Lajme nga vendi
Artan Grubi tregon bisedën me Mickoskin për korridoret: Niseni punën pastaj shkojmë në zgjedhje
Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi ka deklaruar se gurthemeli i korridorit 10D do të vendoset më 12 maj.
“Më 12 maj do të vendoset edhe gurthemeli i projektit korridori 10D. Po flitet për projektin më të madh në historinë e vendit, me një rëndësi strategjike jo vetëm për vendin por për mbarë rajonin. Një projekt me përfitim të mirë ekonomik për të gjitha kompanitë vendore të ndërtimit, për punëtorët tanë, pasi 51 përqind të resurseve punëtore do të jenë vendas”, deklaroi Grubi.
Grubi ka deklaruar se për projektin ka patur takime edhe me liderin e VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, i cili, sipas tij, ka dhënë për ligjin special, duke i thënë që të nënshkruhet marrëveshja, të nis puna dhe më pas të shkohet në zgjedhje.
“Ai po ashtu është takuar edhe me përfaqësues të Bechtel Enka. Unë po ashtu jam takuar edhe me Vllado Misajllovski, ish ministër i transportit dhe lidhjeve. Me Aleksandar Nikollovskin për ligjin special dhe ndryshimet e tjera. Të gjithë u pajtuan se janë të nevojshme dhe se kanë propozimet e tyre për përmirësimin e zgjidhjeve ligjore por asnjëherë nuk i dorëzuan”, ka deklaruar Grubi.
Sipas tij, Mickoski ka dhënë përkrahje për ligjin dhe i ka thënë “eceni ju punën tuaj, është projekti juaj, nënshkruajeni dhe pastaj shkojmë në zgjedhje të parakohshme”./shenja
Lajme nga vendi
Samiti i Diasporës: Tirana u kthye në qendrën e shqiptarëve nga e gjithë bota
Në Tiranë ka nisur Samiti i IV i Diasporës, nën kujdesin e Presidentit të Republikës, Bajram Begaj.
Ky eveniment i rëndësishëm ka në fokus bashkëpunimin me diasporën dhe rritjen e rolit të saj në zhvillimin e vendit.
Tirana është kthyer në qendrën e shqiptarëve nga e gjithë bota, këtë vit me moton frymëzuese: “Përmes Rrënjëve Lartësohemi”.
Në ceremoninë e mirëseardhjes, e cila u zhvillua në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, morën pjesë Presidenti Bajram Begaj, Kryeministri Edi Rama, krerë të komuniteteve fetare, ministra, deputetë, drejtues të institucioneve të shtetit, si dhe personalitete nga të gjitha trevat shqiptare dhe diaspora, duke i dhënë ngjarjes përmasa të një feste të vërtetë kombëtare.
Në ceremoninë e Samitit, Presidenti i Republikës Bajram Begaj dekoroi personalitete të Diasporës shqiptare të spikatur në fushat e tyre.
Ish-kapiteni i Kombëtares Lorik Cana u dekorua me “Urdhrin e Skënderbeut”. Cana u shpreh gjatë fjalës së tij se është përpjekur me punë gjithnjë të mbahet lart krenaria dhe nderi i shqiptarëve.
Personalitete të tjera që u nderuan: Gentian Toshkëzi, Kalorës i Urdhrit Suprem të Shqiponjës; Klarita Gërxhani, Kalorës i Urdhrit të Lisit Akademik; Shqiponjë Telhaj, Kalorës i Urdhrit të Lisit Akademik; Markus Schuhmann, Oficer i Urdhrit të Skënderbeut dhe Andres Lindberg Oficer i Urdhrit të Skënderbeut.
Samiti do të zhvillohet më datat 14 dhe 15 prill, me një program të pasur që përfshin panele tematike. Pjesëmarrësit do të kenë mundësi të diskutojnë dhe të eksplorojnë fusha të ndryshme të interesit, përfshirë ekonominë, inovacionin, arsimin, shëndetësinë, artin dhe ruajtjen e identitetit kombëtar.
