Lajme nga vendi
Mariçiq: Do të formohet grupi i ekspertëve për ndryshimet kushtetuese, ta shfrytëzojmë momentin politik për eurointegrimet
Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane Bojan Mariçiq në brifingun me gazetarët në Bruksel porositi se shteti nuk duhet ta lëshojë momentin politik që e ka këtë vit në procesin inkuadrues, duke paralajmëruar në të njëjtën kohë se do të formohet grup ekspertësh i cili do të formojë amendamentet për ndryshimet kushtetuese.
Siç lajmëroi raportuesja e MIA-s nga Brukseli, Mariçiq paralajmëroi se do të ftojnë disa ekspertë të shquar me të drejtë kushtetuese, por, siç tha, dera do të mbetet e hapur edhe për të gjitha partitë politike të cilat do të ftohen të nominojnë përfaqësues të tyre me qëllim që të formulohen amendamentet kushtetuese.
Më pas ai pret një debat më të gjerë shoqëror para se të hyjnë në Kuvend amendamentet kushtetuese, në të cilin do të diskutohen vetë amendamentet, por siç tha ai do të ndihet edhe impulsi i qytetarëve.
Mariçiq përkujtoi se prej kur është pranuar propozimi francez, qëndrimi ishte se ai obligim nuk del jashtë konceptit të Kushtetutës sonë, as siç tha, shkel ndonjë nga parimet bazë në aktin më të lartë juridik me futjen e disa bashkësive ndër të cilat edhe bullgarët, nuk e ndryshon karakterin e shtetit tonë, as ajo që është konfirmuar me amendamentet kushtetuese nga viti 2021.
Ai është i vendosur që ne nuk kemi mundësi të rinegociojmë kushtet me të cilat do të anëtarësohemi në BE. Aty thuhet se Korniza Negociative është miratuar dhe nuk do të jetë më objekt diskutimi. Ai vlerëson se aktorë të caktuar politikë po japin shpresa të rreme, veçanërisht, siç tha ai, nga partia më e madhe opozitare, se është e mundur të rinegociohet propozimi francez dhe të arrihen kushte më të mira në të cilat ata do të anëtarësohen në BE.
Ai thotë se është e pamundur edhe madje të niset nga ajo rrugë dhe siç thotë ai, mund të nënkuptojë edhe një cikël prej dhjetë, pesëmbëdhjetë vite.

Në këtë mendim zëvendëskryeministri theksoi se edhe pse nuk është ideale kjo është kompromis që na mundëson nga njëra anë të hyjmë në shtigjet së bashku me Shqipërinë dhe të kapim trenin e Serbisë dhe Malit të Zi, ndërsa në të njëjtën kohë të mos heqim dorë nga pozitat dhe pikat tona të identitetit.
Për të është shumë e rëndësishme që në këtë fazë të kemi mbështetjen e 26 vendeve të tjera anëtare. Ai tha se ka pasur një betejë serioze për konkluzionet e Procesit për Stabilizim dhe Asocim, i cili do të mbahet për herë të parë të premten në Shkup, në të cilin 26-të anëtarët e BE-së qëndruan në anën e vendit, duke vlerësuar se është e rëndësishme për të ruajtur atë mbështetje të 26 vendeve anëtare, përmes, siç tha, procesit të reformës dhe përmbushjes së detyrimeve të Kornizës Negociatore lidhur me propozimin francez.
Prandaj, sipas tij nuk duhet të lëshohet momenti politik që e kemi këtë vit, sepse vitin e ardhshëm ka zgjedhje për Parlamentin Evropian, prandaj do të fillojë një proces i gjatë midis majit dhe nëntorit për rikompozimin e institucioneve – do të ketë KE të re, me njerëz të rinj në të.
Theksoi se është e rëndësishme ta mbajmë dinamikën e skriningut dhe është e rëndësishme t’i marrim raportet e skriningut sa më shpejtë, sepse, tha, do të na ndihmojnë në formësimin e detyrave për anëtarësim.
Lajme nga vendi
“TETOVA N`FESTË”: “KREJT E THIRRIN REXHËN” NË ATMOSFERË VERORE!
Nën qiellin e hapur të Banjës së Tetovës, qytetarët patën mundësinë të ndjekin shfaqjen e filmit “Krejt e Thirrin Rexhën”, në kuadër të manifestimit Vera Tetovare, Tetova n’Festë.
Një mbrëmje e bukur kinematografike, e mbushur me emocione, humor dhe atmosferë të veçantë, që bëri bashkë qytetarë të të gjitha moshave.
