Lajme nga vendi
Geer: Jemi të shqetësuar, në shumë raste të korrupsionit të lartë ka veprime që çojnë në vjetërsimin e lëndëve
I ndjekim me seriozitet dhe nga afër zhvillimet në drejtësi. Sundimi i ligjit është fundamentale për Bashkimin Evropian dhe nëse keni një gjyqësor të komprometuar, do të ndikojë në të ardhmen në përpjekjet për të konsoliduar demokracinë dhe për të ndërtuar një ekonomi të përparuar dhe të zhvilluar, tha mbrëmë në një intervistë për TV Sitel ambasadori evropian në vend, David Geer, transmeton Portalb.mk.
Ai nuk ka dashur të komentojë zhvillimet e fundit në Këshillin Gjyqësor me shkarkimin kontrovers të Vesna Damevës nga posti i kryetares, por ka theksuar se Këshilli është organ shumë i rëndësishëm.
“Nuk do të hyj në detajet e Këshillit Gjyqësor, nuk jam i njohur me diskutimet e tyre dhe nuk do të ishte e udhës të bëja një gjë të tillë, por do të thoja si vijon – Këshilli Gjyqësor është një organ shumë i rëndësishëm, përgjegjës për promovimin dhe mbrojtjen e pavarësisë, integritetit dhe profesionalizmin e gjyqtarëve dhe prandaj është e rëndësishme se çfarë bën, çfarë vendimesh merr dhe si sillet”, tha ambasadori evropian Geer.
Ai shtoi se është shumë e rëndësishme që mënyra se si funksionon Këshilli Gjyqësor të mos bëhet në asnjë moment objekt i ndërhyrjeve të jashtme politike apo interesave financiare, sepse nëse kjo ndodh, sipas Geer, atëherë do të cenohet pavarësia e gjyqtarëve dhe në fund do të ndikojë në drejtësi, në përgjithësi.
“Siç thashë, nuk do të spekuloj për zhvillimet konkrete në Këshillin Gjyqësor, kjo është diçka që ata duhet ta rregullojnë, por do të them se është shumë e rëndësishme që të gjithë anëtarët e Këshillit Gjyqësor të veprojnë gjithmonë me nivelin e nevojshëm të paanësisë dhe në interes dhe sigurimin e një gjyqësori të pavarur dhe profesional që vepron me integritet. Jo sepse e kërkon Bashkimi Evropian, por sepse është në interes të qytetarëve”, tha Geer.
E pyetur për gjendjen me Këshillin e Prokurorëve Publikë, i cili mori vendim që t’i drejtohet Këshillit Etik të Prokurorëve Publikë lidhur me qëndrimet e prokurores Lençe Ristovska, e cila publikisht kritikoi punën e Këshillit dhe tregoi se ka presione politike mbi këtë institucioni, Geer thotë se sfida është e njëjtë dhe se ata janë përgjegjës për promovimin dhe mbrojtjen e pavarësisë, profesionalizmit dhe integritetit të prokurorëve dhe ky, tha ai, është një rol jashtëzakonisht i rëndësishëm.
“Për rastin konkret që përmendët, nuk i di detajet, nuk dua të komentoj konkretisht, por dua të them se është shumë e rëndësishme nëse ka sinjalizues, që ata të mund të veprojnë pa frikë nga pasojat. Në të njëjtën kohë, sinjalizuesit duhet të mbajnë përgjegjësi”, tha ambasadori evropian.
Në lidhje me atë nëse vendi po ecën në drejtimin e duhur në reformat në drejtësi, siç e pret BE-ja, ai përsëriti se ata e monitorojnë nga afër situatën në raportet e rregullta për vendin dhe vlerësojnë se si mendojnë se po zhvillohen gjërat.
