Connect with us

Lajme nga vendi

Në Kumanovë shkollat e mesme dallojnë për nga etnia e nxënësve që mësojnë!

Published

on

Vitin që lamë pas përderisa shkolla e mesme “Goce Dellçev” rinovohej duke marrë pamje të një shkolle evropiane, shqiptarët i gëzoheshin vendimit që shkolla e mesme “Sami Frashëri” do të bëhet me objekt të ri, pa çka se objekti i ri do t’i largojë nxënësit shqiptarë nga qendra e qytetit në drejtim të periferisë. Shkolla e rinovuar plotësisht me kushte dhe standarde moderne është Gjimanzi “Goce Dellçev”, në të cilin mësojnë nxënësit maqedonas. Ndërkaq, objekti që me gjithçka tjetër mund të ngjajë vetëm me shkollë jo, është Gjimnazi “Sami Frashëri”, ku mësojnë nxënësit shqiptarë. Pra, po flasim për dallime esenciale të dy shkollave të mesme në të njëjtin qytet por brenda të cilave vijojnë mësimin nxënës të përkatësive të ndryshme etnike. Derisa nxënësit shqiptarë po presin shkollën e re, nxënësit maqedonas po pajisen me banka e karrige moderne që nxënësit shqiptarë mund t’i shohin vetëm në ëndërr. Si dhe në kohën e njëjtë kur për shkollat shqiptare është arritje dhe sukses ndërrimi i çative të kalbura, në shkollat maqedonase vendosen termocentrale fotovoltaike mbi çati, shkruan Zhurnal.

Në Kumanovë ka dallim esencial të jesh nxënës shqiptarë dhe të jesh nxënës maqedonas

Nxënësit shqiptarë dallohen nga bashkëmoshatarët e tyre maqedonas për nga kushtet me të cilat disponojnë, kur flasim posaçërisht për nxënësit e dyja gjimnazeve që janë në këtë qytet, atë të maqedonasve “Goce Dellçev”, dhe atë të shqiptarëve “Sami Frashëri”. Kjo për shumë arsye, mes tjerash dhe kryesoret infrastruktura dhe kushtet që posedojnë këto shkolla.

Në objektin e shkollës dhe sallës sportive në gjimnazin “Goce Dellçev” në Kumanovë është vendosur fasadë e re vitin që lamë pas, me çka kjo shkollë mori pamje krejtësisht tjetër duke plotësuar standardet evropiane, si për nga pamje jashtme ngjashëm edhe nga brendësia.

“Kemi ndërruar të gjitha dritaret e vjetra me dritare të reja PVC efiçente. Kulmi i vjetër i objektit të shkollës dhe sallës sportive tërësisht është zëvendësuar me një çati të re. Rinovuam ambientet e brendshme të sallës sportive të shkollës, vendosëm një sistem të ri ngrohjeje dhe një tapet të ri sportiv. Ndërtuam një fushë të re sportive me dysheme speciale në oborrin e shkollës. Janë ndërruar dyert e ambienteve të zyrës dhe klasave, janë ndrruar sipërfaqet e dyshemesë në klasa si dhe ambientet sanitare në shkollë”, ka njoftuar Komuna e Kumanovës (gusht, 2022).

Advertisement

Nuk është kjo e tëra sepse shkolla e mesme “Goce Dellçev” ku mësojnë vetëm nxënësit maqedonas së fundmi si fazë përfundimtare të rikonstruimit është pajisur edhe banka dhe karrige me standarde të larta për të gjithë nxënësit, ngjashëm edhe zyrat e mësimdhënësve.

“Pas përfundimit me dyshemenë e re blemë dy makineri të reja për mirëmbajtjen e dyshemesë, tavolina dhe karrige për të gjithë nxënësit si dhe pajisje të reja të destinuara për zyrat e punonjësve të kësaj shkolle. Janë vendosur edhe tetë kondicionerë inverter. Ka përfunduar montimi dhe instalimi i një termocentrali fotovoltaik në çatinë e shkollës, tani jemi në pritje të lejes dhe aktivizimit nga EVN në rrjetin e shpërndarjes elektrike që do të na mundësojë të fillojmë përdorimin e pajisjeve dhe të kursejmë energjinë elektrike“, ka thënë drejtoresha, Marija Todorovska për Kumanonews. https://kumanovonews.mk/vesti/nova-oprema-klupi-i-stolcinja-za-ucenicite-vo-gimnazijata-goce-delcev-kumanovo

“Gjimanzi “Goce Dellçev” mbi çati termocentrale fotovoltaike, gjimanzi “Sami Frashëri” ka ngelë pa çati”

Përderisa gjimnazi ku mësojnë maqedonasit ka vendosur edhe termocentrale fotovaltike mbi çati, gjimnazi ku mësojnë nxënësit shqiptarë ka mbetur ende pa adresë të saktë, nxënësit po vijojnë mësimin në objektin që vetëm shkollë nuk mund të quhet.

