Lajme nga vendi
Maqedonia në top 20 vendet e para për numrin e armëve në duar të civilëve
Mali i Zi dhe Serbia janë në vendin e tretë dhe të katërt në listën e vendeve me numrin më të madh të armëve për njëqind banorë, ndërsa në top 20 janë edhe Bosnjë e Hercegovina, Maqedonia e Veriut dhe Kosova.
Sipas hulumtimit të agjencisë ndërkombëtare “Small Arms Survey” me seli në Gjenevë, ka më shumë se një miliardë armë zjarri në botë, shumica e të cilave janë në duart e civilëve. Një sërë vendesh nga Ballkani Perëndimor janë në krye të listës me numrin më të madh të armëve për njëqind banorë. Sipas sondazhit të fundit të vitit 2018, vlerësohet se rreth 85% e armëve janë në duart e civilëve, 13% në arsenalet ushtarake dhe 2% janë në pronësi të agjencive të zbatimit të ligjit.
Rreth 4 nga 10 armë zjarri janë në pronësi të civilëve amerikanë. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës jetojnë rreth 4% e popullsisë së botës, por civilët nga ky vend zotërojnë rreth 40% të armëve të zjarrit në botë.
Shtetet e Bashkuara kanë rreth 121 armë zjarri për 100 banorë, ndërsa Jemeni është i dyti në listën e vendeve me numrin më të madh të armëve të zjarrit me 53 armë zjarri për 100 banorë. Sipas këtij hulumtimi, në vendin e tretë dhe të katërt në listën e vendeve me numrin më të madh të armëve për njëqind banorë janë Mali i Zi dhe Serbia me numër të njëjtë të armëve, pra 39,1. Hulumtimi thotë se civilët në Serbi kanë 2.719.000 armë, nga të cilat 1.186.086 janë të regjistruara dhe 1.532.914 janë të paregjistruara. Në Mal të Zi ka 245.000 armë, nga të cilat 103.536 janë të regjistruara dhe 141.464 janë të paregjistruara.
Bosnjë e Hercegovina është në vendin e 11-të dhe, sipas të dhënave të “Small Arms Survey”, në vend janë regjistruar 31,2 armë për njëqind banorë. Raporti thotë se ka gjithsej 1.185.000 armë në BeH, nga të cilat 353.000 janë të regjistruara dhe 832.000 janë të paregjistruara. Maqedonia e Veriut është në vendin e 13-të me 29,8 armë për njëqind banorë, me gjithsej 621.000 armë. Kosova është në vendin e 17-të me 26,3 armë për njëqind banorë, pra gjithsej 436.000 armë. Në fund të listës janë vende si Indonezia dhe Japonia, të cilat nuk kanë më shumë se një armë zjarri për 100 banorë.
Lajme nga vendi
MBJELLJET E GRURIT NË POLLOG NË RREZIK – BUJQIT PËRBALLEN ME KOSTO TË LARTA!
Edhe pse kushtet atmosferike janë të favorshme për mbjelljet vjeshtore, bujqit në rajonin e Pollogut po përballen me pasiguri ekonomike. Çmimet e ulëta të grurit, shpenzimet e larta të prodhimit dhe vështirësitë në shitjen e prodhimit të sivjetshëm po i dekurajojnë fermerët. Agronomët paralajmërojnë se pa masa konkrete mbështetëse, vendi rrezikon të bëhet gjithnjë e më i varur nga importi i grurit.
Vala e fundit e reshjeve ka ndikuar pozitivisht në përmirësimin e mungesës së mëparshme të ujit dhe ka siguruar lagështi optimale dhe produktive në shtresën sipërfaqësore të tokës.
Kjo ka krijuar kushte të favorshme agroekologjike për përfundimin e mbjelljeve vjeshtore dhe për fillimin e zhvillimit vegjetativ të kulturave drithërore.
Agronomi, Alirami Saliu, për Tv Koha, thotë se për mbjelljet vjeshtore ekziston një kalendar i përcaktuar, i cili për kushtet klimatike të rajonit të Pollogut parasheh periudhën nga mesi deri në fund të muajit tetor.
Mbjelljet vjeshtore po hyjnë në fazën përfundimtare. Kushtet atmosferike dhe lagështia në tokë janë të favorshme, por mbetet e paqartë se sa sipërfaqe do të mbillen këtë vit me grurë. Çmimet e ulëta të blerjes, shpenzimet e rritura të prodhimit dhe mungesa e leverdisë ekonomike po i detyrojnë bujqit të heqin dorë nga kultivimi i një pjese të sipërfaqeve bujqësore.
