Lajme nga vendi
SPB Tetovë vlerëson se dje në Kodrën e Diellit ka pasur deri 10 mijë automjete
Fillimi i sezonit të skijimit tërhoqi një numër të madh të skiatorëve dhe vizitorëve në Kodrën e Diellit, dhe për këtë shkak u krijuan kolona automjetesh si për mbërritje ashtu edhe për nisje nga qendra e skijimit.
Policia beson se radhët dhe pritjet për mbërritje dhe kthim janë për shkak të numrit të madh të automjeteve dhe hapësirave të pamjaftueshme të parkimit për to. Marjan Josifoski, zëdhënës i SPB Tetovë, thotë se në prag të hapjes zyrtare të sezonit të ri të skijimit në Kodrën e Diellit më 22 dhe 21 janar, policia ka marrë të gjitha masat e nevojshme.
“SPB Tetovë e ka mbuluar tërësisht rrugën rajonale Tetovë-Kodra e Diellit me një numër të madh të policëve dhe automjeteve, por kapaciteti i pamjaftueshëm i rrugës për një numër kaq të madh të automjeteve (përllogaritur nga 8 në 10 mijë), është ngushtuar edhe më shumë nga bora majtas dhe djathtas, zvogëloi rrjedhshmërinë e trafikut në këtë rrugë”.
“Gjithashtu, evidentohej edhe mungesa e hapësirës për parkim, ku shumë automjete të lëna në vende të papërshtatshme, padurimi i drejtuesve dhe sjellja e padisiplinuar e mjaft drejtuesve, shkaktoi konfuzion dhe ngadalësim të qarkullimit të automjeteve në njërin dhe në tjetrin drejtim”, tha Marjan Josifoski, zëdhënës i SPB Tetovë.
Ndryshe, sezoni i skijimit këtë vit ka filluar dje (22 janar) me vonesë të madhe, për shkak të mungesës së borës./Telegrafi/
Lajme nga vendi
KUR DREJTËSIA MATET ME VLERËN E HIPOTEKËS DHE JO ME PESHËN E AKUZAVE
Nëse ka para, mund të bësh ç’të duash dhe përsëri të jesh i lirë. Kjo është Maqedonia e Veriut dhe ky është mesazhi që të jep sistemi i drejtësisë në shtetin tonë, sistem ky i cili ka reputacion shumë të keq dhe shumë pak besuesshmëri te qytetarët.
Me një garanci prej 180 mijë eurosh, ish-drejtori i Klinikës Universitare për Radioterapi dhe Onkologji, Nino Vasev, do të mbrohet në liri pasi Këshilli Penal i Gjykatës Themelore Penale në Shkup ia hoqi masën e paraburgimit.
Njëkohësisht, u pranua një garanci prej 348,049 eurosh për ish-drejtorin ekonomik të Klinikës, Nehat Nuhi, gjithashtu e siguruar me hipotekë mbi pasuri të paluajtshme.
Vendimi u mor pas mendimit pozitiv nga Prokuroria Publike kompetente, ndërsa ndaj të dy të pandehurve u vendosën masa paraprake. Ata nuk do të lejohen të largohen nga zona e Qytetit të Shkupit, do të jenë të detyruar të paraqiten në Gjykatë një herë në muaj, dhe dokumentet e tyre të udhëtimit janë konfiskuar përkohësisht dhe ndalohet t’u lëshojnë dokumente të reja për kalimin e kufirit shtetëror.
Duke pasur parasysh se Prokuroria hoqi dorë nga e drejta e ankesës, dhe hipotekat e ofruara tashmë janë regjistruar në Kadastrën e Pasurive të Paluajtshme, vendimet kanë marrë formë të prerë dhe të pandehurit janë liruar nga paraburgimi. Me këtë vendim, Vasev lirohet nga paraburgimi ku kaloi rreth një vit.
Vasev dhe Nuhi janë ndër të pandehurit në rastin “Onkologji”, i cili ka të bëjë me funksionimin e Klinikës së Radioterapisë dhe Onkologjisë në periudhën nga viti 2018 deri në vitin 2022. Sipas aktakuzës, ata akuzohen për shpërdorim të detyrës dhe përvetësim në shërbimin që lidhet me prokurimin publik të terapisë onkologjike, prokurim të ilaçeve pa bazë ligjore dhe shlyerje fiktive të borxheve për ilaçe, të cilat, sipas Prokurorisë, i kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme financiare buxhetit. Gjykimi në këtë rast vazhdon, dhe të pandehurit do të mbrohen në liri në procedurën e mëtejshme.