Tv Koha takoi edhe Artistin e ri nga Tetova, Ledion Mulaku, i cili hapat e parë në aktrim i ka bërë që në moshë të hershme, duke qenë pjesë e disa projekteve filmike dhe serialeve të rëndësishme në rajon, duke përfshirë filmat “Dashuria s’mjafton” dhe “Shkëmbimi”, serialin ndërkombëtar Sunrise, si dhe projektin e fundit “Krejt e thirrin Rexhen”, ku ai interpreton një nga rolet protagoniste dhe është vlerësuar me çmimin Best Young Actor.
Suksesi i tij është një shembull frymëzues për të rinjtë e Tetovës dhe një dëshmi e potencialit të madh që ka rinia jonë.
Vera tetovare riktheu në Tetovë filmin “Krejt e Thirrin Rexhën” me një mbrëmje të veçantë kushtuar artit dhe kinematografisë shqiptare.
Ambienti I hapur në Banjë të Tetovës u bë arenë e gërshetimit të brezave dhe interesimit të jashtëzakonshëm të publikut tetovar.
U shijua së bashku një film I jashtëzakonshëm në një atmosferë të bukur verore, ku sipas organizatorëve, “Tetova N`Festë” vazhdon të sjellë kulturë, art dhe argëtim në çdo cep të qytetit.
/Tv Koha/
Lajme nga vendi
Kronika e zezë – Tetovë dhe Gostivar, 26 Korrik
Dje, rreth orës 13:10 në Hanet e Mavrovës, zyrtarët policorë të Stacionit Policor Mavrovë kanë privuar nga liria një 18-vjeçar nga Gostivari. Gjatë një kontrolli në trafik është ndaluar një motoçikletë me targa të Gostivarit, të cilën e drejtonte ai, ndërsa është konstatuar se motoçikleta ishte e paregjistruar dhe ai nuk posedonte leje drejtimi. Motoçikleta është konfiskuar, ndërsa pas dokumentimit të rastit do të parashtrohet kallëzimi përkatës.
Dje, rreth orës 19:45 në rrugën rajonale Tetovë–Jazhincë, në fshatin Dobrosht, zyrtarët policorë të Stacionit Policor Tearcë kanë privuar nga liria një 53-vjeçar nga fshati Sllatinë e Tetovës. Gjatë kontrollit në trafik është konstatuar se ai drejtonte një automjet “Mercedes” me targa të Tetovës pa leje drejtimi. Automjeti është konfiskuar dhe pas dokumentimit të rastit do të vijojë parashtresa përkatëse.
Gjithashtu dje, rreth orës 23:00 në rrugën “Vëllezërit Bllazhevski” në Gostivar, zyrtarët policorë të SP për Siguri në Trafikun Rrugor Gostivar kanë privuar nga liria një 16-vjeçar nga Gostivari. Ai drejtonte një moped të paregjistruar, pa poseduar leje drejtimi, dhe ishte përfshirë në një aksident trafiku. Mopedi është konfiskuar, ndërsa pas dokumentimit të rastit do të vijojë parashtresa përkatëse.
Poashtu dje, në rrugën “Ilinden” në Tetovë, zyrtarët policorë të SPB Tetovë kanë privuar nga liria një 26-vjeçar nga fshati Kopanicë, komuna e Jegunocës, pasi gjatë kontrollit tek ai është gjetur dhe konfiskuar marihuanë. Pas dokumentimit të rastit do të ngrihet parashtresa përkatëse.
Dje, rreth orës 17:30 në Stacionin Policor Zherovjan, një 38-vjeçar nga fshati Kamjan ka denoncuar se rreth orës 16:00, në fshatin Zherovjan, djali i tij tetëvjeçar është sulmuar fizikisht nga një 25-vjeçar nga i njëjti fshat. Po merren masa për zbardhjen e rastit.
Dje, rreth orës 17:40 në Stacionin Policor Mavrovë është denoncuar prishje e rendit dhe qetësisë publike me bërtitje dhe sjellje agresive në lagjen e vikend-shtëpive “Krstovi 2”. Në vendin e ngjarjes, policia ka hasur një 36-vjeçar dhe një 67-vjeçar nga Gostivari, të cilët po prishnin rendin dhe qetësinë publike. Të dy janë arrestuar, ndërsa gjatë ndërhyrjes 67-vjeçari ka fyer zyrtarët policorë. Pas dokumentimit të plotë të rastit do të ngrihen parashtresa përkatëse.