Vitin që lamë pas derisa shkolla e mesme “Goce Dellçev” rinovohej duke marrë pamje të një shkolle evropiane, shqiptarët i gëzoheshin vendimit që shkolla e mesme “Sami Frashëri” do të bëhet me objekt të ri, pa çka se objekti i ri do t’i largojë nxënësit shqiptarë nga qendra e qytetit në drejtim të periferisë.

Advertisement

Ky objekt i kësaj shkolle ku mësojnë nxënësit shqiptarë është prapavija më e njohur gjatë fushatave parazgjedhore kur ka zgjedhje lokale, pra janë bërë më shumë se 17 vite që kur është premtuar gjetja e një zgjidhjeje të përshtatshme për gjimnazin “Sami Frashëri”, e tani vitin e kaluar u mor ai vendim që nuk konsiderohet të jetë aspak i përshtatshëm dhe i duhur. Kjo shkollë nuk ka as sallë sportive nxënësit aktivitetet sportive i realizojnë në bodrumin e kësaj shkolle që sipas tyre kundërmon erë e rëndë, dhe ka hapësira që janë të mykura.

Kujtojmë që, para rinovimit të gjimnazit “Goce Dellçev” Komuna e Kumanovës ishte kujdesur edhe për shkollat tjera, duke rinovuar shkollën fillore ne “Ljubodrag”, shkollën fillore “Brakja Milladinovci”, shkolle fillore në “Umin Doll’, shkollën e mesme “Pero Nakov” në të gjitha këto shkolla mësojnë vetëm nxënësit maqedonas.

Ndërkaq, shkollat fillore në të cilat mësojnë shqiptarët janë të rinovuar pjesërisht, në përjashtim të shkollës së mesme ekonomike “Pero Nakov” paralelja në gjuhën shqipe që është me objekt në periferi të qytetit që është e rinovuar më shumë se të tjerat, por asesi në formën e njëjtë sikurse shkolla e mesme “Goce Dellçev”. Siduket, kjo është strategji e instaluar që kushte më të mira në shkollat ku mësojnë shqiptarët, por me kusht që ato shkolla të jenë sa më larg qendrës së qytetit. /Zhurnal.mk

Advertisement

Lajme nga vendi

Kronika e zezë – Tetovë dhe Gostivar, 07 Tetor

Published

on

Dje në orën 15:40, zyrtarë policorë nga Stacioni Policor Mavrovë kanë privuar nga liria një 45-vjeçar nga fshati Zdunjë, rrethina e Gostivarit. Gjatë një kontrolli në trafik, është konstatuar se ai po drejtonte një automjet udhëtarësh “Opel Vectra” me targa të Gostivarit pa leje drejtimi. Automjeti është sekuestruar dhe pas dokumentimit të rastit ndaj tij do të vijojë parashtresa përkatëse.

…….

Dje në orën 14:00 në SPB Tetovë, një grua 33-vjeçare nga Republika e Malit të Zi ka denoncuar se ish-partneri i saj, një 43-vjeçar, nga fshati Vrapçisht, rrethina e Gostivarit, i cili nga shtatori i vitit 2026 ndodhet në vuajtje të dënimit me burg në Burgun e Tetovës, nga numra të ndryshëm telefoni dhe përmes një aplikacioni celular ka dërguar kërcënime ndaj saj dhe familjes së saj. Po merren masa për zbardhjen dhe dokumentimin e rastit, pas së cilës do të dorëzohet kallëzimi përkatës.

Continue Reading

Lajme nga vendi

Policia e trafikut me 33 skuterë të rinj “Piaggio Beverly 310”

Published

on

Parku i automjeteve të policisë së trafikut në Maqedoninë e Veriut është pasuruar me 33 skuterë të rinj “Piaggio Beverly 310 HPE”, në version të posaçëm policor.

Ministria e Punëve të Brendshme ka pranuar 33 skuterët e rinj policorë, të siguruar nga Këshilli Republikan për Siguri në Trafikun Rrugor (KRSSTR). Dorëzimi zyrtar u bë në prani të ministrit të Punëve të Brendshme, Panço Toshkovski, dhe kryetarit të KRSSTR-së, Goran Angelovski.

Së bashku me skuterët është siguruar edhe pajisje e plotë mbrojtëse për motoçiklistët, përkatësisht për secilin polic:

helmetë mbrojtëse;
xhaketë dhe pantallona motoçiklistike;
çizme motoçiklistike;
doreza për verë dhe dimër.

