës 40 deri në 49 vjeç. Sipas të dhënave të ISHP-së, nga fillimi i vitit 2026 deri më 30 shtator, në vend janë regjistruar gjithsej 49 raste me HIV/AIDS.
Që nga fillimi i regjistrimit të rasteve, në vitin 1987, e deri në shtator të vitit 2026, në vend janë regjistruar gjithsej 778 persona me HIV/AIDS. Prej tyre, 520 persona jetojnë me HIV/AIDS, 144 kanë vdekur, ndërsa 114 figurojnë si të humbur për ndjekje, përkatësisht si persona që janë shpërngulur jashtë vendit.
Në buletinin për sëmundjet akute infektive thuhet se gjatë shtatorit në Maqedoninë e Veriut katër persona kanë vdekur nga ethet e Nilit Perëndimor, ndërsa gjithsej 1.042 persona janë prekur nga sëmundje akute infektive. Numri i të prekurve është 22 përqind më i lartë krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, kur ishin regjistruar 854 raste.
“Të katër personat që kanë vdekur ishin të moshës 65 deri në 70 vjeç dhe te ta ishte diagnostikuar forma neuroinvazive e etheve të Nilit Perëndimor. Ata ishin të hospitalizuar në Klinikën Universitare për Sëmundje Infektive dhe Gjendje Febrile në Shkup, ndërsa te të gjithë ishin regjistruar edhe sëmundje shoqëruese”, thuhet në buletin.
Epidemia e etheve të Nilit Perëndimor është ende në vazhdim.
Pjesa më e madhe e sëmundjeve infektive të regjistruara në shtator ishin infeksione të zorrëve. Nga gjithsej 1.042 rastet e raportuara, 694 ishin raste me enterokolit, që përbëjnë 66,6 përqind të të gjitha sëmundjeve akute infektive të regjistruara.
Krahasuar me shtatorin e vitit të kaluar, kur ishin raportuar 465 raste me enterokolit, këtë vit është shënuar rritje prej 49,2 përqind. Nga fillimi i këtij viti deri në fund të shtatorit janë regjistruar 4.313 raste, që është 43,1 përqind më shumë sesa në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Në vendin e dytë për nga shpeshtësia janë lija e dhenve, me 123 persona të prekur, të ndjekura nga salmoneloza me 56 raste, zgjebja me 47 raste dhe infeksionet bakteriale e intoksikimet e shkaktuara nga ushqimi me 30 raste.
Në shtator u regjistruan edhe 29 raste të mononukleozës infektive, tetë raste të sëmundjes së legjionarëve dhe gjashtë infeksione të shkaktuara nga bakteri Escherichia coli.
Lajme nga vendi
Ministria e Transformimit Digjital në RMV bllokon përkohësisht trafikun e jashtëm në internet si masë parandaluese
Ministria e Transformimit Digjital informon se, si pjesë e aktiviteteve parandaluese, trafiku i jashtëm në internet në sistemet e prekura është bllokuar përkohësisht, me qëllim parandalimin e shfrytëzimit të mundshëm të dobësive.
Prandaj, ata theksojnë se Ministria, përmes Sektorit të Sigurisë Kibernetike dhe ekipit qeveritar të sigurisë kompjuterike (MKD-GOV-CSIRT), vazhdon me monitorimin e zgjeruar dhe të vazhdueshëm të kërcënimeve kibernetike, analizën e ngjarjeve të sigurisë dhe të dhënave të regjistrave, si dhe kontrollin e treguesve të mundshëm të kompromentimit.
Përndryshe, institucionet qeveritare dhe kompanitë në të gjithë Evropën dhe botën u detyruan të mbyllin faqet e tyre të internetit dje, pasi u zbuluan të meta serioze në gjuhën e programimit mbi të cilën bazohet pjesa më e madhe e internetit, raportuan mediat botërore.
Ministria e Transformimit Digjital informon se, si pjesë e aktiviteteve parandaluese, trafiku i jashtëm i internetit në sistemet e prekura u bllokua përkohësisht, me qëllim parandalimin e shfrytëzimit të mundshëm të dobësive.
Më pas, shtohet, u kryen kontrolle në versionet e softuerit dhe u aplikuan patch-e dhe përditësime të përshtatshme sigurie, si dhe u kontrollua funksionaliteti dhe siguria e serverëve të internetit.
Masat, thonë nga Ministria, synojnë të zvogëlojnë rrezikun e aksesit të paautorizuar dhe kompromentimit të mundshëm të serverëve të internetit.
“Sipas kontrolleve të kryera deri më tani, nuk janë gjetur indikacione për shfrytëzim të suksesshëm të dobësive të listuara ose për kompromentimin e faqeve të internetit të Qeverisë dhe ministrive”, thuhet në njoftim.

