Lajme nga vendi
Pushteti bën thirrje në aleancë për BE-në, hyrja e ASH-së në Qeveri varet nga marrëveshja politike
Ka gjasa që Aleanca për shqiptarët të hyjë në Qeveri, por kjo do të varet edhe nga marrëveshja politike, tha kryeministri Dimitar Kovaçevski. Edhe ai, si lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, bëri thirrje për aleancë me BE-në. VMRO-DPMNE-ja opozitare, e cila thotë se nuk heq dorë nga synimet e saj strategjike për anëtarësim në BE, nuk dëshiron të jetë pjesë e një koncepti të tillë qeveritar.
“Aleanca për Shqiptarët ka një vullnet të shprehur politik që është “për” konceptin evropian të shtetit. A do të hyjë në Qeveri? Po, ka gjasa për këtë. Ashtu siç kanë thënë liderët e tjerë politikë. Dhe a do të ndodhë kjo? Kjo varet nga marrëveshja politike. Marrëveshja politike ka gjithmonë dy aspekte – njëra është programuese dhe tjetra është kadrovike. Derisa të ndodhë një gjë e tillë, nuk mund të themi me siguri se do të ketë partner tjetër qeveritar”, tha Kovaçevski në një përgjigje të pyetjes së gazetarit në një konferencë për media në Qeveri.
Kryeministri thekson se është e hapur mundësia për të gjithë ata që duan t’i bashkohen konceptit të Maqedonisë së Veriut evropiane dhe tani është koha për ta bërë këtë, sepse siç tha ai, nga ne varet anëtarësimi më i shpejtë i vendit në Bashkimin Evropian.
“Shumica qeveritare nuk është aspak në pyetje, sepse po të shikosh deklaratat publike të të gjithë faktorëve politikë, mbi të gjitha e kam fjalën për deputetët, askush nuk e vë në dyshim shumicën qeveritare, por bëhet fjalë më shumë për një diskutim brendapartiak i cili zhvillohet në parti të caktuara politike”, tha Kovaçevski.
Rreth nismës së liderit të BDI-së, Ali Ahmeti për “Aleancën për Evropën”, kryeministri Kovaçevski tha se në vendin tonë ekzistojnë dy koncepte. Një koncept, siç theksoi ai, është për “Maqedoninë e Veriut evropiane” – koncept në të cilin partitë politike që mbështesin LSDM-në – partnerët e koalicionit, BDI, Alternativa, Aleanca për Shqiptarët dhe partitë e tjera politike që mbështesin konceptin e anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian dhe që mbështetën anëtarësimin në NATO.
“Edhe nga ana tjetër, ekziston koncepti i partive politike, këtu e kam fjalën në radhë të parë për të Majtën dhe pengun e tyre VMRO-DPMNE, të cilat janë kundër anëtarësimit në NATO, gjë që e kanë konfirmuar në deklaratat e tyre publike dhe kundër anëtarësimit në Bashkimi Evropian, që mendoj se është një koncept i gabuar, sepse nuk ofron alternativë. Aq më keq, E Majta ofron një lloj alternativë ndaj Unionit Euroaziatik, që në asnjë rast nuk është në përputhje me aspiratat e qytetarëve të vendit tonë”, tha kryeministri.
Kovaçevski theksoi se dyert janë të hapura për të gjitha partitë politike që janë në favor të konceptit për “Maqedoninë e Veriut evropiane”, gjegjësisht duan të jenë pjesë e “Unionit për Evropën”.
“Kjo është rruga e vetme përpara për vendin tonë, për të siguruar prosperitet ekonomik, siguri sociale dhe sundim suprem të demokracisë dhe për të përmbushur pritshmëritë e qytetarëve që ata parashtruan para politikanëve pikërisht 31 vjet më parë për një shtet të pavarur maqedonas që do të jetë anëtare e NATO-s dhe e Bashkimit Evropian”, shtoi Kovaçevski.
Thirrjes së Kovaçevskit për unitet drejt anëtarësimit në BE, VMRO-DPMNE opozitare iu përgjigj përmes zëdhënësit të partisë Naum Stoilkovski, i cili tha se “Kovaçevski nuk është në unitet për BE-në, por merret vetëm me krimin dhe korrupsionin me urdhër të BDI-së”. Stoilkovski i bëri thirrje kryeministrit që t’i përkushtohet qytetarëve dhe të ardhmes evropiane.
Dje nga Ohri, ambasadori evropian Dejvid Gir tha se skriningu po ecën mirë, por tha se ajo që duhet të fokusohemi tani janë reformat dhe zbatimi i tyre.