Disa nga panelet dhe ngjarjet kryesore të ndara sipas tematikave: Ekonomia, inovacioni dhe zhvillimi; diaspora partner në biznes dhe inovacion; zhvillimi lokal dhe rural (kryebashkiakë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Lugina e Preshevës do të diskutojnë mbi rolin e diasporës në zhvillimin lokal); integrimi evropian; edukimi, shkenca dhe shëndetësia; mësimi digjital dhe gjuha shqipe; Diaspora dhe kërkimi shkencor (Programi READ); sistemi shëndetësor; kultura, identiteti dhe bashkëpunimi politik; Bota arbëreshe dhe identiteti kombëtar; diaspora mbarëshqiptare; mëngjesi i vëllazërimit (një takim unik mes klerikëve dhe përfaqësuesve të komuniteteve fetare shqiptare në diasporë (SHBA, Zvicër, Gjermani etj.), në një lutje të përbashkët për Shqipërinë); arti, sporti dhe gastronomia; rrënjë dhe udhëtime; Softpoëer-i sportive; zërat e diasporës (TKOBAP); aktivitete paralele dhe ekspozita, raporton RTSH.
Lajme nga vendi
Nga 13 deri më 19 prill fillon aksioni evropian për kontroll të shpejtësisë në rrugët e Maqedonisë
Nga Ministria e Punëve të Brendshme njoftojnë se nga 13 deri më 19 prill fillon aksioni evropian për kontroll të shpejtësisë në rrugë.
Nga atje theksojnë se Policia rrugore e Maqedonisë, si anëtare e Rrjetit Evropian të Policive Rrugore – ROADPOL, i bashkohet këtij aksioni me kontrolle të shtuara për vozitje mbi shpejtësinë e lejuar.
“Ndërsa të mërkurën, më 15 prill, nga ora 00:00 deri të enjten, 16 prill në ora 00:00, do të zhvillohet një “Maratonë 24-orëshe e shpejtësisë”, gjatë së cilës do të ketë kontrolle të pandërprera të shpejtësisë së lëvizjes në të gjithë territorin e shtetit. Vozitja e shpejtë mbetet një nga shkaqet kryesore të aksidenteve rrugore me pasoja të rënda dhe fatale në rrugët tona. Prandaj duhet të veprojmë vazhdimisht. Me implementimin e projektit “Safe City” dhe kontrollet e vazhdueshme aksionale të trafikut: rritet ndërgjegjësimi për rreziqet e vozitjes me shpejtësi të madhe, nxitet ndryshimi i sjelljes së shoferëve në afat të gjatë, shpëtohen jetë”, thonë nga MPB.
Sipas Policisë, një pjesë e madhe e lokacioneve të aksionit për kontrolle janë të njohura paraprakisht për shoferët, me qëllim që të forcohet karakteri parandalues i këtyre aksioneve.
“Qëllimi nuk është ndëshkimi, por qarkullimi në kufijtë e lejuar të shpejtësisë – një qarkullim që shpëton jetë”, thonë nga MPB.
Lajme nga vendi
Kamionët grevë në 4 shtete, bllokohet për 3 ditë kalimi në pikat kufitare
Autoritetet doganore shqiptare njoftojnë se nga nesër deri më 16 prill, do të ketë një ndalim përkohshëm të qarkullimit të lëvizjes së mjeteve të tonazhit të rëndë në akset rrugore që të çojnë nga Shqipëria drejt pikave të kalimit kufitar me Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut.
Shkak është lajmërimi për një grevë 72-orëshe nga shoqatat e kamionistëve të Malit të Zi, Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës, protestë e cila nis në ora 09.30.
Për të shmangur bllokimin e këtyre rrugëve drejt pikave kufitare dhe incidentet, autoritetet nuk do të ndalojnë qarkullimin e kamionëve të transportit ndërkufitar deri në përfundim të protestës.
Në kalimet kufitare do të lejohet të kalojnë auto veturat, mjetet e emergjencave, autobusët dhe mjetet e transportit të pasagjerëve. Arsyeja e protestës nuk është ende e qartë. Në shkurt shoqatat e transportit ndërkufitar në rajon protestuan për rregulla e reja të hyrje-daljes në zonën Shengen.
-
Lajme nga bota3 weeks ago“Do jem makthi i Iranit”, Trump ‘kërcënon’ sërish: Nëse nuk ulen në negociata, bombardimet do të shtohen
-
Lajme nga rajoni3 weeks agoZbardhet dëshmia e autorit të vrasjes së Liridonës, Plava: Kisha marrëveshje me Murselin, më tha se Behgjet Pacolli ka qenë në dijeni
-
Sport3 weeks agoBARDHI: NËNVLERËSIMI VETËM SE NA MOTIVON KUNDËR DANIMARKËS!