“Gjatë viteve kemi parë progres pozitiv. Por muajt e fundit, jemi të shqetësuar, kemi parë një numër në rritje rastesh, pothuajse si model sjelljeje, që nuk janë në përputhje me atë që do të prisnim nga një vend negociator. Çfarë dua të them me një vend negociator? Korrikun e kaluar ju hapët negociatat e anëtarësimit me BE-në dhe kjo do të thotë një marrëdhënie ndryshe me një nivel të lartë angazhimi. Dhe ne presim të shohim realizim në fushën e sundimit të ligjit në kuptimin pozitiv. Dhe çfarë dua të them konkretisht me shqetësim? Ai mbulon një gamë të gjerë çështjesh që ishin gjithashtu në fokus të publikut. Nuk do t’i komentoj konkretisht, por do të përmend fushat shqetësuese – kemi parë në shumë raste që përfshijnë korrupsion të nivelit të lartë disa përsëritje sjelljesh – me rikthimin e rigjykimeve dhe dënimeve, të cilat ndikojnë në parashkrimin e çështjeve. Ky është një shqetësim. Mund të ketë justifikime të forta për ato raste individuale, por praktika e përgjithshme e përsëritur është shqetësuese. Në të njëjtën kohë po shohim ngjarje në Këshillin Gjyqësor, me Prokurorinë për Krim të Organizuar dhe Korrupsion dhe të gjithë ata hapin pikëpyetje”, theksoi ambasadori evropian.
Ai shtoi se gjatë procesit të anëtarësimit të vendit në Union, “BE-ja do t’i shikojë këto çështje me shumë kujdes, me mikroskop, që nga dita e parë, deri në ditën e anëtarësimit dhe për këtë arsye të gjitha këto ngjarje janë monitoruar dhe prandaj shprehim shqetësimin për zhvillimet aktuale”.
Kujtojmë se dje dështoi edhe një tentativë tjetër për zgjedhjen e kryetarit të ri të Këshillit gjyqësor. Ndryshe nga hera e parë, këtu nuk pati asnjë tentativë për fillimin e seancës dhe as votim për ta ricaktuar atë për datë të re.
Në Këshillin Gjyqësor ka dy tabore. Disa ishin për shkarkimin e Damevës, të tjerë kundër.
Nëpër koloare po spekulohet se pasardhës i ish-kryetares do të jetë Sashko Georgiev. Por do të zgjidhet kur të arrihet marrëveshje mes anëtarëve në një mbledhje dhe më pas ta prezantojnë atë para publikut.
Shkarkimi i Damevës u prit me kritika.
Përndryshe, më 26 prill u shkarkua nga funksionini kryetarja e Këshillit Gjyqësor, Vesna Dameva. Zëvendësi i saj, Selim Ademi, i cili pas zënkave që kanë zgjatur disa orë dhe pasi Dameva refuzoi ta vendos në votim pikën e cila nuk ishte në rend dite, ai e hodhi propozimin në votim. Shtatë anëtarë e mbështetën zëvendësin, i cili e mori udhëheqjen e seancës në prani të saj.
Lajme nga vendi
Radiologu Argjend Imeri: Diagnoza e historisë – Gjenocidi nuk shërohet me harresë

Lajme nga vendi
VAPA AFRIKANE: A DO TË SHKURTOHEN ORËT MËSIMORE?!
Shkollat duhet t’i respektojnë protokollet për punë gjatë temperaturave tepër të larta, porositi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska. Rregullat përcaktojnë edhe se kur duhet të hapen apo të mbyllen dritaret dhe cilat aktivitete duhet t’i zhvillojnë nxënësit. Protokollet janë publikuar në ueb-faqen e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH), ndërsa u janë dorëzuar edhe të gjitha shkollave. Janevska tha se drejtuesit e shkollave dhe mësimdhënësit duhet ta përshtatin mësimin me kushtet atmosferike.
A do të shkurtohen orët mësimore në ditët kur moti do të jetë shumë i nxehtë, ishte një pyetje e gazetarëve drejtuar Ministres së Arsimit, Vesna Janevska, lidhur me vapën afrikane që ka kapluar vendin edhe në fillim të vitit shkollor dhe sipas paralajmërimeve do të vazhdojë edhe më tej.
Ministrja potencoi se shkollat duhet të veprojnë konform protokolleve për situata të këtilla, duke shtuar se nuk mund t`u ikim ndryshimeve klimatike pasi ato janë të njëjta për të gjithë fëmijët në Evropë dhe në botë.
“Udhëheqësit e shkollave dhe vet mësimdhënësit. Është pjesë e punës së tyre. Të adaptohen konform kushteve. Nëse është nxehtë, nuk do të zhvillojnë edukatë fizike, do të kenë pushim, art figurativ, muzikë, diçka tjetër… Unë nuk dua të ndërhyj në punën e tyre, por ja, kjo mund të jetë një ide. Nëse është më freskët, mund të bëjnë edhe ndonjë ushtrim fizik. Në protokolle përcaktohet kur duhet të hapen dhe kur të mbyllen dritaret, si dhe cilat aktivitete duhet t’i kenë fëmijët. Duhet të përshtatemi me çdo gjë që do të jetë sfidë”
E pyetur nëse në shkolla do të sigurohen kondicionerë për freskim gjatë ditëve të nxehta në fillim dhe në fund të vitit shkollor, ministrja u përgjigj se do të ketë kondicionerë kur si shtet do të jemi në gjendje të sigurojmë kondicionerë në të gjitha shkollat.