“Së pari, sa i përket skriningut, është e vërtetë që po ecën mirë, ndërsa përfaqësuesit e autoriteteve, pra ekspertët janë të përgatitur mirë dhe është një proces që po shkon mirë dhe po vazhdon, ky është lajmi i mirë. Mirëpo, sigurisht që skriningu nuk është e vetmja gjë, një tjetër gjë shumë e rëndësishme është zbatimi i reformave, dhe këtu sigurisht që luajnë një rol disa aktorë përgjegjës për këtë, por përgjegjësia kryesore bie mbi kurrizin e qeverisë”, tha Gir.
Brenda procesit të anëtarësimit ka çështje themelore të cilat, siç tha Gir, janë vazhdimisht të hapura që nga fillimi i negociatave deri në përfundimin e tyre. Këto çështje janë lufta kundër korrupsionit, forcimi i sundimit të ligjit dhe administratës dhe respektimi i të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.
I pyetur për ndryshimet kushtetuese dhe çfarë nëse kjo dështon, Gir tha se beson se do të ketë një lloj ngërçi dhe se nuk mund të thotë se çfarë do të ndodhë më pas. Kur bëhet fjalë për shumicën me dy të tretat, ambasadori evropian shtoi se kjo është çështje e brendshme.
“Pres që qeveria ta zgjidhë vetë dhe nuk mund të ndërhyj në ato çështje sepse nuk është puna ime, dhe kur bëhet fjalë për ndryshimet kushtetuese, ato kanë ardhur nga një marrëveshje për të cilën shteti është angazhuar në marrëdhëniet dypalëshe me Republikën e Bullgarisë”, tha Gir.
Ai ndryshim, siç theksoi, është një vendim sovran që duhet të marrë ky vend. Gir thekson se identiteti nuk humbet në rrugën drejt BE-së.
“Shteti ka një histori të mirë të marrëdhënieve ndëretnike dhe besoj se do të marrë një vendim që do t’i forcojë ato edhe më shumë, pa e cenuar apo dëmtuar në asnjë mënyrë identitetin e këtij vendi, sepse identiteti nuk humbet në rrugën drejt BE-së. Mirëpo, duke qenë se ky ndryshim është pjesë e Marrëveshjes që është bërë për fillimin dhe vazhdimin e marrëveshjeve të anëtarësimit, nëse kjo nuk bëhet, besoj se do të ketë një ngërç dhe nuk mund të them se çfarë do të ndodhë më tutje”, shtoi Gir.
Gjatë javëve apo muajve të ardhshëm ndryshimet kushtetuese do të përditësohen në debate me organizatat e shoqërisë civile dhe ekspertët për nga përmbajtja, por edhe për nga rëndësia e tyre politike, ka paralajmëruar zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq.
Sipas Mariçiqit, vlera politike është shumë më tepër sesa ndryshimet kushtetuese të një pjese të preambullës dhe një amendamenti të Komitetit për marrëdhënie ndërmjet bashkësive, por, siç përmendi ai, këto ndryshime kushtetuese kanë kuptimin e një “drite jeshile” praktike nga ana jonë, nga Kuvendi ynë, për vazhdimin e negociatave me Bashkimin Evropian..zhurnal.
Lajme nga vendi
Radiologu Argjend Imeri: Diagnoza e historisë – Gjenocidi nuk shërohet me harresë

Lajme nga vendi
VAPA AFRIKANE: A DO TË SHKURTOHEN ORËT MËSIMORE?!
Shkollat duhet t’i respektojnë protokollet për punë gjatë temperaturave tepër të larta, porositi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska. Rregullat përcaktojnë edhe se kur duhet të hapen apo të mbyllen dritaret dhe cilat aktivitete duhet t’i zhvillojnë nxënësit. Protokollet janë publikuar në ueb-faqen e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH), ndërsa u janë dorëzuar edhe të gjitha shkollave. Janevska tha se drejtuesit e shkollave dhe mësimdhënësit duhet ta përshtatin mësimin me kushtet atmosferike.
A do të shkurtohen orët mësimore në ditët kur moti do të jetë shumë i nxehtë, ishte një pyetje e gazetarëve drejtuar Ministres së Arsimit, Vesna Janevska, lidhur me vapën afrikane që ka kapluar vendin edhe në fillim të vitit shkollor dhe sipas paralajmërimeve do të vazhdojë edhe më tej.
Ministrja potencoi se shkollat duhet të veprojnë konform protokolleve për situata të këtilla, duke shtuar se nuk mund t`u ikim ndryshimeve klimatike pasi ato janë të njëjta për të gjithë fëmijët në Evropë dhe në botë.