Interesimi i ulët për blerjen e grurit dhe çmimi i ulët i prodhimit të sivjetshëm kanë bërë që një pjesë e fermerëve të mbeten me sasi të pashitura në depot e tyre. Ndërkohë, çmimet e naftës, plehrave artificiale dhe materialeve të tjera të nevojshme për prodhim vazhdojnë të rriten.
Bujqit paralajmërojnë se, nëse shteti dhe Ministria e Bujqësisë nuk ndërmarrin masa konkrete, Maqedonia gjithnjë e më shumë do të bëhet e varur nga importi i grurit.
Kohë më parë nga Ministria e Bujqësisë kanë bërë shpërndarjen e kartelave të naftës së gjelbër për bujqit.
Siç njoftojnë nga Ministria e Bujqësisë, për Tetovën janë ndarë gjithsej 1.577 kartela, në vlerë prej 11.953.292 denarësh, mbështetje e drejtpërdrejtë për uljen e kostove të prodhimit bujqësor.
/Tv Koha/
Lajme nga vendi
BDI: JO VETËM “ALTA BANKA”, EDHE INSULINA NË DUAR TË BOTËS SËRBE!
“Alta Banka” nuk është rasti i vetëm që një kompani serbe po investon në vendin tonë duke tentuar ta shtri ndikimin në vend, thonë nga Bashkimi Demokratik për Integrim.
Arta Bilalli nga kjo parti tha se blerja e Phoenix Pharma nga kompania serbe VEGA, e lidhur me biznesmenin Dejan Çakajac, bashkëpronar i kompanisë së lojërave të fatit Mozzart, është një rast tjetër që dëshmon tezën e opozitarëve.
ARTA BILALLI ZENDELI – BDI
“Më 3 prill 2025, Komisioni për Mbrojtjen e Konkurrencës, me vendimin nr. 08-55, miratoi blerjen e Phoenix Pharma nga kompania serbe VEGA, e lidhur me Dejan Çakajac, bashkëpronar i kompanisë së lojërave të fatit Mozzart. Insulina nuk është biznes i zakonshëm. Është ilaç jetik dhe furnizimi me të është çështje e sigurisë shëndetësore të shtetit. Prandaj, sot pyesim publikisht: Kush e ka vlerësuar rrezikun për sigurinë e furnizimit me insulinë? Pse Komisioni e miratoi këtë përqendrim dhe a ka pasur ndikim politik në këtë vendim?
Megjithatë, sapo përfundoi konferenca, rasti i përmendur nga Arta Bilalli u lidh me Qeverisjen e Arben Taravarit dhe kohën kur ai ka qenë në krye të Ministrisë së Shëndetësisë.
TV Koha kontatoi Taravarin, në një përgjigje me shkrim ai tha se kompania për të cilën flet BDI-ja është kompani private dhe se, shit blerja e kompanive private nuk është kompetencë e ministrit dhe ministries.
ARBEN TARAVARI – Ish Ministër i Shëndetësisë
Kompanitë private, kush i shet dhe kush i blen, nuk janë çështje që bien në kompetencë të Ministrisë së Shëndetësisë. Nuk kam pasur asnjë informacion se kush e ka shitur apo blerë ndonjë kompani të caktuar. Kjo nuk është përgjegjësi e ministrit dhe as e Ministrisë së Shëndetësisë.
Ndryshe, Phoenix Pharma në Maqedoninë e Veriut është një nga kompanitë kryesore të distribucionit me shumicë të barnave dhe produkteve farmaceutike. Roli i saj është shumë i rëndësishëm, sepse lidh prodhuesit e barnave me farmacitë, spitalet, institucionet shëndetësore dhe pacientët./Tv Koha – Shkup/
Lajme nga vendi
Piloti shqiptar shpallet më i miri me avionët F-35 në forcën ajrore të SHBA
Një tjetër histori suksesi që bën krenar çdo shqiptar! Edmond Smajli, pilot me origjinë nga Kosova, është shpallur më i miri në drejtimin e avionëve luftarakë F-35 në Forcën Ajrore të Shteteve të Bashkuara.
F-35 konsiderohet si një nga avionët më të avancuar dhe më të sofistikuar në botë, dhe të arrish të vlerësohesh si më i miri në këtë kategori është një arritje e jashtëzakonshme.
Me profesionalizëm të lartë dhe përkushtim maksimal, Smajli ka arritur të dallojë mes elitës së pilotëve amerikanë, duke dëshmuar aftësi të jashtëzakonshme dhe disiplinë të fortë.
Ky sukses nuk është vetëm personal, por një moment krenarie për gjithë shqiptarët, duke treguar se talenti dhe puna e palodhur nuk njohin kufij.
Një emër që tashmë shkruhet me germa të arta në historinë e aviacionit ushtarak!