Nga ana tjetër, Kryetari i Komunës së Aerodromit, Dejan Miteski, deklaroi se në shkollat e kësaj Komune, orët mësimore do të shkurtohen vetëm nëse aktivizohet “faza e verdhë” për shkak të temperaturave të larta.
Lajme nga vendi
Kronika e zezë – Tetovë dhe Gostivar, 01 Shtator
Dje në orën 11:00 në SPB Tetovë, një 52-vjeçar nga Republika e Kosovës, me banim në Norvegji, ka raportuar se në fshatin Dobrosht të Tetovës i është marrë motoçikleta e tij „BMV“, e cila ishte e parkuar në fshat. Po merren masa për gjetjen e motoçikletës dhe për zbardhjen e rastit.
…….Dje në orën 19:15 në Tetovë, zyrtarët policorë kanë privuar nga liria personin një 44 vjeçar nga Tetova, duke vepruar sipas raportimit paraprak nga vëllai i tij 46-vjeçar se, pas një debati të shkurtër në shtëpinë familjare, e ka sulmuar fizikisht dhe i ka dëmtuar telefonin celular. Pas dokumentimit të plotë të rastit, do të vijojë parashtresa përkatëse.
……Dje rreth orës 19:50 në SPB Tetovë është raportuar se në Spitalin Klinik në Tetovë, një 24 vjeçar nga fshati Pallatcë i Tetovës, pasi i është kërkuar të kryejë një pagesë për shërbim mjekësor, është sjellë në mënyrë agresive dhe ka thyer xhamin e sportelit të pranimit, me ç’rast ai dhe dy punonjës të tjerë kanë pësuar lëndime. Pas ndërhyrjes së zyrtarëve policorë, ai ka sulmuar fizikisht edhe një zyrtar policor, e më pas, për shkak të seriozitetit të lëndimeve, është transportuar në Kompleksin e Klinikave „Nënë Tereza“ në Shkup për t’iu ofruar ndihmë mjekësore. Është kryer këqyrje e vendit të ngjarjes dhe pas dokumentimit të plotë të rastit do të dorëzohet kallëzimi përkatës.
……Dje në orën 22:00 në rrugën „107“ në Tetovë, zyrtarët policorë nga SPB Tetovë kanë privuar nga liria një 24 vjeçar nga Tetova sepse gjatë kontrollit të ushtruar ndaj tij është gjetur dhe konfiskuar marihuanë. Personi është ndaluar në stacionin policor dhe pas dokumentimit të rastit do të vijojë parashtresa përkatëse.
……..Dje në orën 22:20 në rrugën „Iliria“ në Tetovë, zyrtarët policorë nga SPB Tetovë kanë privuar nga liria një 42-vjeçare nga Velesi, me banim në Tetovë, sepse gjatë kontrollit të ushtruar ndaj saj është gjetur dhe konfiskuar një substancë e bardhë pluhur. Personi është shoqëruar në polici dhe pas dokumentimit të rastit do të dorëzohet kallëzimi përkatës.
Pas mesnate në orën 01:50 në rrugën „107“ në Tetovë, zyrtarët policorë nga SPB Tetovë kanë arrestuar një 30-vjeçar nga Tetova, i cili kërkohej me urdhëresë gjyqësore për vuajtjen e dënimit me burg për vepër penale të kryer sipas nenit 130 paragrafi 1 të Kodit Penal. Personi është dërguar në Institucionin Ndëshkues-Përmirësues Burgu i Tetovës për vuajtjen e dënimit.
-
Lajme nga vendi1 month agoDyvjeçar nga Kumanova helmohet me tretës ngjyre, dërgohet në Klinikën “Nëna Terezë”
-
Lajme nga bota2 months agoFestivali kthehet në tragjedi, dy të vrarë dhe disa të plagosur nga të shtënat në Uashington. Arrestohet autori
-
Lajme nga bota2 months agoFranca në alarm, zjarret i afrohen Bordeaux, Macron mbledh qeverinë në takim krize