Dje, rreth orës 20:30, nga Qendra Klinike e Tetovës është njoftuar SPB Tetovë se me lëndime të rënda trupore është pranuar një 27-vjeçar nga Tetova. Ai ka deklaruar se rreth orës 19:00, në oborrin e shtëpisë, xhaxhai i tij 61-vjeçar, duke lëvizur automjetin në marsh prapa, pa dashje i ka shkelur këmbën. I lënduari ka kërkuar që të mos ngrihet kallëzim, pasi ngjarja ka qenë aksidentale. Policia ka kryer këqyrjen në vendin e ngjarjes.
Dje, rreth orës 16:50 në fshatin Pirok të Tetovës, zyrtarët policorë të Stacionit Policor Kamjan kanë gjetur një 52-vjeçar nga Piroku, i cili ishte larguar nga një institucion shëndetësor në Shkup, ku po trajtohej. Ai është dërguar në Spitalin Klinik të Tetovës për procedura të mëtejshme.
Dje, rreth orës 21:10 në DPB Gostivar, një 69-vjeçar nga Gostivari ka denoncuar se rreth orës 17:00, për shkak të një mosmarrëveshjeje lidhur me një borxh, është sulmuar fizikisht nga vëllai i tij në oborrin e shtëpisë në rajonin e Gostivarit, i cili gjatë sulmit ka përdorur edhe një send të fortë. Po merren masa për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rastit.
Lajme nga vendi
HELMIMET NË GOSTIVAR PO SHFRYTËZOHEN PËR POENË POLITIK!
Siç edhe pritej, çështja me helmimet në Gostivar po merr kahje politike. Kryeministri Hristijan Mickoski tha se ekipet e “Ujësjellësit” nga Shkupi po punojnë në Gostivar dhe se pas përfundimit të procesit të hiperklorimit të instalimeve në sistemin e ujësjellësit, pret që sot uji në Gostivar të shpallet “teknikisht i përdorshëm”.
“Pres sot, megjithëse rezultatet tashmë janë të mira, por pres sot dhe le të jemi konservatorë. Le të themi që nesër të publikohet një deklaratë se uji është teknikisht i përshtatshëm për përdorim, pasi është rregulluar në një kohë rekord prej një jave. Pra, çfarë mund të bëjmë ne si Qeveri, po e bëjmë. Dhe më habit që, ja, opozita ende nuk ka dalë me asnjë kritikë ndaj komunës dhe udhëheqjes që ata mbështetën gjatë zgjedhjeve lokale”, tha Mickoski.
Nga LSDM thotë se “Epidemi u shpall pesë ditë me vonesë dhe institucionet nuk e informuan publikun në kohë dhe nuk morën masa. Ndërsa qytetarët përfunduan në turma në ambulanca dhe spitale. Ministri Klekovski konfirmoi se kishte devijime në mostrat. Por paralajmërimi erdhi shumë vonë.” Ata ngrenë dyshime nëse duhet apo jo t’i besohet Mickoskit në lidhje me cilësinë e ujit dhe përdorimin e tij.
“Ky nuk është një dështim teknik, por një kolaps sistemik. Kur institucionet heshtin ndërsa mijëra njerëz po helmohen, atëherë nuk po flasim më për një gabim. Po flasim për qëndrimin ndaj qytetarëve. Përgjegjësia është e qartë. Pyetja e vetme është se kur dikush do ta marrë më në fund përsipër. Nga ana tjetër Mickoski thotë se që nga sot, uji teknik në Gostivar është i pastër. A i besoni atij?” pyet LSDM-ja.
Nga Aleanca për Shqiptarët vlerëson se situata e krijuar në Gostivar pas problemeve me furnizimin me ujë po shkon drejt normalizimit të plotë, falë angazhimit të institucioneve lokale dhe qendrore, si dhe mbështetjes së organizatave dhe të gjithë aktorëve të përfshirë.Aleanca për Shqiptarët u bën thirrje të gjitha subjekteve politike që të mos e shfrytëzojnë situatën për përfitime politike në kurriz të qytetarëve.
“Nuk ndërtohet rejting politik mbi fatkeqësitë e dikujt tjetër. Në këtë moment, prioritet duhet të jetë tejkalimi i situatës dhe mbështetja e qytetarëve”, thuhet në reagim. Në fund, Aleanca për Shqiptarët kërkon që të gjitha rrethanat dhe përgjegjësitë lidhur me këtë rast të përcaktohen përmes një procedure të drejtë, objektive dhe transparente.
Mbi 4,070 qytetarë në Gostivar kërkuan ndihmë mjekësore. Dje u regjistruan edhe 125 ekzaminime të personave me simptoma dhe një fëmijë u shtrua në spital./Tv Koha/

