Lajme nga rajoni
Arrestohet nxënësi që vrau një roje dhe plagosi disa të tjerë në një shkollë në Beograd, qëlloi me armën e babait të tij
Është arrestuar nxënësi që vrau një person dhe plagosi disa fëmijë në një shkollë në Vraçar të Beogradit mëngjesin e sotëm. Pas të shtënave ai është larguar nga vendi i ngjarjes, por policia e ka gjetur shumë shpejt.
Ai qëlloi armën e babait të tij, tha policia, dhe objektivi i tij ishte një ish-mësues.
Para shkollës është bërë një rrëmujë e madhe, fëmijët janë evakuuar, prindërit e panikuar po vijnë. Ka shumë ekipe policie dhe ambulanca.
Lajme nga rajoni
Tragjedia e familjes shqiptare në Itali / Katër anëtarët humbën jetën nga rrjedhja e gazit
Një tragjedia e rëndë ka tronditur Italinë dhe Shqipërinë, ku në zonën e Luccas, katër anëtarë të një familje shqiptare humbën jetën për shkak të rrjedhjes së gazit nga kaldaja.
Arti Kola, Jonida Kola, Hajdar Kola dhe Xhesika Kola u gjetën pa shenja jete në momentin kur karabinerët hynë me forcë në shtëpi.
“Jemi të gjithë të shokuar dhe të pikëlluar nga kjo ngjarje tragjike, ka shkruar kryetari i bashkisë së Porcarit, Leonardo Fornaciari, i cili kujtoi në postimin e tij edhe fatkeqësinë e ngjashme të familjes Malanca, që ndodhi gjithashtu po në një muaj shkurt, por të vitit 1992. Komuniteti ynë bashkohet me të afërmit dhe miqtë në një përqafim simbolik për këtë humbje të rëndë që ka goditur qytetin tonë. U prehshin në paqe, të gjithë së bashku”, shkruan kryetari i bashkisë së Porcarit, qyteti ku jetonte familja shqiptare.
Kjo tragjedi është thuajse e njëjtë me atë që ndodhi 34 vite më parë po në këtë bashki, ku katër anëtarë të familjes italiane Malanca humbën jetën, si pasojë e rrjedhjes së gazit.
Raffaello, bashkëshortja e tij Piera dhe vajzat Ilaria dhe Greta humbën jetën më 28 shkurt 1992, si pasojë e monoksidit të karbonit të çliruar nga një defekt i kaldajës brenda banesës.
Në këtë zonë ndodhet një park publik që mban emrin e tyre.
Lajme nga rajoni
Kosova rrezikon të humbasë mjetet nga Plani i Rritjes
Një zëdhënës i Komisionit Evropian tha për RTV21 se të vetmet shtete që nuk kanë përfituar nga Plani i rritjes vazhdojnë të mbesin Kosova dhe Bosnja Hercegovina. Komisioni bëri të ditur se ka miratuar 6 agjenda të reformave dhe se deri më tani vetëm katër shtete kanë përfituar.
Komisioni tha se është i gatshëm të ndihmojë partnerët e Ballkanit Perëndimor të përshpejtojnë reformat e pa përmbushura brenda periudhës së tolerancës. Komisioni përmendi edhe rreziqet që ka Kosova t’i humbasë këto mjete si shkak i vonesave për formimin e institucioneve.
Deri më tani nga Plani i Rritjes i BE-së më së shumti vlerësohet se ka përfituar Serbia me mbi 167 milionë euro e pasuar nga Shqipëria me mbi 163 milionë euro, Maqedonia e Veriut me mbi 80 milionë euro dhe Mali i Zi me mbi 45 milionë euro.
Lajme nga rajoni
BE me “shqetësim serioz” për mosmiratimin e përbërjes së Listës Serbe nga KQZ-ja
“BE-ja përsërit thirrjen e saj për depolitizimin e punës së KQZ-së, në përputhje me raportin e Misionit të BE-së për Vëzhgim të Zgjedhjeve, dhe u bën thirrje të gjitha partive të punojnë së bashku, në përputhje me Kushtetutën”, tha zëdhënësi i BE-së në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë.

Ai shtoi se është e rëndësishme që të gjithë kandidatët e zgjedhur të jenë në gjendje t’i marrin mandatet e tyre në Kuvendin e Kosovës.
KQZ-ja i miratoi më 31 janar rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë, por jo rezultatet për Listën Serbe.Moskonfirmimi i nëntë anëtarëve të Listës Serbe në Kuvendin e ardhshëm të Kosovës u dënua ashpër nga vetë partia dhe Beogradi zyrtar.
Tre anëtarë të KQZ-së votuan pro konfirmimit të rezultateve, dy anëtarë nga Lëvizja Vetëvendosje votuan kundër, ndërsa anëtarët e tjerë abstenuan.Lista Serbe, parti e cila mbështetet nga Beogradi, paraqiti një ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) më 2 shkurt, lidhur me vendimin e KQZ-së.
Lista Serbe e përshkroi vendimin e 2 shkurtit si “të paligjshëm dhe diskriminues”, duke thënë se ai anulonte më shumë se 42.000 vota të fituara në zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 28 dhjetor të vitit të kaluar.Në ato zgjedhje, Lista Serbe fitoi nëntë nga dhjetë ulëset e rezervuara për komunitetin serb.
Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kosovë tha se po i monitoron nga afër zhvillimet dhe bëri thirrje për pajtueshmëri me standardet ndërkombëtare zgjedhore.“Ne bëjmë thirrje për publikim transparent dhe gjithëpërfshirës të rezultateve të zgjedhjeve si një mjet për të siguruar siguri ligjore dhe trajtim të barabartë të të gjithë pjesëmarrësve në procesin zgjedhor”, tha OSBE-ja.
Sipas KQZ-së, në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura më 28 dhjetor, Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti fitoi 51.10 për qind të votave, ose 57 ulëse parlamentare në Kuvendin e Kosovës.Partia Demokratike e Kosovës fitoi 20.19 përqind të votave (22 ulëse), Lidhja Demokratike e Kosovës 13.24 përqind (15 ulëse), ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës fitoi 5.50 përqind të votave, gjashtë ulëse në Kuvend.
Nga dhjetë ulëset e rezervuara për komunitetin serb, nëntë u fituan nga Lista Serbe, ndërsa një shkoi për Partinë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë të Nenad Rashiqit.Dhjetë ulëse tjera janë të rezervuara për komunitetet joshumicë.
Vendimin e KQZ-së e kritikuan një ditë më parë edhe Shtetet e Bashkuara.Ambasada amerikane në Prishtinë i tha Radios Evropa e Lirë se vendimi i KQZ-së është “në kundërshtim me të drejtën e qytetarëve për të zgjedhur në mënyrë demokratike përfaqësuesit e tyre”.
“Çdo përpjekje për të shkelur këtë parim bazë minon partneritetin mes Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës”.Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti me partinë e tij, Lëvizjen Vetëvendosje pritet ta formojë pa probleme Qeverinë e re.
Megjithatë, ai e ka pranuar vetë një ditë më parë se do të duhet të krijohet një raport i ri mes pushtetit dhe opozitës për çështje tjera madhore, siç është ajo e pozitës së presidentit apo miratimi i marrëveshjeve ndërkombëtare.Për të dyja proceset duhet siguruar dy të tretat e votave.