Vlera totale e furnizimit është 16.845.561 denarë, ose rreth 274 mijë euro. Në këtë shumë përfshihen si skuterët, ashtu edhe pajisjet mbrojtëse.

Advertisement

“Piaggio Beverly 310 HPE” është skuter italian i kategorisë maxi-skuter, me motor 310 kubikë që zhvillon rreth 27,7 kuaj fuqi. Transmisioni automatik CVT, rrotat e mëdha dhe përmasat kompakte e bëjnë atë të përshtatshëm për lëvizje në trafikun urban.

Për policinë e trafikut, skuterët mundësojnë lëvizje më të shpejtë në trafikun e dendur, qasje më të lehtë në vendet e aksidenteve dhe rregullim më efikas të trafikut në rrugët dhe kryqëzimet e frekuentuara.

Nga MPB-ja thonë se blerja e re synon të rrisë mobilitetin e policisë së trafikut, të mundësojë kontroll më efikas të komunikacionit dhe të përmirësojë kushtet e punës së pjesëtarëve të policisë.

Ministri Panço Toshkovski theksoi se furnizimi është pjesë e aktiviteteve më të gjera për modernizimin e policisë dhe rritjen e sigurisë në trafik.

Ndërkaq, nga KRSSTR-ja u bë e ditur se do të vazhdojnë investimet për pajisjen e njësive policore që janë përgjegjëse për kontrollin e trafikut.

Advertisement

Me 33 “Piaggio Beverly 310”, policia e trafikut fiton mjete të reja që pritet të mundësojnë reagim më të shpejtë dhe mobilitet më të madh, veçanërisht në kushtet e trafikut të dendur urban.

Burimi: Ministria e Punëve të Brendshme (MPB)

Continue Reading

Lajme nga vendi

Nis shpërndarja e kartelave për “naftën e gjelbër”, mbi 48 mijë fermerë përfitojnë

Published

on

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave ka nisur shpërndarjen e kartelave për “naftën e gjelbër” për fermerët, në një periudhë kur po përgatiten tokat për përpunimin vjeshtor dhe mbjelljen.

Për këtë masë këtë vit janë siguruar 584 milionë denarë, rreth 9.5 milionë euro, ndërsa janë përgatitur gjithsej 48.037 kartela.

Shpërndarja ka nisur në Sveti Nikollë, ndërsa më pas ka vazhduar në Manastir, bëri të ditur ministri i Bujqësisë, Borçe Serafimovski.

Mbështetja financiare varet nga sipërfaqet dhe kulturat bujqësore të deklaruara në kërkesat për pagesa direkte për vitin 2025 dhe varion nga 3.200 deri në 12.000 denarë për hektar.

Për kulturat drithore, si gruri, elbi, misri dhe orizi, fermerët përfitojnë 3.200 denarë për hektar. Për lulediellin, kolzën, jonxhën dhe disa kultura të tjera mbështetja është 4.800 denarë për hektar.

Advertisement

Për kulturat kopshtare dhe vreshtat janë paraparë 9.600 denarë për hektar, ndërsa mbështetja më e lartë, prej 12.000 denarësh për hektar, është për mollën, dardhën, kumbullën, pjeshkën dhe disa kultura të tjera frutore.

Për ftonjtë, shegët, bajamet, lajthitë dhe kultura të tjera të kësaj kategorie ndahen 8.800 denarë për hektar, për duhanin 11.000 denarë, ndërsa për arrat dhe gështenjat 6.000 denarë për hektar.

Në Sveti Nikollë janë shpërndarë kartelat e para nga gjithsej 1.900, me vlerë mbi 38.2 milionë denarë. Në Manastir janë përgatitur 3.858 kartela, me vlerë të përgjithshme prej rreth 57.5 milionë denarësh.

Sipas Ministrisë, qëllimi është që ndihma financiare të arrijë te fermerët pikërisht në periudhën kur ata kanë shpenzimet më të mëdha për përgatitjen e tokave, blerjen e farërave dhe plehrave, si dhe mirëmbajtjen e mekanizimit bujqësor.

Masa zbatohet përmes Programit për mbështetje financiare në bujqësi për vitin 2026.

Advertisement

Gjatë vizitës në Manastir, ministri Serafimovski është takuar edhe me bletarë nga Pellagonia. Në takim është bërë e ditur se në Ministri janë përgatitur urdhërpagesat për subvencionet e bletarëve dhe se pagesa pritet të realizohet sa më shpejt.

Ndërkohë, është paralajmëruar edhe brendimi i mjaltit maqedonas, përkatësisht atij të Mariovës, me qëllim promovimin e mëtejshëm të origjinës dhe cilësisë së tij.

Continue Reading

Më të lexuarat