Rasti “Onkologjia”, i cili shkaktoi reagime të stuhishme në publik, u nda nga Prokuroria në dy akuza, njëra prej të cilave “Onkologjia 1”, ku Vasev dhe dy onkologë të tjerë po gjykohen për trajtim të pakujdesshëm të pacientëve, ndërsa në tjetrën, “Onkologjia 2”, kjo për të cilën flitet, ku dy ish-drejtorët VaseV dhe Nuhi po ndiqen penalisht për vepra të zgjeruara penale – keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar, mashtrim në detyrë dhe përvetësim në detyrë.
Lajme nga vendi
BOJAN DIMOVSKI PËRFORCIMI I RI I KF SHKËNDIJA
KF Shkëndija sot ka prezantuar përforcimin më të ri në ekipin kuqezi. Bëhet fjalë për mbrojtësin e majtë Bojan Dimoski, i cili është përforcimi më i ri i skuadrës në këtë afat kalimtar.
Bojan Dimovski është një futbollist polivalent në repartin defensivë. Edhe pse pozita e tij natyrale është mbrojtës i majtë, ai mbulon me mjaft sukses edhe pozita të tjera si mbrojtës i djathtë, mesfushor defensivë dhe anësor, duke u varur nga vendosja taktike e skuadrës.
Përkundër moshës së tij të re, Dimovski sjell një përvojë të konsiderueshme ndërkombëtare, duke numëruar edhe 21 paraqitje me përfaqësuesen A të Maqedonisë së Veriut.
Dimovski është u shpreh i kënaqur që bëhet pjesë e kuqezinjve
‘’ Nënshkruaj për Shkëndijën, jam i lumtur që jam këtu , vijë në skuadrën me ambicie të mëdha dhe pritshmëri të mëdha. Këtë e bëjë për të ndihmuar veten time dhe të ndihmoj Shkëndijën për momentin pasi mendoj se me përvojën që kam nga jashtë mund të ndihmoj shumë ekipit dhe Shkëndijës, si në Europë ashtu edhe në Kampionat’’ deklaroi futbollisti Bojan Dimovski
Bojan Dimovski para se të kalonte jashtë vendit, ai është aktivizuar me skuadrën e AP Brera, ndërsa më pas karrierën e ka vazhduar në futbollin rus me ekipin Akron Tolyatti, prej ku luajti si huazim në Serbi me Partizanin e Beogradit dhe FK TSC Bačka Topola.
Lajme nga vendi
QEVERIA: RIFORMATIMI QEVERITAR NË FAZËN FILLESTARE!
Lidhur me procesin e riformatimit të paralajmëruar të Qeverisë, gjatë ditës së sotme dhe të nesërme janë paraparë takime me partitë politike ZNAM dhe VLEN, bëjnë të ditur burime nga Qeveria.
Megjithatë, nga Qeveria theksojnë se bisedimet aktualisht ndodhen në një fazë të hershme dhe paraqesin një proces të ndjeshëm që kërkon qasje serioze dhe të përgjegjshme, për këtë arsye nuk publikohen detaje shtesë kadrovike. Ata shtojnë se opinioni do të informohet plotësisht sapo të arrihen marrëveshje konkrete dhe zgjidhje përfundimtare.
Udhërrëfyesi kryesor për ndryshimet e ardhshme, shtojnë nga Qeveria, janë parimet dhe mesazhet publike që kryeministri Hristijan Mickoski i përcolli gjatë shënimit të 36-vjetorit të VMRO-DPMNE-së në Strumicë.
Ai atëherë theksoi se po i ndjek me kujdes gjendjet në institucionet shtetërore dhe se nuk është i kënaqur me sjelljen e një pjese të kuadrove.
Mickoski deklaroi se tek ai kanë arritur vërejtje për mungesën e qasshmërisë së disa ministrave dhe drejtorëve, si dhe për largimin e tyre nga problemet dhe nevojat e përditshme të qytetarëve.
Ai porositi se i evidenton me kujdes të gjitha devijimet, se do të ketë ndryshime dhe se nuk do të tolerojë dehjen nga privilegjet që ofron pushteti.
Po ashtu, Mickoski theksoi se Qeveria është zgjedhur për t’i shërbyer popullit dhe jo për të shijuar privilegjet e pushtetit, duke shtuar se çdo funksionar duhet të jetë i qasshëm, i përkushtuar dhe vazhdimisht pranë qytetarëve.
Ai nënvizoi se nuk do të tolerojë papërgjegjshmëri, neglizhencë dhe shmangie nga parimet mbi të cilat bazohet puna e Qeverisë, pavarësisht funksionit që ushtron dikush. Kryeministri gjithashtu deklaroi se nuk pranon arsyetime për mosrealizimin e obligimeve dhe vlerëson se kushdo që nuk mund t’u përgjigjet sfidave duhet ta rishqyrtojë me ndershmëri vendin e tij në ekip.

