Lajme nga vendi
Bullgaria tregon kur mund ta rikthejë ambasadorin e saj në Shkup
“Ambasadori bullgar në RMV, Angel Angelov, mund të kthehet në Shkup kur të krijohen kushtet e duhura për këtë”.
Këtë tha sot ministri i Punëve të Jashtme i Bullgarisë, Nikolaj Milkov, duke folur për ngjarjet e fundit në mes Shkupit dhe Sofjes.
“Nëse fillon dialog i nivelit të lartë, në të cilin duhet të marrë pjesë edhe ai, ambasadori mund të kthehet në çdo moment”, shtoi Milkov në konferencë për media ku informoi për aktivitetet e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Bullgarisë.
Duke komentuar deklaratën e shefit të diplomacisë së RMV-së, Bujar Osmani, se vendimi për të ftuar ambasadorin Angelov në konsultime në Sofje ishte një veprim i pabazuar, i paargumentuar dhe disproporcional, Milkov tha se një procedurë e tillë pasqyron bindjen e Bullgarisë se situata ka shkuar shumë larg dhe se “masë e tillë është e nevojshme”.
“Nëse Republika e Maqedonisë së Veriut konsideron se thirrja e ambasadorit të jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë të Bullgarisë në Maqedoninë e Veriut, Angel Angelov, është joproporcionale, ndoshta nuk e kuptojnë seriozitetin e situatës”, tha Milkov.
Sipas tij, në këtë moment është e nevojshme që ambasadori Angelov të jetë në Sofje “për të sqaruar një sërë qasjesh” në lidhje me politikën bullgare ndaj RMV-së.
Lajme nga vendi
Samiti i Diasporës: Tirana u kthye në qendrën e shqiptarëve nga e gjithë bota
Në Tiranë ka nisur Samiti i IV i Diasporës, nën kujdesin e Presidentit të Republikës, Bajram Begaj.
Ky eveniment i rëndësishëm ka në fokus bashkëpunimin me diasporën dhe rritjen e rolit të saj në zhvillimin e vendit.
Tirana është kthyer në qendrën e shqiptarëve nga e gjithë bota, këtë vit me moton frymëzuese: “Përmes Rrënjëve Lartësohemi”.
Në ceremoninë e mirëseardhjes, e cila u zhvillua në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, morën pjesë Presidenti Bajram Begaj, Kryeministri Edi Rama, krerë të komuniteteve fetare, ministra, deputetë, drejtues të institucioneve të shtetit, si dhe personalitete nga të gjitha trevat shqiptare dhe diaspora, duke i dhënë ngjarjes përmasa të një feste të vërtetë kombëtare.
Në ceremoninë e Samitit, Presidenti i Republikës Bajram Begaj dekoroi personalitete të Diasporës shqiptare të spikatur në fushat e tyre.
Ish-kapiteni i Kombëtares Lorik Cana u dekorua me “Urdhrin e Skënderbeut”. Cana u shpreh gjatë fjalës së tij se është përpjekur me punë gjithnjë të mbahet lart krenaria dhe nderi i shqiptarëve.
Personalitete të tjera që u nderuan: Gentian Toshkëzi, Kalorës i Urdhrit Suprem të Shqiponjës; Klarita Gërxhani, Kalorës i Urdhrit të Lisit Akademik; Shqiponjë Telhaj, Kalorës i Urdhrit të Lisit Akademik; Markus Schuhmann, Oficer i Urdhrit të Skënderbeut dhe Andres Lindberg Oficer i Urdhrit të Skënderbeut.
Samiti do të zhvillohet më datat 14 dhe 15 prill, me një program të pasur që përfshin panele tematike. Pjesëmarrësit do të kenë mundësi të diskutojnë dhe të eksplorojnë fusha të ndryshme të interesit, përfshirë ekonominë, inovacionin, arsimin, shëndetësinë, artin dhe ruajtjen e identitetit kombëtar.