“Udhëheqësit e shkollave dhe vet mësimdhënësit. Është pjesë e punës së tyre. Të adaptohen konform kushteve. Nëse është nxehtë, nuk do të zhvillojnë edukatë fizike, do të kenë pushim, art figurativ, muzikë, diçka tjetër… Unë nuk dua të ndërhyj në punën e tyre, por ja, kjo mund të jetë një ide. Nëse është më freskët, mund të bëjnë edhe ndonjë ushtrim fizik. Në protokolle përcaktohet kur duhet të hapen dhe kur të mbyllen dritaret, si dhe cilat aktivitete duhet t’i kenë fëmijët. Duhet të përshtatemi me çdo gjë që do të jetë sfidë”
E pyetur nëse në shkolla do të sigurohen kondicionerë për freskim gjatë ditëve të nxehta në fillim dhe në fund të vitit shkollor, ministrja u përgjigj se do të ketë kondicionerë kur si shtet do të jemi në gjendje të sigurojmë kondicionerë në të gjitha shkollat.
Nga ana tjetër, Kryetari i Komunës së Aerodromit, Dejan Miteski, deklaroi se në shkollat e kësaj Komune, orët mësimore do të shkurtohen vetëm nëse aktivizohet “faza e verdhë” për shkak të temperaturave të larta.
Lajme nga vendi
Kronika e zezë – Tetovë dhe Gostivar, 01 Shtator
Dje në orën 11:00 në SPB Tetovë, një 52-vjeçar nga Republika e Kosovës, me banim në Norvegji, ka raportuar se në fshatin Dobrosht të Tetovës i është marrë motoçikleta e tij „BMV“, e cila ishte e parkuar në fshat. Po merren masa për gjetjen e motoçikletës dhe për zbardhjen e rastit.
…….Dje në orën 19:15 në Tetovë, zyrtarët policorë kanë privuar nga liria personin një 44 vjeçar nga Tetova, duke vepruar sipas raportimit paraprak nga vëllai i tij 46-vjeçar se, pas një debati të shkurtër në shtëpinë familjare, e ka sulmuar fizikisht dhe i ka dëmtuar telefonin celular. Pas dokumentimit të plotë të rastit, do të vijojë parashtresa përkatëse.
……Dje rreth orës 19:50 në SPB Tetovë është raportuar se në Spitalin Klinik në Tetovë, një 24 vjeçar nga fshati Pallatcë i Tetovës, pasi i është kërkuar të kryejë një pagesë për shërbim mjekësor, është sjellë në mënyrë agresive dhe ka thyer xhamin e sportelit të pranimit, me ç’rast ai dhe dy punonjës të tjerë kanë pësuar lëndime. Pas ndërhyrjes së zyrtarëve policorë, ai ka sulmuar fizikisht edhe një zyrtar policor, e më pas, për shkak të seriozitetit të lëndimeve, është transportuar në Kompleksin e Klinikave „Nënë Tereza“ në Shkup për t’iu ofruar ndihmë mjekësore. Është kryer këqyrje e vendit të ngjarjes dhe pas dokumentimit të plotë të rastit do të dorëzohet kallëzimi përkatës.
……Dje në orën 22:00 në rrugën „107“ në Tetovë, zyrtarët policorë nga SPB Tetovë kanë privuar nga liria një 24 vjeçar nga Tetova sepse gjatë kontrollit të ushtruar ndaj tij është gjetur dhe konfiskuar marihuanë. Personi është ndaluar në stacionin policor dhe pas dokumentimit të rastit do të vijojë parashtresa përkatëse.
……..Dje në orën 22:20 në rrugën „Iliria“ në Tetovë, zyrtarët policorë nga SPB Tetovë kanë privuar nga liria një 42-vjeçare nga Velesi, me banim në Tetovë, sepse gjatë kontrollit të ushtruar ndaj saj është gjetur dhe konfiskuar një substancë e bardhë pluhur. Personi është shoqëruar në polici dhe pas dokumentimit të rastit do të dorëzohet kallëzimi përkatës.
Pas mesnate në orën 01:50 në rrugën „107“ në Tetovë, zyrtarët policorë nga SPB Tetovë kanë arrestuar një 30-vjeçar nga Tetova, i cili kërkohej me urdhëresë gjyqësore për vuajtjen e dënimit me burg për vepër penale të kryer sipas nenit 130 paragrafi 1 të Kodit Penal. Personi është dërguar në Institucionin Ndëshkues-Përmirësues Burgu i Tetovës për vuajtjen e dënimit.
-
Lajme nga vendi1 month agoDyvjeçar nga Kumanova helmohet me tretës ngjyre, dërgohet në Klinikën “Nëna Terezë”
-
Lajme nga bota2 months agoFestivali kthehet në tragjedi, dy të vrarë dhe disa të plagosur nga të shtënat në Uashington. Arrestohet autori
-
Lajme nga bota2 months agoFranca në alarm, zjarret i afrohen Bordeaux, Macron mbledh qeverinë në takim krize