Disa nga panelet dhe ngjarjet kryesore të ndara sipas tematikave: Ekonomia, inovacioni dhe zhvillimi; diaspora partner në biznes dhe inovacion; zhvillimi lokal dhe rural (kryebashkiakë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Lugina e Preshevës do të diskutojnë mbi rolin e diasporës në zhvillimin lokal); integrimi evropian; edukimi, shkenca dhe shëndetësia; mësimi digjital dhe gjuha shqipe; Diaspora dhe kërkimi shkencor (Programi READ); sistemi shëndetësor; kultura, identiteti dhe bashkëpunimi politik; Bota arbëreshe dhe identiteti kombëtar; diaspora mbarëshqiptare; mëngjesi i vëllazërimit (një takim unik mes klerikëve dhe përfaqësuesve të komuniteteve fetare shqiptare në diasporë (SHBA, Zvicër, Gjermani etj.), në një lutje të përbashkët për Shqipërinë); arti, sporti dhe gastronomia; rrënjë dhe udhëtime; Softpoëer-i sportive; zërat e diasporës (TKOBAP); aktivitete paralele dhe ekspozita, raporton RTSH.
Lajme nga vendi
Nga 13 deri më 19 prill fillon aksioni evropian për kontroll të shpejtësisë në rrugët e Maqedonisë
Nga Ministria e Punëve të Brendshme njoftojnë se nga 13 deri më 19 prill fillon aksioni evropian për kontroll të shpejtësisë në rrugë.
Nga atje theksojnë se Policia rrugore e Maqedonisë, si anëtare e Rrjetit Evropian të Policive Rrugore – ROADPOL, i bashkohet këtij aksioni me kontrolle të shtuara për vozitje mbi shpejtësinë e lejuar.
“Ndërsa të mërkurën, më 15 prill, nga ora 00:00 deri të enjten, 16 prill në ora 00:00, do të zhvillohet një “Maratonë 24-orëshe e shpejtësisë”, gjatë së cilës do të ketë kontrolle të pandërprera të shpejtësisë së lëvizjes në të gjithë territorin e shtetit. Vozitja e shpejtë mbetet një nga shkaqet kryesore të aksidenteve rrugore me pasoja të rënda dhe fatale në rrugët tona. Prandaj duhet të veprojmë vazhdimisht. Me implementimin e projektit “Safe City” dhe kontrollet e vazhdueshme aksionale të trafikut: rritet ndërgjegjësimi për rreziqet e vozitjes me shpejtësi të madhe, nxitet ndryshimi i sjelljes së shoferëve në afat të gjatë, shpëtohen jetë”, thonë nga MPB.
Sipas Policisë, një pjesë e madhe e lokacioneve të aksionit për kontrolle janë të njohura paraprakisht për shoferët, me qëllim që të forcohet karakteri parandalues i këtyre aksioneve.
“Qëllimi nuk është ndëshkimi, por qarkullimi në kufijtë e lejuar të shpejtësisë – një qarkullim që shpëton jetë”, thonë nga MPB.
Lajme nga vendi
Kamionët grevë në 4 shtete, bllokohet për 3 ditë kalimi në pikat kufitare
Autoritetet doganore shqiptare njoftojnë se nga nesër deri më 16 prill, do të ketë një ndalim përkohshëm të qarkullimit të lëvizjes së mjeteve të tonazhit të rëndë në akset rrugore që të çojnë nga Shqipëria drejt pikave të kalimit kufitar me Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut.
Shkak është lajmërimi për një grevë 72-orëshe nga shoqatat e kamionistëve të Malit të Zi, Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës, protestë e cila nis në ora 09.30.
Për të shmangur bllokimin e këtyre rrugëve drejt pikave kufitare dhe incidentet, autoritetet nuk do të ndalojnë qarkullimin e kamionëve të transportit ndërkufitar deri në përfundim të protestës.
Në kalimet kufitare do të lejohet të kalojnë auto veturat, mjetet e emergjencave, autobusët dhe mjetet e transportit të pasagjerëve. Arsyeja e protestës nuk është ende e qartë. Në shkurt shoqatat e transportit ndërkufitar në rajon protestuan për rregulla e reja të hyrje-daljes në zonën Shengen.
-
Lajme nga bota3 weeks ago“Do jem makthi i Iranit”, Trump ‘kërcënon’ sërish: Nëse nuk ulen në negociata, bombardimet do të shtohen
-
Lajme nga rajoni3 weeks agoZbardhet dëshmia e autorit të vrasjes së Liridonës, Plava: Kisha marrëveshje me Murselin, më tha se Behgjet Pacolli ka qenë në dijeni
-
Sport3 weeks agoBARDHI: NËNVLERËSIMI VETËM SE NA MOTIVON KUNDËR DANIMARKËS!

